Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: Ec e guxo të bësh një telefonatë në Shqipëri

Eden Babani, Bruksel

Përpara se të bëj një telefonatë në Shqipëri, matem disa herë. Ta bëj, të mos e bëj. Nuk më tremb shpenzimi. Teknikat telefonike dhe interneti ofrojnë lloj-lloj programesh me minimum shpenzimi ose gratis, siç thuhet sot me këtë barbarizëm mbase të nevojshëm. Më tremb Covid-19, menaxhuar si mos më keq nga ana qeverisë dhe e ca specialistëve sahanlëpirës, të cilët vënë interesat e tyre meskine përpara interesit publik, paranë dhe pozitën në administratën shtetërore, përpara betimit të Hipokratit, themeli i etikës mjekësore.

* * *

Puna e kunatës, bashkëshortes së tim vëllai (të voglit), tashmë është harruar. E kaloi që me valën e parë, dhe shpëtoi paq. Por s’është vetëm rasti i saj që, siç thashë, sot, kur vala e dytë po bën hatanë, është harruar.

Para nja dy javësh, i telefonova sime kushërire. Si jeni? Mirë, m’ u përgjigj si e mekur. S’ më pëlqeu ajo lloj përgjigjeje.

Të nesërmen, s’ më zinte vendi vend. Heu! Si e ka punën? T’i telefonoj apo jo? Le të pres edhe dy a tri ditë, i dhashë karar. Por, jo. Përpara sa ta merrja unë, më mori ajo në telefon. Shtrak!, ma bëri zemra. Mirë se i shoqi ka ikur qyshkur. Po, djemtë si janë në këtë kohë të çmendur epidemie? Po nuset? Po nipat e mbesat?

Unë që këtej me zemër të ngrirë: Hë?! Ajo që andej me plot zërin: Desh Zoti, mirë fare.

I biri ishte prekur me Covid-19, por ishte mjekuar në një spital jashtë vendit. Tashmë, “desh Zori” ndihej fare mirë dhe kishte filluar punën.

Shyqyr që kanë ca para! Edhe ato falë gjykatës së Strasburgut, për pasuri të grabitura që nga koha e diktaturës…

* * *

Një a dy ditë përpara se njëditëzaj, i telefonova shokut tim të rinisë, vlonjatit  M. M. Alo, – zëri i mekur së shoqes, B-së. Unë, gjithë me zemër të ngrirë: Si jeni? Ajo: Sëmurë, na zuri, edhe mua, edhe M-në. Nga apartamenti, asgjë të re. Mos u bëj merak.

U zura ngushtë, sepse çelësat e apartamentit tim i mban ajo, që ta ajrosë herë pas here.

Nuk dua të bëhem i mërzitshëm, por ma ka ënda të tregoj edhe këtë episod të rinjohjes sime me vlonjatin M. M. Rinjohje, thashë. Janë kusure të flamës komuniste, që ngjan si përrallë sot, në kohën e flamës pandemi, kur sekti rilindje po na çmend, po na bën të ndahemi për së gjalli nga miq e shokë, pa guxuar të bëjmë një telefonatë. Kur alarmohemi edhe se ai tjetri nuk përgjigjet për arsye se s’e ka dëgjuar sinjalin e telefonit, është i zënë e s’mund të përgjigjet.

…Fati e deshi që, pas një ndarjeje afro gjysmëshekullore, të na mblidhte i njëjti  pallat. Sa herë që vija për pushime në Tiranë, shiheshim tek zbrisnim e ngjiteshim, përshëndeteshim si fqinjë e aq. As ai s’ më njohu mua, as unë atë. Ehu, hane vitet ’60 të shekullit të kaluar, hane dhjetëvjeçari i parë i këtij shekulli… Një mbrëmje, më trokiti në portë për një firmë, lidhur me një kërkesë drejtuar Shpërndarësit të Energjisë Elektrike. As unë atë, as ai mua. Firma, në fillim. Pastaj, falemnderit e natën e mirë. Kaq… Ajo mbrëmje dhe kërkesa për kusure të shtetit u bënë sebep të përqafoheshim të nesërmen. Të pinim edhe nga një gotë si në rini...

Sot, teksa po hedh këto reshta, s’ më lë meraku për M-në dhe B-në, të dy të sëmurë. T’u bëj, të mos u bëj një telefon. Dje, guxova, por ç’të them…. Gjatë ditës, ndiheshin më mirë. Merrnin parasetamol… Gjatë natës, temperatura u ngrihej… Si do të shkojë puna e tyre, me parasetamol?

* * *

Dje më telefonoi ish-nxënësi im P. T. Edhe ky vlonjat. Mua me Vlorën më lidhin dhjetë vjet kujtime të rinisë së hershme, kur isha arsimtar.

Si je, profesor? – Kështu më quan ende ai, ndonëse në pension dhe me një të kaluar si pedagog i suksesshëm në Universitet. Mirë, po ju? Lëre, profesor. E ka zënë edhe gruan, edhe djalin…

Ec e guxo të bësh një telefonatë në Shqipëri.

 

Please follow and like us: