Nexhat Rexha: Avdush Canaj dhe përmbledhje e re poetike
ËMBËLSIRA E NGJYRAVE SI METAFORË
Avdush Canaj: “A fle peshku me pizhame”, Botoi,”Rozafa”, Prishtinë, 2008, fq.111.
Poezia nëpër të cilën kalojnë gjeneratat me botëkuptime të ndryshme arrin të ruajë gjurmët e ndryshimeve shoqërore. Libri me poezi “A fle peshku me pizhame” i Avdush Canajt është inkorporim i gjeneratave me dialogimet e botës së fëmijëve, ata kanë parashtrime, e kërkesa nga më të ndryshmet.Këto lidhje të qëndrueshme Avdushi i ka lidhur me rritjen e tyre, të cilat vijnë si shkëlqim për të kuptuar jetën ashtu siç përjetojnë ata, e jo si dëshirojnë të rriturit. Në këto depërtime të botës së tyre vijnë edhe poezitë e këtij vëllimi poetik. Avdushi që nga libri i parë ka krijuar portretizimin artistik të poezisë, me të cilën ai bashkëjeton në komunikim të përjetshëm. Shtjellimi i vargut ka ngjyrimet e veta të dalluara, ato e bëjnë poezinë e tij unikate me zë të veçantë, duke shpalosur deri në skajshmëri ëndrrat e fëmijëve. Poezia e tij ka identitetin krijues me fjalëformime të zgjedhura e mbresëlënëse, ato kanë ëmbëlsinë e brendshme. Autori me kujdes ka
funksionalizuar vargun poetik, si dhe ka përdorur figura të mjaftueshme artistike ,të cilat i japin fuqinë poezisë.
Të gjitha poezitë e librit lidhin peizazhet e natyrës me bukuritë tyre si dhe krijojnë simfoninë e tingujve të kapshëm, të cilët në kontinuitet krijojnë harmoninë e përjetimit për lexuesin. Melodia poetike në poezinë e Avdushit e bën për vete lexuesin e cilësdo moshë, sepse ai ka krijuar tematikën e ambientit autokton, kurse brendia në shtjellim të vargjeve bulëzon plot befasi të këndshme që krijojnë vargjet nga strofa në strofë. Lidhja e ngjarjeve me koloritin e ngjyrave të japin afërsinë,dashurinë për të kuptuar e bashkëjetuar me vargun poetik. Raportet ndërlidhëse kanë pikat qendrore,duke krijuar atmosferën ngazëllyese brenda një ore mësimore, apo brenda një shëtitje të një dite të zakonshme. Këto prekje e pikëtakime të çiltërta karakterizojnë ngritjen sa profesionale, po aq edhe artistike në poezinë e Avdushit. Ajo rrjedh thjeshtë,lirshëm dhe kështu depërton në zemrat e të dashuruarëve. Ata që dashurojnë jetën, duan të jetojnë me fillimin e dashurisë, në poezinë e tij, ata-ato deklamojnë jetën me bardhësi, duke i afruar ditës kënaqësinë me të gjitha ëmbëlsitë që të jep drita e syve.
Shkëlqimi i fytyrës artikulon dashurinë për jetë, këtë dashuri e prodhon vetë mosha e tyre, këto ndryshime janë metamorfozë e jetës, te të gjitha gjallesat. Edhe te njeriu ndryshimet vijnë me orekse e shije nga më të ndryshmet. Poezia e realizuar në përmasën e vlerës konkretizon në zbulimin e të panjohurës shpirtërore,e këtë shpalosje lexuesi e gjen në brendi të shtjellimit të vargut nëpër të cilin kalojnë klithjet e brendshme shpirtërore. Nëpër këto ndërtime ndërthuret tërësia e librit “A fle peshku me pizhame”, duke krijuar ndarjet e saj në cikle: Si rashë nga qielli, Edhe molla u gëzua,Do të mbes pa faqe, Të kam harruar hije. Këtyre cikleve iu paraprinë poezia “Valë frymëzimi”.
Pritja e ditës së nesërme në vargjet e këtij libri ka agimet e bardha, ajo çdo moment e kalkulon me ëndrrën për të nesërmen,ajo vjen me ëmbëlsinë e saj. Protagonistët e poezive të Avdushit, vetes i japin gëzimin, lumturinë, ata e ndërtojnë të ardhmen në pika orientuese, për të finalizuar të bukurën në jetë dhe në art. Kjo edhe është e nevojshme për njeriun, sepse impulset ndikojnë në të gjitha hapërimet e frymëmarrjeve të ditëve që vijnë. Nuk janë absurde fenomenet e natyrës, ato që preken e duken, ato janë realitet i përditshmërisë, e detyra e shkrimtarit është që këto fenomene t’i afrojë afër fëmijëve e këtë afrim e bënë bukur autori në vargjet e tij, gjithnjë duke i shtuar aromën e shijen e kënaqshme për të vegjëlit. Komunikimi shtron kërkesat e fëmijëve, ata kërkojnë realizimin me përpikëri, komunikimi vjen lirshëm dhe të jep ëmbëlsinë e ngjyrave në tiktaket e zemrës së tyre.
Në këtë relacion kërkesash të pareshtura, vargjet të japin dashurinë për jetën, ato fisnikërojnë botën e fëmijëve. Në ciklin e parë, autori ka radhitur numrin më të madh të poezive, të cilat edhe orientojnë fjalën nëpër të cilën kalojnë lojërat e dëshirat e fëmijëve. Fëmijët janë kureshtarë për jetën, ata arrijnë të kuptojnë dashurinë e prindërve, prandaj edhe kërkesat e tyre janë të realizueshme, si në poezinë “Arushi nuk do përshesh”, sa bukur autori ka arritur të ndriçojë dëshirën e fëmijëve për rritjen e tyre, si në këto vargje: “Pse mos të ha rrollatë/Shampite e çokollatë?! S’më mërziten kurrë/Më shpejt më bëjnë burrë!/I blejmë tashti, babush/E dua, e kam zemërosh”, fq. 15. Dashuria e fëmijëve për nënën i ka paraqitjet më ndryshe, ato specifikojnë nga babai apo gjyshi, e në këto komunikime të botës së fëmijëve, autori ka ruajtur, paraqitur bukur edhe anën tradicionale nëpër familjet tona, kur babai apo gjyshi kanë mbuluar ekonominë financiare. Në këtë cikël kemi laryshi përjetimesh të fëmijëve, ato ruajnë korrelacionin e ëndrrave, dëshirave për të prekur atë që ndjejnë. Mirëpo, sado që njeriu poet të flas me gjuhën, figuracionin artistik, ai në ndërdijen e tij ruan diçka që shpalos kujtimet e tija apo të paraardhësve të tij . Poezia ”Në planet më i miri”, Avdushi nuk ka mundur t`i ikë vendlindjes së tij, ani pse ai si fëmijë me prindër shpërngulet herët në qytetin e Gjilanit.
Bisedat në familje pas shpërnguljes janë treguar e ritreguar, e fëmijët në orët e vonshme kanë dëgjuar këto begati të vendlindjes. Kjo edhe është poezia, e cila ruan shumëçka në biografinë e njeriut. Titulli i poezisë “A fle peshku me pizhame”, dikton edhe titullin e librit. Titulli është shumë i bukur dhe lexuesin e bën kureshtar për figuracionin e zgjedhur, mesazhin e dhënë. Poezia e Avdushit është origjinale, ajo nuk ka diktate, ajo specifikon vlerën estetike brenda saj. Globin e botës poeti e vështron me përjetim të thellë, për këtë arsye ideja e formësimi në krijimtari i ka edhe faqet e dallueshme, ai krijon cilësinë e arritur, këto cilësi e vlera artistike janë të pranishme në tërë opusin letrar të tij. Ky cikël përmbyllet me poezitë “Zezona” dhe “Lisi”, në të cilat autori ka trajtuar të kaluarën më një tonë sa qortues, po aq edhe përkujtues. Për të saktësuar se e kaluara nuk duhet të harrohet, duke e shkrirë këtë kohë të pakohë dhe për të ruajtur moralin, kujtesën atdhetare për të gjitha vlimet kohore. Qëndrueshmëria e poezisë kërkon edhe këtë stabilitet artistik, e këtë element të ripërtritjes nëpër breza e trashëgojnë pasardhësit ,duke ruajtur traditën me elementet burimore nga lashtësitë deri në përjetësi edhe në rrjedhën e standardeve të reja që krijon shoqëria.
Në dy ciklet tjera poezitë e Avdushit ruajnë konceptin e modelimit artistik në transformimin e kontakteve si dhe në vrojtimin e brendshëm, duke iu dhënë poezive elementet e veçanta në pikëpamje të konsolidimit artistik e psikologjik. Sikur që është edhe poezia “ S’dua të fle sonte”, vargjet e brendia e poezisë reflektojnë dhembjet e kohëve të njeriut tonë, të cilat nuk pushuan kurrë nga plagët e kurbetit. Në këto kapërcime kohësh, njeriu jonë jetoi shumë gjatë nën hijen e groteskut të ndarjeve tona. Nëpër poezinë e tij kënga ka melodinë e përsëritjes për dashuri e jetë, ajo në esencë të vargut të saj, të jep mundësinë e kërkimit në ndërtimet leksikore, me gjetje edhe të elementeve mitike, siç janë edhe vargjet e poezisë “Përtej bukurive”: “Është bukuri/E përtej bukurive/Thonë këngët e kumrive/Në mes të një tërfili”, fq. 88. Kënga e kumrisë dhe tërfili paraqesin elementin mitologjik dhe në këtë koordinim e gjetjesh artistike, Avdushi ka prekur këngën e fatit tonë, ai është kërkues i vazhdueshëm me fletën e fatit të tërfilit. Cikli i fundit “Ta kam harruar hijen”, përmbyllet vëllimi poetik me këtë poezi të shkruar dikur herët( 1985). Retrospektiva e poetit është e dhembshme, ajo të rikujton rrugëtimin e mundimshëm të intelektualit tonë, pjesë e këtyre dhembjeve të gjata është edhe rrugëtimi jetësor i poetit Avdush Canaj.
Përmbledhja poetike“A fle peshku me pizhame”, në tërë rrjedhën e saj përshkon: pasqyrimi i natyrës, njeriut familjar, shkëndijat e para të dashurisë për shkollarin, edukativja shtrohet si kërkesë e vazhdueshme për të dhënë mesazhin artistik në poezi dhe jetë. Në këtë kontekst ai ka zgjedhur shumë fjalë përkëdhelëse, të cilat janë forma të pranueshme për jetëgjatësinë e poezisë. Vokacioni lirik në thellësinë e meditimit, gjakon e prekë jetën nga thjeshtësia deri në lumturi. Me të gjitha këto ndërtime, poezia e Avdushit radhitet ndër më të spikaturat, sepse korrespondon në brendi me veçantitë e saja. Poezia artikulon ndryshimin nëpër kohë,ajo zbulon ndjeshmëri,kurse përkushtimi i poetit transmeton,ruan vlerën artistike, e në këtë objektiv qëndron edhe poezia e Avdush Canajt.