Shaban Murati: Paralele polako-shqiptare mbi masakrën e Katinit dhe atë të Tivarit; heshtje nga Tirana dhe Prishtina zyrtare për krimin shtetëror serb
Shaban Murati
Në 1-2 prill ishte përvjetori i Masakrës së Tivarit; As Tirana, as Prishtina nuk u ndjenë t’i rikujtonin botës një nga të vërtetat më tronditëse historike rreth krimit shtetëror serb
Qeveritë polake postkomuniste dhe polakët si popull me vitalitet për liri dhe drejtësi e nxorrën nga varri të vërtetën e varrosur nga regjimet komuniste mbi masakrën e Katinit, ku shërbimi sekret rus dhe policia ruse vranë në pabesi 22 mijë ushtarakë polakë në prill të vitit 1940. Sot e gjithë bota demokratike jo vetëm e di të vërtetën zyrtare polake, por edhe e përkujton rregullisht Masakrën e Katinit si një nga krimet e përbindshme të Rusisë staliniste.
Qeveritë shqiptare 76 vjet pas masakrës së Tivarit të prillit 1945, ku u vranë nga policia serbe dhe shërbimi sekret serb rreth 4 mijë të rinj shqiptarë, ende nuk kanë dalë me qëndrimin zyrtar të dënimit të kësaj masakre gjenocidiale. Shqipëria zyrtare dhe Kosova zyrtare vazhdojnë ta mbajnë rrasën e varrit mbi të vërtetën.
Në 1-2 prill ishte përvjetori i Masakrës së Tivarit dhe as Tirana zyrtare dhe as Prishtina zyrtare nuk u ndjenë t’i rikujtonin botës një nga të vërtetat më tronditëse historike rreth krimit shtetëror serb.
A di njeri ndonjë memorial në territorin e Shqipërisë apo në territorin e Kosovës, nëpër të cilat kaluan karvanet e vdekjes së mijra të rinjve shqiptarë për në Tivar, që të ketë ndonjë memorial për të nderuar me një kurorë lulesh jetët, që varrosi masakra barbare serbe e Tivarit? A keni dëgjuar ndonjëherë një udhëheqës të Shqipërisë apo të Kosovës të flasë në ceremoni zyrtare për Masakrën e Tivarit? A kanë historiografia zyrtare shqiptare, akademitë e shkencave dhe institutet e historisë tekste historike zyrtare për Masakrën e Tivarit, që të mësohen në shkollat shqipe? Përse edhe në periudhën demokratike mbahet heshtje varri zyrtare për këtë krim të përbindshëm të Serbisë komuniste?
Nuk dihet ende nëse kjo varrosje e habitshme zyrtare e një të vërtete tragjike kombëtare vjen nga implikime shtetërore shqiptare në atë masakër, apo nga ndikimi i fuqishëm historik i Serbisë dhe pesha e lobeve serbe në politikat aktuale zyrtare në Tiranë dhe në Prishtinë?
Qeveritë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, para se të hapin muzeume dhe qendra studimore për holokaustin e hebrejve, le të hapin muzeume për holokaustin shqiptar si Tivari apo Kosova 1999, që ka bërë Serbia mbi kombin shqiptar dhe të mësojnë nga Izraeli dhe nga populli izraelit si mbahet gjallë kujtesa kombëtare nëpër dekada./gazeta dita