Albspirit

Media/News/Publishing

Agim ALIÇKAJ: AMERIKA, MIKE E PËRHERSHME E KOMBIT SHQIPTAR

Nëntori është muaji i lavdisë kombëtare, 28 Nëntori është festë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, territori apo bindjeje politike. Na bashkon flamuri i bukur kuq e zi me shqiponjën dykrenare, flamuri i përpjekjeve mbinjerzore për liri dhe ekzistencë në trojet tona. Kombit tonë të shumëvuajtur, pas nëntorit të  Skenderbeut dhe të Ismail Qemalit, i duhet Nëntori i Tretë, nëntori i bashkimit kombëtar.

 

Ky ishte edhe nëntori i shpresës për një fillim të ri, ngritje dhe forcim të Republikës së Kosovës, pas dështimeve të njëpasnjëshme, të turpëshme dhe të panevojshme 12 vjeçare, që nga shpallja e pavarësisë së mangët. Shpresat na i ngjalli fitorja në zgjedhjet amerikane e mikut dhe përkrahësit të pakompromis të pavarësisë së Kosovës dhe të drejtave njerëzore dhe nacionale shqiptare kudo, presidentit në ardhje Joseph Biden.

Me fajin e politikanëve tanë, sidomos me nënshtrimin total dhe përkrahjen e pashembullt nga ish-presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë, Serbia shoveniste ia arriti të infiltrohet në administratën e presidentit në shkuarje Trump. Ata, në bashkëpunim me ndërmjetsuesin për bisedime Kosovë-Serbi, ambasadorin jodiplomatik, pro-serb Grenell, e përgaditën marrëveshjen për ndarjen e Kosovës, pra e sjellën shtetin e Kosovës buzë shkatërrimit. Me largimin e Grenell, përpjekjet dhe investimet 21 vjeçare serbe në Trojet tona dhe Amerikë dështuan me turp. Përgatitjet serbe për festim madhështor në Beograd të fitores së tyre në zgjedhjet amerikane shkuan kot. Serbia kriminale nuk e meriton të ketë vend në Amerikë. Duhet larguar sa më parë. Amerika është e jona.

Dëshiroj ta përsëris thënien time nga shkrimi i dates 22 Maj të këtij viti: Kundërshtimi i politikës së gabuar të ambasadorit Grenell është veprim pro-amerikan dhe detyrë kombëtare. Politikanet të cilët ju nënshtruan kërkesave të tij  nuk e kryen detyrën kombëtare. Ata duhet të marrin mësim nga fenomeni Grenell. Është gabim i pafalshëm, që për interesa personale, të shiten interesat kombëtare te zyrtarë ndërkombëtarë arrogant dhe të padrejtë, të influencuar nga armiku, qofshin ata edhe të Amerikës, vendit mik dhe të dashur që na ndihmoi ta krijojmë shtetin tonë të ri. Të gjithë zyrtarët amerikanë, pa dallim janë të përkohshëm. Ata kan interesat e veta. Në rastin konkret, Grenell kishte vetëm interesin e tij të karrierës dhe kampanjës zgjedhore. Marrëveshja për të ashtuquajturin “normalizim ekonomik” e cila në momentin e fundit e zëvëndësoi marrëveshjen për ndarjen e Kosovës, ishte në interes të Serbisë si shpërblim për kontributin dhjetra milionësh dhe votat e premtuara serbe të cilat shkuan huq. Njohja e pavarësisë nga Izraeli kishte rëndësi të veçantë por edhe ajo u bë më shumë për interesa të kampanjës së presidentit Trump dhe të Izraelit. Kjo marrëveshje anti-shqiptare është e dështuar. Fatmirësisht, i dështuar doli edhe ambasadori Grenell. Të dështuar janë edhe të gjithë ata politikanë shqiptarë që morën pjesë në te.

Shqiptaro-amerikanët që e përkrahën kampanjën e presidentit Trump nuk kanë pse të dëshpërohen. Mjafton që në Serbi nuk ka festë. Ai i kishte të mirat dhe të këqijat e veta. I humbi zgjedhjet me fajin e vet, ndër tjera edhe për shkak të egos së sëmuar, arrogancës së pakontrolluar dhe ofendimeve të ulëta dhe të panevojshme ndaj tjerëve, siç ishte rasti me senatorin John McCain, heroin amerikan dhe përkrahësin e madh të popullit shqiptar. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me të dyja partitë politike, nëpërmjet Kongresit amerikan. Kjo është formula e suksesit tone në Amerikë. Nuk ka dilemë fare se presidenti i zgjedhur Biden është shumë i mirë për çështjen tonë kombëtare. Është i informuar, i ashpër dhe i vendosur në qëndrimet e veta. Veçse neve na duhet të ndryshojmë, duhet të punojmë për shtetet tona, për kombin tone dhe jo për interesa personale dhe klanore. Biden nuk ka kohë t’i kryej punët tona. Kemi shans historik për fitore përfundimtare. Sa për Amerikën, nuk ka nevojë të brengosemi. Mendoj se Biden do të qeverisë nga qendra dhe nuk do t’i nënshtrohet presionit majtist. Nëse jo, populli amerikan pas katër vitesh e rregullon këtë punë sipas nevojës dhe interesave të veta. Kushtetuta dhe demokracia amerikane funksionojnë në mënyrë perfekte dhe të përherëshme.

Bisedimet e gjerë tanishme me Serbinë, për shumë arësye, janë shembull i keq i inferioritetit, qyqarllëkut dhe paaftësisë së klasës politike në qeverisje të Republikës së Kosovës. Kjo duhet ndryshuar menjëherë. Serbia në krye me shovenistin Vuçiç janë të sëmuar nga urrejtja e verbër për shqiptarët. Ata i urrejnë dhe nuk i njohin për qenje njerëzore as edhe shërbëtorët e tyre në Prishtinë dhe Tiranë. Pranimi i fajit për gjenocid ndaj shqiptarëve me kërkim falje, kthimi i të humburve, kompensimi i dëmeve të luftës dhe gjykimi i të gjithë kriminelëve të luftës, paraqesin minimumin për vazhdim të bisedimeve. Krimet kundër njerëzimit nuk vjetrohen kurrë. Duhet kërkuar  nga ndërmjetësuesit evropian dhe amerikan të ndikojnë mbi Serbinë për shërim dhe rehabilitim psikiatrik kolektiv. Nuk ka si bëhet marrëveshje me kriminel dhe njerëz të sëmuar. Nuk ka kompromise shtesë. Të gjitha kompromiset shumë të dhimbshme edhe ashtu të tepruara dhe të dëmshme kanë përfunduar me marrëveshjen e presidentit Ahtisaari.

Nëse Evropa dhe Amerika dëshirojnë dhe mendojnë se mund ta tërhjekin Serbinë nga sfera dominuese e Rusisë, Kinës dhe shteteve si Irani, duhet t’i ofrojnë shpërblime dhe stimulime të veta. Nuk është e drejtë, as e arsyeshme as e kuptueshme dhe as e ndershme t’i ofrojnë tokat shqiptare, për të katërten here gjatë historisë 150 vjeçare. Nuk ka ndryshim të kufijve dhe as asociacione njënacionale. Kjo është kundër vlerave demokratike dhe interesave evropiane dhe amerikane. Në asnjë mënyrë dhe për kurrëfarë arësye nuk bën të bisedohet për të drejtat e minoritetit serb në Kosovë pa inkuadrim të të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës lindore të cilat duhen të barazohen 100%. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është e mirëseardhur por nuk është e domosdoshme. Kosova, Shqipëria dhe të gjitha trojet shqiptare në gadishullin Ilirik duhet të orientohen drejt bashkimit kombëtarë në kuadër të Evropës së bashkuar. Kjo mund të bëhet pa kërkuar ndryshim të kufijve.

Duhen ndryshime urgjente të klasës politike, posaçërisht të asaj qeverisëse. Duhen zgjedhje të lira sa më parë që është e mundur. Pas të gjitha ngjarjeve të dhimbshme dhe veprimeve jodemokratike të vitit të fundit, vetëm vota e popullit ka të drejtë dhe mund të krijojë legjtitmitet për qeverisje. Partitë politike të cilat ishin në pushtet dhe dolën të dështuara duhet të lirohen nga politikanët e korruptuar, të shantazhuar dhe të shitur. Partitë me kuadrot e pakomromituar e të shkolluar, profesional dhe të aftë të cilat ishin në opozitë duhet të tregojnë maturi, pjekuri dhe vendosmëri në  luftë për pushtet. Luftimi energjik i armikut serb, i korrupsionit dhe nepotizmit, si dhe paraqitja e programeve të qarta të zhvillimit ekonomik, social dhe vlerave kulturore kombëtare duhet të jenë bazë e fushatës zgjedhore. Të gjithë bashkë duhen të ruhen shumë nga ekstremizmat e të gjitha llojeve, sidomos  nga ai fetar dhe majtist. Toleranca fetare është njëra ndër vlerat më të rëndësishme kombëtare. Komunizmi ishte njëra nga fatkeqësitë më të mëdha gjatë gjithë historisë.

Kombi i bashkuar shqiptar, është i fortë dhe i pathyeshëm.

Gëzuar festa e flamurit kombi i ndritur shqiptar!

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Federates Panshqiptare te Amerikes”Vatra”.

Please follow and like us: