Albspirit

Media/News/Publishing

Teuta DHIMA: Qirinjtë valëvitës të flakëve


Qiell si kulm shtëpie

Qielli si pëlhurë e qëndisur na rri mbi krye.
Nuk do ta harrojmë dot këtë mbrëmje,
me vete do t’marrim prej saj një copëz hënë.

Eja, rrënjët t’i lëshojmë nëntokës
e trupin t’ia dorëzojmë erës,
të na zhveshë der’ në të fundit gjethe.

Në shtëpinë përballë po mbjellin nje pemë.
Qiell si kulm shtëpie na lartohet mbi krye.
Qirinjtë valëvitës të flakëve

Qetësi e amëshuar.
Edhe zogjtë pushuar e kanë këngën.
Selvi degëdrejta shpojnë qiellin kryelarta.
Qirinj valëvitës të flakëve –
dëshmitarë të mijëra lutjeve
digjen e digjen të heshtur.
Në rresht të drejtë, në formë rrethore,
ngulur në rërën e lagësht,
digjen në qetësi
qetësi iu falin shpirtrave.
Sikur të flisnin qirinjtë do tregonin,
sa lot kanë rënë mbi të tyren flakë.
sa lutje pa zë janë thënë në heshtje.
Digjen qirinjtë.
Mijëra hapa nxitojnë për t’i ndezur
Tym, qetësi dhe erë rozmarinë
për amëshime shpirtërash në Shën Vlash.

Unë dhe ti

Unë dhe ti nuk kemi nga një këngë të vetën.
Të gjitha këngët janë vetëm për ne.

Unë dhe ti nuk kemi nga një kohë të vetën.
Të gjitha ditët janë magji kur jemi të dy.

As udhën tonë të dashur, secili për vete s’e kemi.
Të gjitha udhët bëhen dritë kur ecim të dy.

Unë dhe ti fryjmë qirinjtë në të njëjtën ditëlindje.
Si të kem lindur në një çast me ty!
A ndien mall mali?

Reja puplore malin përqafon.
Krahët e saj të brishtë rreth qafës së tij.
Rreze të ngrohta, bijëza të diellit
u fshehën për të soditur takimin dashuror.
Era fryu e tundi gjithçka.
E ndjek me sy kureshtar tek largohet
shpatullmbledhur e flokëlëshuar e veten pyes:
“A ndien mall mali
për gjithë retë që e kanë përqafuar”?
Veç një lojë

Luajnë bilardo burrat,
kërrusur janë.
Dy hapa më tej një agjenci funeralesh.
Të menduar para stekës
rrinë dhe thithin thellë duhan.
Duken si udhëtarë në stacionin e parafundit,
që shpijnë gjymtyrët nga udha e gjatë.
Me një goditje topat shpërndajnë.
E ata si të jenë vajza fustanylberta,
tërheqin me dhjetëra shikime.
Dikur mbretërit luanin në lëndina me bar
(madje dhe gratë).
Burrat sot përhumben në mjegull duhani.
Në njërën anë tym, tifozllëk,
pranë tyre, fare ngjitur,
një djalosh reklamon kurora
për udhëtimin e fundit.
Bilardo dhe kurora.
Duket sikur vdekja
të jetë veç një lojë.
Një ditë e re

Një ditë e re po lind sythash
errësirën tinzare duke lënë pas.
Dritë sjell dita e re.
Dritë dhe aromë qumështi nga toka lehonë.
E porsalindura çel njërin sy,
e tjetri rri mbyllur nën qepallë.
Nën rrezet mëngjesore çelen të dy,
e përpijnë me shikim lumin,
ku rrokullima e guralecëve
i ngjan një të pagjumi në shtrat.
Një ditë e re ka lindur
mbështjellë në pelena lastarësh
e gjethet e gjelbra për djep.
Një ditë e re plot dritë i buzëqeshet tokës.
Qielli në apel i thërret retë
e ndonjëra prej tyre
herë-herë nuk përgjigjet,
kur lot bëhet në sytë e vajzës
që dashurinë e saj përcolli.

Marrë nga vëllimi poetik “Lus tokën”.

Please follow and like us: