Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria do të hartojë 4 dosje të trashëgimisë jomateriale për t’i dërguar në UNESCO!

Nis puna për hartimin e dosjeve të katër dukurive të trashëgimisë jomateriale, drejt UNESCO-s, nënshkruhet në Razëm Memorandumi i Mirëkuptimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro– Amerikan për Zhvillim (AADF)

U nënshkrua sot në Razëm Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës të republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit Shqiptaro–Amerikan për Zhvillim (AADF) për përgatitjen e dosjeve të aplikimit dhe regjistrimit të katër dukurive të trashëgimisë jomateriale shqiptare në “Listën përfaqësuese të dukurive jomateriale të njerëzimit” të UNESCO-s.
Bëhet fjalë për:
1) “K’cimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, folklor koreografik, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare;
2) “Rituali i lashtë i shtegtimit të bagëtive”, ritual shume i vjetër i shtegtimit të bagëtive drejt maleve, që zhvillohet kryesisht në shumë zona nga Veriu në Jug të Shqipërisë;
3) “Xhubleta”, si teknologji dhe ribërje artizanale unikale dhe të formave të përdorimit të saj, në Veriun e Shqipërisë.
4) “Eposi i Kreshnikëve”, i kënduar dhe shoqëruar në lahutë, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore jo materiale shqiptare.
Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj falenderoi në veçanti ministren e Kulturës, Elva Margariti për përzgjedhjen e Razmës për nënshkrimin e këtij memorandumi që ka për synim përgatitjen e dosjeve për futjen në UNESCO të pasurive të jashtëzakonshme të këtyre zonave.
Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni e quajti privilegj të qenurit pjesë e këtij procesi, që vë në pah pasuri, që nuk i përkasin vetëm Veriut të Shqipërisë, por të gjithë shqiptarëve.
“Objektivi dhe misioni kryesor i qeverisë shqiptare ka qënë dhe është ruajtja, mirëmbajtja, restaurimi, rijetësimi, regjistrimi, digjitalizimi e promovimi trashëgimisë kulturore asaj materiale dhe jomateriale. Ky do të jetë njëkohësisht edhe një ndër objektivat kryesore të punës time dhe të institucionit që unë drejtoj, duke vlerësuar njëkohësisht edhe besimin e qeverisë shqiptare në pozicionin e Prefektes së Qarkut Shkodër.
Deputeti Ilir Beqaj e konsideroi një ngjarje shumë të rëndësishme përgatitjen e dosjeve për në UNESCO. Ai u shpreh i bindur që xhubleta do të përfshihet në listat e UNESCO-s, por i kërkoi Fondacionit që të ndihmojë në mbajtjen gjallë të traditës së prodhimit të xhubletave.
Bashkëdrejtori Ekzekutiv i AADF, Martin Mata theksoi se hartimi i dosjeve për katër dukuritë të trashëgimisë jo materiale do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë. “Fondacioni ka krijuar një traditë të mirë në ndërhyrje në këtë pjesë të Shqipërisë dhe nëse do të arrijmë t’i përfshijmë këto pasuri në UNESCO, do të ketë një ndikim shumë të madh në turizmin e zonës. Ne do të angazhojmë specialistët më të mirë të zonës për përmbushjen e këtij procesi. Dhe ky është vetëm fillimi për Fondacionin”, tha Mata, duke falenderuar Ministren e Kulturës, për bashkëpunimin e deritanishëm.
Për ministren Margariti ky ishte një angazhim i dyfishtë si ministre, por edhe si nënë, që dëshiron t’i përcjellë vajzës së saj ndjenat kombëtare.
“Vazhdimisht e përmendim si një refren faktin që Shqipëria ka një pasuri kulturore të jashtëzakonshme. Në një hapësirë kaq të vogël gjen një ndërthurje kaq të larmishme motivesh, ngjyrash…
Por do të mbetemi vetëm me jehonën e së shkuarës, e asaj që ishte dhe nuk është më, nëse nuk do të ruajmë dhe trashëgojmë atë pasuri që neve na e kanë trashëguar brez pas brezi, por që sot, nën trysninë e zhvillimit të shpejtë teknologjik dhe problemeve të së përditshmes rrezikojmë t’i humbasim.
E nëse kjo do të ndodhë, atëherë me siguri nuk do të kemi shumë për t’u krenuar apo për t’u shquar mes kulturash të mëdha, imponuese, në këtë botë që vrapon drejt globalizimi dhe shuarjes së të ndryshmes”, tha Ministrja e Kulturës Elva Margariti, teksa shtoi se ruajtja dhe digjitalizimi i trashëgimisë kulturore është një nga sfidat e Ministrisë së Kulturës. Sipas saj, ky proces do të zhvillohet ngushtësisht me konunitet lokale, të cilat kanë nevojë për më shumë vëmendje dhe ekspertizën e AADF, me të cilin po realizohen një sërë projektesh të rëndësishme.

Në bazë të memorandumit të nënshkruar sot, Ministria angazhohet:
Të organizojë në nivel lokal dhe kombëtar grupet e punës, të cilët do të angazhohen për përgatitjen e dosjeve për secilën dukuri kombëtare të trashëgimisë kulturore jo materiale të përzgjedhura, miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në datën 30 korrik 2020;
Të bashkëpunojë me AADF dhe UNESCO për identifikimin e konsulentëve ndërkombëtarë dhe lokalë, të cilët do të përfshihen në përgatitjen e dosjeve, duke asistuar Ministrinë deri në dorëzimin e tyre në Komitetin e vlerësimit në UNESCO;
Të plotësojë dosjet për secilën dukuri edhe në rastin kur mund të ketë kthim pas nga Komiteti i vlerësimit të dosjeve në UNESCO.

AADF angazhohet:
Të mbështesë Ministrinë e Kulturës në këtë nismë nëpërmjet:
Ofrimit të konsulencës ndërkombëtare dhe vendase për përgatitjen e dosjeve të aplikimit të Shqipërisë në UNESCO për secilën prej katër dukurive kombëtare të trashëgimisë kulturore jomateriale të përzgjedhura nga KKTKJM;
Përgatitjes së dokumentarëve me cilësi të lartë që dokumentojnë praktikat e këtyre katër dukurive kombëtare të trashëgimisë kulturore jomateriale, si dhe materialeve të tjera mbështetëse si fotografi, harta, materiale promovuese etj.
AADF do të financojë dhe administrojë fondet e veta për çdo aktivitet që do të rrjedh nga angazhimi i palëve.

Please follow and like us: