Kujtoj…sot, mbas sa vjetësh, dijetarin trim, PROF. DR. ZEF MIRDITA
PROF. DR. ZEF MIRDITA (1936 – 2016)
Mendime per Françeskanët: At Gjergj Fishta O.F.M.
Korifeu i letrarëve françeskanë, por jo vetem i tyre por edhe i letersisë shqiptare në përgjithësi është pa dyshim At Fishta.
At Gjergj Fishta është kolos i mendimit dhe i letërsisë shqipe, që me tërë veprimtarinë e vet – meshtarake, intelektuale, politike e letrare – ka sintetizuar historinë e popullit Shqiptar.
Ky françeskan ka qenë apostull i atdhetarizmit të sinçertë dhe të pastër, për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion, por një jetë intensive. Gjatë jetës së frytshme të tij, ai e themeloi Shoqërinë Letrare “Bashkimi”, ishte drejtor i gjimnazit françeskan në Shkodër, kryetar i Kongresit të Alfabetit, anëtar i Komisisë Letrare Shqiptare, udhëheqës i dërgatave shqiptare në Paris dhe Washington, deputet dhe nënkryetar parlamenti, përfaqësues i Shqipërisë në konferencat ballkanike.
At Fishta meshtar dhe letrar. Veprimtaria e tij e gjithanshme u shpërblye me dekorata nga Austria, Turqia, Papa Pio XI, Greqia, Urdhëri Françeskan, ndërsa Akademia Italiane e zgjodhi për anëtar. Mirëpo, përderisa të huajt e dekoruan, ndërsa emrin dhe veprat e tij i studiuan në katedrat e tyre albanologjike dhe ballkanologjike, ky vigan, në Shqipëri, gjatë regjimit komunist u ndalua për plotë 50 vjetë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe eshtrat ia zhvarrosën dhe ia hudhën në bërllog. Këtë ia bënë atij që Shqipërinë e kishte koncipuar dhe dashur si një atdhe të vërtetë të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga ndasia religjioze dhe përkatësia regjionale. Atij që gjithnjë e ka theksuar nevojën e unitetit kombëtar dhe vëllazërisë, ide kjo që e përshkon kryeveprën e tij, Lahutën e Malcis.
Lajtmotivi i këtij vigani ka qenë: Për Fe dhe Atdhe.
Sa i përket vlerës estetiko-letrare të veprës së Fishtës, ajo është e shumëfishtë, qoftë për nga përmbajtja, gjuha, stili, rrjellshmëria e fjalës, ngrohtësia, ngjyra dhe porosia. Ai me shikimin realistik të vetin nuk e idealizon shqiptarin, por e përshkruan ashtu si është, me të gjitha të metat dhe virtytet, me meritat dhe fajet.
Në veprën e tij vërehet edhe nota edukative, sepse ai e qorton shqiptarin që të lirohet nga fatalizmi, pjellë e mentalitetit oriental dhe e udhëzon kah rruga e qytetërimit europian, ku shqiptari edhe e ka vendin, gjeografikisht dhe historikisht. Gjithashtu e udhëzon që t’i tejkalojë ndasitë regjionale dhe fetare, ndërkaq të përqafojë ndjenjën nacionale, krenarinë dhe vetëbesimin.
Satira e tij është karakteristike për një shkodran.
Me fjalë tjera, ai me të i ka luftuar pseudointelektualët, pseudoeuropianët, pseudoshqiptarët.
Habitë fakti i aktualitetit të kësaj satire edhe sot e kësaj dite. Një njeri i tillë pra, është zhvarrosur dhe për plot 50 vjetë është njollosur, përbuzur, përdhosur dhe ndaluar, mirëpo pa sukses. Ai nuk ka mundur të dëbohet nga zemra dhe nga ndjenjat e popullit.
Të flitet për At Gjergj Fishtën, e sidomos me rastin e përkujtimit të 60 vjetorit të vdekjes së tij, nuk është as lehtë, e nuk është as e thjeshtë. Sado që është nderë e madhe, më e madhe është përgjegjësia.
Them kështu, sepse kemi të bëjmë me një kolos të mendimit dhe të letrave shqiptare. Kemi të bëjmë me një figurë madhështore, e cila me tërë veprimtarinë e vet – meshtarake, intelektuale, politike dhe letrare – e ka sintetizuar tërë historinë e popullit shqiptar. Kemi të bëjmë me një apostull të atdhetarizmit të sinçertë dhe të pastër, për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion i çastit apo i rastit, por ka qenë një jetë intensive, e përshkuar me të gjitha ngjarjet më vendimtare për fatin e kombit shqiptar.
U lind më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë, në Zadrimë. Prindërit e pagëzuan me emrin Zef, të cilin sipas rregullës së Urdhërit Françeskan, do ta zëvendësojë me emrin Gjergj.
Mësimet e para i mori nga poeti arbëresh, At Leonard De Martini. Me të parë zotësinë e Zefit të vogël, poeti e mori në seminarin françeskan, në Troshan, ku edhe e kreu shkollën e mesme. Më 1886 u nis për në Bosnje, ku, në Sutjeskë, Livno dhe Kreševo, i kreu studimet filozofike dhe teologjike. Aty u njoftua me At Grga Martiæ-in dhe me Silvije Strahimir Kranjèeviæ-in, të dy këta poetë të mëdhenjë kroatë. Këtij të fundit, madje ia përkushtoi një vjershë të shkruar më 12 dhjetor 1892. Më 1893 kthehet në Shkodër, ku më 1894 shugurohet meshtar.
Brenda një kohe, njëkohësisht e ushtroi detyrën e arsimtarit në Troshan dhe famullitarit në Gomsiqe të Mirditës.
Së bashku me abatin e Mirditës, Imzot Preng Doçin, Don Ndoc Nikën dhe At Pashk Bardhin e themeloi Shoqërinë Letrare “Bashkimi”.
Më 1902 u emërua drejtor i gjimnazit françeskan në Shkodër. Me ardhjen e tij, gjuha italiane, që ishte gjuhë ligjërimi, u zëvendësua me gjuhën Shqipe. Më 1908 është kryetar i Kongresit të Alfabetit, në Monastir (Bitoli i sotëm), në të cilin u vendos që alfabeti latin të merret për alfabet i gjuhës Shqipe.
Më 1916 është anëtar i Komisisë Letrare Shqiptare, e cila ka pasë për detyrë standardizimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Më 1919 është sekretar gjeneral i dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, në krye të së cilës dërgatë ishte ipeshkvi i Lezhës, Imzot Luigj Bumçi. Nga Parisi, në krye të dërgatës shqiptare shkon në Washington, për ta mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë, nga orekset okupuese të serbëve, malaziasve dhe grekëve.
Më 1921 zgjedhet për deputet të grupit të Shkodrës, në Parlamentin e Tiranës, dhe menjëherë zgjedhet nënkryetar i tij dhe kryetar i Komisionit për çështjet Financiare.
Ishte përfaqësues i Shqipërisë në konferencat Ballkanike: në Athinë(1930), Stamboll(1931), Bukuresht(1932), ndërsa më 1934, ishte delegat i Shqipërisë në New York.
Në periudhën 1935-1938, kryen detyrën e provincialit të Provincës Shqiptare Françeskane.
Për veprimtarinë e tij të gjithanshme ka qenë i dekoruar me dekorata nga Qeveria Austriake me “Ritterkreuz”(1912), nga Qeveria Turke me “Mearf Kl, II.” Në vitin 1925, Papa Piu XI e nderon me medalen “Al merito”, kurse më 1931, Qeveria Greke e dekoron me rendin “Phoenix”. Më 1939, Urdhëri françeskan e dekoron me titull “Lector jubilatus honoris causa”, ndërkaq Akademia Italiane e zgjodhi për anëtar të vetin, për çka, përveç insinuatave të tjera, kritikët e pendave enveriane e karakterizojnë si fashist dhe armik të popullit!!
A nuk është kjo tragjiko-komike!?
Më 31 dhjetor 1940, pushon së rrahuri zemra e këtij vigani të letrave shqiptare, apostullit të unitetit të kombit shqiptar.
Mirëpo, përderisa emri dhe veprat e tija ishin të pranishme në katedrat albanologjike dhe ballkanologjike të Europës, në Shqipëri, të cilën e deshti me tërë qenien e vet dhe së cilës ia kushtoi vargjet më të bukura, u ndalua për plot 50 vjet.
Me ndalimin e veprave të tija u gjymtua gjuha shqipe, të cilës ky poet ia këndoi himnin më të bukur që është shkruar ndonjëherë për gjuhën shqipe:
Porsi kanga e zogut t’veres
Qi vallzon n’blerim të Prillit,
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjit’ e drandafillit,
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjâma e rrfés zgjetáre,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtú â’ gjuha e jonë shqyptare…
Për 50 vjet u ndalua të dëgjohet mallkimi i poetit drejtuar atyre që këtë gjuhë shqiptare e përbuzin:
Prá, mallkue njai bir Shqyptari,
Qi ketë gjuhë të Perendis,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ia len ai fmis,
Edhé atij iu thaftë, po, goja,
Qi e përbuzë ketë gjuhë hyjnore
Qi n’gjuhë t’huej, kúr s’âsht nevoja,
Flet e t’veten len mbas dore…
Për plot 50 vjet u ndalua këndimi i himnit më të bukur që Fishta ia kushtoi Flamurit tonë Kombëtar:
Porsi fleta e Éjllit t’Zotit
Po rrehe Flamuri i Shqypnis
E thrret t’bijt e Kastrijotit
Me u mbledhë tok nder çetë t’ushtris…
Plot 50vjet e akuzuan se bëri përçarje në popull, atë i cili po këtë popull e fton të bashkohet:
Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë!
A ngadhnjyesé a t’gjith déshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
Këtë himn, kushtuar Flamurit Kombëtar, poeti e shkroi me rastin e ngritjes së Flamurit, natën e Shna Ndout, më 12 qershor 1913, në kumbonaren e kishës françeskane të Gjuhadolit, përkundër ndalesës së kolonelit De Philipps, sundimtarit të qytetit të Shkodrës.
Është e njohur se njerëzit e mëdhenj vdesin në kohë të duhur! Falë Zotit, kjo ndodhi edhe me At Gjergj Fishtën.
Sepse, po t’i kishte pritur njësitë e kuqe të ngarkuara me idetë e internacionalizmit proletar, por edhe antishqiptar, jo vetëm që e kishin masakruar, por as varri nuk iu kishte ditur, siç ka qenë rasti me shumë sivëllezër të tij françeskanë.
Megjithatë, ajo që nuk i ndodhi për së gjalli, e pësoi për së vdekuri. Mënia dhe urrejtja ndaj tij ishte aq e madhe, sa që edhe e zhvarrosën dhe Eshtrat ia hodhën në bërllog!
Nuk është kjo hera e parë që mizoria e tillë barbare ushtrohet mbi fatosat e vdekur shqiptarë!
Në fund duhet theksuar se, ndonse regjimi komunist enverian u përpoq që ta zhdukë Fishtën nga mendja dhe kujtesa e Popullit të të gjitha brezave, këtij qellimi nuk ia arriti. Sepse At Gjergj Fishta, pa emër, ka qenë prezent në tekstet e shkollave të Shqipërisë. (fq. 289)
Shenim F.Radovani: Respekt per Veprat dhe trashigiminë kulturore që na ka lanë i Ndjeri Prof. Zef Mirdita! Materiali asht marrë nga teksti me vlerë i Profesorit “Krishtenizmi ndër Shqiptarë”. Zagreb 1998.
Melbourne, 20 Nandor 2020…