Sadik Bejko: Një foto e Nolit pas meshës së parë në kryeqendrën bullgare
Kjo është një foto e Nolit 29-vjeçar në Sofie, Bullgari, 3.11. 1911. Nëna, Maria, motra Sulltana, Polikseni Luarasi, e shoqja e Kristo Luarasit, mikëpritësja e familjes së Nolit. Aty Noli mbajti dhe meshën e parë shqip për bashkësinë e shqiptarëve në Sofie
E sjell këtë foto në kujtim të 13 marsit 1965. Noli Kishte mbyllur sytë përgjithmonë.
Isha letrar, student i letërsisë. Atë ditë kam recituar para studentëve dhe pedagogëve poezitë “Rend or Maratonomak” dhe “Anës lumenjve” në mbledhjen e improvizuar në nderim të Fan Nolit të madh.
Kishte ndonjë vit që në rrethet e shkrimtarëve flitej se Noli kishte shprehur dëshirën të vizitonte Shqipërinë. Do të mbante dhe një takim në universitet. Do fliste në Kuvendin Popullor, para deputetëve.
Mbaj mend që nuk pritej dhe aq mirë një lajm i tillë.
Noli tani është plakur shumë, thoshte në rrethe të ngushta Nonda Bulka, një adhurues i tij prej kohësh. Gati sikur do të thoshte Noli ka lajthitur, ç’i duhet vizita në Shqipëri. Por hapur nuk shprehej. As ai, as ndonjë tjetër. Prapë nuk kishte ndonjë entusiazëm rreth asaj që Noli mund të vizitonte Tiranën.
Nuk e di sa i vërtet, sa i bazuar mund të ishte një lajm i tillë. Por pëshpëritej. Mbase fantazitë e njerëzve e shpikën.
Noli ka pasur aureolën e një martiri, por të një martiri që nuk ishte ngjitur deri në kryq.
I mëshohej shumë asaj që ai ishte i dënuar me vdekje nga mbreti, që ai iku e “mbeti” pa atdhe për shkak të politikës.
Përtej politikës, por edhe prej saj, ai mbetet një Maratonomak, një lajmëtar i madh për progresin.
Sa për marrëdhëniet e tij me Tiranën e totalitarizmit, këto vareshin nga shumë ndikime të kohës, të rrethanave, të funksionit që ushtronte, të emigracionit, të vendit ku jetonte, edhe të rrjeteve ndërkombëtare.
Noli kishte një përvojë të pasur politike e diplomatike me përmasa ndërkombëtare. Rroba e peshkopit i jepte një autoritet patriarku, udhëheqësi shpirtëror, që mund të takonte edhe presidentë shtetesh.
Me të dyja qeveritë e Tiranës, të mbretit dhe të Komandarit, kishte përvoja të hidhura. Në distancë, ai gjithmonë ruante hijen e një atdhetari, rilindasi. Thoshte dhe fjale të mira “për mëmëdhenë”.
Ç’thonë arkivat, të gjitha sot për sot nuk i dimë ende.
Në radhet e “reaksionarëve’, të deklasuarve të Tiranës së atyre viteve flitej se në vitet e para pas Çlirimit, Noli dërgoi njeriun e tij të besuar të vizitonte Tiranën, të takonte krerët e lartë të Ortodoksisë shqiptare të kohës. Disa nga këta ishin peshkopë me tesër partie, me kobure në brez, të dale nga lufta.
Njëri nga të gardës së vjeter, klerik me emër, imzot Kristofor Kisi shërbente te kisha e Shën Prokopit. Sipas gojëve të liga, i dërguari i Nolit nga Bostoni, këtë imzot Kisin nuk e takoi dot, sepse ditën që kishin lënë takim, Kristofor Kisi vdiq i mbuluar nga të vjellat. E kishin helmuar, sipas gojëve të liga. Ky ishte një mësim për Nolin dhe për ftesat që i beheshin për kthim në Shqipëri.
Gjithë sa shkrova më lart, pëshpëriteshin nga njerëzit në Tiranë. Dikur./albspirit.com