Albspirit

Media/News/Publishing

Shkarkohet presidenti i REL-it dhe krerët e disa transmetuesve të tjerë

Presidenti i emëruar së fundmi në krye në Radios Evropa e Lirë, Ted Lipien dhe drejtorët e dy transmetuesve ndërkombëtarë të financuar nga Qeveria amerikane, janë shkarkuar në orët e vona të 22 janarit, nga Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM), e cila mbikëqyr këta transmetues.

Zyrtarë të afërt me këto ndryshime, kanë thënë se ushtruesja e detyrës së drejtorit të USAGM, Kelu Chao, ka shkarkuar presidentin e Radios Evropa e Lirë, Ted Lipien, bashkë me drejtorët e Radios Azia e Lirë dhe Rrjetet e transmetimit të Lindjes së Mesme, një muaj pasi ata janë emëruar në këto pozita.

Ndryshimet kanë ardhur një ditë pasi Chao ka shkarkuar drejtorin e Zërit të Amerikës dhe zëvendësin e tij, ndërkohë që udhëheqësi i Transmetuesit në Kubë, ka dhënë dorëheqje.

Zëri i Amerikës dhe transmetuesi në Kubë janë agjenci federale të Shteteve të Bashkuara. Radio Evropa e Lirë, Radio Azia e Lirë dhe Rrjetet e Transmetimit për Lindje të Mesme, janë agjenci private, që financohen nga taksapaguesit amerikanë përmes Kongresit.

Shkarkimet kanë ardhur pas dorëheqjes së kërkuar të Michael Packut nga pozita e kreut të USAGM, disa orë pasi Joe Biden është betuar si president i Shteteve të Bashkuara. Pack, i përzgjedhur i ish-presidentit amerikan Donald Trump, është kritikuar nga demokratët dhe republikanët për politikat dhe emërimet që ka bërë prej kur i është konfirmuar pozita nga ligjvënësit amerikanë në qershor të vitit të kaluar.

Pack është akuzuar edhe për tentim të ndërhyrjes në përmbajtjen editoriale të shërbimeve brenda këtyre organizatave.

Ka qenë vetëm dhjetori i vitit të kaluar kur Pack ka emëruar të gjithë personat që janë shkarkuar më 21 dhe 22 janar.

Burimet brenda USAGM kanë konfirmuar se Chao u ka dërguar letrat e shkarkimit Lipien, drejtores së Transmetuesit të Lindjes së Mesme, Victoria Caotes dhe shefit të Radios Azia e Lirë, Stephen Yates.

Ende nuk është bërë e ditur nëse ndonjëri prej personave të shkarkuar do të kontestojë vendimin apo se kush do t’i zëvendësojë ata.

Administrata e Bidenit ka emëruar Chaon, gazetare veterane për tri dekada e Zërit të Amerikës, si shefe të përkohshme ekzekutive më 20 janar, pak pasi ka kërkuar dorëheqjen e Packut./REL/

Please follow and like us: