Albspirit

Media/News/Publishing

Veton Surroi: Zgjedhje në një shtet të kapur

Krimi që u bë biznes, “një vaksinë, një votë” dhe rrëfimet se sa të këqij ishin ata, të tjerët

1.
A është apo pse është Shqipëria shtet i kapur, qoftë më vete, qoftë si pjesë e shteteve të tjera të kapura të Ballkanit Perëndimor?
Kështu disi më tingëlloi një pjesë e arsyetimit që bënte “Transparency International”, nëpërmjet Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Tiranë, në momentin kur shpjegonte hulumtimin e radhës me titullin vetëshpjegues “Zbërthimi i shtetit të kapur në Shqipëri”.

Ajo pjesë e arsyetimit qe e nevojshme për të shpjeguar distancën kohore në kalimin prej diskursit publik në analizë. Pra, diçka që flitej në Ballkanin Perëndimor para dhjetë vjetësh a më shumë kohë kaloi në konstatim të Bashkimit Evropian më 2016 në analizën e raporteve të progresit dhe tashmë mbërrin, pas pesë vjetësh, si analizë, si “zbërthim i shtetit të kapur”.

Analiza, e bërë me metodologji serioze hulumtuese, rrëfen rrëfimin e thjeshtë që është pjesë e diskursit të përgjithshëm në Shqipëri: është një Biznesmen, i cili ka në shërbim Qeverinë dhe gjykatat e në fund edhe Parlamentin dhe të gjitha këto i vë në funksion për të përligjur marrëdhënien e tij korruptuese me këto pushtete. Biznesmeni me B të madhe janë një numër oligarkësh, emrat e të cilëve i di pothuajse çdo qytetar i vendit.

Viteve të fundit, kategoria e Biznesmenit begatohet me emra të rinj, gjithnjë e më shumë me kategori njerëzish që kalojnë nga krimi i organizuar (drogë, armë, prostitucion) në biznese legjitime. Por, mbetet i pandryshuar raporti: janë Biznesmeni nga njëra anë dhe Qeveria, Gjyqësori e Parlamenti që anashkalojnë detyrën e mbrojtjes së interesit publik për të mbrojtur interesin e Kapësit të shtetit. E pandryshuar, pra, mbetet kultura e shtetit të kapur. Këtë nuk e ka ndryshuar rotacioni i pushteteve, përkundrazi e ka përligjur në “normalitet”. Kapja e shtetit po bëhet e nënkuptueshme pa marrë parasysh se cila forcë është në pushtet.

2.
Kështu po hyn Shqipëria në zgjedhje, duke e marrë si të nënkuptueshme që nuk është garë për çkapjen e shtetit e po ashtu me pajtim nënkuptueshmërie se kultura bazike e kapjes së shtetit do të vazhdojë aty pa marrë parasysh fituesin.

Kësaj baze fillestare – se nuk është garë për çkapje të shtetit – do shtuar edhe dy vektorë objektivë që do të ndihmojnë për të kuptuar drejtimin e garës së partive. I pari është se zgjedhjet po ndodhin në kohë pandemie Covid-19, me të gjitha reperkusionet e veta sociale e ekonomike (e të ardhura pas tërmeteve që e goditën vendin më 2019). I dyti është se zgjedhjet po ndodhin pas dy mandateve të plota në pushtet të Partisë Socialiste.

Një kontekst i këtillë do të duhej të ishte ndëshkues për Partinë Socialiste. Gjatë pushtetit të saj, kultura e kapjes së shtetit u begatua me gjithnjë e më shumë para, madje me gjithnjë e më shumë para nga krimi. Pastaj, pandemia Covid-19 goditi shëndetin dhe sistemin e shëndetësisë dhe kërkoi gjithnjë e më shumë vëmendje e para, por ajo paralizoi ekonominë e tërë botës e në Shqipëri qe posaçërisht ndëshkuese në turizëm dhe në punën e emigrantëve. Jugu e Veriu e Shqipëria e Mesme janë goditur çdo njëra pjesë në mënyrën e vet, qoftë në turizëm, qoftë në pamundësi për të punuar në Itali e Greqi. Nëse indikatorë janë zgjedhjet në Amerikë, për shembull, faktori Covid-19 qe shumë më i vlefshëm për rrëzimin e presidentit Trump sesa sjellja e tij jopresidenciale.

Dhe, në fund, dy mandate të pushtetit në çdo vend krijojnë lodhje të pushtetit dhe këto të pushtetit socialist qenë të mjaftueshme për të bindur çdo qytetar të Shqipërisë për të mirat dhe të këqijat që sjell kjo parti. Premtimet e fushatës për një mandat të tretë tashmë kanë një rekord të freskët verifikueshmërie në dy mandatet paraprake qeverisëse.

3.
Vektorët janë kundër Partisë Socialiste dhe në këso konteksti nuk do të kishte arsye që PS-ja t’i fitojë zgjedhjet. Rrjedhimisht, të gjitha analizat duhet të çonin te përfundimi se opozita e deritanishme duhet t’i fitojë këto zgjedhje. Por, jashtë deklarimeve të tonit të fushatës, nuk është se sikur në përmbysjet e zakonshme elektorale të shihet pashmangshmëria e një akti të këtillë.

Në fakt, PS-ja është duke i përdorur disavantazhet e veta në përpjekje për t’i shndërruar në avantazhe. Mesazhi kryesor të cilin po e projekton PS-ja karshi shtetit të kapur është relativizimi. Diçka si: po, në Shqipëri gjatë këtyre dy mandateve ka pasur sundim të oligarkive dhe po, ka pasur edhe krim të organizuar, por njëjtë ka qenë në të kaluarën, kur PS-ja ka qenë në opozitë.

Tërmeti dhe shtëpitë e shkatërruara nga ai po përpiqen të shndërrohen në avantazh fushate, me nga një a më shumë shtëpi të ndërtuara e të dhuruara nga pushteti qytetarëve hallexhinj. Pandemia Covid-19 po shndërrohet në një mesazh sa më të thjeshtësuar, me vaksinimin masiv që në fushatë zgjedhore përkthehet në “një vaksinë, një votë”. Spitali emergjent, të cilin e dhuroi Turqia, do të hapet para datës së zgjedhjeve dhe mu në Fier, nga votat e të cilit qark shpreson PS-ja se do të kalojë në avantazh të numrit të deputetëve.
Në këso kushte, aleati më i madh i opozitës është ngopja me pushtetin e deritanishëm.

4.
Gara tashmë ka prodhuar një degjenerim të gjuhës së fushatës, posaçërisht nga partia në pushtet. Mendoj se është vendim i marrë pas analizës së esëllt, jo si një shpërthim emocional. Analiza ka treguar se PS-ja nuk ka me çka ta bindë qytetarin e Shqipërisë se do të veprojë më mirë se ç’ka vepruar deri tani. E veprimi i pushtetit deri tani është i pamjaftueshëm për qytetarët e Shqipërisë. Tash u mbetet partive opozitare t’i bindin bashkëqytetarët se do të jenë më të mirë se pushteti socialist, e mbase edhe më të mirë se ç’kishin qenë kur këto parti vetë ishin në pushtet.

Këtu opozita ka një avantazh: një numër jo të vogël votuesish, gjithsesi të rinj, kujtesa politike e të cilëve nuk shkon përtej një a dy ciklesh zgjedhore.

Në shtetin e kapur të Shqipërisë, andaj, një pjesë e rëndësishme e fushatës është e drejtuar për të treguar se sa të këqij ishin ata, të tjerët.

Please follow and like us: