Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Lule të vyshkura në prill (1)

Pjesa e dytë

 

Kreu i katërt

Një dritë lëvizëse rrëshqiti me shpejtësi mbi asfaltin e ri. Minibusi ndali tek agjencia e pasagjerëve. Alfredi mori valixhen dhe eci përgjatë qendrës së qytetit duke u futur në rrugicën me blirë. Ndjeu aromën e mirë të blirë ve e cila i krijoi një kënaqësi të veçantë…

Re të dendura ishin varur mbi qytet. Dukej se një furtunë e madhe ishte gati. Ai shpejtoi hapin drejt shtëpisë. Ajri i grimuar me lagështirë ishte lajmëtari i parë i shiut. Më pas ranë ca pika të mëdha shiu mbi supin e Alfredit, kur po hapte derën e jashtme të oborrit të vilës. Era me rrapëllima po përplaste dyer dhe grilat të dyqaneve në anën e rrugës. Sapo ai u fut në oborr vuri re se era e marrë i kishte çaprashitur lulet dhe gjethet e pemëve. Shiu që kishte rënë gjatë ditëve që ai ishte në Paris i kishte krijuar kopshtit një aromë kalbësire gjethesh. Heshtja rreth e rrotull vilës ishte sunduese. Madje atij iu duk si ogurzezë. Tek cepi i pasëm i murit të kopshtit Alfredi dalloi siluetën e një njeriu. Një plak i dehur urinonte dhe mezi mbushej me frymë.

Plak pijanec, pëshpëriti Alfredi. Hapi derën e vilës dhe qëndroi për disa çaste në këmbë, duke parë me dhimbsuri shtëpinë dhe iu duk si një nga shtëpitë më fatkeqe, e cila e kishte humbur pamjen e dikurshme. Lëshoi bagazhet në korridor dhe hapi njëra pas tjetrës të gjitha dhomat e vilës. Ngriti grilat e dritareve, por në xhamat e tyre kishte filluar të përplasej një shi i rrëmbyer. Hapi frigoriferin dhe prej andej nxori një lëng frutash, kishte etje. Më pas u ul në një nga kolltukët e kuzhinës. Qëndroi disa minuta duke u menduar.

U ngrit dhe sistemoi rrobat në garderobë. Vuri re nga dritarja se shiu kishte pushuar. Ajri dihaste ngrohtësi, qielli ishte pastruar nga retë dhe dukej si një sy i bukur fëmije. Alfredi thellë në shpirt ndjeu angështi dhe boshllëk. Doli në kopsht. Shiu kishte lënë mbi tapetin e barit pellgje të vegjël uji. Dielli ishte në të perënduar dhe rrezet e tij të fundit po kuqëlonin çatitë e shtëpive. Ai piu në kopsht dy cigare njëra pas tjetrës. Më pas u ngjit në katin e dytë dhe doli në ballkon. Pas pak dritat e rrugës u ndezën. Një grumbull të rinjsh dolën nga kinemaja e qytetit. Për gati një orë Alfredi qëndroi në ballkonin e vilës deri sa sytë i ishin lodhur nga pamjet në trotuareve të ngarkuar me njerëz dhe dritat e makinave. Kalldrëmet e larë nga shiu shkëlqenin nën dritën e llambave. Filloi t`i dhembë pak qafa nga shpinorja e karriges. Mendoi të zbresë dhe të hajë diçka pasi ndjeu uri. U bë gati për të shkuar tek një qebaptore pranë shtëpisë, por u kujtua se duhej të lajmëronte të motrën të cilës i tha se do të komunikonte menjëherë sapo të mbërrinte nga Parisi.

Ngriti receptorin dhe formoi numrin e Zanës duke i thënë se ishte kthyer. Nxorri nga çanta e dorës parfumin e së motrës që ia kishte blerë në Paris. U ul në një kolltuk të sallonit në pritje të Zanës. I erdhi në mend porosia e Ildës në Paris për të larguar nga garderoba rrobat e Zhulit. Ishin shumë rroba për të gjitha stinët. Mbërriti Zana e cila e përqafoi me mall.

-U kënaqe vëlla, Parisi është qyteti më i bukur në botë.

Alfredi ia preu shkurt. -Qyteti më i bukur në botë është ai qytet ku njeriu është i lumtur. Alfredi i dha dhuratën së motrës dhe e ftoi për darkë të hanin së bashku tek ndonjë piceri. Zana e ndjeu se të vëllait nuk i ishte larguar trishtimi. U futën në një piceri pranë lagjes. Hëngrën të heshtur picën dhe pinë nga një krikëll birre. Darka kaloi në gjysmë heshtje. Më pas Zana e falënderoi për parfumin dhe i premtoi se këto ditë do t`i largonte rrobat e Zhulit. Alfredi tundi lehtë kokën. Ai e përcolli Zanën për në shtëpi. Zana jetonte në një nga lagjet e vjetra të qytetit, pothuajse më shumë se gjysma e shtëpive ishin me drita të shuara. Ishin emigrantë, të cilët shumica ishin në Greqi. I solli trishtim ky fakt. Shtëpia fqinjë pranë shtëpisë së Zanës edhe ajo e braktisur. Nëpër shkallët e jashtme vareshin lule të vyshkura që nuk ishin vaditur kurrë. Këto lule kishin aromën e luleve të thurura kurorë të ndenjura në varreza deri sa ishin kalbur. Tek dera e shtëpisë së Zanës Alfredi i dha dorën së motrës dheu lagua për në shtëpinë e tij, me gjithë lutjet e Zanës…

Ajo e ndoqi në errësirë largimin e Alfredit deri sa ai u zhduk tek kthesa e rrugicës. Vendimi për të larguar nga garderoba rrobat e Zhulit iu duk Zanës si një realitet i ri, një përtëritje shpirtërore. Dukej sheshit që udhëtimi në Paris i kishte bërë mirë. Megjithatë ajo duhej të tregohej e vëmendshme. Me Alfredin kishte shkuar dy herë pranë vdekjes. Alfredi sapo shkoi në shtëpi i bëri një telefonatë Renatos në Paris. Ai e falënderoi me fjalë zemre. Më pas ndoqi një film në televizor deri sa e kapi gjumi. Rrezet e para të diellit i erdhën mbi shtrat të situra nga gjethet e gështenjave që ishin në kopsht, pranë dhomës së gjumit. Dhoma kishte një verandë të vogël.

Doli atje dhe vështroi rreth e rrotull peizazhin. Ndonëse ishte shumë i bukur, në sytë e Alfredit regëtiu si një pamje e vjetruar. I dukej sikur ishte shndërruar në një tablo bajate. Aty kishte ngelur vetëm një kujtim i së kaluarës… Fjalë të pëshpëritura, imazh i Zhulit, dritat mbi çatitë e blerta dhe reflekset e hënës mbi kubenë e katedrales përbri…

Iu duk sikur përkrah kishte Zhulin, por ky ishte një iluzion. Ai bëri një dush dhe pasi u rrua vendosi të dali për kafe. Dita ishte e bukur dhe plot diell. Eci në drejtim të qendrës së qytetit tek kafeneja e hotelit të madh të qytetit. Në lokal gëlonin biseda të shumta që bëheshin me zë të lartë. Nga cepi i një tavoline u ngrit një burrë babaxhan dhe tepër i ngjallur i cili e ftoI Alfredin tek tavolina e tij. Fytyra ishte shumë e njohur për Alfredin, por ai për momentin nuk po bënte dot lidhjen midis figurës dhe emrit. Por sapo dëgjoj fjalën: urdhëroni drejtor, u kujtua menjëherë se ai ishte ish furnitori i ndërmarrjes ku ai kishte qenë dikur. U përqafuan.

-Ku je drejtor? – ia priti ish furnitori?

-Ish drejtor, – ia priti Alfredi. -Tërë me ish do të përfundojnë, – ia priti buzagaz Alfredi. -Ku je, – e pyeti Alfredi, me se po merresh tani?

-Me biznes, ia priti Ademi.

-Çfarë biznesi konkretish?

Ademi uli kokën si i zënë në faj.

-Çfarë, – e ripyeti Alfredi, – mos merresh me ndonjë pisllëk?

-Jo, or drejtor jo, nuk merret Ademi me pisllëqe, se ka një rreth fëmijë! Kam një biznes funeral,  sjell arkivole nga Maqedonia.

Alfredi ndezi një cigare dhe qëndroi për disa sekonda i mbështjellë nga tymii cigares të sapo ndezur. Më pas buzët e Ademit krijuan ca fjalë si të mbytura pa i shkoqitur mirë.

-Dëgjo drejtor, gjithçka e kam nisur nga hiçi. Në fillim e kam nisur me cigare kontrabandë, që i futnim nga brezi kufitar nëpërmjet malit nga Maqedonia. Ngarkoheshim si kafshë me koli cigaresh dhe e kalonim natën kufirin me kokë në torbë. Më pas kam vazhduar me kontrabandën e viçave, por hoqa dorë kur na vranë Maqedonasit një djalë 13 vjeçar. Me lekët që kisha fituar bleva një furgon. Në karrocerinë e furgonit kisha lënë një hapësirë të veshur me kompensate dhe atë pjesë, sa herë shkoja, e mbushjame kafe. Kafenë e kaloja pa ngarkesë dhe kisha shumë leverdi. Mirë  po hyja dhe dilja bosh nëpër dogana, fillova të ngjall dyshime. Një ditë një doganier maqedonas me orgjinë shqiptare më thotë.

-Dëgjo Adem, ke rënë në sy për keq dhe kanë filluar dyshimet. Ndonjë ditë do ta bëjnë furgonin fije-fije.

Vendosa që të fut mall nga Maqedonia plus kafenë siç e futja në hapësirat e fshehta të krijuar enkas për këtë punë. Fare pranë aty ku unë kisha parkuar furgonin ishte një linjë e prodhimit të arkivoleve.

Alfredi po e ndiqte i përqendruar duke e parë drejt në sy, duke iu ftohur kafeja në filxhan.

– Po pastaj? – e pyeti Alfredi me padurim.

– Instiktivisht, – tha Ademi, më lindi ideja që ta mbushja furgonin me arkivole. Më pas bëra një përllogaritje të thjeshtë, duke kaluar nëpër mend më të moshuarit dhe të sëmurët me sëmundje të keqe të fshatit. Sipas llogarisë së Ademit ishin tre pleq mbi 90 vjeç po ashtu dhe një grua me sëmundje të keqe. Kështu mendoi me vete Ademi dhe e ngarkoi furgonin me arkivole. Firma maqedonase në Strugë m`i dha arkivolet me gjysmë çmimi pasi ajo kërkonte një partner për tregun shqiptar. Sapo furgoni mbërriti në doganë, doganierët maqedonas sapo panë arkivolet në furgon klithën, mbylle derën dhe zhduku shpejt! Po kështu kalova edhe në doganën shqiptare. Makabriteti i arkivoleve më krijoi shumë avantazhe. Kaloja edhe kafenë kontrabandë edhe arkivolet po ecnin shumë shpejt. Brenda dy ditëve mora ngarkesë tjetër, pasi ndodhi një aksident i rëndë i një autobusi që ra në humnerë, kishte shumë viktima dhe arkivolet u shitën brenda ditës.

Alfredi pasi e ndoqi me vëmendje rrëfimin e tij, i tha:

– Edhe kur ke qenë furnitor i ndërmarrjes, shumë i zoti ke qenë

…Papritur Ademi i bëri një propozim konkret Alfredit, ish drejtorit të tij, që të drekonin diku jashtë qytetit. Propozimi i Ademit iu duk interesant Alfredit, pasi nuk donte të ishte në shtëpi kur të vinte Zana për të larguar rrobat e Zhulit. Dolën nga lokali dhe Ademi në distancë hapi me pult një fuoristradë të re. U rehatuan në sedilje dhe makina nisi të dilte nga qyteti. Qielli ishte i kaltër dhe dielli që nga lart, me rrezet e tij përtëritëse, ledhatonte dheun. Në shpirtin e Alfredit u ringjall angështi. Makina u kthye majtas dhe eci nëpër disa kodra të buta dhe gradualisht filloi të bëhet një ngjitje. Kodrat shtrinë hijen e tyre mbi peizazhin e gjelbër të grurit. Dielli herë shfaqet dhe here fshihet nëpër qafat e kodrave. U futën në zonën e Mesmalit të rrethuar melugina të bukura dhe male alpinë. Kurorat e gjelbërta të dhe të pishave ishi ndekori i ri që u shfaq para tyre. Në shpatin e malit ishte një tufë e madhe me dele dhe qingja. Këmborët e deshëve dhe këngët e pafund të zogjve krijuan një simfoni të vërtetë në mbretërinë e pyllit. Ademi ndali makinën dhe e ftoi Alfredin që t`i afroheshin një stani, që ndodhej jo shumë larg tufës së deleve. Disa qen të mëdhenj stani u ulën tek këmbët e Ademit. Alfredi pak i trembur nga prania e qenve të stanit e kuptoi se Alfredi ishte shumë i afërt në këtë mjedis. U takuan me çobanët e më pas zbritën poshtë një burimi. Njëri nga barinjtë kapi një qingj, ndërsa tjetri filloi të ndezë një zjarr. Ademi qeshi kur pa hutimin e Alfredit duke i thënë se këtu do ta bëjmë një kurban o drejtor. Ademi shtroi gunat dhe ata u ulën pranë zjarrit. Nxehtësia e zjarrit nuk ishte shqetësuese, pasi flladi i acartë që frynte nga malet e Voskopojës e sfidonte atë ditë të ngrohtë maji.

– Të gjithë deshinjtë kanë këmborë?, -e pyeti Alfredi.

Bariu qeshi: -Por këmborët janë armët tona more zotëri!

-Si? – e pyeti i hutuar Alfredi?

-Po ja, -shpjegoi bariu, – ne e kuptojmë sado larg që mund të jetë kopeja edhe kur ajo është e qetë dhe kur është e ndërkryer apo para rrezikut nga egërsirat. Atëherë ne ngrihemi dhe iu bëjmë ballë egërsirave së bashku me qentë.

Rreth dy orë aty kaluan pa u ndierë dhe aroma e mishit që piqej në hell i ngacmoi stomakun. Era e mishit kishte ngopur gjithë ajrin përreth. U kujtua që nuk kishte ngrënë mëngjes. Më pas Ademi paketoi qingjin dhe e vendosi në makinë. Alfredi e pa i hutuar.

– Ku po na çon, ishim mirë këtu?… e pyeti Alfredi.

– Ja, tre katër km më tutje, tek ajo ujëvara, – ia preu Ademi.

Alfredit po i dukej miku i tij si një hipnotizues. U ndanë miqësisht nga çobanët dhe vazhduan udhëtimin me makinë. Para tyre u hap një panorama mahnitëse. Masivin me pyje ahu po e zëvendësonte ai i pishës dhe i bredhit. Tablo e mrekullueshme. Nuk dije ku të përqendroheshe më përpara. Nga një e çarë e një shkëmbi, në një lartësi mbi 10 m rridhte ujë si kristal. Uji ishte i disiplinuar në disa basene në formë vaskash, ku kishte një sasi të madhe trofte. Pak më tutje ishte një lokal me gurë të skalitur dhe kashtore të improvizuara në formën e çatisë së një kolibeje, ku në secilën prej tyre kishte tavolinë shërbimi. Ademi e mori qingjin dhe e vendosi në një tavolinë poshtë kashtores. Pranë tyre u afrua një grua e cila e përshëndeti Alfredin duke iu drejtuar:

– Si jeni drejtor?

-Edhe me ju kam punuar? -iu drejtua Alfredi.

– Po, po!… -iu përgjigj gruaja që kishte përballë. Një grua e bëshme, me caquka në fytyrë që dukeshin sikur ia kishin vendosur me penel. Nga shikimi ingulur i syve miopë të Florës, me numër të madh të xhamave të syzave, Alfredit iu duk vetja si ndonjë insekt që e vështroni me lupë të madhe.

– Nuk po më kujtoheni… -ia priti Alfredi gruas përballë në lokal.

-Sa ka ndryshuar kjo more drejtor, zor se e njeh!… Nuk e njoh unë që e kam grua…

– Ooo, ju jeni pastruesja e zyrave?! Iu kujtua Alfredit, se një sekretar i komitetit të Partisë i kishte thënë që duhej ta hiqte nga puna se ishte me biografi të keqe. Por ai e kishte kundërshtuar.

– Ju keni pasur babanë në burg, – iu drejtua Alfredi, gruas së Ademit.

Flora, pasi u përcoll sikur kishte ndonjë arrë në grykë, i thotë Alfredit se dot`i tregojë vetëm një moment: Kur babi im ishte futur në burg, unë isha vetëm 10 vjeç. Pas 17 vjet burg ai doli nga burgu. Unë isha martuar në një fshat kufitar buzë liqenit me Ademin. Babai erdhi në mbrëmje në shtëpinë tonë në një ditë dimri me dëborë. Troket në derë. Ademi hapi derën dhe pa e njohur, sipas traditës e fton brenda në shtëpi. Ai sapo hyri në dhomë më kërkoi me sy më pas mu drejtua: -Ti je Flora, jam babai yt, erdha të të shoh moj bijë. Të gjithë shtangën, babai e kuptoi ftohtësinë që u krijua dhe tha se vetëm pak çaste do të qëndronte dhe do të largohej. Qëndroi vetëm dhjetë minuta dhe u largua nëpër atë natë në dëborë.

Ajo po qante duke treguar. Më pas vazhdoi: Ecte babai dhe e kthente kokën mbrapa nëpër atë natë të ftohtë dimri. Kur doli babai nga shtëpia, dëbora kishte pushuar. Atë natë më lindi vetëm një dëshirë: të mos binte dëborë, që të mos mbuloheshin gjurmët që kishte lënë këmbët e babait nëpër dëborë. Kjo ishte dëshira më e madhe e imja ato çaste… Në mëngjes ajo ishte ngritur herët dhe kishte puthur dëborën, atje ku kishte shkelur i ati. Tregimi i Florës ishte rrënqethës dhe Ademi mbushi gotat e birrës duke i shkëputur nga ai tregim i dhimbshëm, që edhe Ademi e dëgjonte për herë të parë.

Dreka kaloi pothuajse në heshtje. Dalëngadalë erdhi pasditja. Dielli kishtembaruar shëtitjen mbi luginën dhe po shkonte drejt perëndimit. Tani uji i ujëvarës u bë më i errët dhe ngjante me jeshilen e fortë dhe marramendëse të barit dhe të pishave përreth.

Kreu i pestë

Askush prej nesh nuk e kupton plotësisht forcat psikologjike që na mbajnë të kuptojmë se çfarë reaksionesh bio-kimike ndodhin në trurin tonë, që na shtyjnë të marrim vendime, të ndjekim një rrugë apo një tjetër. Gëzimet, dhimbjet, kujtimet, ambicjet, sensi i identitetit personal nuk janë gjë tjetër, veç një mori e madhe qelizash nervore dhe molekulash që lidhen me to. Alfredi e kishte humbur pjesën kryesore të jetës së tij. Tashmë atij i kishte mbetur vetëm ajo pjesa e thjeshtë e ekzistencës së tij. Madje dhe këtë ekzistencë ai disa herë e kishte vënë në rrezik duke shkuar tek pragu i vdekjes. Me këtë kaos mendimesh pas drekës me Ademin u fut në shtëpi. Zana i kishte hequr të gjitha rrobat e Zhulit. Kishin ngelur vetëm varëset e rrobave bosh, që çuditërisht i ngjanin me çengelet që varen bagëtive në thertore. Krahasimi iu duk vërtet i pa goditur dhe banal. Diçka i theri në gjoks. Dhembshuria për Zhulin ishte sunduese. Ndezi një cigare dhe më pas hapi të gjitha kanatet. Prej andej i erdhi aroma e rrobave të Zhulit ecila kishte mbetur ende atje edhe pse rrobat ishin larguar. Ai vendosi një karrige përballë gardërobës dhe shikonte atë hapësirë krejt boshe, tamam si shpirti i tij. Më pas hapi kanatet e sipërm të garderobës ku Zhuli vendoste trikot e saj. Edhe ato ishin larguar që të gjitha. Kishin ngelur vetëm ca gazeta që ishin shtruar nëpër rafte. Alfredi largoi gazetat e rafteve. Midis dy shtesave të gardërobës dalloi një letër. E tërhoqi letrën, e pas saj doli cepi i një letre të dytë. Alfredi e ngriti shtesën mbi garderobë. Aty gjeti një pirg me letra të cilat ishin fshehur pikërisht midis bazamentit të garderobës. Alfredi në gjendje pezmi në shpirt hapi njërën letër. Filloi të lexojë tërë ankth…

Ja letra e parë

”Zhuli, të dua jo, jo të dashuroj! E di që je e martuar, je grua, je nënë… Por dashuria jonë është lëndinë me lule, nuk është martesë, fabrikë fëmijësh dhe hallesh pafund. Dashuria të bën nuse pa vello dhe unazë. Të puthurat janë fëmijët e saj, që nuk kërkojnë bukë por vetëm buzë …”.

Maskarai, shqiptoj Alfredi duke iu dridhur duart. Letra tjetër:

“Zhuli, kur ti ike në Paris më erdhi dashuria më e madhe për ty, si një vullkan. Dije Zhuli, nuk jetoj dot pa ty. Tani më ke lënë të shoh ëndrra… Çdo natë jetoj me me imazhin tënd… Numëroj ditët me gishtat e dorës kur t`i do të vish me pushime në qytetin tonë. I yti për jetë Vangjushi”.

Alfredit i ishin zmadhuar sytë dhe ishin gati t`i dilnin si topa pingpongu. Kapi një letër tjetër. Mundohej të lexonte, por rreshtat i bashkoheshin dhe shikimi iu turbullua. Më pas i erdhi një forcë titanike prej urrejtjes dhe filloi të lexojë letrën tjetër të radhës:

“Që kur ke ikur ti Zhuli, shpirti im është i lodhur… Në mes të letrës ishin disa rreshta të shkruar me bojë të kuqe ‘Lumturinë e jetës ta detyroi ty! Çfarë më ke shtënë nëpër damarë? Më ke dhënë lumturinë më të madhe që ekziston në botë’! Gjithë këto vite me ty dhe nuk jam velur asnjëherë prejteje… Ke qënë pafundësisht e përkryer”!

Instinktivisht kapi edhe një letër tjetër:

“Unë e shoh botën vetëm nëpërmjet teje. Për mua bota nuk ekziston pa ty!… I yti deri në vdekje, Vangjushi”.

Ishin më shumë se 50 letra dashurie, në një kohë prej gati 40 vjet marrëdhënie e këtij Vangjushkës me Zhulin. Sipas llogarive dilte që pas pesë viteve martese, Zhuli ishte lidhur me këtë Vangjushin. Alfredin nuk po e mbanin këmbët dhe u shemb mbi krevatin e dhomës së gjumit. I dukej sikur të gjithë gjakun e trupit po ia thithnin me shiringë dhe nëpër damarë nuk i rridhte gjak por vetëm vrer. Ndezi një cigare duke mos ia ndarë sytë atij pirgu të madh me letra dashurie, që Zhulit ia kishte dërguar i dashuri…

Nisi t`i dhëmb shpirti. Një dhimbje që rëndonte aq shumë, sa zemra e plasaritur rënkoi nga therja e fortë. Alfredit iu krijua një sëmbim në shpirt, i cili filloi ta zaptojë të tërin, si tentakula shpuese. -Si ka mundësi, -pyeti veten pa i hequr sytë nga letrat. -Si ka mundësi që për gati 40 vjet Zhuli, dashuria e tij madhe, njeriu që e donte me shpirt aq marrëzisht, i kishte vënë brirë!…

Alfredi filloi të mbytej në vrerin e neverisë. E ndjeu veten të pafuqishëm, për të gjetur shtegun të dilte nga kjo vorbull. Helmi i tradhtisë e paralizoi krejt. Ju krijua një çast i padurueshëm. Tentoi të ngrihej nga shtrati bashkëshortor ku ishte ulur…

Mbase edhe atë shtrat Zhuli e kishte përdhosur, mendoi. E tërë jeta me Zhulin kishte qenë një iluzion i gabuar. Çuditërisht, mendoi Alfredi, si ngeca në këtë rrjetë të helmatisur mirëbesimi. E gjithë jeta e tij kishte lundruar mbi iluzione!

-Jo, mendoi më pas, e gjithë kjo që ka bërë Zhuli është e turpshme dhe e shëmtuar! Ka çuar dëm një jetë të tërë! Sa miop jam treguar. Alfredi i hodhi një sy cepit të krevatit nga flinte Zhuli. Mbylli për një çast sytë dhe ajo iu shfaq në lakuriqësinë e saj. Më pas dy krahë iu afruan rreth vetes. Në përfytyrim iu shfaq një siluetë. Zgjati duart, por gishtat iu ngulën në një trup të kalbur. Shqeu sytë! Lëkurë e rrjepur, muskuj të zhveshur e të gjakosur, kocka të shpërndara andej këtej… E mblodhi veten. Tashmë Alfredi kishte njohur Zhulin e vërtetë! Kështu lakuriq!… Shpërbërja e Zhulit iu duk si një shfaqje groteske. Kështu mendoi Alfredi. Ajo që thuhet për gratë se janë një mister është shumë e vërtetë. Ndezi cigaren e tretë dhe e kuptoi që po e kapte një depresion i tmerrshëm. Ju rrënua dhimbja dhe dashuria për Zhulin brenda pak sekondash. E gjithë jeta e tij kishte qenë si ato kullat prej rëre që ngrenë fëmijët në breg të detit. Tani ai zbuloi gjithçka: greminën ku kishte jetuar, iluzionin e gabuar dhe tradhtinë e madhe. Tani ai ishte në pritje. E gjithë kjo kishte një kosto dhe ai ishte gati që ta paguante.

Më pas u ngrit me vështirësi nga krevati dhe hoqi dy fotot që ndodheshin në dhomën e gjumit. Në njërën kishte dalë Zhuli vetëm në dëbore dhe tjetra në ditën e dasmës.-Do të shes shtëpinë ose do t`i vë zjarrin mendoi, Alfredi. Doli nga dhoma e gjumit dhe instinktivisht shkoi në kuzhinë. I kapitur dhe i etur mori një shishe me ujë të gazuar dhe e piu pa ndalim. Një valë e nxehtë i digjej brenda shpirtit. Alfredi po përjetonte minutat më të tmerrshme të jetës së tij. Kishte kuptuar absurditetin e asaj jete që kishte kaluar me Zhulin. Tani ai nuk donte t`i kujtonte më as dhe emrin e saj. Alfredi u përlot. Ishin lotë dhimbje, një dhimbje e jashtëzakonshme!…

Alfredi qante shumë rrallë. Çudi, mendoi, vetëm pas pesë vjet martese Zhuli ishte lidhur me këtë Vangjushin! As pa mbaruar mjaltin e martesës së tyre të zjarrtë ajo na lidhet me një dashnor. Ishin vërtet minuta të tmerrshme, të cilat kishin Brenda fyerje, poshtërim nga njeriu që e kishte dashur marrëzisht. Tashmë filloi të kthjellohet. Në mendje risolli vitet e jetës se tij bashkëshortore. U step një çast. Ju duk se e humbi fillin e arsyetimit. Një moment e ndjeu edhe veten fajtor. Nisi ta shqetësoje fakti se edhe ai vetë kishte pasur ndonjë flirt gjatë kohës që ishte i martuar me Zhulin… Por, jo, mendoi, unë nuk kam rënë në dashuri me asnjë nga partneret që kisha flirtuar… Ndërsa Zhuli kishte rënë në dashuri me këtë Vangjushin… E çfarë dashurie! Kishte zgjatur gati 40 vjet! Zhuli, këtij Vangjushkës, i kishte dhënë jo vetëm organin seksual, por edhe shpirtin. Instinktivisht iu rikujtua shprehja e Sonjës në Paris pas aktit seksualse “Seksi i jepet lypsarit apo bosit që e blen me para, ndërsa dashuria atij që emeriton”. Më pas mori të gjitha letrat e dashurisë dhe i futi në një çantë sportive. Ishin shumë… Sa ndjenja ishin derdhur në to. Tradhtia nuk është ndjenjë, ndryshoi mendim. Tradhtia është metastazë… Mbin si lastar prej një sythi dhe përfundon kapërthim rrënjësh të kalbëzuara! Këto ishin letrat e jaranit, mendoj Alfredi. Po letrat e Zhulit që i kishte kthyer përgjigje, i kishte ai, Vangjushi. U pa në pasqyrën e korridorit. Fytyra iu duk shumë e verdhë, pa asnjë pikë gjaku. Njeriu që i kishte besuar jetën, ia kishte shpërdoruar atij në mënyrën më të poshtër. Ky qe fati i tij, fati e ndjek njeriun për mirë apo për keq… Po çfarë mund të bënte ai tashmë në këtë moshë?…

Ndezi një cigare. I lindi vrullshëm ideja për të takuar Teutën, shoqen e ngushtë të Zhulit. Gjithmonë kishte dyshuar tek miqësia e Teutës me Zhulin. Ato kishin gati 30 vjet pune bashkë, në të njëjtën shkollë. Zhuli kishte qenë mësuese frëngjishteje, ndërsa Teuta ishte mësuese matematike. Atij nuk i pëlqente fare Teuta. Solli shumë herë në mendje provokimet që ajo i kishte bërë Alfredit. Gjatë një vallëzimi i kishte thënë, se shoqen e saj të ngushtë e kishte zili, që flinte çdo natë në shtrat me një burrë playboy si Alfredi. Ai e kishte kaluar me një buzëqeshje ironike këtë kompliment. Alfredi filloi të eci me hap të shpejtë nëpër korridorin e shtëpisë. E zaptoi një çrregullim emocional. Më pas kërkoi në numratorin telefonik numrin eTeutës. Nuk e kishte takuar që ditën që kishte qenë në varrimin e Gjergjit, të shoqit të Teutës, që kishte vdekur nga një atak kardiak. Formoi numrin e telefonit dhe nga ana tjetër dëgjoj zërin e Teutës.

-Më falni, -iu drejtua Alfredi, -mbase nuk është orë e përshtatshme, por desha të ftoja dhe nëse ke kohë, mund ta leme për t’u takuar e të pimë një kafe…

Zëri i dridhur i Alfredit shprehte tronditje të shpirtit, mendime të palidhura me pauza dhe tepër i hutuar. Teuta e ndjeu se diçka kishte ndodhur.

-Dakord, dakord, – ia preu ajo. – Por… më thoni vendin se ku do të takohemi.

E lanë takimin në një lokal të vetmuar në periferi të qytetit ku zakonisht shkonin të dashuruarit. E mbylli telefonin ende pa i thënë asaj natën e mirë.

 

 

 

Kreu i gjashtë

Alfredit ajo natë iu duk nata më e gjatë e jetës së tij. As nata e fundit e Zhulit para varrimit nuk i ishte dukur aq e gjatë. Gati gjysmë ore para orës së takimit Alfredi mbërriti tek lokali. Teuta erdhi në orën fiks. Zbriti ngataksia. Ishte veshur me rroba të errëta, por jo të zeza pas vdekjes të së shoqit. Ndonëse ishte gati 70 vjeç ajo ishte akoma tërheqëse. Kishte dy sy të mprehtë, ngjyrë kafe që shprehnin mençuri. Ishte elegante me sharm dhe me shije. E ndjente dhe e shpaloste ndjenjën e së bukurës. Sapo ajo u afrua, Alfredi ndjeu aromën e një parfumi delikat tepër ngacmues. Ajo duke  dhënë dorën Alfredit vuri re se fytyra e tij ishte e rrudhosur dhe shumë e zbehtë. E pa me një ndjenjë keqardhjeje përzier me pasiguri. Mënyra se si qëndronte Alfredi dukej sheshit që ai ishte jashtë kontrollit. Alfredi i foli në mënyrë të çuditshme. Më pas ai filloj të flasë:

-Të më falësh Teuta, por të kërkova këtë takim, pasi ka ndodhur diçka shumë e rëndë.

-Çfarë?! -e pyeti ajo gjithë kureshtje.

Sapo Alfredi nisi të tregojë erdhi kamarieri për të marrë porosinë. Pasi kapërceu një komb që kishte në grykë ai iu drejtua Teutës.

-Më fal që iu thirra për këtë bisedë aspak të këndshme. Do të desha që të më kuptoni, – shtoi Alfredi, – sepse kjo bisedë duhet të ngelet midis nesh.

Pas një heshtjeje te shkurtër ai vazhdoi:

-Ndodhem para një situate turpi dhe poshtërimi…

-Pse? – e pyeti Teuta.

-Kam zbuluar se për gati 40 vjet Zhuli ka pasur një marrëdhënie, me një fare Vangjushke. Të më falni, -shtoi Alfredi, – por ju keni qenë kasaforta e shpirtit të saj dhe njeriu më i afërm…

Tetua qëndroi krejt indiferente dhe fjalët e tij nuk i bënë përshtypje. Dukej sheshit që Teuta kishte dijeni për këtë lidhje.

Alfredi ia kishte ngulur sytëdhe priste në ankth në pritje të një përgjigje.

-Më falni, – ia tha pas pak Teuta, – por çfarë doni që të dini prej meje? C’punë kam unë në dyshimet tuaja…

– Nuk janë dyshime, -foli Alfredi, – është përbaltje. Kam gjetur një mal me letra dashurie, që ky Vangjushi i shkruante Zhulit.

Ajo rrufiti kafenë në heshtje duke vazhduar të qëndrojë indiferente.

-Ishim një çift që na kishin zili gjithë njerëzit, – vazhdoi Alfredi monologun e tij. -Prej meje asaj nuk i ka munguar asgjë. Pse m`i vuri këto brirë dhe ma shkoi jetën dëm…

Duke parë këtë situatë, Teuta iu drejtua Alfredit:

-Vërtet më vjen keq që je traumatizuar kaq shumë, por ka një fjalë të urtë që thotë “për të vdekurin nuk flitet asnjëherë keq’’.

Alfredi kërceu i nervozuar, duke i thënë se unë ju fola me sinqeritet duke iu hapur zemrën, kurse ju më tregoni fjalë të urta.

-Po pse hyj unë në këtë histori?! – ia priti Teuta duke ngritur tonin e zërit.

-Sepse ju zonja Teuta keni qenë shoqja më e ngushtë e Zhulit.

-Kjo që kërkoni ju është ekstremisht jashtë natyrës dhe karakterit tim! Unë e kuptoj që ju jeni i shqetësuar, por unë nuk kam se çfarët`iu them. Sekretet e dashurisë janë private dhe gjithë secili i merr me vete në varr. Gjithçka është intime, -vazhdoi Teuta, – dhe futet në atë zonë që quhet “Jetë private“ dhe nuk mund të hyjë askush.

Alfredin e mbuluan djersë të ftohta. Disa bulëza të mëdha i qëndronin në ballë. Ai qëndronte përballë Teutës i shtangur, i dërrmuar, i zgërlaqur. Shkurt, dukej as i gjallë e as i vdekur. Fytyra e tij herë e zbardhur dhe herë e verdhë dyllë ra në sy dhe tek tavolinat rrotull. Alfredi i kërkoi kamarierit një gotë ujë. Më pas psherëtiu duke lëshuar një ofshamë me një zë të shpirrosur dhe të plakur duke iu drejtuar Teutës.

-E njihni ju këtë dashnorin e gruas sime që ajo më ka tradhtuar për gati 40 vjet?

Teuta zgjodhi përsëri heshtjen.

Ai instinktivisht u ngrit nga karrigia, por më pas u ul. E kuptoi që kishte bërë një veprim të pamatur. U ul fuqiprerë dhe filloi të kollitej. Alfred Pirgu kishte marrë pamjen e një plaku të tulatur dhe të dëshpëruar deri në palcë. Mezi po mbushej me frymë. Fytyra e Teutës kishte marrë pamje zemërake dhe nuk kishte asnjë dëshirë më të dëgjonte. Ajo rrotulloi karrigen skiç, me pamje nga dritarja duke i kthyer shpinën Alfredit. Ai e kuptoi dhe e mbuloi një e përskuqur turpi. I ra gjaku në kokë dhe iu errën sytë. Nuk po gjente fillin se si mund të dilte nga kjo situatë. Deshi s`deshi u pajtua me gjendjen. Nuk pati guximin që ta vazhdonte bisedën. Teuta kërkoi që të largohej pasi nuk ndjehej mirë. Alfredi nxorri nga goja ca fjalë të pakuptimta që ngjanin si belbëzime. Ajo i zgjati dorën ftohtë dhe doli vrulltas nga lokali duke shpëtuar nga ai siklet.

-O zot! -tha ajo me vete, – nuk më ka rastisur kurrë të ndodhem në një situatë të tillë kaq poshtëruese. Eh, vdes i shkreti njeri dhe nuk e lenë rehat as në varr.

Teuta i ngriti dorën një taksie dhe u zhduk pa e kthyer kokën mbrapa. Alfredi mbeti krejt i shushatur duke porositur një dopio konjaku.

-Sa femër e pa shpirt! – mendoi Alfredi. – Si nuk nxori një fjalë nga goja! Cfarë cinizmi!

E ndjeu veten ligsh, iu mblodh përsëri një komb në grykë. Avujt e alkoolit po i binin në kokë dhe mendimet po i bëheshin lëmsh. Futi dorën në xhep dhe thirri kamarierin për të paguar. U ngrit vrullshëm dhe duke u larguar rrëzoi një karrige nga tavolina përballë. Doli jashtë në pritje të një taksie duke menduar se të gjitha këto të këqija që po e ndiqnin, ishin përndjekje e fatit të tij. Madje edhe bisedën me Teutën e quajti të kotë dhe banale. Ai u ndje i poshtëruar edhe prej saj. Para këmbëve të tij ndaloi një taksi. Alfredi ul në sediljen e fundit i zhytur në brengën e tij…

 

Kreu i shtatë

Teuta Shpendi atë natë pothuajse e kaloi pa gjumë. E kuptoi absurdin që kishte ndodhur. Vërtet ata të dy kanë qenë një çift i rrallë. Kishte qenë krejt rastësi, që gjatë kohës që Zhuli operoi apendicitin të lidhej me Vangjushin. Fati e ndjek njeriun si për mirë dhe për keq. Por Alfredi në atë takim Teutës iu duk krejt tjetër. Më pas Teutës iu shfaq silueta e Zhulit. Një krijesë plot hire, e hajthme dhe e lehtë si një shtojzovalle e vërtetë. Në sytë e saj të kaltër, bota dukej si e kristaltë… Zhuli rridhte nga një familje intelektuale. Babai i saj ishte një nga mjekët më me emër, i shkolluar jashtë. E ëma ishte mësuese e talentuar letërsie. Zhuli ishte rritur mes të mirash, si ajo lulja në saksi. Të bënte për vete me edukatën që kishte marrë nga prindërit e saj, e shoqëruar me një çiltërsi dhe përzemërsi të veçantë. Zhuli kishte qenë gjithmonë vetvetja dhe asnjëherë nuk shtirej. Lidhja e saj me Alfredin dhe më pas martesa e tyre ishte parë në qytetin e tyre si një nga lidhjet më të goditura. Por zoti nuk t`i jep të gjitha. Kaluan vite të tëra të një martese të lumtur dhe ata nuk po bëheshin me fëmijë. Kjo ishte një goditje e rëndë, por ata të dy e fshehën në zemrën e tyre këtë traumë shpirtërore të mungesës së një fëmije. Me gjithë përpjekjet që ata bënë nëpër mjekët më me emër, madje edhe në klinika të huaja, nuk u bë e mundur lindja e një fëmije. Në pamje të parë kjo u duk se këtij çifti model nuk i solli asnjë të çarë. Ata vazhdonin të dukeshin të çelur, të gëzuar dhe pasionantë si më përpara. Ata shpërfillën edhe ndonjë mendim të njerëzve llafazanë dhe çmendurakë të provincës. Të gjithë këtë retrospektivë Teuta po e bënte e shtrirë në njërin nga divanet e kuzhinës së saj. I merreshin pak mendtë. Takimi me Alfredin para pak orësh e kishte shushatur krejt. Mendja po i punonte si ingranazhet e një ore, por gjithsesi ajo po e ndiente Brenda vetes dhimbjen e Alfredit… Por çfarë dhimbje, dhimbje për një të vdekur e cila gjithçka e kishte marrë me vete në varr! Nga dritarja që kishte pranë Teuta pa qiellin. Eh, mendoi, Alfredi nuk ka pse të tronditet dhe t`i skuqet faqja. Jeta nganjëherë të le me gisht në gojë!… Kështu iu duk asaj Alfredi në kafene, si një njeri mjeran… Eh, buzëqeshi ajo me vete, lidhja jashtëmartesore e Zhulit ia kishte hequr trurin Alfredit.

Teuta shikoi përsëri qiellin. Po binte muzgu. Asaj i pëlqeu të vazhdonte të rrinte shtrirë duke medituar në detaje, deri sa të dilte hëna. I erdhi në mend jeta e saj. Ajo kishte qenë një vajzë çapkëne. Që në klasën e tetë e filloi një lidhje dashurie me një djalë në gjimnaz. Fill pas provimeve të klasës së tetë, kishte humbur virgjërinë me gjimnazistin bukurosh. Por vetëm pas pak muajsh ai krijoi një lidhje tjetër dhe Teutës i dha duart. Teuta më pas kaloi disa eksperienca të tjera me partnerë të ndryshëm. Ajo ishte tepër dinake dhe shumë e mbyllur. Nën petkun e vajzës çapkëne i kishte shpëtuar epitetit “kurvë“, që qarkullonte rëndom në atë kohë. Disa shoqe të saj ndonëse nuk kishin bredhur sa Teuta e kishin marrë këtë cilësim fyes. Teuta Shpendi ishte një nxënëse e shkëlqyer në mësime. Kishte një familje të thjeshtë punëtore. Kur mbaroi gjimnazin i dhanë të drejtën e studimit për në shkencat e natyrës, për matematikë. Edhe në fakultet ajo ishte një studente serioze dhe e respektuar. Përgjatë gjithë studimeve ajo qëndroi në elitën e studentëve më të mirë të shkencave të natyrës. Por kur vinte mbrëmja, Teuta shndërrohej në një vajzë pasiononte. Ajo frekuentonte hollet kryesore të hoteleve të kryeqytetit. Teuta nuk kishte pamjen e atyre femrave që iu lexohej vula e të përdalurës në ballë. Ajo bënte seks me burra të panjohur dhe sidomos me të huaj. Nuk mungonte asnjë ditë në shkollë dhe fill pasi hante drekë studionte çdo ditë tre katër orë në bibliotekë. Shkolla ishte prioriteti kryesor për të. Por sapo binte mbrëmja, pas një tualeti të hollë ajo linte qytetin “Studenti“ dhe e vetme dilte rrugëve të zhurmshme të kryeqytetit. Ishte vajzë e hijshme që tërhiqte vëmendjen. Sytë e kaltër dhe linjat e trupit tepër të rregullta ishin tepër provokuese. Kishte një qetësi olimpike pas së cilës fshihej misteri i dëshirës së shfrenuar për seks, por jo pa lekë. Kishte pasion të madh për seks, por kurrsesi nuk e quante këtë si shthurje. Teuta kishte zbuluar se pas çdo aventure seksuale i rritej adrenalina. Por ajo ruante të veçanta aventurat me të huajt, falë disa gjuhëve të huaja që kishte mësuar në gjimnaz, në mënyrë private. Ajo kishte arritur të krijojë një komunikim me shumë diplomatë qejflinj, të cilët I “milte” mjeshtërisht. Orgjitë e kulluara të seksit me diplomatët e huaj në shtëpitë luksoze, ajo i quante si histori të këndshme dashurie…

Por katër vitet e universitetit ikën shpejt. Teuta mori një vendim që të divorcohej nga kjo jetë. Nuk kishte dëshirë më të vazhdonte aventurat. Kishte provuar gjithçka: Kënaqësinë nën lëkurë, orgjitë, seksin me lot, fjalët e pista gjatë aktit dhe skenat e frikës. Në një ditar të saj, në përfundimtë vitit të fundit të fakultetit, ajo kishte shkruar në mbyllje: “Dy meshkuj nuk janë njëlloj, ashtu si organet e tyre nuk kanë të njëjtën madhësi dhe të njëjtën temperaturë…”. Kurioziteti e kishte shtyrë Teutën të eksploronte të panjohurën dhe të prekte qielloren…. Por më vonë mendoi se kishte ardhur koha që ajo të mbyllte ditarin dhe njëkohësisht të shkuarën e saj aventureske. Por në rreshtin e fundit ajo e mbyllte ditarin me këto fjalë: “A do të ketë kuptim jeta vetëm nën hijen e një burri”? Kjo do të ishte prova e saj me të ardhmen. Këtë ditar ajo e ruante si gjënë më të vyer, si një trofe të jetës së saj të shthurur studenteske, për të cilën nuk ishte bërë aspak pishman. Kishte një vit që i kishte vdekur i shoqi saj, Gjergji. Ajo qëndronte e vetme në apartamentin e saj, pasi djali i madh Nardi, së bashku me familjen ishte emigrant në Greqi. Ndërsa vajza, Manjola, pasi kishte kryer studimet në Boston të SHBA, punonte atje në një spital. Ndonëse po shkonte rreth të 40-tave e bija ende ishte beqare. Nuk kishte mundur të krijonte familje, por kishte bashkëjetuar disa vjet me një italian. Pas ndarjes me të, jetonte vetëm.

Teuta po qëndronte e zhytur në vetminë e saj. U ngrit dhe hapi dritaren. Iu duk tepër zagushi. Re të zeza daraviteshin në qiell. Hera-herës errësirën e çante ndonjë shkreptimë rrufeje e shoqëruar me ndonjë bubullimë të largët dhe të mbytur. Teuta u çua për të shkuar në dhomën e gjumit. Ishte e dërrmuar shpirtërisht. Edhe pse u shtri në krevat, gjumi ishte arratisur. Iu kujtua emërimi i saj në një fshat të thellë. Njohja me Gjergjin, oficerin simpatik që nuk ia ndante sytë për asnjë çast në autobusin e linjës. Ajo udhëtonte çdo javë në atë fshat të thellë malor, të ngjeshur në gjirin e maleve. Ky emërim e traumatizoi fare. Teuta vinte këtu në humbëtirë, pas asaj jete të gjallë dhe pasionante studentore në kryeqytet. Në muajt e parë të punës, asaj iu burgos daja për politikë. Situata iu bë dramatike. Për t`u afruar në qytet ishte tepër e vështirë. Edhe Teuta ia hidhte herë pas here shikimin oficerit bukurosh, por jo aq direkt sa ai ta kuptonte. Ajo nisi të interesohej për Gjergjin. Ai rridhte nga një familje që i kishte rrënjët në kubenë e Parties së Punës. Vëllai i Gjergjit ishte martuar me vajzën e një anëtari të Byrosë Politike. Por Teuta një gjë nuk e kuptonte, si ka mundësi që Gjergjin, me kaq rrënjë të thella, e kishin sjellë deri në këtë fshat të thellë malor, në një repart ushtarak të vogël artilerie! Por përgjigjen e mori nga një kolegu i saj. Ai i tregoi se Gjergji bënte stazhin e partisë, pasi do të bëhej komunist dhe këtu do të qëndronte deri në fund të vitit. Tashmë Teuta e kishte të qartë, se trampolina që ajo mund të bënte kërcimin nga fshati në qytet, do të ishte pikërisht ky, Gjergji!… Ajo u tregua e kujdesshme në afrimin e Gjergjit. Reparti ushtarak nuk ndodhej shumë larg shkollës së fshatit. Dhe çasti për t`u njohur me Gjergjin erdhi. Ishin festat e Nëntorit dhe drejtori i shkollës kishte planifikuar një mbrëmje. Drejtori, dy ditë para se të organizohej mbrëmja, i mori mendimin kolektivit se nëse ata dëshironin të ftonin në këtë mbrëmje edhe Gjergji Jananin, komandantin e repartit ushtarak. Si argument plus, drejtori përmendi faktin se ai kishte kredi dhe mund t`ju siguronte mishin e qingjit tek kryetari i kooperativës. Kështu u bë. Gjergji erdhi në mbrëmjen e tyre. Atë pasdite ai ishte veshur civil, pa uniformën ushtarake. Dukej që e kishte marrë me shumë zell këtë mbrëmje. Përveç mishit të pjekur dhe pijeve ai kishte siguruar edhe një orkestër. Tryezat u shtruan në një nga klasat më të mëdha të shkollës. Në fund të sallës rrinin muzikantët, ca ciganë mustaqellinj. Mesi i sallës ishte lënë i lirë për vallëzim. Drejtori i shkollës çeli mbrëmjen gjithë solemnitet dhe natyrisht dollinë e parë e ngriti për partinë, arkitekten e lumturisë! Ai propozoi që kjo gotë të pihet në këmbë. Orkestra filloi një valle dhe pothuajse u ngritën që të gjithë. Drejtori kapi për dore edhe Gjergjin, i cili u fut në mes të dy mësueseve Teutës dhe një të fillores. Teuta i buzëqeshi Gjergjit me delikatesë, por sapo filloi vallëzimi, ishte Gjergji ai që i bëri shenjë Teutës që të çoheshin në vallëzim. Teuta u ngrit disi e hutuar. Dukej sheshit që komandanti kishte ardhur në mbrëmje vetëm për Teutën. Ai gjatë gjithë mbrëmjes dukej i lumtur. Gjergji nuk ia ndante sytë dhe herë pas here i bënte nga një “gëzuar” Teutës me gotën e rakisë në dorë. Pas pak orkestra u ndez dhe çiftet fluturonin. Gjatë vallëzimit Gjergji i tha Teutës se është e trishtueshme që një vajzë kaq e bukur me shkollë të lartë ta shkonte jetën dëm në këto male të nëmura… Ai më pas shtoi se i numëronte ditë me gishta deri në Janar, sa të mbaronte stazhin e Partisë… Teuta e dëgjonte me vëmendje, pa ia ndarë sytë. Me një gjest mburraveci Gjergji i thotë Teutës, se ai do ta hiqte këmbën zvarrë, siç thotë populli dhe do ta merrte në qytet edhe Teutën, në një nga gjimnazet kryesore të qytetit.

-Pse, e keni këtë fuqi? -e pyeti Teuta në formë ironie?

-Sigurisht që e kam.

Teuta mblodhi supet.

-Po ja, -shtoi Gjergji, -do t’i themi shefit të arsimit dhe ai do t’ju sjellë menjëherë…

-Pse e njihni ju shefin e arsimit?

-Vërtet nuk e dini ju, që ai është xhaxhai im?! – ia priti Gjergji me një gjest prej kapadaiu.

Më pas erdhi një valle dhe pas valles një vallëzim tjetër. Këtë herë e ftoi Teuta Gjergjin në vallëzim. Gjergji nuk mbahej fare. Avujt e alkoolit kishin bërë të tyren. Por më shumë dukej se e kishte trullosur shikimi përkëdhelës i Teutës. Por gjatë këtij vallëzimi Gjergji ndjeu jo vetëm i emocionuar por edhe pak si në siklet. Dukej sikur diçka donte t’i thoshteTeutës, por nuk po mundte dot. Teuta ndjehej e kënaqur nga kjo tronditje që i kishte shkaktuar oficerit bukurosh. Tashmë ajo e kishte të qartë se kishte futur atë si zogun në kafaz. Teutës ju ringjall instikti i harruar… Ajo filloi të luante me të. Në mendjen e saj, ajo po e ngrinte grackën gradualisht. Në vallëzimin tjetër të radhës, Teuta ia hodhi dorën në sup Gjergjit, duke iu afruar së tepërmi. Gjoksi i madh i saj prekte lehtë trupin e komandantit. Më pas ajo u ngjesh edhe më fort pas tij, veprim ky që e dalldisi fare Gjergjin.Kur mbaroi mbrëmja ishte errur. Kjo ishte një ditë e bukur dhe Teuta po vinte një piketë të fortë për transferimin… Por, pse jo edhe Gjergjin mund ta gjuante si bashkëshort të ardhshëm. Gjergji ishte shumë i bukur dhe mesjelljen e tij të merrte në qafë!…

Autobusi i priste tek dera e shkollës. Kur po ndaheshin Gjergji i shtrëngoidorën Teutës, duke i thënë se e kishin lënë bisedën përgjysmë… Mund ta pimë një kafe së bashku gjatë këtyre ditëve.

Ajo ia miratoi, duke i buzëqeshur ëmbël komandantit.

Teuta mbërriti në shtëpi me një dritë gëzimi që i lexohej lehtë në fytyrën e saj. Dita e nesërme ishte ditë pushimi dhe ajo ende nuk ishte ngritur nga shtrati. Kur e mori në telefon drejtori i shkollës dhe i tha se duhet të takoheshin patjetër, se kishte një porosi. Teuta e nuhati se Gjergji do të kishte bërë diçka. E lanë të takoheshin tek posta e qytetit, pasi Teuta e kishte afër shtëpisë. Sapo u takuan, drejtori ia lëshoi me një herë sihariqin.

-Teuta paske mik të fortë! Muajin tjetër do të transferohesh!… Atë sapo e kishte thirrur shefi i arsimit dhe i kishte thënë që t`i bënte një karakteristikë Teutës, se do ta sillnin në gjimnazin kryesor të qytetit.

Ajo shtangu dhe u hutua krejt. Si ka mundësi kaq shpejt?! Eh, shtoi drejtori, ai që ka hyrë për transferimin tënd është mik me M të madhe…

U futën tek një bar-kafe aty pranë. Çuditërisht sapo u futën në lokal, në tavolinën përballë ndodhej Gjergji, krejt vetëm duke pirë kafe. Sapo ai i pa i ftoi tek tavolina e tij buzagaz. Teuta e kuptoi se ky takim ishte i përgatitur. Dukej qartazi që edhe drejtori i shkollës kishte hyrë në këtë lojë. Takimi ishte i ngrohtë dhe drejtori kërkoi që Teuta t`i qeraste, pasi gjithçka ishte zyrtare. Ajo do të fillonte pas pak ditësh në gjimnazin kryesor të qytetit.

Gjergji qëndronte i kapardisur, pa i ndarë sytë Teutës. Drejtori e ktheu konjakun menjëherë dhe iu kërkoi lejë, se ashtu kishte një punë në familje.

Teuta e falënderoi Gjergjin me mirësjellje. Ai ia preu shkurt, se nuk kishte nevojë, ajo e meritonte një vend të tillë, qoftë nga niveli po ashtu dhe nga bukuria e saj e rrallë.

Teuta uli kokën duke i thënë, se po na bën që të skuqem… P

or Gjergji po i lëshonte komplimentet pa doganë. Më pas ai mori një pamje serioze dhe i tha, se që në momentin kur e kishte parë, i kishte rrahur zemra fort. Pas një çasti heshtje, ai vazhdoi: Nuk e di se ku e kam lexuar, se shikimet që shkëmbejnë dy njerëz që duhen, janë letrat e para të dashurisë. Ju besoj e kuptoni?…

Teuta i tha që të vazhdonin të ishin miq dhe të njiheshin më tepër me njëri-tjetrin. Por Gjergji iu preu si me sëpatë:

-Unë nuk dua që të mendohem. E kam vendosur për ju dhe pikë! Tani pres fjalën tuaj…

Teuta u vu gjoja në siklet, por ne fakt po i pëlqente të luante bukur me oficerin simpatik…

– Mirë… -shtoi ajo, – do të flasim pasnesër, kur të takohemi për në shkollë.

-Shihemi! – tha Teuta me zërin ledhatues, duke i lënë të kuptohej se ajo nuk ishte kundër. Në mendjen e saj ajo po bluante gjithçka. Mendoi se për kushtet në të cilat ndodhej, nuk kishte burrë më të mirë se Gjergji. Ishte djalë shumë i pashëm, me rrethana të shkëlqyera familjare dhe politike. Ndonëse kishte një reserve të brendshme. Me përjashtim të komplimenteve dhe te folurit me një lloj vendosmërie, në arsyetim Gjergji i dukej pak si i pa formuar. Gati anonte nga një mendjelehtësi e theksuar.

Ditët rrodhën pa u ndjerë. Brenda një muaji ata u fejuan dhe pas pak muajsh u martuan, pasi Teuta ngeli shtatëzanë. Por muaji i mjaltit me Gjergjin i mbaroi shpejt Teutës dhe filloi margarina. Filluan gërr-mërret. Pas lindjes së djalit, Nardit, ata morën shtëpi të re, dy dhoma e një kuzhinë në qendër të qytetit. Vitet kalonin dhe harmonia familjare s’po hidhte dot themele. Gjergji po vinte shumë herë i pirë në shtëpi. Nardi ishte shumë i trashë në shkollë, ishte tipi i të atit. Ajo fillimisht punoi me Nardin, por kur e pa që ishte krejt kungull, pasi kishte trashëguar genet e të atit, pa pikë intelekti, hoqi dorë. E shtyu të mbarojë shkollën tetëvjeçare. Më pas e futi në shkollën e natës. Me shumë siklet ai mori një dëftesë dhe këtu mbaroi gjithçka. Nardi më pas kishte ikur ushtar dhe aty kishte kryer një kurs për shofer. Kur ishte kthyer nga ushtria, ishte lidhur menjë rrobaqepëse minoritare. Pas ardhjes së demokracisë, familja e nuses së Nardit, meqenëse ishte minoritare, ishte zhvendosur në Greqi. Ishin sistemuar në Selanik familjarisht. Nardi kishte ngelur si mysafir në shtëpinë e saj dhe vinte vetëm një herë në vit. Por Teuta vuajtjet që hoqi me kokëtrashësinë e Nardit kishte vënë mësim. Fëmijën e dytë ajo vendosi, që në ilegalitet të plotë, ta lindë me një mjek me emër të qytetit. Ai e adhuronte së tepërmi Teutën dhe jo pak herë e kishte ngacmuar. Mjeku ndonëse kishte kaluar të 40-at ishte ende beqar. Ajo kaloi disa flirte me këtë mjek simpatik dhe tepër inteligjent. Derisa sa ngeli shtatëzanë me mjekun. Ajo nuk kreu marrëdhënie me të shoqin, nën pretekstin se kishte probleme gjinekologjike. Dhe vërtet nuk ishte gabuar në zgjedhjen e saj. Fëmija që lindi nga ky flirt jashtëmartesor, ishte një vajzë simpatike. Ajo u rrit dhe si e zgjuar që ishte, vazhdimisht ishte e para e klasës. Ia vunë emrin Manjola, një lule që ishte në oborrin e shtëpisë së doktorit. Mbaroi me të gjitha notat 10 gjimnazin dhe më pas edhe fakultetin e Mjekësisë. Para disa vitesh Manjola kishte shkuar në Boston të SHBA, për një specializim dhe pas specializimit ajo vazhdoi të punonte në një klinike prestigjioze të Bostonit. Teuta ndjehej shumë krenare për çfarë kishte arritur e bija. Por kishte një shqetësim të vetëm, faktin që e bija ende nuk kishte krijuar familje…

Teuta, jetën e saj e kishte parë si një shfaqje, ku ajo kishte për detyrë të aktronte dhe të shprehte ndjenjat e saj. Në këtë retrospektivë ajo solli emocionet e forta, zhgënjimet, pamundësinë për të qenë ajo që dëshironte,mungesën e dashurisë nga martesa e saj me Gjergjin…

Ju kujtua letra që i kishte lënë Gjergjit një mëngjes tek koka e krevatit pas një sherri banal në shtrat të cilët pothuajse ndodhnin çdo ditë:

“Ekstremisht të kundërt,

Në të njëjtën varkë fati.

Unë gjej tek ty ato që kam më tepër neveri.

Ti kërkon tek unë atë që nuk i kam…”.

Kjo ishte letra e vargëzuar, pas të cilës Gjergji, tepër i nxehur si asnjëherë tjetër, kishte kaluar një gjendje të rëndë emocionale. Në orët e para të mbrëmjes kishte bërë një para infarkt. Pas pesë vjetësh kishte bërë dhe infarkt të dytë, të cilit në moshën 70-vjeçare i kishte marrë jetën tashmë. Teuta kishte mbetur e vetmuar, pa pikë ngrohtësie. Edhe mobilimin e shtëpisë e kishte me ngjyra të ftohta… Përzier me heshtjen e dhomave, kjo ngrehine kishte depërtuar në shpirtin e saj si një ndjesi e akullt, duke i mpirë cdo qelizë, deri në skutat më të thella të qenies njerëzore. Tani jeta e saj kishte ishte një rutinë e zakonshme. E mbetur vetëm, ajo bënte ndonjë shëtitje nëpër qytet. Ndonjëherë udhëtonte në Selanik tek i biri ose tek e bija në Boston të SHBA, por as atje nuk gjente rehat. Kthehej sërish në shtëpinë e saj.

Please follow and like us: