Lëshohet urdhër-arresti për Trump, pritet reagimi i konspiracionistëve shqiptarë
Iraku ka lëshuar një urdhër arresti ndaj presidentit në largim të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Ky urdhër-arrest është lëshuar nga një gjykatës në Bagdad në lidhje me vrasjen e gjeneralit iranian Qassim Soleimani dhe Abu Mahdi al-Muhandis dhe një lideri të milicisë irakiane në janarin vitit të kaluar, raporton Washington Post. Al-Muhandis ishte zëvendëskryetar i një milicie irakiane, e cila mbështetej nga grupe iraniane. Ndërkaq, Soleimani ishte komandant i forcave Quds të Gardës Revolucionare të Iranit. Washington Post, shkruan se akuza për vrasje në Irak ka dënim me vdekje. Por, ky urdhër-arrest ndaj Trumpit është më shumë simbolik dhe nuk ka gjasa te zbatohet, teksa presidenti është në ditët e fundit të presidencës së tij.