Shefqet Meko: ANALISTËT E SOTËM SI “KOMISARË” TELEVIZIVË…
Mua sikur më nxjerrin “mallin” e së shkuarës, por të jemi të vërtetë: komisarët e djeshëm besonin në ato që na flisnin në zboret tona ushtarake. Ata ishin burra shumë më të ndershëm se sa këta që më duken si “shërbëtorë” xhepshuar nga një studio në tjetrën…
Herë pas here, kur lodhem me lajmet që më rrethojnë në Amerikë, si për t’u çlodhur dhe për të përzjerë “menynë” informative, hap ndonjë portal ose lexoj ndonjë gazetë. Nga larg ndjek jetën politike të atij vendi që akoma më shfaqet në ëndrra dhe kujtime. Më është shterur dashuria për partitë, sepse të gjitha për mua që kam dekada jashtë, më duken njësoj. Secili do pushtetin që përmes pushtetit të krijojnë “borderonë” e radhës duke vënë në punë të njëjtët sipërmarrës që opinionistët i quajnë “oligarkë”. Për mendimin tim oligarkët e vërtetë janë vetëm në Rusi dhe rreth Kremlinit ku është i njëjti burrë që qeveris atë vend për më shumë se dy 2 dekada! Në Shqipëri nuk ka oligarkë, por njerëz më të mençur se unë dhe opinionistët, që kur ne shkruanim nëpër gazeta ata shkonin në Turqi, Bullgari, Rusi dhe mbushnin tregun. Ato kohë edhe unë u përpoqa ta bëja këtë gjë, madje kam sjellë nga Stambolli dy thasë me çarqe minjsh që i mungonin tregut më vitet 1990. Por nuk vijova sepse me dukej punë e vështirë dhe mora mikrofonin tek Radio-Tirana, falë mirësisë së poetit dhe kritikut me botë të madhe, Skënder Buçpapaj. Unë personalisht kam qenë në udhëtimet e para të tregëtarëve shqiptarë që pasi shikonin se çfarë i mungonte tregut, shënonin në bloqe të vockëla, shkonin zinin radhë tek ambasadat turke apo bullgare për viza apo paguanin dikë që të fillonin nga e para… Së paku unë kështu e shoh zanafillën e atyre që sot janë të pasur në Shqipëri, urretja ndaj të cilëve më kujton leninizmin. Ata thjesht kuptuan më mirë se kushdo se shteti kishte rënë, tregu do ishte mbreti i vërtetë i shoqërisë së lirë… Këta njerëz të tillë meritojnë t’u heqësh kapelen dhe kanë fituar siç të bën të fituar tregëtia.
Në fillimet e demokracisë, kur nuk kishte radio dhe televizione private, por gazeta me shumicë, kur nuk njihej ende saktësisht profesioni opinionist, siç i shohim sot në çdo ekran, ne ditëm të mbanim dhe të realizonim zgjedhjet më të mira siç ishin ato të vitit 1992 ku ne të gjithë, edhe sapo kishim dalë nga “diktatura e proletariatit” votuam me ndershmërinë më të madhe. A e pyesni veten pse? Unë ia kam bërë vetes disa herë këtë lloj peytje dhe kam gjetur të njëjten përgjigje: ne votuam më ndershëm dhe pafrikë se dinim më pak për makutërinë që ka njeriu për pushtet. Ne votuam me sinqeritet sepse nuk kishim 100 emisione me tituj jo shqip, ku shohim lloj-lloj vulgaritete dhe idjotësi, që ja u kalojnë mbledhjeve në kooperativat bujqësore dhe atyre të Byrosë Politike. Tani, shqiptarët dinë më shumë, jetojnë më mirë kanë, provuar më shumë qeveri dhe kryeministra se në 50 vitet e partisë –shtet, por si kurrë më parë ata shohin në ekrane agjitatorë të thekur partish, njerëz pa kulturë të mirëfilltë politike, por thjesht me një nuahtje të tmerrshme “zagarësh pushteti” dhe çdo votues, para se të dëgjojë secilin nga ta, e di fort mirë se cilën anë politikë do ta “lëpijë” dhe glorifikojë në mënyrën më banale që shqiptarët kanë parë ndonjëherë në ekranet publike. Këta analistë, kanë drejtuar “topat” ndaj oligarkëve, biznesmëve, ndërtimtarëve shqiptarë. Flas për ata që janë pasuruar përmes tregut, jo drogës e krimit. Sipërmarrëve doemos u duhet të punojnë me qeverinë në shërbimet publike, që janë një ndër fushtat kryesore të çdo qeverisje. Pa partneritetin qeveri-biznes nuk ka zhvillim. Në Amerikë kjo është motor zhvillimi. Pa këto biznese private Shqipëria nuk mund të ishte kjo që është. Shqipërisë ia kanë ndryshuar fytyrën bizneset, sipërmarrësit, të guximshmshit e hershëm të tranzicionit, të cilët ishin më largpamës se shumica jonë. Ndaj ata janë jo sa ne, por na shërbejnë ne, nuk jetojnë si çdo shqiptar, por i shërbjenë jetë së çdo shqiptari. A nuk janë po këto biznese që kanë punuar dhe do punojnë në çdo qeveri? Sigurisht. Ata punuan e bënë punë të mira me Meksin, Nanon, Berishën, Metën, Ramën që ju ka rastisur të kryesojnë qeveritë përkatëse, sepse ky është kapitalizmi: qeverisje dhe shërbime ndaj qytetarëve. Nëse sulmet janë kaq të egrra ndaj këtyre që quhen “oligarkë” kjo vjen, se këta njerëz nuk e kanë më “xhepin e zgidhur” për këdo. Të pasurit shqiptarë kanë kuptuar se nuk mund të paguhet kush për hiçgjë pa bërë punë, ndaj ata më shumë se kushdo dinë të lexojnë dhe nënëshkur janë kontrata me qeverinë qëndrore dhe lokale, me projekte vendase dhe të huaja dhe pasi kuptojnë përgjegjësitë punojnë, punësojnë, transfromojnë dhe natyrisht fitojnë më shumë se të tjerët. Pa diskutim ata janë dhe do jenë më të pasur se llafazanët e ekraneve. Ata do vijojnë të bëjnë para edhe sikur nesër të vijë një qeveri tjetër, sepse kontratat janë kontrata dhe kanë detyrime të ndiqen. Ndaj Rama ka punuar me ata që punonte Berisha dhe Basha nëse ka fat do punojë me ata “oligarkë” që sot janë rreth Ramës. Qeveritë pa fuqinë e bizneseve të vendeve të tyra janë të vdekura…
Por dëgjoni një moment se sa me shumë neveri flitet për këta njerëz të biznesit? Kujtoni se si u nëpërkëmb dhe denigrua biznesmeni Luca, që përveç mbiemrit të Ndrek Lucës së famshëm mua nuk më kujton asgjë në kujtesën time. Ky njeri punon dhe do të ndërtojë “Amerikën” në Shqipëri. Vetëm kujtoni analistët se çfarë nuk thanë për të. Shikoni si i vërsulen Astrit Patozit, këtij politikani ambicioz, analistët “mendjendritur” të televizioneve shqiptare. Sjell këtë rast të freskët për të mos sjellë sa e sa fjalë të kota, pasione të verbëra dhe gjykime emocionale të analistëve, që nuk mund të ndahen dot nga lavdia që duan t’u thurin pushtetarëve aktualë dhe atyre të mundshëm. A e dini pse? Sepse nesër nëse vihet apo mbeten në pushtet ata “kërkojnë haraçin”. Nuk ka asnjë motiv drite që t’i frymëzojë llafollogët e ekraneve televizive. Kush më shumë e kush më pak, ata të gjithë si tufë dhe të marrë një nga një të kujtojnë “komisarët e partisë”, por nëse ata dje, për hir të së vërtetës ishin të ndershëm dhe me një karakter burrnor, (kishte shumë njerëz të mirë edhe dje) këta të sotmit flasin papushim, glorifikojnë çdo politkan që e shohin si “lopë mallteze” të mundshme, sepse ata të gjithë, pa përjashtim janë të shitur dhe të blerë. Të gjithë dhe së bashku analistët e Tiranës ose duan “deri në vdekje” partinë në pushtet, ose “japin jetën” për të sjellë në pushtet partinë që i do dhe e duan. Thjesht këta “komisarë partish” janë papagallë kryetarësh e lajkatarë partish dhe as që duan t’ia dinë se cila është realisht nevoja që ka Shqipëria dhe populli votues…
Analistët e sotëm, qofsha i gabuar janë më të këqinj se komisarët e djeshëm, sepse ata të djeshmit nuk ishin të djallëzuar. Komisarët e djeshëm kishin një integritet njerëzor, së paku, dhe bënin një punë që çdo nëpunës qeverie bën kudo në botë. Por “komisarët” e sotëm janë helmi i vërtetë i asaj shoqërije, janë “nepërka” të fjalës së lirë që në emër të lirisë mallkojnë e vjellin e nuk e dinë se liria është edhe përgjegjësi, edhe intelektualizëm. Ata dridhen dhe përdridhen në studio, ftojnë njëri-tjetrin në ekrane, krekosen për guxime të mëdha, për ide “të ndritura”, por nuk e dinë se të gjithë në kope dhe secili veçmas, për votuesin e mençur shqiptar, janë si “lakuriq nate” që u pëlqen vetëm errësira. Kur në Tiranë të ketë më pak analistë dhe më shumë mendim të vërtetë nëpër studio, atëhere mund të themi se kemi kapur nivele të reja zhvillimi. Të dëgjosh për dekada të njëjtat “korba” fjalësh që shohin shqiptarin si “armikun më të madh të shqiptarit”, ata, komisarët e djeshëm duken “lule”, jo për nostalgji, por për hir të një krahasimi që nuk mund ta bësh me një tjetër profesion.
Mua më dhemb ajo kosto programesh që me sa duket bie sa mbi qytetarin që do votojë më 25 Prill, aq edhe tek “oligarkët” e urryer nga këta “komisarë” televizivë. Zot ruaje opinionin e shëndoshë nga të tillët!
Minneapolis, 31 Mars 2021.