Albspirit

Media/News/Publishing

Laura Skënderas: Mbi ligjin e ri për kadastrën

 

Regjistrimi i pasurive të paluajtshme, strukturat përgjegjëse, procedurat, kushtet, afatet…  

Në fashën e ndryshimeve ligjore që prekin të drejtat reale mbi tokën dhe çdo objekt tjetër të konsideruar si pasuri të paluajtshme, legjislatori shqiptar, së fundmi ka ndërmarrë disa nisma ligjore që lidhen kryesisht me Agjencinë Shtetërore të Kadsstrës. Megjithatë edhe pse kanë kaluar së paku 6 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duket se qytetarët e RSH kanë pak ose aspak informacion mbi parashikimet normative të tij e jo rrallë ndeshen me ndryshimet e fundit vetëm kur problemet i çojnë në dyert e Kadastrës. Agjencia Shtetërore e Kadastrës si person juridik public me vetëfinancim dhe nën varësinë e Kryeministrit, që synon ofrimin e një shërbimi public (regjistrimin e pasurive të paluajtshme), nga ana e saj ngrihet dhe funksionon mbi bazën e disa parimeve sikurse parimi i ligjshmërisë, transparencës, sigurisë juridike apo ekskluzivitetit.

Pyetja që shtrohet është: Çfarë rregullimesh bën ky ligj dhe pse është i rëndësishëm regjistrimi i pasurive të paluajtshme?

Së pari, duhet thënë se ky ligj rregullon në mënyrë të detajuar dhënien e shërbimit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme nga Agjencia e Kadastrës. Duke kuptuar me pasuri të paluajtshme: pronat e paluajtshme private, pronat e paluajtshme shtetërore dhe publike si dhe të drejtat reale mbi to.                                    Së dyti, parashikon rregullime specifike mbi organizimin e regjimit kadastral, mbi procedurat e regjistrimit të pasurive dhe update-imin e regjistrit të Kadastrës.

Së treti, parashikon rregullat mbi strukturat organizative të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Cilat janë subjektet pronarë/ përdorues të pasurive të paluajtshme, që kanë detyrimin ligjor për regjistrim?

Së pari, personat fizikë dhe juridikë që gëzojnë të drejta pronësie apo janë titullarë të të drejtave reale mbi pasuritë e paluajtshme, kanë detyrimin ligjor t’i drejtohetn ASHK (Agjencia Shtetërore e Kadastrës) për të regjistruar pasurinë e paluajtshme.

Së dyti, janë personat e tretë që kanë një interes të ligjshëm dhe të drejate tyre i kanë ngushtësisht të lidhura me pronën që kërkohet të regjistrohet sipas këtij ligji.

Si funksionin sistemi kadastral?

Secila nga pasuritë e paluajtshme që regjistrohet në regjistrin kadastral, pasqyrohet në hartën kadastrale dhe në kartelën përkatëse të pasurisë, të pasqyruara secila në sistemin digjital dhe atë shkresor. Elementët që përmban kartela e pasurisë lidhen me të dhëna të tilla si: siperfaqja dhe pozicioni gjeografik i pasurisë, llojin e saj (tokë bujqësore, truall…), aktin nga ka lindur e drejta e pronësisë, vlerën e pasurisë etj. Harta kadastrale si dokument krijohet në momentin e regjistrimit fillestar të pasurive të zonës kadastrale dhe më pas përditësohet me kohën. Në të tregohen pozicioni gjeografik dhe kufijtë për cdo pasuri, numri identifikues për secilën nga pasuritë brenda numrit të zonës kadastrale, të dhëna të tjera sipas VKM.

Certifikata e pronësisë si dekument unik që provon titullin e pronësisë statusin ligjor dhe kufijtë e pronës, lëshohet nga Drejtoria Vendore e Kadastrës pas regjistrimit fillestar ose regjistrimit pas çdo kalimi pronësie gjatë transaksioneve tregëtare (kontrata shitje, dhurimi etj). Shoqerohet gjithmonë me kopje të kartelës kadastrale si edhe hartën kadastrale. Kusht dhe bazë për lëshimin e certifikatës së pronësisë është ekzistenca e dokumentit ligjor original që përcakton lindjen e së drejtës. Certifikata lëshohet edhe për të drejtat e tjera reale. Në rast humbje apo dëmtimi të rëndë të certifikatës, autoriteti përgjegjës lëshon dublikatën. Përditësimi i këtyre të dhënave bëhrt me kërkesë të pronarit ose personit të interesuar nga Drejtoria Vendore.

Pse paraqet rëndësi regjistrimi i pronave?

Regjistrimi i pasurive të paluajtshme paraqet rëndësi për vetë faktin se me aktin e regjistrimit dhe lëshimin e certifikatës, garantohet formalisht e drejta e pronësisë apo të drejtat e tjera reale. Kështu pronari/poseduesi mund ta disponojë lirisht pronën në qarkullimin civil dhe të shmang si rezultat penalitetet (gjobat si masa administrative) si shkak i tejkalimit të afatit për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme.

Please follow and like us: