Publicisti Krasniqi publikon 10 pikat të një programi eventual politik ndaj Serbisë
Profesori unveristar dhe publicisti i njohur, Milazim Krasniqi përmes një shkrimi, ka vendosur disa pika, të cilat do të duheshin të merreshin si parasysh ndaj një programi eventual politik ndaj Serbisë. Përmes këtyre dhjetë pikave, Krasniqi ka treguar programmin të cilin do të duhej ta ndiqte Kosova në raport me Serbinë.
Mesazhii i Krasniqit
Programet politike e qeverisëse në Kosovë duhet të jenë brenda kësaj kornize:
1. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, prandaj duhet të gjenden rrugët ligjore që të paditet në Gjykatën e Drejtësisë për gjenocid,
2. Plani i Ahtisarit ka qenë kompromis i madh që ka bërë Kosova për komunat serbe dhe për statusin e Kishës Ortodokse Serbe. Ai kompromis është bërë duke u udhëhequr nga ideja që Plani do të pranohet nga Serbia dhe Kosova do të anëtarësohej në OKB. Meqë Serbia e ka refuzuar atë Plan, ai duhet të rishikohet, ME MUNDESI SUSPENDIMI, në këto dy pika, deri sa Serbia ta pranojë Planin e Ahtisarit.
3. Dialogu në Bruksel, i ndërmjetësuar nga BE, duhet të vazhdojë, por i afatizuar dhe në fillim duhet të arrihet marrëveshja për njohje e mandej të zbërthehen modalitetet.
4. Pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të përfshihet në dialogun e Brukselit, minimalisht në kuadër të zbatimit obligativ dhe në pako nga ana e Serbisë të Kartes Evropiane për Qeverisje Lokale.
5. Serbia duhet të japë informatat e plota lidhur me të zhdukurit.
6. Serbia duhet të kthejë fondet pensionale dhe të gjitha vlerat arkeologjike dhe kulturore që janë plaçkitur nga autoritetet serbe gjatë luftës në Kosovë.
7. Partitë serbe të regjistruara në KQZ në Kosovë, nëse nuk respektojnë kuadrin kushtetues dhe ligjor të vendit, do të fshihen nga regjistri i partive politike.
8. Sistemi i arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe planifikimit hapësinor duhet të funksionojnë brenda sistemit unik të Kosovës, ndërsa disa nga kompetencat do t’u barten komunave dhe bashkësisë së komunave më shumicë serbe.
9. Ndaj politikanëve, ushtarakëve dhe policëve të Serbisë që kanë marrë vendime dhe kanë zbatuar vendimet gjenocidale në vitet 1998-1999, do të ngrihen padi në gjykatat e Kosovës.
10. Fqinjësia e mirë mbetet objektiv strategjik i Kosovës edhe në raport me Serbinë. Por, për çdo deklaratë dhe vendim kundër interesave të Kosovës, që japin/ndërmarrin autoritetet serbe, do të bëhen denoncime në KS të OKB dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Fqinjësia e mirë do të mbështetet në reciprocitet.