Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Lule të vyshkura në prill

Bardhyl Berberi: “Lule të vyshkura në prill”

Roman

Redaktor Dhimitër Xhuvani

——————————————

Pjesa e parë

 

Kreu i parë

Qielli kishte ngrirë në të gjithë të kaltrën e tij: Retë, yjet, dritën dhe errësirën. Askush nuk e priste atë qiell të ngrirë në atë fund prilli. Njerëzit akoma nuk kishin hequr rrobat e trasha, koha ishte qorollepsur dhe stinët ishin ngatërruar keqas. Alfred Pirgu kishte mbërritur në orët e pasdites në atë qytet liqenor dhe kishte zënë vend në një hotel në periferi, në gjirin e liqenit. Gjithë natën ai tymosi cigare në dhomë përballë liqenit duke mos ia ndarë sytë atij për asnjë ast. Më pas ai u shtriq ashtu i veshur mbi shtrat dhe sytë i ngelën të ngrirë në një pikë të tavanit të dhomës. Më pas ai ndoqi me sy një flutur që vinte rrotull abazhurit.

Një sirenë dhe zhurmë tronditëse e shkundi Alfredin nga ajo përhumbje. Një tren pasagjerësh që kthehej nga Tirana i cili kalonte përbri hotelit. Ai doli në ballkonin e hotelit dhe fillimisht dalloi ca shtëllunga tymi dhe më pas u shfaq një tren i vjetër pasagjerësh si një zvarranik i madh përgjatë bregut të liqenit. Fytyrat e pasagjerëve ngjanin tëvogla si në një skenë teatri kukullash. Pas pak rrapëllima e trenit filloi të shuhet gradualisht. Heshtja rrotull hotelit u kthye në gjendjen e mëparshme.

Alfredi nxorri një karrige dhe u ul në ballkonin e hotelit duke parë atë masë të madhe uji të liqenit që çuditërisht atë natë i ngjante shumë i zi. Shikoi orën, akrepat e saj kishin kaluar mesnatën. Mendoi se ora pesë e mëngjesit ishte më e përshtatshmja për t’u futur në liqen dhe t’i jepte fund gjithçkaje. Alfredi qëndronte palëvizur duke sjellë edhe një herë në mendje gjithçka të bukur që kishte kaluar nga kjo jetë që do të shuhej këtë natë pranvere. Padyshim Zhuli ishte pjesa më e mirë e jetës së tij e cila pak kilometra më tutje e kishte humbur jetën aksidentalisht plot një vit më pare. Ai erdhi i shokuar në spitalin e po këtij qyteti pas marrjes së lajmit për aksidentin e Zhulit duke u kthyer nga Tirana. Zhuli vdiq vetëm pas pak çastesh kur ai kishte mbërritur në spital në krahët e tij. Buzët e saj u ftohën ngadalë dhe Alfredi nuk e kuptoi që kjo ishte fryma e fundit e Zhulit. Ajo u çngjyros papritur në fytyrë dhe nga cepi i buzës i rrodhi një curril gjaku. U shemb mbi të dhe sa nuk u marros nga dhimbja… Nuk e diti se në çfarë pjesë të zemrës ta vendoste vdekjen, kur ajo po derdhej nga një dashuri shumë e gjatë, për katër dekada…

Mbeti disa çaste mbi trupin e pajetë të saj në duar… I tronditur mendoi se a mund ta ruante trupin e pajetë të Zhulit, por në cast e hodhi poshtë këtë absurditet që i prodhoi mendja e tronditur. Ai tashmë ishte i pafuqishëm para vdekjes dhe mund të ruante vetëm imazhet e bukura të Zhulit për tërë jetën…

Më pas lëshoi një klithmë të gjatë: Vdekja kishte rrëmbyer ngjyrat, parfumin e saj, e kishte çngjyrosur, e kishte çaromatizuar…

Zhuli ngjante në shtratin e spitalit e zverdhur, si prej parafine, e flakur përgjithmonë nga kjo jetë. Ajo kishte mbetur si një manekin. Vetëm sytë e saj të kaltër kishin mbetur të hapur. Më pas Zhulit filluan që t`i bëjnë një tualet të lehtë dhe ky ishte tualeti i fundit i jetën së saj. Afredi më pas me dorën e tij ia mbylli sytë e shuar…

Ai u shkund nga ato kujtime dhe pa se po binte agu i mëngjesit. Në liqen vuri re ca dritëza të vogla që ngjanin si xixëllonja. Pas pak ato filluan të shuhen njëra pas tjetrës. Zbriti qetësisht shkallët e hotelit dhe u drejtua tek zalli i shkretë në breg. Këto orë që qëndroi këtu ai vërejti perëndimin e vagëlluar mbi liqen, mbrëmjen që ra si pëlhurë dhe më pas u përhap si hije, dergjiet e përgjumshme të liqenit, qetësinë e tij, e pastaj shkrumbin e natës, pritjen metafizike të varkave. Por, në agun e atij mëngjesi, vuri re se në breg nuk kishte asnjë varkë të ankoruar. E kuptoi se ato pikat e zeza me dritëza të zbehta kishin qenë varkat e peshkatarëve në gjuetinë e natës.

Vështroi liqenin. Një hapësirë pakufi. I mbetej çasti final që të realizonte vendimin e marrë prej disa ditësh më parë. Alfredi lëvizi në drejtim të thellësisë. Uji ishte brisk i ftohtë dhe po e sillte në vete. Ai u zhyt kur uji i kishte mbërritur fare pranë gojës, por befas doli përsëri mbi ujë. Tashmë do të zhytej dhe nuk do të dilte më, ai do të luftonte me frymën e fundit të jetës. Por sapo u zhyt ndjeu dy duar shumë të fuqishme që iu dukën si borseta. Duart e fuqishme e ngritën lart duke e shkëputur prej ujit të liqenit. Alfredit iu duk vetja atë çast sikur ishte në ëndërr. Më pas dy burra e ngritën krejt trupin e tij dhe e vendosën mbi një varkë. Alfredi nuk mbante mend asgjë vetëm kur u gjend në spitalin e qytetit. Një diell i fortë pranveror ka përmbytur sallën e reminacionit ku gjendej nën kujdesin e mjekëve. Reparti i reanimacionit ndodhej në katin e tretë të ndërtesës së spitalit që ngrihej në një kodër dominuese mbi qytet. Dalloheshin qartë rrugët kryesore të qytetit dhe panorama e liqenit që dukej sunduese mbi atë sfond.

Shefi i krimeve i policisë së qytetit Mark Shëngjini kishte dalë në ballkonin e sallës së reanimacionit për të pirë një cigare. Mes fjollave të tymit të cigares dhe xhamit të dritares ai shikonte me vëmendje në krevatin e reanimacionit portretin e Alfred Pirgut midis shumë aparaturave të oksigjenit dhe tubave të serumit. Vetëm para pak orësh ky burrë kishte tentuar të mbytej në liqen dhe ishte shpëtuar rastësisht nga dy peshkatarë.

Shefi i krimeve Mark Shëngjini kishte 25 vjet karrierë në këtë profesion, por ky ishte një rast i padëgjuar për të. Nga qyteti fqinj ku banonte Alfred Pirgu i mbërriti një informacion. Ai lexoi faksin që i solli polici: I diplomuar për elektronikë, më pas drejtues ndërmarrje, profesor në Universitet, diplomat në disa shtete, zotërues i disa gjuhëve të huaja. Pastaj një karrierë diplomatike prej 10 vjetësh në Bruksel dhe më pas deri në ndërrimin e sistemeve në Paris…

Marku i hodhi përsëri një sy Alfredit fytyra e të cilit kishte filluar të plotësohej me gjak dhe po merrte pamjen e një njeriu të zakonshëm. Alfred Pirgu ishte një burrë babaxhan dhe vitet e pasaportës, që tregonin se ai ishte 75 vjeç, ishin në kontrast me pamjen që të afronte ky burrë i pashëm që nuk tregonte më shumë se 55 vjeç. Dukej që jeta i kishte shkuar vaj dhe e vetmja traumë e tij kishte qenë humbja e gruas së tij, në një aksident automobilistik kur Zhuli kishte përcjellë të motrën në Rinas me destinacion Amerikën. Në këto moment Alfredi hapi sytë dhe pasi lëvizi pak e pyeti infermieren se pse ndodhej këtu. Kur Alfredi lëvizi, Marku dalloi tek kyçet e duarve qepje dhe shenja plage. Sipas informacionit, para tre muaj Alfredi kishte prerë damarët e duarve dhe ishte shpëtuar nga motra e tij. Shenjat i dalloheshin shumë qartë. Pas pak mjeku reanimator i hoqi tubat dhe një mjek tjetër kardiolog i mati tensionin dhe pulsin. Gjithçka normale, tha kardiologu, tensioni 14 me 9, ndërsa pulsi me 70 të rrahura. Pas pak minutash nga qyteti fqinj mbërriti motra e Alfredit, Zana dhe i shoqi i saj. Marku nuk i lejoi që të futen tek dhoma e Alfredit pasi ajo ishte duke qarë.

Marku i ftoi ata për një kafe tek një lokal brenda territorit të spitalit. Në oborrin e spitalit ishin edhe dy peshkatarët që i shpëtuan jetën Alfredit para disa orësh. Marku iu tha atyre miqësisht që ta prisnin tek komisariati pasi kishin për të plotësuar disa formalitete. Më pas Marku iu buzëqeshi miqësisht motrës dhe kunatit dhe u rehatuan në një tavolinë pranë dritares. Mark Shëngjini me një eksperiencë të gjatë në profesion i ngelej që të eksploronte deri në detaje motrën e Alfredit…

Atij i duhej diçka e veçantë pasi i dukej absurde të vish të mbytesh në liqen se ke humbur gruan në një aksident, kur dihet që “Jeta vazhdon”. Duke rrufitur kafen Zana filloi t`i tregojë Markut për jetën e pikuar nga qielli të vëllait të saj Alfredit me Zhulin. Ata edhe pse nuk kishin pasur fëmijë nuk pranuan që të adoptojnë, u dukej sikur fëmija i adoptuar do t’iu ndante dashurinë në mes. Alfredi nuk po përshtatej dot me jetën e re pa Zhulin. Ai para disa muajsh kishte bërë një tentativë tjetër, kishte prerë damarët e duarve, por fatmirësisht atë çast kishte shkuar ajo në shtëpi dhe e kishte gjetur të mbytur në gjak. Një kirurg shumë i aftë i kishte qepur mjeshtërisht venat dhe e kishte shpëtuar nga kthetrat e vdekjes. Më pas Zana filloi të qajë…

Pasi, pastroi zërin, e mori fjalën i shoqi i Zanës.

-Eh, more shef, jeta kështu e ka, por ne duhet që t`i përshtatemi ashtu si na vjen, me fatin nuk hahesh dot.

Të tre qëndronin të hutuar dhe po u ftohej kafja në filxhan. Në lokal hyri mjeku reanimator i cili i tha Markut se pacienti ishte në gjendje të mirë dhe ata mund të vinin që ta vizitonin. Alfredit ia kishin hequr të gjitha tubat e oksigjenit e të serumit dhe ai qëndronte në shtrat i heshtur. Ai shikonte jashtë dritares. Kur Zana u fut në dhomë Alfredi e përshëndeti lehtë me kokë pa nxjerrë asnjë fjalë. Nga sytë e tij të kaltër filluan të rrjedhin lotë…

Edhe Zana nisi të qajë në heshtje. Më pas ajo e mbuloi vëllanë e saj me të puthura. Të dy belbëzonin dhe nuk nxirrnin asnjë fjalë. Pas një ore ata u nisën drejt qytetit të tyre. Gjatë rrugës deri në qytetin e tyre Alfredi nuk foli asnjë fjalë me të motrën dhe të kunatin. Heshtja ishte sunduese. I kunati ndezi kasetofonin e makinës dhe lëshoi muzikë, por Alfredi e pa me inat dhe ai e fiku. Ai ndjehej i turpëruar dhe njëkohësisht i dërmuar shpirtërisht.

Pas një ore makina mbërriti në qytetin e tyre. E motra iu lut që të vinte në shtëpinë e saj, por Alfredi nuk pranoi. Vetura ndali para një vile dykatëshe me dritare të rrumbullakta dhe grila gri. Vila kishte një oborr dhe lulishte të veçantë që shirat e atij prilli i kishin harlisur së tepërmi. Nga mbrapa vilës ishte një kopsht. Vila ndodhej midis katedrales së një kishe dhe parkut të madh të qytetit në bulevardin e Universitetit. Zana nguli edhe një herë këmbë që Alfredi të shkonte tek ata, por ai nuk pranoi. Zana i tha se do të vinte ajo në mbrëmje. Alfredi iu lut që ta linte të qetë. Më pas shtoi: Më lerë të qetë vetëm, kam nevojë të reflektoj për atë çka ndodhi.

Ajo e puthi dhimbsurisht në të dyja faqet dhe u largua me të shoqin, ia njihte mirë kokën të vëllait.

 

Kreu i dytë

Alfredi u zgjua herët. Nga kuadrati i dritares shikoi qiellin. Ai s`kishte asnjë gjurmë kaltërsie. Re të përhimëta kalonin para syve të tij si ushtri të shpartalluara…

Dielli nuk dukej gjëkundi. Ndonëse, kishte kaluar viti nga vdekja e Zhulit, ai ende nuk po mësohej me këtë ekuilibër të ri. Vazhdonte t`i qëndronte atij ligjit të moçëm ose të përshtatesh me një situatë të re ose të zhdukesh. Gjithë këto muaj kishte kërkuar shpëtimin, por e kishte të pamundur. Ai rrëshqiti gradualisht në kujtime, kishte muaj të tëra që jetonte vetëm me kujtime…

Ktheu kokën nga jastëku i Zhulit. E kishte lënë atë jastëk siç e kishte lënë ajo atë ditë që ishte nisur në Tiranë me minibus. Ndezi abazhurin. Jeta pa Zhulin nuk do t`i sillte asnjë gëzim. E pse të jetonte! Shumë njerëz kalojnë fatkeqësi, por janë të detyruar që të jetojnë për hatër të fëmijëve të tyre. Po ai për hatër të kujt duhej të jetonte?

U vesh dhe doli në kopsht. I pëlqente pranvera. Shumë sythe lulesh kishin filluar të çelnin, toka e bleruar, aroma e luleve, këngët e zogjve i dhanë një ndjenjë kënaqësie.

Eci nëpër tapetin e barit. Ja dhe stoli në fund të kopshtit ku uleshin së bashku me Zhulin për relaks dhe pinin kafen e mëngjesit. Currilat e shatërvanit në mes të kopshtit ngjanin si margaritarë. Degët e pemëve i kishte veshur blerimi, kurse bajamja kishte çelur krejt.

Alfredi kapërdiu kujtimet e dhimbshme. Kujtoi njohjen me Zhulin në mbrëmjen e vallëzimit në gjimnaz. Atë ditë ishte ftohtë dhe në qytetin e tyre kishte rënë gati 50 cm dëborë. Alfredi atëherë ishte student dhe kishte ardhur në qytetin e tij për pushimet e fundvitit. Një kushërira e tij Eda, atëherë gjimnaziste, e kishte ftuar Alfredin në ditëlindjen e saj të cilën do ta festonte me shokët e klasës në shkollë, me një orkestër të thjeshtë. Në këtë mbrëmje Alfredi pa Zhulin për herë të parë. Një bionde e bukur me një nishan të vogël mbi buzë. Ajo rrezatonte mbi të gjitha vajzat e tjera të asaj klase. Ishte një nimfë e vërtetë. Më pas kishte ardhur një vallëzim me Zhulin. Ishte një çast magjik. Alfredi u turbullua krejt. Kishte rënë brenda me shikimin e parë. Më pas ai në prani të Edës kishte pirë disa herë kafe dhe kishin shkëmbyer mendime. Zhuli i ishte dukur Alfredit edhe e bukur, por edhe e zgjuar. Ishin të rralla ato femra që i kishin të dyja: edhe bukurinë, edhe zgjuarsinë. Me ardhjen e Zhulit në Tiranë në Universitet, në fakultetin e gjuhëve të huaja, ngjarjet patën zhvillime të reja. Në Tiranë ata takoheshin shpesh në qytetin “Studenti”, madje shkonin në ndonjë teatër apo film së bashku.

Alfredi më pas u fut brenda dhe po kalonte nga njëra dhomë e vilës tek tjetra. Nga çdo dritare zbuloheshin pamje të rralla dhe tepër romantike të kopshtit. Më pas heshtja u bë sunduese. Alfredi doli përsëri jashtë vilës. U afrua tek dy gështenjat e egra që ndodheshin në cep të kopshtit. Vuri re se atyre iu kishte rënë sëmundja. Ndjeu keqardhje, ai i donte ato gështenja, tek të cilat, në pikun e vapës, pinte kafen poshtë tyre.

Më pas iu afrua mështeknave. Ato ishin palcë të bardha dhe ngjanin me trupin e vajzave në ditët e para të plazhit ende pa i zënë dielli. Më pas kaloi tek tapeti i barit dhe tek parcela me trëndafila pranë shatërvanit. Ju kujtua ajo natë shtatorit, një ditë para se të niseshin për në Tiranë, ai takim i nxehtë me Zhulin. Ata u futën në kopshtin e shtëpisë nga dera e pasme e kopshtit dhe u ulën në stolin poshtë gështenjave të egra. Hëna e plotë mbulonte me dritë të gjithë kopshtin dhe vilën. Aty ata bënë dashurinë e parë, aty në tapetin e barit duke i premtuar njëri-tjetrit dashuri deri në vdekje. Dhe vitet që rrodhën më pas e vërtetuan se ata e kishin mbajtur këtë premtim. Ata qëndruan të kredhur aty poshtë gështenjave të egra më shumë se dy orë dhe kaluan çaste të paharruara, të cilat ia kujtonin shpesh njëri-tjetrit.

Gjatë këtij meditimi Alfredi e ka trupin krejt të mpirë dhe mendimet i vijnë dhe i ikin si një aeroplan me krahë të thyer. Tashmë pas dy tentativave për vetëvrasje, Alfredi nuk i beson më vetes së tij se çfarë mund t`i sjelli e nesërmja. Ai i është kthyer punës në kopsht që të mos bjerë në mendime. Tashmë ai dhimbjen për Zhulin duhet ta frenojë ashtu siç frenohet një kalë i pabindur, të cilit nuk i lëshohet freri kurrë se të hedh në tokë. Alfredi lufton me veten dhe kjo ishte gjëja më e tmerrshme. Heshtja dhe vetmia nëpër shtëpi shpesh e bënin që të ulërinte me kujë. Në kokë kishte një kaos mendimesh dhe në trup një mpirje tërësore. Ai ende nuk mund ta perceptonte se si do të jetonte pa atë…

Shikoi pasqyrën në dhomën e gjumit… iu shfaq Zhuli e lumtur me fustanin e dasmës. Tiparet e saj dukeshin sikur kishin mbetur në syprinën e pasqyrës. Ai kërkoj që të dale nga kjo gjendje, por po vuante së tepërmi. Në çast iu duk sikur e kishte kraharorin e çarë. Doli në ballkonin e dhomës së gjumit. Iu shfaq qielli me konstelacionet e tij. Ju kujtua kur Zhuli i kërkonte që ai të gjente arushën e madhe dhe të vogël në qiell dhe kur ai ia tregonte, ajo gëzohej si fëmijë…

Alfredi tashmë do të jetonte vetëm me kujtime dhe kishte filluar që t`i ndillte ato. Lutej që këto kujtime të bukura ta ndihmonin për të jetuar. Ai iu shmangej agimeve dhe muzgjeve. Ato i sillnin shumë kujtime…

Alfredi besonte se vërtet trupi i Zhulit është lart në varreza, por shpirti i saj jetonte bashkë me të. Më pas ai analizonte buzëqeshjen, vështrimet, të ecurën, zërin e saj dhe mundohej që të ndante atë që është materiale nga ajo shpirtërore. Ku është kufiri? Cila është shenja që do të ndante materien nga shpirti? Vetiu, mendja i shkoi larg, nëse a i ka ruajtur Zhuli ndonjë sekret apo të fshehtë…

Kur Alfredi kishte qenë diplomat në Bruksel, gjatë një mbrëmje intime mes kolegësh, një diplomat italian duke parë lidhjen e ngushtë të Alfredit me Zhulin, në tërë atë ambient si me shaka thotë: – Se kur dy njerëz duhen shumë me njëri-tjetrin, nuk duhet të thellohen në njohje, sepse njohja shumë e thellë e vret dashurinë.

Alfredi shtangu dhe nuk e kuptoi për momentin, se ku e kishte fjalën kolegu italian. Më pas diplomati italian, që kishte mbaruar për psikologji, kur pa hutimin e Alfredit vazhdoi bisedën:

– Dëgjo miku im, e fshehta në dashuri është e domosdoshme ashtu si rrezet ediellit për tokën… Të fshehtën dhe intimen nuk duhet që ta rrëmojmë me sondë. E fshehta midis një çifti që duhen është si një masë tumorale e cila nuk duhet prekur, se po e preke të sulmon. Sa herë të hysh në thellësi të botës së njohjes, aq më shumë gjejmë të meta tek njëri-tjetri. Dialogu i diplomatit italian e shushati krejt Alfredin. – Ja, -kishte vazhduar më pas ai, – shikoje këtë pikturën e Xhokondës që kemi përballë. Ajo diçka fsheh. Në çdo pozicion që ta shikosh të sheh ty. Është marrëzi nëse ne besojmë në përsosmërinë e botës. Po kështu edhe të një njeriut të dashur që kemi pranë. Monologu i diplomatit italian iu duk disi abstrakt. Ideja e tij e tolerancës i tingëlloi tepër e avancuar, sidomos për shqiptarët. Në Shqipëri mendoi ende djemtë kërkojnë vajza të virgjëra… Shprehja e rëndomtë: “Se malli i cenuar duhet të shitet me çmim të lirë…” vazhdonte ende. Por edhe Alfredi kishte të fshehtat e tij, të cilat do t`ia tregonte vetëm varrit. Në kohën që Alfredi kishte qenë drejtor në ndërmarrje, kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me një ekonomiste të re, që punonte në ndërmarrjen e tij. Ishte ajo që iu vardis Alfredit. Ajo ishte shumë e bukur, por e paaftë në punë, në detyrën e shefes së planit. Edhe gjatë kohës që kishte qenë diplomat në Francë, Alfredi kishte kaluar disa flirte me një kubaneze. Ajo ishte sporteliste në një hotel pranë ambasadës shqiptare në Paris. Zhuli për këto histori nuk kishte dijeni. Ajo kishte një besim të verbër tek Alfredi. Po Zhuli a kishte pasur ndonjë të fshehtë? Ajo ishte femër lektisëse. Edhe në moshën 65-vjeçare kur ajo kalonte, burrat kthenin kokën dhe e shihnin gjithë zili. Ai u shtri në krevat me sytë e drejtuar qiellit, sikur kërkonte prej tij të zbulonte ndonjë të fshehtë të Zhulit…

Qielli nuk kishte asnjë gjurmë kaltërsie. Mori prej komodinës pranë një libër me poezi, të një poeti që ai e kishte për zemër. Hapi librin tek një faqe që ai e kishte përthyer dhe lexoi:

Ti ke një moshë me time bijë.

Me babanë tend, unë moshatar?

Kush të dha urdhër të më duash

Me hirin tim të ndezesh zjarr…

Gjithsesi, mendoi Alfredi, vërtet kishte pasur ndonjë flirt, por ai nuk kishte bërë dashuri me partneret që kishte kaluar dhe kjo nuk ishte pak…

Menjëherë iu kujtua lidhja me Sonjën, kubanezen e bukur. Me të ai kaloi disa seanca të bukura seksi…

Dhe pas çdo flirti ajo i kërkonte dollarë pas aktit seksual.

– Si ka mundësi, e kishte pyetur ai kubanezen, t`i më kërkon para si shpërblim për dashurinë që bëmë?!

Sonja buzagas i ishte përgjigjur:

– Jo miku im, ne bëmë seks e jo dashuri!… Eshtë tjetër gjë seksi dhe tjetër gjë dashuria… kishte thënë ajo duke pulitur sytë. Pasi i hedh një shikim ndjellës ajo vazhdoi: – Seksi i jepet bosit që e paguan me para, ndërsa dashuria atij që e meriton.

Alfredi kishte ngelur si guak. Që nga ai moment ai nuk flirtoi më me Sonjën, ndonëse e kishte shumë qejf. Ajo ishte vërtet një femër e veçantë, tepër epshndjellëse. U ndie tepër i fyer kur hapi portofolin dhe i la dollarët mbi komo Sonjës. Menjëherë i shkoi mendja tek ekonomistja, e cila pasi kryenin aktin seksual nuk i kërkonte lekë. Besoi se me ekonomisten ai kishte bërë dashuri…

Menjëherë e kundërshtoi arsyetimin e tij. Mbase ekonomistja shkonte me atë vetëm nga forca e karriges. Alfredi nuk ishte ndonjë burrë merakli që t’iu vardisej femrave, por ato i vardiseshin vetë atij. Ai ishte një playboy i vërtetë. Tek Alfredi ishin kombinuar të dyja: bukuria edhe forca e karriges. Kur këto të dyja kombinohen është shumë e vështirë që ta përballosh lakminë e një mashkulli.

Zilja e telefonit e shkundi. Një zë i largët, por njëherazi edhe shumë i njohur foli nga ana tjetër e receptorit. Ishte Renato nga Parisi. Ai kishte qenë shoferi i tij kur kishte punuar si ambasador në Francë. Në kohën e ndryshimit të sistemit Renato nuk u kthye në Shqipëri. Renato u tregua i shkathët, qëndroi së bashku me familjen e tij, duke kërkuar azil politik i cili iu miratua. Ai punonte në një hotel luksoz të Parisit dhe merrej me furnizimin e tij. Ishte shumë mik me pronarin e hotelit. Renato pasi e pyeti rreth shëndetit i bëri një ftesë për disa ditë në Paris.

Alfredi u kap në befasi dhe e mbështolli një mallëngjim dhe emocion i veçantë. Ai e donte shumë Parisin dhe pas një pauze në telefon i premtoi Renatos se do të vinte patjetër. Alfredi e falënderoi me përzemërsi Renaton. Pas humbjes së Zhulit ai ndjente se kishte nevojë për një udhëtim pranë një miku të vjetër.

Uli receptorin dhe ra përsëri në mendime, por gjendja shpirtërore ishte krejt tjetër. Jeta është shumë e vështirë për t`u përkufizuar dhe dashuria është po aq e vështirë. Ai kishte përjetuar ndjenja të thella për letërsinë, muzikën, pikturën. Asnjë ndjenjë nuk të fal aq stolira, aq magji, aq virtyte, aq dhimbje, aq trishtim, aq mall e ndjeshmëri se sa dashuria!

Njerëzit lartësohen shpirtërisht edhe nëpërmjet përjetimeve, mendoi Alfredi. Ai një gjë e kishte kuptuar mirë, se dashuria e kishte bërë më të butë, më të ndjeshëm. Vendimin për të mos jetuar më pas humbjes së Zhulit ai e kishte parë si një çelës për të mbyllur, një kapitull malli dhe dhimbjeje. Kjo kërkonte një akt sublim. Alfredi tre herë tentoi aktin ekstrem, me dëshirën për të shkuar në parajsë tek Zhuli. Por ishte një mister i brendshëm që e pengoi atë të realizonte premtimin e tij të dëshpëruar. Njeriu pengohet, rrëzohet, bie, dorëzohet… Askush nuk mund të përballet me forcën e dashurisë. Dashuria nuk i nënshtrohet asnjë logjike, asnjë arsyetimi… Dashuria për një njeri që e ndjen me shpirt, ka përmasa më të mëdha se qenia jonë, është më e fortë se vullneti ynë. Rrallë kush e pranon shkallën e dorëzimit dhe të kapitullimit. Në përpjekjen për të shpëtuar Alfredi qau prej dobësisë dhe kishte kërkuar të shpëtonte nga ai makth. Ai në jetë kishte qëndruar mes lumturisë. Jeta në çift me Zhulin edhe pse me trishtimin nga mungesa e një fëmije, kishte lindur një dashuri në shkallën sipërore. Asnjëherë nuk u krijua qoftë edhe një e çarë në lidhjen e bukur që kishin krijuar. Jeta e tyre pati shumë dashuri dhe shumë kuptim. Por humbjai kishte sjellë një përfundim të pashmangshëm. Çdo sukses, mendoi Alfredi, ka në bazë humbjen dhe çdo triumf!…

Alfredi kishte pasur një karakter egoist. Gjatë gjithë jetës që kishte kaluar me Zhulin, ai i kishte vendosur asaj disa piketa, që ngjanin me një zonë të minuar ku ajo nuk duhej t`i shkelte. Dashuria sipas Alfredit ishte si një formë e pasqyrimit të botës. Ai qëndronte midis një realiteti çarmatosës dhe dëshirës për të qenë gjithmonë i dashuruar, midis një realiteti të ashpër që shpesh e zgjonte nga letargjia e dashurisë së tij… Për Alfredin, fijet lidhëse midis të dashuruarve janë përgjithësisht të paqarta. Ai gjithmonë e kishte sfumuar Zhulin dhe kishte qëndruar vetë në qendër të vëmendjes, duke e rritur me shumë kujdes kultine tij. Në këtë lojë të gjatë dhe të rrezikshme mes vetes dhe Zhulit, midis realitetit lëndor dhe idesë së dashurisë, ai donte të dilte gjithmonë i fituar. Atë vazhdimisht e trembte tradhtia. Tradhtinë nga ana e Zhulit ai e quante si një prishje përfundimtare të ekuilibrit të tij. Shpesh bukuria e saj i mbillte hije dyshimi, sidomos një lidhje shumë të gjatë që kishte Zhuli me Teuta Shpendin. Ajo ishte një mësuese matematike e cila punonte në të njëjtën shkollë me Zhulin. Teutën, ai e kishte klasifikuar si një dhelpër e cila i kishte vënë një maskë të shoqit të saj dhe me sharmin e saj të veçantë bënte çfarë të donte. Shkurt kishte një liri pakufi. Kjo ishte Teuta, shoqja më e ngushtë e Zhulit. Shpesh kishte brerje të vetëdijes dhe e kapte ajo që quhet ndryshe si një krizë e personalitetit. Alfredi shpesh mendonte se gjërat e papëlqyera ndodhin për shkak të mungesës së drejtpeshimit, për mungesë të rezonancës midis palëve. Dikush gjithmonë do më shumë, por marrëdhënia drejtohet nga ai që do më pak dhe viktima mbetet ai që do më shumë…

Këtë mbrëmje pas telefonatës së Renatos nga Parisi, Alfredi filozofoi së tepërmi, duke i vënë gjërat në kandarin e farmacistit. Eh, mendoi Alfredi, gjithë jetën njeriu vihet në kërkim të dashurisë, gjithë jeta rrjedh varësisht nga marrëdhëniet e fshehta. Por jeta i ka të gjitha: gjetjen, humbjen, rigjetjen. Por konstantja mbetet dashuria, e cila shoqërohet me frikën e përhershme për të mos e humbur kurrë. Ndonëse ora kishte kaluar 22 e mbrëmjes Alfredi kishte nevojë që të bënte një shëtitje të shkurtër në bulevardin pranë shtëpisë së tij. Ai doli në rrugë, bënte freskët. Eci përgjatë rrugës me blirë të Universitetit. Aroma e blirëve dhe hëna që derdhte dritën e vet mbi kubenë e kishës i jepte asaj një pamje të argjendtë. Qyteti pothuajse ishte topitur. Herë pas here kalonin vetura me shpejtësi dhe dritat e tyre i verbonin sytë. U vërdallos rreth gjysmë ore dhe më pas shkoi nështëpi.

Atë natë fjeti disa orë. Ishte nata e parë që nuk pinte qetësues, që nga koha e vdekjes së Zhulit. Rreth orës 5 të mëngjesit i doli gjumi. U shtriq dhe një herë duke gogësitur. Më pas ai qëndroi gati një orë në dritare duke përgjuar zhurmat e rrugës dhe duke rrufitur një kafe me qumësht. Ishte mëngjesi i parë që nuk po i dhimbte koka. Si në një peshore luhatej e kaluara e lumtur me Zhulin dhe pjatës tjetër të peshores e cila ishte bosh me të sotmen. Ai tashmë vetëm për një gjë ishte i bindur: se lumturia e dikurshme ishte larguar përgjithmonë. Atij iu duk absurd mendimi i një mikut të tij, që e kishte takuar para disa kohësh, i cili i kishte thënë se “jo gjithmonë mund të jesh i lumtur, lumturia vjen dhe i ikën njeriut sikur ta ketë marrë me qera“.

Alfredi doli në rrugë dhe kërkoi një lokal të vetmuar. U nis në drejtim të një kodre ku dikur ka qenë kampi i punëtorëve. Sapo mbërriti u ul në pjesën fundore të lokalit. Që andej mund të shihje tërë qytetin, katedralen, madje edhe shtëpinë e tij. Gjithçka dukej si në pëllëmbë të dorës. Drejt tij po vinte pronari i lokalit, një babaxhan burrë, shumë i qeshur. Shpesh kjo e qeshur i dukej si e stisur. Ai pa e pyetur u ul në tavolinën e Alfredit, duke i thënë se i vinte mirë që po e shikonte disi të ndryshuar…

Më pas ai vazhdoi, se njeriu e ka të vështirë që ta pranojë një humbje. Alfredi e shikonte i përhumbur duke e tretur shikimin mbi qytet, i cili i ngjante si amfiteatër nga lart. Në sytë e Alfredit ishte e vështirë të dalloje se kishte bezdi nga ato fjalë apo zemërim. Pronari dukej sikur i kishte flakur tutje ato normat e mirësjelljes, që kur dikush nuk ta ushqen dialogun dhe ti vazhdon pa pushim. Alfredi ndezi një cigare, ndërkohë që kamarieri solli dy konjakë dhe dy kafe. Ndërkohë që Alfredi po rrufiste kafenë dhe konjakun ndjeu një zbrazëtirë në stomak. Nuk kishte ngrënë as darkë dhe as mëngjes. Pronari e kuptoi që Alfredi nuk kishte dëshirë që të fliste dhe e mbylli dialogun me thënien “Bëhu i fortë“.

Sytë e Alfredit befas flakëruan duke iu drejtuar pronarit: Ju nuk e dini se si ndihet njeriu kur e humbet shokun e jetës aq më tepër në këtë moshë. Kur zgjohet mes vetmisë dhe rrethohet ngado nga njerëz që vetëm e mëshirojnë me këshilla… – A e di ti, – ju drejtua Alfredi me gisht pronarit, – se motra ime para pak kohësh martoi një djalë të vetëm dhe në dasmë nuk më këndohej? Po kështu para disa kohësh humba një mbesë aksidentalisht dhe në vdekjen e saj nuk më qahej… Ja pra mik i dashur, – vazhdoi Alfredi, -shpirti im është tharë në atë mënyrë që as më këndohet dhe as më qahet…

Pronari tundi kokën në heshtje. Më pas Alfredi zbriti në qytet nga kodrat ku ndodhej lokali. Befas e ndjeu veten fillikat. Bulëza djerse i kishin rënë mbi ballë. Ishte ditë e kthjellët dhe çatitë e shtëpive ngriheshin drejt qiellit si të ishin prej metali. Kur ai hyri në lagjen përbri kodrës, nga një furrë buke aty pranë i erdhi aroma e bukës së ngrohtë. Dukej sikur kjo aromë përmblidhte në vetvete tërë ngushëllimin e botës. Alfredit i duhej të nisej në Tiranë për të marrë vizë në ambasadën franceze.

U fut në një qebaptore dhe hëngri diçka sa për të thyer urinë. Më pas këmbët e çuan drejt shtëpisë. Sapo u fut në korridor u ndesh me pasqyrën e madhe të sallonit. Pasqyra sot iu duk e vjetër e nxirë. Ai nuk mundi të dallonte tek fytyra e tij hijen e trishtimit, pa ndonjë rreze të vogël shprese. Të gjitha këto figura treteshin në një mugëtirë ngjyrë argjendi. Shtëpia ishte e zbrazët dhe iu duk shumë e ftohtë. Pas pak dëgjoi disa hapa në korridor dhe në kuadratin e derës së dhomës u shfaq Zana. Ajo e vështroi me kujdes, hoqi syzat dhe kapsalliti sytë:

-Si je vëlla?

-Ja jetojmë, marrim frymë, -ia preu Alfredi.

Sytë e saj dritëshkurtër me ndriçim të dobët ngjanin si dy sy peshku prapa një qelqi të trashë akuariumi.

-Shkojmë, -tha Zana.

-Ku do të shkojmë e pyeti Alfredi?

-Në shtëpinë time, do të hamë drekë së bashku.

Ajo i futi krahun Alfredit dhe ai ndjeu një ngrohtësi. Ajo i buzëqeshi dhe nisën të ecin me hap të ngadaltë. Kishte kaluar më shumë se një vit dhe ai nuk po mësohej dot me këtë ekuilibër të ri. Net të shumta i kalonte në kufirin e ekzistencës dhe mërzia i shkonte deri në fije të perit. Ftesa e Renatos për në Paris i kishte dalë si një rreze drite që depërton brenda një dhome të errët nëpërmjet një të çare të perdes. Udhëtimin drejt Parisit ia miratoi edhe e motra, madje ajo e porositi si me shaka për një parfum francez.

Pas drekës tek e motra, Alfredi u rikthye në shtëpinë e tij. Hapi televizorin, ishte një bisedë me një psikolog të njohur që Alfredi e kishte shumë për zemër. Ai nuk e kishte dëgjuar emisionin nga fillimi, por kapi një këshillë të tij, që i shkoi shumë për shtat: “Kujtimet e hidhura nuk duhet t`i shkaktojnë njeriut dhimbje, nuk duhet që ta vënë poshtë, por ato duhen sfumuar gradualisht, duke i lënë të mbeten si jehona të largëta”. Alfredi u shtriq duke gogësitur dhe koka i ra e pafuqishme mbi jastëk. Gjumi e rrëmbeu ngadalë.

Në mëngjes Alfredi filloi të përgatiste valixhen. Mendoj se gjithçka do të shkonte mirë. Për Parisin kishte nostalgji të veçantë. Kur ishin larguar me Zhulin në vitin 1992 ai i kishte thënë asaj, se mos ia u merrte zoti shpirtin pa u kthyer edhe një herë në Paris. Kishin qëndruar pesë vjet dhe kishin shumë mbresa të bukura… Dita kaloi në një gjysmë hije ndjenjash.

Ra telefoni. Renatua e pyeti se kur do të nisej. Alfredi ndali për një çast dhe më pas e pyeti:

-Si thua ti Renato, kur të nisem?

-Sa më shpejt, – ia priti ai.

-Mirë, më prit ditën e shtunë.

Kaloi mbi gjysmë ore duke vështruar rrobat e tij në garderobës, pa vendosur se çfarë të merrte me vete. Padashur hapi kanatin e rrobave të Zhulit dhe gjoksin ia pushtoi një ndjenjë e përbrendshme boshllëku. Nuk ishte dhimbje, ishte diçka më e fortë e cila zbriti gradualisht dhe u zvarrit thellë e më thellë qenies së tij. Vendosi në valixhe një kostum blu me vija dhe disa këmisha e kollare. Kostumin e kishte blerë në Paris dhe ja po me atë kostum po udhëtonte përsëri drejt Parisit. Udhëtimin do ta bënte sportiv, me një xhakavento lëkure dhe një gjysmë golfi gri. Gjithçka ishte gati.

 

Kreu i tretë

 

Ishte një ditë e mrekullueshme maji. Horizonti dhe qielli dukej sikur ishin përqafuar të kaltrën. Alfredi kishte një gjendje shpirtërore ndryshe nga ditët të e tjera, disi më të lehtësuar. Këto vitet e fundit koha e kishte goditur si me vezë të prishura. Me bagazhet në dorë, Alfredi dukej atë ditë në aeroportin e Rinasit, si një figurë e mjerë dhe e harruar nga ai realitet aq i vrullshëm në atë ambient. Ky udhëtim ishte një ndjesi e re për të holluar sado pak helmin që i kishte lënë humbja e Zhulit.

Ai nuk e ndjeu fare udhëtimin nga Tirana në Paris. Avioniu ul në aeroportin “Sharl De Gol” të Parisit. Mbrëmja me avion mbi Paris ishte magjike. Deti i dritave që shtrihej poshtë ngjante me një prush qiellor. Vetëm kur njeriu e sheh me sytë e tij Parisin e ndien se ndodhet para një bukurie befasuese. Në horizont u shfaqën konturet e kullës ‘Eifel’. Ajo ngjante mbi këtë qytet magjik si një kafshë prehistorike e cila ruante poshtë, nën këmbët e saj, këtë qytet magjik.

Alfredi zbriti qetësisht duke u përshëndetur lehtë me kokë me një djalë të ri, me të cilin e kishte sediljen pranë. Ai fliste një frëngjishte të pastër. Kreu veprimet qetësisht në sportel dhe u drejtua për nga terminali i daljes ku e priste Renato. Një dorë u ngrit lart dhe më pas dëgjoi thirrjen: Fredi, Fredi… (Kështu i thoshte Renato kur kishin qenë bashkë në Paris). Një takim i ngrohtë mes miqsh të vjetër. Lanë aeroportin me makinën e Renatos dhe u nisën në drejtim të Parisit. Qytet magjepsës, i gjallë, modern, djepi i kulturës, historisë dhe tejet romantik. Alfredi e shikonte i përmalluar Parisin nëpërmjet xhamit të makinës. Ja dhe ‘Harku i Triumfit’ madhështor tej normales. I ngritur aty si homazh për fitoret e Napolon Bonapartit, duke marrë prej kohësh një nga simbolet kryesore të Parisit. Më pas makina kalon përbri ‘Notre Damit’ t ëfamshëm e historik me një nga katedralet kryesore gjigante. Kur ai ndodhejnë Paris me detyrën e diplomatit, së bashku me Zhulin shkonin shpesh dhe ndiznin qirinj në ditët e shënuara. Zhuli i kujtonte Alfredit sekuenca nga filmi “Shën Mëria e Parisit” që është xhiruar aty.

Alfredi i bëri shenjë Renatos që të gjente një vend parkimi, pasi donte të futej për pak minuta në katedrale. Me një qiri në dorë ai u drejtua tek plateja ku ishin ndezur qirinjtë. Heshtje. Aty iu duk se tashmë ndodhej në një tempull të mbrojtur nga erërat. Hidhërimi këtu për pak çastesh iu fashit dhe trishtimi iu bë më i tejdukshëm. Pas një qetësie të ngrohtë shpirtërore e mbështolli me një tis i lehtë melankolie. Për një çast iu duk sikur kishte pranë Zhulin. Renato e kuptoi shqetësimin e Alfredit dhe i futi krahun duke e tërhequr butësisht. Ata dolën nga katedralja. Rreth e rrotull peizazhe të lodhura nga qetësia. Tufat e bardha të reve dukeshin sikur preknin mbi katedrale dhe kullat e larta. Ata u futën përsëri në makinë. Renato ia dinte dobësinë Alfredit dhe e drejtoi makinën për nga restoranti “Fuke“, lokali i preferuar i emrave të mëdhenj si Remarku, Cvajgu, Pikasos etj.

Në drekë erdhi edhe gruaja e Renatos, Ilda. Një grua e heshtur që fliste rrallë. Ajo e pa drejt në sy Alfredin dhe ai ia bleu mendimin dhe iu përgjigj:

– Ilda, na iku Zhuli, iku u shua si ajo komenta… Më ka mbetur jeta bosh dhe kam ngelur fillikat…

Pas një pauze Ilda i tha ngadalë: – Mbase nuk do t’iu duket me vlerë këshilla ime, por unë mendoj se kujtesa jote duhet të përpiqet t’i rrënojë kujtimet, duhet t`i bresh dhe t`i zvogëlosh në atë masë, që kujtimet për Zhulin të mos bëhen të rrezikshme… Më pas Ilda vazhdoi këshillën e saj se do të ishte mirë që rrobat e Zhulit t`i largonte nga garderoba. Mund të mbash vetëm ndonjë foto të veçantë në ndonjë ambient të shtëpisë.

Alfredi e ndiqte Ildën i përhumbur. Në çast kamarieri solli menynë e restorantit. Dreka kaloi pothuajse në heshtje me ndonjë trokitje gotash. Në moment u krijua një përplasje shikimesh. Dukej që argumentet mbaruan dhe filluan të tre të hanin të heshtur. Sytë e kaltër të Alfredit u ndezën dhe morën një shkëlqim të veçantë. Pas dy orësh darka u mbyll me ëmbëlsirë për Ildën dhe kafe për Alfredin dhe Renaton. Dolën përsëri në rrugë.

– Shanz-Elize, bulevardi i mrekullueshëm tej normales, – shqiptoi Alfredi duke vështruar me vëmendje rreth e rrotull. Ndjeu një mall dhe ngazëllim të brendshëm. U futën në makinë. Renato eci përgjatë bulevardit ”Shanz-Elize” deri tek sheshi “Konkord”, më pas drejt sheshit “Etual“. Ata u kthyen nga pallati i Versajës dhe më pas nga kopshti i Luksemburgut, ashtu i bukur, ashtu siç e kishte lënë Alfredi. U nisën drejt shtëpisë së Renatos. Ai kishte marrë shtëpi në lagjen La Defance. Ishte një lagje e re e ndërtuar në vitin 1980. Francezët, xhelozë për qendrën e New Jorkut, kishin ndërtuar në këtë lagje të re të Mannhattenit me madhështi tej normales, Brodweyn e famshëm me ndërtesa të xhamta qiellgërvishtëse apo statuja e Lirisë. Këtu ndodheshin supermarketet moderne ku bënte pazar gjithë aristokracia franceze. Alfredi vështronte i përmalluar rreth e rrotull nëpërmjet xhamit të makinës. Renatoja parkoi makinën. Tek dera e shtëpisë u shfaqën dy vajzat e Renatos. Një apartament komod i rehatshëm i mobiluar me shumë shije. Pasi konsumuan fruta, Alfredi kërkoi që të pushonte. Përzierja e verës së famshme me shampanjën që pinë në drekë i krijoi një përkundje këndellëse e cila i solli një ngazëllim fre lëshuar dhe zemër ndezur. Zhuli ia kishte prishur lumturinë, por kishte ndonjë çast si ky i sotmi që jetonte ca momente të gëzuara.

Mëngjesi erdhi i zhurmshëm. Re të shkalafitura në qiell. Dielli herë dilte dhe herë fshihej sikur luante symbyllazi. Parqe të shumta me gjelbërim të harlisur. Binte në sy prania e shumë të moshuarve me qen përdore, që shëtisnin nëpër ambientet e parkut. Francezët, fëmijët e tyre i ndajnë shpejt, sapo bëhen në moshën që të ecin vetë. Kështu dashurinë në mungesë të fëmijëve e kanë fat qentë e panumërt të racave të ndryshme. Renato ia bleu mendimin Alfrdit, i cili po i vështronte me vëmendje këta të moshuar me qen përdore.

– Një dëshmi e pakëndshme, – shtoi Renato, – por është fakt.

Alfredi lëvizi i kokën lehtë në formën e miratimit. Ata shëtitën buzë Senës, më pas hipën në një traget. Sena me qetësi perëndie nanuriste nën peshën e trageteve të shumtë me vizitorë që sodisnin Parisin nëpërmjet lumit.

– Çudi, – i tha Alfredi Renatos, – qëndrova pesë vjet në Paris kur ishim bashkë në ambasadë dhe nuk hipën asnjëherë në traget. Ata vendosën që ta bëjnë një shëtitje së bashku me traget. Alfredi ndiqte i përhumbur pamjet që të vinin nga Parisi në përmjet Senës. Renato e shkëputi befas nga përhumbja duke i bërë një kërkesë miqësore. Alfredi ia nguli sytë Renatos në pritje të kërkesës. Pronari ku punonte Renato e kishte ftuar Alfredin për një drake tek restoranti i tij.

-Ku? – e pyeti befas Alfredi?

-Tek “Kontinentali” atje ku punoj unë.

Alfredi ia miratoi me kokë, por diçka ndjeu kur Renato i kujtoi “Kontinentalin“..

– Do të shkojmë me metro, – ia priti Alfredi.

Atë ditë ata kishin dalë pa makinë për të shëtitur. Hoteli luksoz “Kontinental“ ishte një masiv i gurtë me një arkitekturë të vjetër, por krejt të veçantë. Ai ishte i vendosur në rrugën “Kastalinë“ Dikur ky hotel kishte qenë nga më të rëndësishmit e Parisit. U futën në hollin e hotelit. Salla të mëdha mondane me relikte të shumta. Nga hoteli dhe shtyllat e mermerta Alfredit i erdhi si asociacion Esat Pasha, duke ecur hije-rëndë nëpër atë holl dhe më pas krismat e revolverit të AvniRustemit, që e shtrinë për tokë. Aty në hyrje kishte dalë pronari i hotelit që iu buzëqeshi me përzemërsi, pak metra përpara se të takoheshin.

Mishel Rënua, pronari i lokalit ishte miqësuar shumë me Renaton. Koka thinjoshe me flokë të shkurtër me një fytyrë vitaminoze dhe dy sy të e mprehtë, ishin tiparet që spikatnin tek Misheli. Ata ecën përgjatë sallonit të gjerë dhe u futën në restorant pranë një tavolinë të madhe e cila ishte zbukuruar më lule, shandanë të argjendtë dhe qirinj. Pasi u rehatuan, dukej sheshit që Renato ishte person i rëndësishëm për pronarin e lokalit. Me këtë drekë pronari donte të respektonte Renaton. Misheli ngushëlloi Alfredin për fatkeqësinë që i kishte ndodhur me bashkëshorten. Më pas ai iu drejtua Alfredit:

-Miku im, ka ikur koha e përjetimeve të gjata dhe ndjenjave të forta, kur zoti është i padrejtë me fatkeqësinë që na ka rënë.

Alfredi ngriti sytë dhe mbrapa xhamit të syzave pa shikimin e Mishelit që atë çast donte të takohej me shikimin Alfredit. Ai tundi lehtë kokën në shenjë miratimi. Vetëm bebëzat e syve sa vinin dhe zmadhoheshin. Ai ndjeu dhembshurinë e sinqertë të mikut francez. Për një çast u vendos heshtja, Renatua trokiti gotat duke thyer heshtjen. Në kuadratin e sallës u shfaq Ilda. Atmosfera e drekës u përzie. Ilda me kureshtjen e një amvise si me bisht të syrit i bëri ‘inventarin’ menysë së tavolinës që ishte shtruar. Aty kishte gjithçka: tetë lloj djathi, havjari i famshëm, fazan i pjekur, pure prej mëlçie kaprolli, fileto peshku, pjatanca me fruta deti dhe tre katër lloj verërash nga më specialet. Renato dukej i lumtur, që pronari francez po e respektonte me tërë nderimet mikun e tij. Kafetë i pinë tek veranda e rezidencës së pronarit. Në gotat me front të lartë ju servir konjaku i ftohtë me akull për të shoqëruar kafenë. Kishte lloj-lloj likernash, cigare speciale dhe puro kubaneze. Pas kafesë Alfredi dhe Misheli u ndanë shumë miqësisht për t`u ritakuar përsëri. Ata u rehatuan në makinën që kishte sjellë Ilda. Ajo qëndroi përsëri në timon pasi Alfredi dhe Renato pothuajse ishin të dehur. Ata u nisën drejt shtëpisë së tyre. Kur po afroheshin tek ura “Alma” Alfredi dalloi një masë të madhenlulesh të vendosura tek kollona anësore e betonit ku ishte përplasur vetura. Është vendi ku humbi jetën princesha Dajana, ia priti Renato. Alfredi e vështroi imtësisht vendin e aksidentit pa folur fare, pastaj diçka mërmëriti me veten e tij dhe më pas ra në mendime. Ditën tjetër vazhduan përsëri shëtitjet nëpër Paris. Shkuan tek kulla “Eifel”, u ngjitën gati afër majës. Me teleskopët e fuqishëm që ndodheshin atje Alfredi vëzhgoi për një kohë të gjatë Parisin.

– Me këtë qytet nuk ngopem asnjëherë, -shtoi më pas.

Sapo zbritën nga kulla pranë një muri të lartë, aty ku niseshin tragetet, Alfredi dalloi një ish anëtar të Byrosë Politike i cili shiste pikturat e një piktori të njohur shqiptar. Ai e njohu Alfredin, uli kokën dhe gradualisht iu ktheu shpinën duke u vështruar nga Sena. Ditën tjetër vizituan Luvrin. Alfredi kishte qenë në Paris në vitet `70 si diplomat dhe Luvrin atëherë e kishte vizituar disa herë. Por Luvri kishte ndryshuar. Ai nuk kishte parë piramidën prej qelqi me 600 rombe e cila kishte krijuar lidhjen e Luvrit nëpër pavione. Alfredi pothuajse atë ditë e kaloj në Luvër duke i parë të shtatë pavionet kryesore të Luvrit. Çuditërisht sot po i shijonin më tepër skulpturat e Homerit, Zeusit, Laookontit, Maratonomakut, statuja e Napolon Bonapartit… Ja dhe Xhokonda e famshme! Në dy cepat e pikturës ishin vendosur kamera vëzhgimi.

Dhjetë ditë rrodhën pa u ndjerë, Alfredi vendosi që të nesërmen të largohej nga Parisi. U nda me Renaton dhe familjen e tij me shumë dashuri. Ishin vërtet momente prekëse. Mbrëmja ishte bërë sunduese kur avioni la pistën e aeroportit  “Sharl De Gol”. Pati mundësi të shijojë edhe një herë mrekullitë e natës parisiene që nga qielli. Ashtu gjysmë i përgjumur në gjysmë errësirën e avionit rikujtoi edhe një herë gjithçka që kishte parë gjatë atyre dhjetë ditëve. Natyrisht, krahas luksit të Parisit ai pa edhe njerëz që flinin në këmbët e Senës, lypsa, zezakun që i rrëmbeu një zonje çantën forcërisht poshtë kullës ‘Eifel’…

Eh, mendoi Alfredi, kur njeriu viziton Parisin duket sikur ke lëkundur në dorë një kaleidoskop, që në çdo lëvizje të tij të nxjerr një mozaik të veçantë shumëngjyrësh. Ky përcaktim për Parisin është më i sakti, mendoi Alfredi…

Bardhyl Berberi: Lule të vyshkura në prill (1)

Bardhyl Berberi: Lule të vyshkura në prill (2)

Please follow and like us: