Nexhat Halimi: Amshimi
Amshimi
Dhe ja, arritëm, vogëlushe.
Me gjak e fanfare zgjojmë Ilirinë.
Zjarri me ngjyra prek tërësinë.
Ja Toplica, rrugët vetmuar fare,
Molla e Kuqe nën shi e borë!
Ja Malësia e Madhe në dritare,
Ja Çamëria zgjohet në dorë.
Arritëm vogëlushe në një kurorë.
– Pagëzoje lindjen tënde,
– shkruama emrin, ëndrrën
e gjatë,
vogëlushe!
Krejt çka i takon dashurisë
do të jetë e amshuar:
– lulja dhe flutura,
– uji dhe fëmija me mollë në dorë,
pastaj buka, ajri,
e një mall, e një mall,
për ata që nuk janë këtu.
Amshimi II
Dhe ja, arritëm, vogëlushe.
Ky është Ulqini mes ujit e qiellit,
Mes pulëbardhës e kalasë,
Mes ulliri, e fiku, e pjeshke…
Rrënja i arrin prej amshimi
Te lulja bedençe, te ylli agon!
– Pagëzoje lindjen tënde,
– shkruama emrin, ëndrrën
e gjatë,
vogëlushe!
Krejt çka i takon dashurisë
do të jetë e amshuar:
– lulja dhe flutura,
– uji dhe fëmija me mollë në dorë,
pastaj buka, ajri,
e një mall, e një mall,
për ata që nuk janë këtu.