Ataturku, miku i zjarrtë i interesave dhe Pavarësisë së Shqipërisë
(Në 140-vjetorin e lindjes)
Pas disfatës që pësoi në Luftën e Parë Botërore, Perandoria Osmane pushoi së ekzistuari. Turqinë e copëtuan për së gjalli. Asaj iu la një territor i vogël në pjesën veriore të Anadollit, nga rrethinat e Ankarasë deri në brigjet e Detit të Zi.
Ndërhyrja e huaj i vuri Turqinë dhe popullin turk në një situatë të vështirë: pavarësia e vendit rrezikohej. Ndërkohë, agresioni i jashtëm ngjalli një lëvizje të fuqishme në krejt Turqinë. Fuqitë e huaja gabuan kur kujtuan se do ta kishin të lehtë ta robëronin Turqinë.
Lëvizjen Nacionalçlirimtare e udhëhoqi borgjezia e madhe e Anadollit. Rol të rëndësishëm në luftën për pavarësi luajtën fshatarësia, qarqet patriotike të mikroborgjezisë, të inteligjencies e veçanërisht oficerët. Nga gjiri i këtyre të fundit doli gjenerali i brigadës Mustafa Qemali, sipas emrit të të cilit Lëvizja u quajt Revolucioni Qemalist. Nën udhëheqjen e tij, pas shpalljes së Republikës (1923), u ndërmorën reforma rrënjësore në sferat ekonomike e shoqërore, për të dalë nga terri mesjetar në dritën e qytetërimit.
Ataturku ishte udhëheqës progresist dhe mendonte se solidariteti dikton qëndrimin “të gjithë për të gjithë”, në vend të “secili për vete”. Ai theksonte se “veprat e mëdha, ndërmarrjet e rëndësishme, mund të realizohen vetëm me një punë të përbashkët”. Duke pohuar se “sigurimi i ndërsjellë është themeli i lumturisë që duhet të synojnë kombet e botës”, vinte në dukje se “për sa kohë që ky sigurim reciprok nuk do të përfshijë të gjithë kombet, ai nuk do të mund të garantojë paqen botërore. Në të kundërtën, ai do të shërbejë si mjet për t’u dhënë disa vendeve lirinë që të veprojnë në dëm të të tjerëve. Në veçanti, lënia e kontrollit të tregtisë ndërkombëtare të armëve në duart e disa vendeve, konfirmon pikëpamjen që shpreha më lart”.
Ataturku shquhej për modesti të rrallë. Në ditën e kremtimit të 6-Vjetorit të krijimit të Republikës së Turqisë, ishin përgatitur disa parulla, si: “Ataturku është më i madhi ynë”, “Ataturku qëndron mbi të gjithë ne”, “I janë dashur shekuj popullit turk që të nxirrte një Ataturk” etj. Kur i pa, Ataturku u vuri një kryq përsipër dhe shkroi: “Ataturku është një prej nesh”.
Qysh më 1938, Lidhja e Kombeve e pat cilësuar Ataturkun “shërbyes gjenial të paqes”. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kurt Valdhajm, në një fjalim të mbajtur më 30 shtator 1981 në selinë e OKB-së në Nju Jork, theksoi se Ataturku ka qenë “një nga njerëzit më të mëdhenj të shekullit, hero i çlirimit kombëtar dhe arkitekt i paqes, që pat shprehur mendime, të cilat do të vazhdojnë të qartësojnë problemet dhe nevojat e kohës sonë”.
Ataturku ishte për respektimin e plotë të ligjeve. Dy vjet para vdekjes së Ataturkut u zbulua një komplot që kish si qëllim vrasjen e tij. Lajmi u prit me habi dhe përçmim. I akuzuari kryesor ishte një person që i kishte qëndruar pranë në ditë të mira e të vështira gjatë Luftës për Pavarësi duke dhënë prova të panumërta besnikërie. Në të gjitha bisedat bëhej pyetja: “Si është e mundur?” Dhe arsyeja nuk po gjendej. Personi i lartpërmendur u arrestua dhe i kaloi drejtësisë. Ataturku nuk tha asnjë fjalë deri në ditën e gjyqit. Heshtja e tij u interpretua në mënyra nga më të ndryshmet.
Disa thoshin se një gjë e tillë e hidhëronte, të tjerë mendonin se Ataturku nuk besonte se i pandehuri kishte dashur ta vriste. Procesi e nxori të pandehurin të pafajshëm. Vetëm atëherë Ataturku u shpreh për të parën e të fundit herë: “Orvatje për atentat pati, por i akuzuari u lirua për mungesë provash bindëse”.
Ataturku i kushtonte rëndësi të veçantë zhvillimit të marrëdhënieve miqësore midis popullit turk dhe popullit shqiptar. Ja si është shprehur ai: “Ne i duam popullin e kombin shqiptar. Ne i konsiderojmë shqiptarët vëllezër tanët. Ata nuk janë larg nesh. Urojmë që Shqipëria, si shtet e si komb, të zhvillohet, të forcohet e të ecë përpara.
Ne dëshirojmë që Shqipëria të zërë vendin që meriton në Ballkan, sidomos si shtet i pavarur. Shqipëria të jetë e sigurt për çiltërsinë tonë. Populli shqiptar nuk duhet të dyshojë kurrë në ndjenjat vëllazërore që ushqen populli turk për të. Dhe kjo nuk është një shprehje sentimentale, por një ndjenjë e dalë nga thellësitë e zemrës së tij”.
Qysh më 1907, gjatë një bisede me Fuat Pashën, Ataturku ka thënë: “Fuqitë e Mëdha prej kohësh kanë vendosur ta copëtojnë Perandorinë Osmane. Ato presin momentin e përshtatshëm të vënë në zbatim planet e tyre. Gjithsesi, Shqipëria duhet dhe do të mbetet e pavarur”. Më 1908, në një takim të ngrohtë në Selanik, atdhetarët Mihal Grameno, Bajo Topulli e të tjerë, kuvenduan me Mustafa Qemalin për drejtësinë e luftërave që zhvillonin populli ynë dhe popujt e tjerë të Ballkanit për flakjen tej të zgjedhës otomane. Ata do t’i kujtonin më vonë me respekt fjalët e Ataturkut për “rëndësinë e lirisë, e cila do t’i bashkojë kombet në një punim për lumturinë e tyre”.
Më 1934, Ataturku emëroi Sekretarin e Përgjithshëm të Presidencës Ryshen Eshref Ynajdën ambasador të Turqisë në Tiranë. Duke dërguar në Shqipëri bashkëpunëtorin e vet të ngushtë, Ataturku donte të fitonte zemrat e shqiptarëve. Për më tepër, ambasadori po e niste misionin diplomatik pas një periudhe të gjatë ftohjeje në marrëdhëniet midis dy vendeve për shkak se Ataturku nuk e priti mirë vetëshpalljen mbret të Ahmet Zogut.
Në Direktivat që Ataturku i dha me shkrim ambasadorit Ynajdën, ndër të tjera theksonte: “Në kontaktet me popullin shqiptar duhet të propagandoni pa bujë se jeni mik, vëlla i sinqertë dhe përkrahës si zjarrtë i interesave dhe i Pavarësisë së Shqipërisë. Por duhet të mos hiqni nga mendja faktin që midis shtresave të ndryshme të popullit, siç ndodh në çdo vend, ka disa kategori njerëzish. Një pjesë e tyre ankohen nga qeveria dhe në këtë aspekt i japin gojës.
Ndaj këtyre personave asnjëherë nuk duhet mbajtur qëndrim afrues dhe nuk duhet folur me një gjuhë përkrahëse. Sapo t’i dalloni se cilët janë këta njerëz, t’i ndërprisni kontaktet me ta sepse ambasadori dhe ambasada nuk janë përfaqësues të një komiteti apo një organizate të prirur për të shkatërruar shtetin në të cilin ndodhen. Me një fjalë, ambasadori punon për krijimin e miqësisë së ngushtë midis shtetit ku gjendet e shtetit të vet dhe për konsolidimin e shtetit mik.
Në popull ka edhe një kategori të dytë. Këta
njerëz janë edhe kundër vendit të tyre, edhe kundër Turqisë, e cila ka miqësi me vendin e tyre. Këta në përgjithësi janë spiunë të shteteve të huaj. Në qëndrimin ndaj tyre duhet t’i dëgjojmë, të mos u japim përgjigje të kuptueshme dhe, ndonjëherë është me dobi të shprehemi siç e kërkojnë interesat e shtetit e të politikës sonë.
Ka disa persona që janë miq të Turqisë, ashtu siç janë miq të shtetit e të kombit të tyre. Me këta duhet mbajtur qëndrim sa më mikpritës e të sillemi mirë. Ky është një ndër frontet më të dobishëm për të fituar opinion në favor të Turqisë.
Duhet të tregoheni i kujdesshëm gjithmonë në bisedat me personalitetet gjatë kontakteve dhe takimeve miqësore dhe të dokumentuar për problemet që trajtohen. Për sa kohë që nuk do të jeni të bindur që fjalët tuaja nuk do të përgënjeshtrohen nga realiteti, është veprim i pranueshëm të tërhiqeni nga biseda. Kur ju drejtohen për të mësuar mendimin tuaj dhe kur u japin rëndësi fjalëve tuaja, do të thotë se keni qëlluar në shenjë.
Duhen ndjekur me përparësi dhe në mënyrë të vazhdueshme marrëdhëniet me qeverinë e shtetit ku jeni akredituar. Duhet ta bëni zakon që t’u kushtoni rëndësi ngjarjeve të përditshme dhe të njoftoni menjëherë me raport për ato ngjarje që i gjykoni me interes për qeverinë tonë, për politikën tonë dhe për interesat tanë. Mos u ndruani se mund të jeni gabuar në pikëpamjet dhe mendimet tuaja për këto çështje. Edhe në qoftë se do të shfaqni ndonjë mendim apo pikëpamje të pasaktë, kjo do të zgjidhet me sqarime të ndërsjella.
Nga një gjë e tillë kemi shumë dobi për të nxjerrë përfundimet e nevojshme që të jemi vigjilentë në të ardhmen.
Para çdo veprimi që shkel materialisht dhe moralisht pavarësinë, nderin, krenarinë, interesat e lartë të shtetit tonë, në rast se duhet mbajtur qëndrim, është tepër i rëndësishëm vendimi i momentit. Në rast se janë të përshtatshme kushtet dhe koha për marrje vendimi, duhet të kërkoni menjëherë udhëzime nga qendra. Në qoftë se kjo mundësi nuk ekziston, atëherë nuk duhet të ngurroni të veproni duke marrë pa frikë përgjegjësinë. Kur merrni vendimin duhet të mendoni vetëm këtë pikë: t’i impononi mendjes dhe ndërgjegjes se keni të drejtë dhe jeni i bindur që do ta mbroni e do ta argumentoni këtë vendim para kujtdo qoftë”.
Ryshen Eshref Ynajdëni, pasi i shkroi dhe i futi në çantën diplomatike këto këshilla-direktiva të Ataturkut, më 2 prill 1934 u nis nga Ankaraja dhe më 8 prill mbërriti në Durrës. Pas një jave, pra më 15 prill, i paraqiti Mbretit Zogu letërkredencialet, çka shënonte hedhjen e një hapi të ri përpara në fuqizimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke./mapo.al