Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Astrit Gjunkshi: NJË TRAKTAT GLOBAL STRATEGJIK PËR MBIJETESËN

DUHET NJË TRAKTAT GLOBAL STRATEGJIK PËR MBIJETESËN.

POLITIKA E LARTË NDËRKOMBËTARE TË ZGJOHET NGA GJUMI 

Dr. Astrit Gjunkshi

 

Ështe koincidencë që sot, kur mbushet një vit nga që kur shkrova dhe botova në portalin Albspirit si dhe e shpërndava në rrjetet sociale analizën time me titull BOTA ËSHTË E DETYRUAR TË SHKOJË DREJT NJË REVOLUCIONI STRATEGJIK PËR MBIJETESËN, jam i motivuar sërish të reagoj për të njëjtën temë. Më nxiti që t’i kthehem përsëri këtij problemi jetik për njërëzimin lajmi i dhënë vetëm pak ditë më parë se njëzetë liderë shtetesh kanë hedhur propozimin për një Traktat Ndërkombëtar për Pandemitë (TNP). Kur publikova analizën time para një viti, pata mjaft pëlqime dhe vlerësime nga miqtë, por asnjë reagim nga instancat shtetërore të vendit tonë dhe as nga ndonjë organizëm ndërkombëtar, përfaqësues të të cilëve kishin mundësi ta lexojnë në Linkedin, ku e botova të përkthyer në anglisht. Natyrisht ata janë të zënë me studime të mëdha dhe me hartimin e strategjive të sofistikuara, që financohen nga miliona dollarë apo euro, por që kanë treguar se nuk kanë arritur të parandalojnë kërcënimet në rritje ndaj njerëzimit, siç ishte dhe vijon pandemia aktuale!

Propozimi i Traktatit TNP bëhet kur kanë kaluar mbi një vit nga deklarimi i Covid-19 si pandemi globale! Ky propozim erdhi shumë vonë, vetëm pas mësimit që komuniteti ndërkombëtar nxorri me vështirësi se lufta në pandemi të tilla kërcënuese për njerëzimin nuk mund të përballohet nga asnjë shtet i vetëm, sado i fuqishëm, por kërkon bashkëpunim në shkallë globale. Ishte një mësim që u nxorr pas provave të dështuara nga shtetet e fuqishme për t’u izoluar në mënyrë egoiste, duke lënë pa mbështetje shtetet e tjera, duke hyrë në garë shkencore dhe ekonomike për zbulimin dhe prodhimin e vaksinës. Edhe pse përbën një hap të dobishëm, TNP vjen me shumë vonesë. Ndërkohë, analiza ime bënte thirrje për të bërë një hap të tillë, një vit e ca më parë. Por ajo thirrje ra në vesh të shurdhër të politikës në vendin tonë dhe përtej saj. Edhe pse propozimi i bërë për Traktatin TNP është pozitiv, ai nuk përbën zgjidhje të qëndrueshme për luftën kundër pandemisë aktuale dhe as kundër pandemive të ardhëshme, pëe disa arsye.

Së pari, ashtu si edhe traktate të tjera ndërkombëtare, zbatimi i TNP nuk është i garantuar dhe mund të shkelet fare lehtë, ashtu siç ka ndodhur me Traktatin për Klimën, Traktatet për Ndalimin e Përhapjes së Armëve Bërthamore, Bakteorologjike apo Kimike, Traktatin për Hapësirën, etj.

Së dyti, lufta kundër pandemive nuk mund të ketë sukses të garantuar nëse do të shihet e shkëputur nga kërcënimet e tjera për njerëzimin, sepse kërcënimet janë të lidhura me njëri tjetrin dhe kërkojnë masa integrale të gjithanëshme për t’u përballuar.

Së treti, çdo reagim i vonuar ndaj efekteve të kërcënimeve ka kosto të paimagjinueshme. Mjafton të shohim se sa triliona dollarë apo Euro u harxhuan për të luftuar një pandemi ende aktive. Prandaj lufta integrale efektive kundër të gjitha kërcënimeve duhet të sigurojë parandalimin e pasojave të mëdha.

Së katërti, ka disa kërcënime reagimi ndaj të cilave nuk pret, sepse mund të shpjerë në pasoja të pariparueshme për njerëzimin dhe të rrezikojë mbijetesën e tij. Kërcënimet që tani shihen të shkëputura dhe shpesh kalimtare duhen vlerësuar me emergjencë dhe duhet reaguar shpejt ndaj tyre. Mbijetesa nuk mund të sigurohet me bashkëpunim të paorganizuar dhe me shkelje të traktateve, por kërkon skrupulozitet.

Për të gjitha sa më sipër, unë dua të ve theksin edhe një herë dhe të riformuloj shkurtimisht ato propozime që kam bërë para një viti në analizën time për mbijetesën e njerëzimit dhe të globit, i shtyrë këtë herë nga ky Traktat për Pandemitë që propozohet. Kërcënimet e mëdha mund të përballohen kur mobilizohen kapacitetet njerëzore e materiale të globit dhe përfshijnë të gjitha dimensionet e veprimtarisë. Ata ngrihen mbi bazën e zhvillimit të teknologjive të reja, të organizimeve të reja sociale dhe krijimit të mentaliteteve të reja, që krijohen në përshtatje me avantazhet që jep teknologjia e re. Për këtë arsye, bota duhet të gjejë patjetër zgjidhjet për të siguruar mbijetesën e qytetërimit. Prandaj, është koha që evolucioni të përshpejtojë ritmet duke u kthyer në një revolucion emergjence për mbijetesë, bazuar në një Traktat Strategjik për Mbijetesën (TSM), i cili të fokusohet në këto vija kryesore:

  1. Traktati Strategjik për Mbijetesën të bazohet në pragmatizmin e novacioneve për zhvillimin intensiv të teknologjisë

Kërcënimet në rritje për njerëzimin diktojnë që zbulimet e deritanishme shkencore të futen në efiçiencë me zbatime më të gjëra teknologjike. Nga ana tjetër, duhet përshpejtuar puna studimore- shkencore për të finalizuar shumë kërkime shkencore që janë në proces, si dhe të ndërmerren projekte e studime të reja që i nevojiten urgjent njerëzimit. Urgjenca më e parë është që, pas zbulimit të vaksinës, të zbulohet edhe mjekimi për shërimin nga koronavirusi.  Më tej, mund të vazhdohet me finalizimin e teknologjive për përfitimin e energjisë së pastër përmes fuzionit bërthamor, për uljen e kurbës së ngrohjes globale, për parashikimin e tërmeteve, për parandalimin dhe luftën kundër zjarreve masive, për pastrimin e tokës dhe të detit, për kultivimin e bimëve rezistente, për gjetjen e mjekimeve për sëmundje të pashërueshme deri tani, për prodhimin e ushqimit artificial në tableta që të zëvendësojë mungesat ushqimore në raste katastrofash të mëdha, për të mundësuar pa vonesë teknologjinë për të shkuar më thellë në hapësirë, etj.

Natyrisht, që të realizohen të gjitha këto, kërkohet mobilizim i shkencëtarëve më të shquar të botës, në të gjitha fushat, si dhe burime financiare shumëfish më të mëdha. Duhet koordinuar gjenia e mendjeve më të ndritura të botës, sepse shmangia e dublimeve në punën kërkimore e bën atë më efektive në arritjen e rezultateve të shpejta. Nga ana tjetër, ka shumë rezerva për të rritur shumëfish kapitalin që duhet të investohet për teknologjinë e re tepër modern, në veçanti duke kanalizuar e orientuar kapitalet e kompanive të fuqishme shumëkombëshe, apo duke reduktuar sidomos shpenzimet për mbrojtjen. Pandemia e virusit, por edhe katastrofa të tjera natyrore, kanë treguar se sa të panevojshme janë arsenalet e armëve të sofistikuara për t’i përballuar ato.

  1. Traktati Strategjik për Mbijetesën (TSM) të synojë ndryshime rrënjësore të organizimeve qeverisëse dhe politike, si një dimension subjektiv i domosdoshëm për Mbijetesën

Arritjet e reja teknologjike mund të përshpejtohen kur menaxhohen dhe kontrollohen nga organizime të reja social- politike, thellësisht të ndryshme nga të sotmet, duke filluar nga riorganizimi i pushtetit politik. Këtë po na e bën mëse të qartë lufta për të përballuar pandeminë e COVID- 19. Qeveritë kanë shpallur masa të jashtëzakonshme dhe kanë pompuar shuma të mëdha për të mbështetur nevojat e shërbimit shëndetësor dhe për të kompensuar dëmet e pallogaritshme që ka pësuar ekonomia dhe jetesa e familjeve në të gjithë botën. Por, ata duhet të kishin investuar më herët këto triliona, së pari për të ulur varfërinë dhe rritur nivelin e jetesës që ndikon në rritjen e imunitetit të njerëve dhe, së dyti, duke shtuar investimet në mjekësi.

Siç e thamë më sipër, rezervat më të mëdha për të fituar kapital për zhvillim janë ulja e shpenzimeve të jashtëzakonshme që shkojnë për armatosjen si dhe vjelja e kapitaleve shumë më të mëdha nga kompanitë shumëkombëshe. Për të bërë këtë, nuk mjafton autoriteti i një qeverie, sado e fuqishme që të jetë. Duhet, së pari që, në kuadrin e TSM që propozoj, të arrihet një marrëveshje historike e tipit që solli fundin e Luftës së Ftohtë. Dhënia fund e të gjithë konflikteve lokale që ekzistojnë sot në botë, ulja e kërcënimeve reciproke me armë bërthamore e konvencionale të sofistikuara midis fuqive të mëdha. Forcimi i bashkëpunimit të tyre do t’i hapë rrugë mirëbesimit dhe do të ulë shpenzimet për stoqet e mëdha të armatimeve, që nuk nevojiten aspak për mbijetesën tonë. Nuk ka shtete të fituar nëse nuk mbijetojmë.

Për të rritur fuqinë qeverisëse në shkallë globale, nevojitet një qeveri me autoritet global qeverisës, si një organizëm mbi qeveritë kombëtare. Siç kam propozuar në analizën e para një viti, fare mirë mund të ishte G20 forumi më i fuqishëm i shteteve më të zhvilluara, që të kishte kompetenca të mëdha politikëbërëse dhe vendimmarrëse në shkallë globale. Ajo mund të bëhej fare mirë një mekanizëm themelor në kuadrin e OKB-së, që të koordinonte ngushtë me Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërkaq, duhet bërë reformimi i thellë i OKB-së duke u dhënë agjencive të saj kompetenca të ministrive që qeverisin sektorë të ndryshëm në shkallë globale, në koordinim me ministritë e qeverive kombëtare.

Përderisa të gjitha kërcënimet lidhen me sigurinë, është e nevojshme që të riformatohen edhe strukturat e sigurisë, si në shkallë kombëtare edhe në rang global. Kjo kërkon përshtatjen e misionit dhe të strukturës së tyre për t’iu përgjigjur nevojave të reja të shtetit dhe të shoqërisë. Në fakt, prej disa vitesh, forcat e armatorsura kanë në misionin e tyre përballimin e emergjencave natyrore si zjarre, përmbytje, etj. Por ato duhen të kthehen në misione prioritare në kushtet e emergjencës globale. Megjithatë, ky model i ri duhet zbatuar edhe për strukturat ndërkombëtare  të sigurisë, duke filluar me NATO-n, si struktura më e fuqishme e sigurisë në botë.

Një riformatim i shpejtë i NATO-s në kuadrin e Traktatit Strategjik për Mbijetesën, do të përbënte mbështetje jetike për sukses. NATO duhet të shtrijë dhe të forcojë Partneritetin për Paqë (PfP) në të gjithë globin, duke e shndërruar atë në Partneritet Strategjik për Mbijetesë (Strategic Partnership for Survival- SPS), për përballimin e të gjitha kërcënimeve, përfshirë kundër pandemive, përmes integrimit në operacionet mbështetëse më solide të strukturave të emergjencës shëndetësore. Ky partneritet do të përbënte një hap vendimtar për tejkalimin e konflikteve midis fuqive të mëdha dhe forcimin e bashkëpunimit të tyre edhe në fushën e sigurisë. Në këtë mënyrë, gradualisht, NATO do të transformohej duke i lënë vendin një strukture globale të sigurisë, ku kundërshtarët e sotëm do të punonin krah për krah për të investuar dhe për të përballuar së bashku.

Një OKB me kompetenca më autoritative globale dhe me G20 në strukturën e saj qeverisëse, do të kishte autoritetin edhe mbi kompanitë shumëkombëshe dhe do të menaxhonte si burimet natyrore, ashtu dhe ato njerëzore, do të menaxhonte edhe zbatimin e ligjit nga kompanitë shumëkombëshe. Ndërkaq, dhe Bashkimi Evropian duhej të inkuadrohej si strukturë në kuadrin global, në partneritet të ngushtë me G20.

Për t’u hapur rrugë zhvillimeve të tilla në gjeopolitikën globale, që i vlejnë mbijetesës së njerëzimit, kërkohet një revolucion rrënjësor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai duhet të jetë një revolucion që të shpjerë në rënien e shpejtë të rëndësisë së kufijve, që sjell edhe shuarjen e shumë konflikteve lokale dhe në rang botëror, bazuar në lëshime të mëdha të sovranitetit, në interes të paqës dhe të bashkëpunimit pa kufij. Problemet e mëdha të njerëzimit, kërcënimet aktuale dhe ata që duken në horizont nuk njohin kufij, prandaj edhe përballimi i tyre kërkon bashkim të të gjitha burimeve në shkallë globale, koordinim të përsosur të përdorimit të tyre, të papenguar nga kufijtë, nga interesat nacionale dhe nga defektet e koordinimit. Liderët botërorë të sotëm do të mbeten në histori nëse e kthejnë në realitet një supozim të tillë, duke u lënë vendin shkencëtarëve dhe menaxherëve që kanë bërë emër si për qeverisjen e vendeve të tyre, ashtu dhe për qeverisjen në shkallë globale.

  1. Traktati Strategjik për Mbijetesën do të përcaktohet nga kurajua për të ndryshuar mentalitete dhe sfiduar tabu

Në mënyrë që njerëzimi të merret me atë që është thelbësore për mbijetesën, është e domosdoshme që të shohim në mënyrë tepër kritike disa çështje thelbësore që lidhen me disa mentalitete dhe tabu. Mund të rendisim këtu modelin e demokracisë liberale dhe lidhjen e saj me sovranitetin, politikën dhe qeverisjen, vlerën e parasë e të pasurisë, mënyrën e jetesës, etj.

a. Është e domosdoshme që qeveritë kombëtare të përbëhen në shumicën e tyre nga profesionistët më të shquar të një shteti

Në rastin e katastrofës virusale po shohim se janë profesionistët që janë vënë në ballë të përpjekjeve për të ruajtur shëndetin e njerëzve, duke rrezikuar edhe jetën. Janë mjekët, gazetarët, policët. Edhe pse klasa politike në qeverisje nxorri urdhëresat dhe rregulloret, u panë sheshit në vendin tim dhe në mjaft shtete mungesat në pajisje dhe në mjedise moderne për raste të tilla. Opozitat sikur nuk kanë shumë kuptim në kushte anormaliteti, sepse kërkohet veprim i unifikuar me qeverinë. Deputetët fjalëshumë e fodullë në kohë normale, të fryrë nëpër intervista, nuk duken gjëkundi, sikur të mos ekzistojnë. Shumë më tepër se qeveritë e dala nga klasa politike, na duhen qeveri me profesionistë dhe menaxherë e shkencëtarë, njerëz me integritet e më të përgjegjshëm, që dijnë të qeverisin më mirë në periudha normale dhe dijnë si të drejtojnë përgatitjen për të përballuar katastrofat e shumta. Edhe politikat mund të bëhen fare mirë dhe më me kompetencë nga ana e tyre.

b. Sfida ndaj modelit të demokracisë

Demokracia ka dhënë frutet për ndërtimin e shoqërive të lira dhe rritjen e mirëqenies, madje edhe aty ku u përqafua vonë, pas Luftës së Ftohtë. Por ajo njohu edhe shumë deformime në shtetet postkomuniste. Pluralizmi politik ishte vërtet kyçi për t’i dhënë fund sundimit të partisë-shtet në këta vende, por partitë e reja në pushtet fituan shumë shpejt tiparet e partisë-shtet të periudhës së komunizmit. Lufta për pushtet e partive kyndërshtare u bë shpejt aq e paskrupullt sepse, secila palë, përsosi manipulimin e zgjedhjeve dhe klasa politike u korruptua. Kjo u pasqyrua në hapa të ngadaltë në rritjen e mirëqenies, në pakënaqësi sociale dhe në gjetjen e rrugëve alternative për t’u pasuruar, si deformimi i sistemit gjyqësor, trafiqet. Edhe në vendet ku demokracia ka krijuar traditë prej shumë dekadash, politika krijon ndarje sociale dhe kosto të konsiderueshme për zhvillimin dhe ekonominë. Ndër të tjera, harxhohen shuma marramendëse për sistemin politik, që arrrin kulmin gjatë fushatave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore.

Në përkufizimin e saj, thelbi i demokracisë ka të bëjë me ngritjen e institucioneve që mbrojnë qytetarin e thjeshtë nga plotfuqishmëria e shtetit, në kohë normale dhe në kohë katastrofash. Por, në mjaft shtete, përshirë vendin tim, e dijmë se partitë, para së gjithash, mendojnë se si të fitojnë elektorat duke fryrë edhe propagandën për arritje të paqena, ndërkohë që mjaft halle të njerëzve zvarrisen pa u zgjidhur për vite të tëra. E gjithë lufta për pushtet bëhet se cili krah i politikës do të sigurojë më shumë fitime për klanin politik! Pastaj, e gjitha kjo vishet me termat e rreme për demokraci, për rrotacion politik pëmes zgjedhjesh të lira, që në fakt defomohen e vidhen pa skrupull! E gjithë kjo rezulton në padrejtësi dhe në ulje të standardeve të jetesës, duke mbetur pak për të investuar për përballimin e katastrofave.

Përse atëhere nevojiten partitë dhe pluralizmi politik, që vetëm shkatërron unitetin e popullit dhe ngadalëson zhvillimin në një sistem të demokracisë së deformuar? Edhe forcimi i lëvizjeve ultra të djathta politike në demokracitë e zhvilluara duhet parë si rezultat i dobësive të sistemeve demokratike. Është koha për t’i parë gjërat në sy dhe për të thënë të vërtetën. Kjo demokraci që na serviret ka dështuar në shumë vende, dhe është koha për të ndryshuar. Ajo duhet zëvendësuar urgjent me një sistem vërtet demokratik që punon për popullin. Shtrohet nevoja që të sfidohet sistemi i funksionimit të demokracisë që bazohet në pluralizmin politik, duke kaluar në sistemin e demokracisë direkte, të gërshetuar me rritjen e peshës politike të profesionistëve të aftë dhe me integritet. Ajo që nënvizuam për qeverisjen nga teknicienë e shkencëtarë mund të arrihet nga korrigjimi i sistemit të funksionimit të demokracisë. Grupe intelektualësh me integritet duhet të vihen në krye të popullit, të organizojnë procese zgjedhore për kuvendin dhe për këshillat vendore, duke përzgjedhur profesionistë intelektualë me integritet, që i respekton populli. Prej tyre mund të dalë edhe qeveria e përgjegjëshme, një qeveri njerëzish të urtë dhe aktivë.

c. Duhet ndryshuar mentaliteti për mënyrën e jetesës, për vlerën dhe përdorimin e parasë

Kjo katastrofë që po përjetojmë nga përhapja e virusit po dëshmon se fuqia e parasë është relative në kohë katastrofash globale të zgjatura. Deri tani, është bërë gjithçka për t’u pasuruar. Por, shohim se sa relative është të kesh shumë para, vetëm për vete. E ç’rëndësi ka nëse je miliarder kur virusi, apo çdo katastrofë tjetër, të godet thuajse njëlloj si atë që mezi nxjerr bukën e gojës? Cilit të korruptuari i hyjnë në punë pallatet, vilat apo pronat e pallogaritshme që ka hipotekuar gjithandej, ndërkohë që është i detyruar të jetojë i mbyllur në pak metra katrorë? Ç’rëndësi ka që zotëron biznese të mëdha, nëse katastrofa të zgjatura godasin fuqinë punëtore dhe konsumatorin? Pa sigurinë e tyre, nuk ka prodhim, nuk ka konsum dhe as të ardhura.

I njëjti vlerësim duhet të bëhet për vlerën dhe përdorimin e parasë nga qeveritë. Ato duhen investuar në fusha prioritare që rrisin mirëqenien e njerëzve, sigurinë e tyre dhe perspektivën për mbijetesën e njerëzimit. Mësimi që duhet të nxjerrim është se, në kohë normale, të ardhurat duhen krijuar në mënyrë të ligjshme dhe pa abuzime. Po ashtu shpërndarja e të ardhurave duhet rregulluar që të mos krijohen probleme sociale në shtresa të gjëra të popullsisë.

E kam të qartë që shumë personave mund t’u duken ëndërra këto ide. Por ata duhen shqyrtuar me vemendje dhe të vlerësohen siç duhet, veçanërisht nga intelektualë të shquar, sepse mund të kenë vlera në thelbin e tyre. Mbase mund të zhvillohen më tej disa prej ideve. Shpresoj që mbështetja për ‘to të fillojë nga njerëzit më të shquar të kombit tim dhe kudo në botë. Me njohjet e tyre me autoritete të spikatura politike, shkencore apo artistike në arenën ndërkombëtare, ata mund t’i japin jetë një projekti që përmban shkëndija të cilat mund t’i shërbejnë njerëzimit.

 

Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, Master i Shkencave për Sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe dhe mban diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë. Është studjues dhe autor librash për sigurinë, integrimin dhe diplomacinë, shkrimtar, poet, eseist dhe përkthyes. Ka shërbyer si diplomat – Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO dhe ka kryer detyra të tjera në diplomacinë e mbrojtjes dhe në sektorin e arsimit. 

Tiranë, 02 Prill 2021.

BOTA ËSHTË E DETYRUAR TË SHKOJË DREJT NJË REVOLUCIONI STRATEGJIK PËR MBIJETESËN

 

 

 

 

Please follow and like us: