Sazan Goliku: Pano Taçi, një jetë boheme për poezinë
Poezia e Pano Taçit reflekton një konglomerat e vorbull kontradiktash në një hapësirë të shtypur dypërmasore, ku jeta në kufijtë e vdekjes e të gjallimit, të errësirës e dritës, të urrejtjes e të dashurisë ka vulën e pamëshirshme të fatalitetit – të një fataliteti shqiptar që zvaritet në rrafshin diakronik nga e kaluara jonë historike, në ditët tona dhe, në rrafshin sinkronik, nga burgjet e kampet e diktaturës në anarkinë katastrofike të përditshmërisë.
Duke jetuar e përjetuar për vite e vite me radhë burgjet e internimet, një realitet sa dramatik e tragjik aq dhe absurd, poeti nuk mund të mos nxirte ose më saktësisht nuk mund të mos i buronte vetëdijshëm e pavetëdijshëm një rrjedhë poetike, ku në raportin dritë-hije mbizotëron e errëta, hija e kalvarit që mbarti, por pa e humbur kurrëherë besimin e rrënjosur te njërzorja, e mira dhe mbi të gjitha te dashuria. Prandaj poezitë e Panos janë në thelb mikrodrama që shpërthejnë nëpërmjet një lirizmi të egër me ngjyrime të theksuara ekspresioniste. Edhe pse e mbante veten si nxënës e ndjekës të Lasgush Poradecit, ai i qëndroi larg frymës së romantizmit, sepse vetë përvoja e jetës së tij ia kushtëzoi dhe ia shtroi udhën e poezisë, të ndaluar për të, drejt një realizmi egërshan.
Ringjallja e poetit pas vitit ’90, botimi i librave, vlerësimet e larta për poezinë e tij, nuk ia grisën dot hijen e tmerreve e të vuajtjeve. Zhgënjimet nga realiteti i ri, i quajtur tranzicion pa fund, një pjese të poezisë ia ngjyrosën me humor të zi deri në sarkazëm.
Poeti rrëfen plagët – as i vjen turp nga to, as mburret me to. Ai vetëm rrëfen, duke poetizuar për t’i vërtetuar vetes e të tjerëve se dhimbjet e vuajtjet janë shoqëruese të pandara nga liria e dashuria, të cilat e ushqejnë shpirtin si ajri e drita trupin.
Mbërthyer në kornizat e një metrike të rëndë e gozhdët e rimave tingëlluese, poezia e Pano Taçit frymon me një ritmikë gulçuese, të shqetësuar, po të disiplinuar e të vetëpërmbajtur, gjithsesi të funksionalizuar ndaj lëvizjeve, ndrydhjeve e shpërthimeve të asaj mikrobote që quajmë shpirtërore, po që është në resonancë të drejtëpërdrejtë me atë makrobotë që e quajmë shoqëri njerëzore.
Cili është (anti)heroi lirik i kësaj poezie? Ai që e ka njohur jetën e krijimtarinë e këtij poeti, do të përgjigjet: Vetë Pano Taçi. Ndoshta prandaj në librin tim “Turbull” kam përfshirë edhe këtë trevargësh: “Po t’i prangosësh bashkë\ aventurë e poezi\ e kanë emrin Pano Taçi.”
Libri me titullin domethënës “Muzgu vjen papritur” është i fundit i Panos, por që ai nuk arriti ta shohë të botuar edhe pse e dëshëroi këtë deri në çastet e fundit të jetës në spitalin “Nënë Tereza” nr.4, kati 4, dhoma 7 të Tiranës. Por besoj se vlera origjinale e poezisë së Panos, miqtë e dashamirësit e poezisë së tij, historia e letërsisë do ta kërkojnë natyrshëm ribotimin e veprës së tij, pra ringjalljen e poetit.
—————————————–
Nga poezitë e fundit të Pano Taçit
TANUSHA
“E unë Tanushën vet e kam pa[HP1] …”
E ndezur prush,
te bregu i lumit hapin shtriu…
Kur pa që s’e shihte askush,
u zhvesh… e pylli psherëtiu.
Rrobat i la atje përreth.
Diellit i plasi syri.
Vala e lumit u rrëqth
kur Tanusha cullak hyri.
Qielli, tek lahej krejt përhumbi,
gjoksoret pa t’ia puth tërfili.
Një anë ia bëri fole pëllumbi,
në tjetrën çerdhe ngriti bilbili
tek ai mëndafsh sisash
aromë trëndafili.
Flladit që frynte në mal mes lisash
iu mek zëri
tek rrinte nër gjethe strukur.
Brezin e belit gjarpër ia bëri –
lëkurë për vete të dridhet bukur.
I fshehur rri Zoti përflakur nga malli
pas brekëve qëndisur me lule
q’i la Tanusha te zalli.
E unë djalli
shikoja si lahej berbecule.
Pas trungut të dardhës tek rrija atje
mbaja me dorë zhulkat prushore,
mos binin përdhe
dardhët e mia hënore.
Ringjallja
Tërë jetën ç’jam përpjekur,
si t’ia zbus shpirtit hallin.
Për ç’premtova duke vdekur,
them se vargjet më ringjallin.
Për ç’jap shpirtin zemërmekur
n’atë varr ku do më kallin,
për ç’këndova duke vdekur
them se këngët më ringjallin.
Rob i mallit
Rob më mban një mall i vjetër,
aq sa trupin ma zhuriti.
Desh ta ndaja me një tjetër,
por s’ma do, që s’ma do shpirti.
Edhe vajza ma pëlqen
gjer në vdekje t’i jem skllav.
Them se jeta nuk më vlen
Në se shpirti s’më ka mall.
Dhe në gjumë kur e thërras,
vjen si hije e më zgjon.
Siç vjen e përcjell me gas,
dhe pse zemrën ma sumbon.
Rrjedhë lumi
Rrjedh Poeti, lum’ i thellë,
vala valës nuk i ngjan.
Brigjet puth tek i këndell
plagët gjak me lot i lan.
Ahu plak
I dehur nga era, ahu plak shikonte
trupin brinjë tharë te pasqyra vaut,
teksa rridhte lumi, vala i vallzonte
me hijen e dehur të valles së ahut.
I zhveshur lakuriq, me zemër të vrarë,
një çerdhe që kishte ja mori era.
vallen makabre hedh brinjë tharë
blerim vyshkur nëpër humnera.
Tek shoh ahun si plak mendoj
se ai me mua krejt ngjason.
Dehur dhëmbjesh, pa gjethe vallzoj
me hijen time ç’iki për hon.
Mallkim
Mallkoj veten që kot rroj,
mallkoj jetën që më mban,
mallkoj varrin ku do shkoj,
lotin që ma bën haram.
Mallkoj ditën që kam lindur,
mallkoj çastin që do vdes,
mallkoi shpresën për ç’jam grindur
se më doli e pabesë.
Orakull
Teksa rruhem në pasqyrë,
veten time aty s’e kam.
Më del një tjetër fytyrë,
rrudhur, sy mekur mbi xham.
I them: -Ç’më rri si akull,
kush je, ç’pret, fol se më çmende!?
-Je ti, më tha, si orakull
bën të dish për jetën tënde…
Me kohë…
Që kur shpresa më ka mashtruar,
që kurrë malli, s’më çmalli kurrë,
që kur fjalën s’ma kanë dëgjuar,
për ç’thashë bota është sëmurë.
Kam jetuar më shumë se ç’duhet,
ku jeta fatin ma la në llohë,
mbi varrin tim them do shkruhet
për ç’më hoqi shpirti në jetë:
– Duhej të kish vdekur me kohë
kjo zemër e shkretë!…
Me vdekjen pas
Krrokamën, korbit, mbi telat e burgut,
grahmën e fundit të shokut fat zi,
etjen për gjak të dhëmbëve të ujkut,
këngën e zogut, ngjirur në frëngji,
e bëra poezi.
Ndaj vargjet e mia dalin të trishta
me rrokje të helmuer, lëmshe në grykë.
Bëra t’i nxirrja, pa dhëmbje, të brishta
këngët, ç’desha të m’ishin lirikë…
m’i bëri tragjikë.
Bashkudhëtar me vdekjen nga pas,
duke çarë dallgët mbi vrotimete,
bëra të mbahem fort të mos shkas
në honet kobe të kësaj jete.
Por me ç’pashë, rashë kollotumba
me kokë e këmbë,
në rrathët e Ferrit, ç’ka humba
krejt shpirti më dhëmb.
Kosova
Sulet shkjau morth,
bisha gjak përlyer.
Kosova Golkothë –
Krishti kryq mbërthyer.
Djeg, ther e rrjep
çetniku barbar.
Kosova me varret mbi djep
e djepet mbi varr.