Albspirit

Media/News/Publishing

Besnik Velaj: “Kuzum Babait” duhet t’i kthehen bukuritë e papërsëritshme

Kodrave të “Kuzum Babait”, ku është dhe teqeja me të njëjtin emër, ku është dhe busti i Dede Ahmet Bratit, poshtë shkallëve të tij më kujtojnë një ngjarje të vitit 1962-1963. Ja si e kam njojtur Kryegjyshin Botëror, Dede Ahmet Bratin?

Sapo kisha mbaruar shkollën e mesme në Teknikumin e Naftës, Kuçovë. Kisha marr emërimin për në Zonën Naftëmbajtëse të Gorishtit, Kamenicë. Atë  kohë, të muajit Korrik të atyre viteve (si në kontekstin e mësipërm) vajta në Berat për t’u përshëndetur me çupën e xhaxhait të martuar në lagjen “Murat Çelepias” dhe me vjehrrin e saj Faik Haxhialiu-ish Kryetar Bashkie i Beratit në kohën e Mbretit Zog i I, që më donin shumë.

Erdhe evlat, më tha xha Faiku me shumë ledha dhe dashuri!

Në darkë shkuam të dy tek teqeja e rufainjve, buzë lumit Osum. Tre dervishë do të jepnin para dy inxhinierve të huaj çek programet e tyre fetare. Koha po ikte shpejtë, akrepat e orës tregonin shifrat 12.00. Në momentin  e përfundimit, kur ata të eksituar po cpoheshin me mjete shpuese-gjylpëruer, shtiza… po  hanin prushin e mangallit etj., etj., njeri nga inxhinierëve çekë i ra të fikët  duke parë ritet e dervishëve. U thirr ambulanca  dhe aty përfundoi çdo “çfaqje”. Unë, isha mësuar që i vogël me rrufaitë, dajua im-Shehap Mezini ka qënë rufai në Teqen e Kaninës.

Në mëngjez u ngrita shpejt se ikte autobusi i Hekuranit, për në Vlorë. Mbasi u ndamë  me Faik Haxhialiun dhe çupën e xhaxhait tim Nolen, më dhanë një letër për Dede Ahmet Bratin, ish Kryegjysh Botëror  dhe transferuar në Drizarë të Mallakastrës nga  qeveria e asaj kohe. Pas 5 ditësh, bashkë me shokun tim, Mustafa Muçon, hodhëm Vaun e Vjosës dhe mbritëm në Kutë të Mallakastrës. Nga aty, për një orë udhëtim në këmbë e mbërritëm në Teqenë e Drizarit. Sapo e lajmëruan, na priti Babai i Teqesë, gaz shumë, shend e verë, Dede Ahmet Brati. Gjatë pritjes-bisedës, na habiti shumë me njohuritë që kishte për L.N.Çl., ishte pjesëmarës nga të parët në këtë luftë kundër nazifashistve, ishte  liruar me gradën e kolonelit pas viteve 1945-1946. Na tregoi për zgjedhjete para që ishin bërë  në Shqipëri, për delegimin e tij si  përfaqësues i zgjedhjeve në Zonën e Topalltisë të Llakatundit. Më tha se i njihte prindrit e mi, Laver Hamit Velaj dhe nënën time Nafije Velaj, bashkë me tezen time Refika Mezinin.

Me një kujtesë të mahnitshme na tregoi se kishte dhënë deri në atë kohë gati 1800 intervista gazetarve të huaj, filloi të recitonte  vargje të Naim Frashërit me dhjetra e qindra deri në mahnitje, e dinte përmëndësh të gjithë ‘Qerebelanë’ dhe historinë Imam Hysenit, Abaz Aliun  e Tomorrit dhe gjithë historinë e Bektashizmit Botëror. Na tregoi me pasion se si e kish transformuar truallin e Teqessë së Drizarit – dikur ferra e shkurre, në një baçe të lulëzuar me të gjitha llojet e pemëve frutore, me lisa rrush zaraki ,kishte 100 koshere me bletë, kishte bërë një kopsht ku mbillte të gjitha llojet e zarzavateve, kudo zotronte libri i shenjtë bektashian-letraro-artistik, pastërtia, bardhësia, lulet shumëngjyrëshe; vendi me ndihmën e të shenjtit Dede Ahmet Bratit ishte kthyer në një  vend ku rrinin perënditë, vinin për t’u falur gjithë mallakastriotët dhe nga gjithë Shqipëria e Mesme, Tirana, Kruja etj., në Selinë e re të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit, Drizar!

E gjithë kjo ishte bërë nga tre vetë: Dede Ahmet Brati, ndihmësi i tij dervish Reshat Bardhi-tepër i ri në atë kohë (pas viteve 1990 Kryegjysh Botëror) dhe një grua që ndihmonte pa shpërblim selinë e re të Kryegjyshatës Botërore, Drizar në punët e saj… askush tjetër… as një njeri tjetër… Mbasi  mbaruam dhe drekën u ndamë me Dede Ahmet Bratin, na dha të falat për Faik Haxhialiun dhe nuk pata rastin ta takoja më. Për atë njeri të madh, i madhërishëm në dijet e tij, patriot, atdhetar, i ditur-shumë i ditur, mikpritës, mikpërcjellës, i kapardisur  e trim me armiqtë, i thjeshtë deri në respekt hyjnor me besimtarët, i kthyer në shënjtor ku e mban toka jonë shqiptare me respekt e dashuri në gjirin e saj!

Siç përmëndëm dhe në kontekstin e mësipërm, për nder të tij është bërë dhe një Përmendore në Vlorë. Kodrat dhe teqeja me të njëjtin emër, më parë ishin të veshura të gjitha me ullinj, portokalle, që e mbështillnin atë me një shall të gjelbër. Duke u ngjitur, duke pushuar në lartësi të tyre qytetari vlonjat, çdo vizitor i huaj çlodhej e mbushej me frymë nga ajri i krehur në gjelbërimin e përjetshëm, ku  bënin dhe fotografi për kujtim. Sot për 30 vjet nga vitet 1990 (në kontrast dhe me Teqen e qytetëruar të Drizarit), është shkatërruar çdo gjë nga spata dhe zjarri. Askush nuk e konsideron si detyrë urgjente dhe të pashmangshme, qoftë dhe baballarët e teqesë, për të parandaluar katastrofën nga ana ligjore, humanitare, hyjnore, por pushtetarët vendorë të të gjitha ngjyrave e nxisin si të verbër nga mendja shkatërrimin, për interesa materiale e korruptive.

Nga ana lindore e kodrave të “Kuzum Babait” janë prerë 800 rrënjë ullinj. Ata zinin një sipërfaqe nga ish-varret italiane e deri tek kava e argjilës, varri i Gegës-djalit të Ded Gjon Lulit që nuk e shpëtoi dot nga kthetrat e vdekjes Dr. Ali Mihali, në një sipërfaqe prej 16 hektarësh, e cila është kthyer në një truall ndërtimi. Edhe nga ana perëndimore nga ish-fabrika e makaronave e direkt shkallët e ngurta që ngjitesh tek Kodrat e “Kuzum Babait”, tek Përmendorja e Dede Ahmetit, është kryer e njëjta masakër. Janë prerë 300 rrënjë ullinj, 200 rrënjë pisha. Duke zëvëndsuar në përgjithësi gjelbërimin e përjetshëm me ndërtime pa leje e  aventuriere, betone, gardhime, është prishur ekuilibri ekologjik në atë zonë nga më të bukurat që ka qyteti bregdetar. Vlora në atë pjesë  të bukur të zëmrës saj, sot është më e përbaltur se kurrë jo vetëm në periferitë, është përbaltur me baltë të zezë, e papasërti në zëmër të saj.

Nga rrafshi i përparmë i kodrave të “Kuzum Babait” që është qethur zero nga berberët e pushteteve lokale sa herë që bie shi, ka bërë që balta të rrëshqasë dhe të përfundojë  në rrugët kryesore të saj, duke ndotur maksimalisht qytetin. Sa herë fryn erë, balta bëhet pluhur dhe shpërndahet në zemër të qytetit bregdetar, duke shtuar sasinë e pluhurit që i bashkuar me tymërat e makinave të pambarimta luksoze që kanë zvëndësuar gjelbërimin e përjetshëm ngjitet në atmosferë e kthehet në smog. Pastrimi i rrugëve që ju prishet dhe ju ndreqet asfalti sipas dëshirave të tenderaxhinjve të rrugëve ditën dhe natën, po natën bëhet duke e zhvendosur pluhurin nga mezi i rrugëve në anë të tyre. Edhe po të ketë aspirator, mund të thithen vetëm pluhrat, jo balta me lopata nuk e pastron dot. Tek shtëpia e Nuredin Bej Vlorës ku jashtë kushteve teknike e ndërtimore, gjeologjike, hidroteknike mbi lartësinë 12 metër mbi nivelin e detit po kryhet një ndërtim që s’po mbaron kurrë, duke gërmuar kodrat e “Kuzum Babait” në thellësi të saj. Shirat që bien formojnë rrëkera që duke rrjedhur poshtë me rrapëllimë marrin me vehte baltën në sasira të pakontrolluara. Balta dhe pluhuri duhet të zhduken nga zemra e qytetit bregdetar, për ta mbajtur të pastër Vlorën gjatë gjithë vitit.

Kodrave të “Kuzum Babait” duhet t’i kthehen mbjellja e halorëve të lartësive që u përshtaten, të mbillen pemë dhe bar, të ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit, policia ndërtimore të prishi shtëpit kotece pa leje dhe të ndryshojë lëvizjen e makinave për në unazën e madhe nga Pusi i Mezinit, ish-Uzina e Sodës, Plazhi i Vjetër, sepse rruga Vlorë-Skelë ka fluks të madh makinash me tonazh të rëndë, veturave që djegin karburant m.q.s duan një ekuilibër ekologjik midis njeriut dhe natyrës, kur ambienti është 20 herë më i ndotur nga normalja. Bukuria e papërsëritshme duhet të kthehet me kulturë, edukatë qytetare. Kodrat e “Kuzum Babait” janë ballkoni i qytetit. Nga aty shikon  si në pëllëmbë të dorës zemrën e qytetit bregdetar. Shikon nga lindja gjithë Labërinë, Qafën e Topit, mrekullitë e Ujit të Ftohtë, detin e kaltërt, ishullin e Sazanit, gadishullin e Karaburunit.

Please follow and like us: