Bedri Blloshmi: Si e kujtoj 12 Prillin e vitit 1985
Ora 5 e mëngjesit, çanga ulërinte pa pushim duke na lajmëruar se ne duhet të ngriheshim dhe të shkonim në mensë të hanim mëngjesin dhe të bëheshim gati për në punë. Në mensë, pasi mora gotën e qumështit, u them disa shokëve që kisha afër “gëzuar o shokë se kjo punë mbaroi”. U grumbulluam të gjithë mbi urën-kafaz e prisnim si zakonisht policin për të na marrë drejt galerisë. Të gjithë llafosnin dy e nga dy për ngjarjen pa e bërë veten. Unë me Agim Hamitin dhe Et’hem Ibrahimin, mendonim se në Tiranë do ndodhnin ndryshime të shpejta. Në kodër nga kampi tjetër u duk me llërë përveshur komandanti i togës së policisë Josif Sadiku. Ecte si i pirë. Sapo u afrua thirri me zë të ngjirur, si duket kishte qarë gjithë natën.
“Kush është Et’hem Ibrahimi”?
Et’hemi i përgjigjet. Ne të tjerët na u ndal fryma. Ai i foli përsëri me ironi “hajde dalim pak matanë”.
Et’hemi u bë mehit. Ai kishte dhe 6 muaj dhe lirohej nga burgu i dytë. Ikën si vetëtima, kurse ne me Gimin po bisedonim se mos rrezikonte të ridënohej prapë. Pas pak polici u duk përsëri dhe ne po vrisnim mendjen se kë do merrnin këtë radhë. Sapo u afrua ulëriti:
“Ku është Bedri Blloshmi”?
“Këtu”, u përgjigja.
“Hajde se kemi një sqarim” më tha, “të shoh të gëzuar sot, mos ke marrë ndonjë haber nga shtëpia, ndonjë fejesë apo martesë, se po të qeshin dhe veshët”?
“Komandant, mos më bini në qafë mua për sot, më lini në hallet e mia, për këtë rast nuk kam asnjë faj edhe ju e dini”.
“Mirë, mirë”, më tha ai, “hajde dalim pak matanë të sqarohemi”.
Sapo kalova tek birucat pashë në shesh shumë policë e civilë që godisnin dikë, suleshin si hienat duke bërtitur dhe duke qëlluar mbi një gjë të zezë në këmbët e tyre. Unë që isha disa metra larg, i kapur nga krahët nga polici Josif Sadiku, hienat më fshinë në të qindën e sekondës dhe u gjenda pranë atij që po goditej me shkelma dhe grushte. Të njejtin fat pësova dhe unë. Vetëm më qëllonin dhe nuk bënë asnjë pyetje. Unë përpiqesha të mbroja sa të mundja sytë nga goditja e këpucëve të policisë. Mbasi e panë se nuk po lëviznin fare, dikush thirri: “çojini në birucë”.
Na tërhoqën zvarrë deri tek biruca, na plasën brenda, mbyllën derën dhe ikën. Të dy rënkonim nga dhimbjet e trupit. Ashtu të gjakosur fytyra na u enjt përnjëherë, aq sa sytë mezi i hapnim. Et’hemi kishte dhimbje në stomak, rrinte përmbys dhe herë pas here pështynte gjak. Erdhën përsëri nga mezi i natës, kur u kthye turni i dytë. Ata që erdhën bënë të njejtën gjë që bënë policët e tjerë. Vinin çdo ditë policët e turnit të parë paradite dhe turni i dytë në darkë për të na rrahur mirë e mirë, e, duke na sharë, iknin. Duhet të ketë qënë data 13-14 prill. Në birucë sjellin një të dënuar tjetër Fetah Malasi. E kishin bërë copë në fytyrë. Gjaku i rridhte papushim. Mbasi u largua policia filluam ta pyesim. “Mirë more Fetah po ti ç’pate”?
“Lere, lere më thotë se këta janë të poshtër”!
“Ore këtë e dimë, tha Et’hemi po ti si e pate punën”?
Na tregoi se komisari me operativin dhe disa civilë u kishin propozuar t’i bënin një telegram ngushëllimi asaj gorillës. Mbas ca ditësh (nuk e kujtoj se sa) na ndanë mua me Et’hemin dhe sollën Luan Ndreun. Sipas dokumentave të nxjerra nga dosja formulare në birucën nr.2 kishin vënë përgjues me T.O e cila lidhej me zyrën e operativit. Ata na kishin përgjuar dhe ky raportim ishte bërë nga kryetari i zyrës teknike Dhimitër Stefa.
Republika Popullore Socialiste e Shqipërise
Ministria e Punëve të Brendshme
Dega e Punëve të Brendshme
Ana e Sigurimit
Nr.6
Sekret
Ekzemplar nr.1
Grupi II-të
Rrëshen më 6.5.1985
Informacioni T.O.
Ky informacion nxirret nga përgjimi i bërë më datën 18.4.1985 në birucat e repartit të riedukimit 303 Spaç midis të dënuarve Luan Ndreu dhe Bedri Blloshmi.
Legjenda: B. Bedri Blloshmi
- Luan Ndreu
L: Kur u dha ajo, ne po rrinim të gjithë kështu
B: E haleja mutit, ishte një hale, ka mbetur dhe një tjetër
L: Jaaa!
B: Po ore, aty të bënë agjitacion.
L: Pse?
B: Hë, edhe pak ditë na ngelën
L: Hëë
B: Edhe dy tre ditë edhe…
L: Në rroçkët të qoftë… s’po çaj kaptinën për atë punë, unë jam mësuar, e di sesi më duket kjo mua.
B: Hë?
L: Odë pashe në krahasim me atë të Burrelit (flitet për birucat e Burrelit)… tashti po kthehet përsëmbari. (Fitet për masat e dënimit për të dënuarit e tjerë nëpër biruca).
B: Tregon për rrahjen që i kanë bërë e që bën policia në kamp. A thua do na mbajë një muaj në birucë.
L: Mos fol mor burrë.
B – Po çfarë tmerri atë ditë, bobo!
L – Ashtu, ëëë?
B – Pati ardhur dhe komandanti i kampe-burgjeve.
L – Aty ëëë? (tregon për rrahjet që janë bërë në kamp dhe për izolimin në birucë.) Jo, unë e pashë në TV njëherë.
B – Si e kishin vendosur?
L – Dreqi e merr vesh! U merret vesh këtyre? Ishte shtrirë në arkivol, aty e pashë.
B – Mbretëresha, çupa, ishin aty?
L – Cupa ishte me shirit të zi.
B – Q… nënën.
L – Ai qen bir qeni, ai kriminel.
B – Po, po ashtu është.
L – (Flasin me apati për të dënuarin Sami Sulku dhe Bedriu tregon për një grindje që ka pasur me këtë të dënuar kur shefi i policisë bënte kontroll).
B – Po shumë mirë… (bisedojnë në dhomat e tjera të izolimit). Tregon për rrahjen që i ka bërë policia në Qafë Bari.
L – Shpëtojmë vetë ndonjëherë pa na nxjerrë ndonjë sy.
B – (Bedriu tregon për jetën e Qaf Barit)
L – Jemi të vrarë shpirtërisht.
B – Mendoj që ka vdekur. (qesh)
L – Për zotin, rri e rri e më del gjumi në mes të natës.
B – More vdiq apo jo? Si është puna?
L – Mman more, po unë e pashë vetë me sytë e mi?
B – Mor vdiq m…
L – Po, po me atë s’ka shaka.
B – Të shohim Ramizin tashti.
L – Ai do ta marrë, s’ka kush ta marrë tjetër.
B – I poshtër është.
L – Shumë mirë është, ishalla s’na prek njeri me dorë.
B – Mos e mban dhe ky kështu?
L – Mazallah!
B – S’ka si bën, s’ka! Forcat e atij janë llogaritur.
Shënim: këtu ndërpritet biseda për të vazhduar në birucën nr.2
Vërtetoj se është një me origjinalin.
Punëtori Operativ i T.O
Hysen Vata.