Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Shqiptarët heronj e ata terroristë

Pak para se të ndodhte akti terrorist i Vjenës, shqiptarët mbushën faqe të tëra me një mjek të suksesshëm në Amerikë. Dhe me të drejtë. Modeli i mirë gjithmonë duhet ndjekur. Për kë nuk e kanë bërë? Zgjidhet në shqiptare në parlamentin europian, megjithëse me shtetësi suedeze, rrahën gjoksin. Dalin dy këngëtare në Angli, rrahin gjoksin, menderen, çirren nga fyti. Por rrudhen si dreqi sapo ndodh e kundërta. Me të ndodhur akti i Vjenës, kanë filluar të fshehin sytë, fytyrën, duart etj. Madje po justifikohen. Përse? Sepse atentatori ishte me origjinë nga trojet shqiptare. Diku nga periferia e Tetovës, sot në juridiksionin e shtetit të Maqedonisë së Veriut. Sikur ai që bëri gjëmën të mos ishte me origjinë shqiptare, do kishim mbushur faqet me solidaritetin tonë fallco, si ngahera e për t’u dukur, se solidarizohemi me Austrinë. Por na ka rënë kokës. Atetantori shqiptar, viktima shqiptar. Dhe ta mendosh, që shqiptari nga emigrant ekonomik kthehet në një xhihadist rruge, është me plot gojën vraje veten. Tjetri del të pijë një cigare, ti e vret në emër të Allahut. Tjetra zbret nga urbani, ti e vret në emër të Zotit. Dhe pikërisht për ironi të fatit të mbrapshtë të sojit nga vjen, vret një kalimtar që rezulton gjaku i yt.

Ajo çfarë është e trishtueshme me ne, është loja me besimin. Jemi kaq o burra, kaq zhurmëtar sa e kemi kthyer besimin në një sfidë sociale. Dhe jo rastësisht në Shqipëri më shumë ka minare a objekte kulti se sa fabrika e kantiere. Por çfarë vret më shumë është edukata fetare që vjen nga vendet e Lindjes. Dhe a e dini përse, se andej vijnë edhe paratë. Vendi ynë nuk investon në buxhetin e besimeve, për rrjedhoj nuk i kontrollon dot. Madje as nuk ka ndonjë informacion. Madje ua lejon futjen e parave qofshin këto edhe të nxira.

Vetëm në shtetin e Ahmet Zogut buxheti i besimeve buronte nga taksat dhe kontrollohej. Sot në shtetin e kuadrove të nomeklaturës as që bëhet fjalë. Në fund të fundit kishën e Nolit internacionalistët e vet e lanë në mërgim. Kështu edhe me xhamitë. Besimi plot urtësi i gjyshërve patriotë, u zëvendësua me militantë të xhihadit. Një masë e gjerë që nga njëra anë predikon islamizmin, nga ana tjetër ndihet e persekutuar. Kudo ku dalin flasin për një përvuajtje a paragjykim, pavarsisht se shkaqet mund të jenë edhe naive. Dhe ajo që është më e trishtueshmja, është imponimi. Mund të mos ta kesh fare mëndjen tek besimi, qoftë i tyre apo i ndonjë tjetri, ata të imponohen. Ndërkohë të shfaqin pakënaqësi pa fund me paragjykimin social. Aq sa sot tema të tilla janë gati eksplozive për një debat të hapur. Madje një besimtar mylsiman është kthyer në një internacionalist duke mohuar thelbësoren, kombësinë e vet. Sot myslimanët e Shqipërisë janë sa turq, sa arabë, sa sirianë, sa egjiptianë etj., po shqiptarë asesi. Dhe jo vetëm ata, por gjithë e kudo në trojetet e tyre. Nuk e kanë për gjë të luftojnë për ISIS-in, ashtu sikur nuk e kanë për gjë t’i kthejnë kurrizin Shqipërisë në një rast agresioni.

Ndaj është e dhimbshme të zbulosh në kampet e Sirisë plot muxhaedinë internacionalistë nga trojet shqiptare. Por ne kurrë nuk e pranuam përse-në, nuk pyetëm përse arritëm deri këtu? Ashtu sikur ishte e tmerrshme ngujimi në mes të Tiranës i një familje që nuk besonte në institucionet e vendit dhe në dritën e diellit. Megjithatë trumbetuam plot pasion propogandën e një qeveritari dështak nga maja e avionit. Kësisoj mos të na vij turp që është shqiptar ky Kujtimi se, më për kokës do dëgjojmë. Jemi tashmë një problem universal.

Please follow and like us: