Nexhat Halimi: Sytë e kristaltë
Në këtë rrjedhë mrekullish të Shalës së Bajgorës, do të bëj përpjekje t’iu rrëfej për diçka fare të veçantë. Rrëfimin do ta nis thjeshtë, të cilin do ta hetoni nga hyn në shpirtin tuaj mes fjalësh, mes pamjesh dhe përjetimesh.
Qëndroj në muze dhe e ndjek fijen e ecjes nga redaksia e gazetës ‘Rilindja’ deri në shkrimin e kuptimit për kristalet, që me vrushkuj djerse shkëputen nga zemra e nëntokës. Pranë e kam çupën me kike, e cila hesht dhe shikon e mahnitur.
Nis të rrëfej për diçka, që ka sytë e kristaltë të nëntokës, –
1.
…Larg në kohë, atje tek në sferat e mëndafshta me ngjyrat e ylberta dhe me gjakun e ujin magjik, ngrijnë e shkrihen çastet, ditët e ngjarjet mes vetes dhe historia përzihet me legjendën, me frymën e shpirtit, nisi të tirret fillimi e të marrë jetë të përmotshme rrjedha… Njerëzit i ranë në gjurmë një fshehtësie. Kush e di sa të lashtë, që po flinte thellë në rrembat e tokës, atje nën male, nën shkëmbinjtë e fortë… e, ra kazma e parë në Stan Tërg, tek vetëm disa pëllëmbë nën lëkurën e egër të dheut e gurit shndritën copat e para të xehes nga flaka e llambës së karbitit.
Dhe, rrufe degëzoi qiellit, zëri e jehona u rrahën nëpër faqe malesh, nëpër porta shtëpish të mbuluara me kashtë thekre, të përbirojë për gjatë gjithë trupit, -…nën këmbët e malësorëve të Shalës fle xehe, pasuri që s’ peshohet’!
E, legjenda u shkri në mote, nga brezi në brez,
-…në një kohë të perënduar, nëpër këta male me kaçurrela guri po shëtiste një vashë e bukur, kraharorin e gufuar të së cilës po e stolisnin tre gjerdanë: një i artë, një i argjendtë e një nga një mineral i kuqërremtë. Kristal i gjetur po aty tek do të ngulet kazme e parë.
– po aty tek u hap xeherore e vogël atëbotë,-
… nën malet, shkallë-shkallë, me llamba karbiti në duar zbritën njerëzit vertikalisht në nëntokë , të arrijnë ndërkohë në thellësitë mijë-metërshe, vetëm dhe pesëmbëdhjetë metra e të barazohen galeritë me nivelin e detit. Zbret tash dhe ti në ato thellësi, në atë ndërmjetëze rrembave të tokës së fortë, në horizontin e nëntë të xeherores “Trepça”, e shëtit nëpër punishte. Ik nëpër korridore, e pandërprerë të bëhet se diçka në këtë pjesë, në këtë rrugë, ende të është e largët. E panjohura shkëputet ndër çaste jete nëpër unazat e nëntokës , pjesë-pjesë, e arrin dhe deri aty ku secila gjë të bën për vete, aty tek xehetarët derdhin curril djersën në beteja të mëdha, me fytyra të njëjtësuar me shkëmbin e fortë të xehes që mundet, që bie në gjunjë, i bërë thermi-thermi para siluetash me drita të thekshme në ballë.
Ja, njeriu e shkëmbi sy më sy qëndrojnë të pa epur.
Ai andaj. Ky këndej… E bota sillet njëjtë, e bota mblidhet në muskujt e fortë, në duart llërë përvjelë, në kraharorët e hapur, të zhveshur , të stolisur me copëza metali.
Me vera e vjeshta çdo gjë rrjedhë në këtë ritëm që nuk shkëputet. Nxirret xehja e bashkë me këtë ndrisin dhe kristalet me shkëlqim e ngjyrë të arit, të argjendit, format e të cilave, të ngurta janë aq të përkryera, sa vetëm natyra të tilla mund t’i gdhend, sa vetëm ajo mund t’i krijojë e askush tjetër kurrë.
Kjo e tëra për ne që për herë të parë shkëpusim çaste jete të tillë, zgjojmë frymëmarrje, në nën tokë, ende është sa e afërt kaq dhe e largët.
-Ku janë kristalet?- na ndërlidhet kureshtja.
-Ende nuk hasëm në to, në ato lule të pakrahasueshme, në ata trëndafila kristali të nën tokës, në atë pjesë që frymon gjithnjë me xehetarët, në atë pjesë lule të djersës, që tashmë e njeh e gjithë bota.
Në këtë pjesë të jetës, njëmijë metra në nëntokë, drita e xehetarit, që të përcjell, zë një copë shkëmbi dhe nuk lëviz më nga aty. Drita cakërrohet me dritën e kristalit, drita puthet me dritën, me atë pjesë që lidh botën e jashtme – natyrën, me botën këtu, në terr.
-Kristali, po… bën dritë. Atje, ja ku është,- shkëput fjalë xehetari. E përsëri na shikon. –Ky kristal a nuk është trëndafil?
-Po është, – shikon i hutuar e s’flet. Nuk arrin të nxjerrësh zë, meqë të bëhet se mjafton ajo që thotë xehetari. Dhe- po. E ndien dhe erën e luleve, të trëndafilave prej kristali, që rritën në nëntokë. Trëndafila të freskët, e megjithatë lashtësi në vete, trëndafila të posa shkëputur, të posa çelur, apo? Dhe, mendon: mjeshtër më të madh se natyra nuk ka.
Xehetari tashmë lëviz. I afrohet shkëmbit të xehes. E shkëput kristalin. E mban në duart e veta të forta e buzëqeshet.
– Lule e vërtet. Po, lule. Mrekulli e natyrës… Ne e kemi muzeun e kristaleve të nëntokës së “Trepçës”, – flet ai. – Atë kristal tashmë e njeh bota. Njerëzit, gazetarët sidomos, sa herë kthejnë këtu nuk harrojnë ta vizitojnë muzeun, ku flenë të radhitur nëpër vitrina më se dymijë kristale… në këtë rrjedhë dhe kaq kristale, të shpërndara për krerët e njohur në botë nga duart e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. Me të vetmin qëllim, ta afirmojë shtetin me banorët më të lashtë të Ballkanit. Secili ta njohë Kosovën e shumë vuajtur, ta njohë Trepçën, Ujëmanin e bukuritë e virgjëra, në luginat e bjeshkët nën borë që i ka shteti, zot i së cilit tashmë do të bëhemi çdo ditë e më bindshëm.
2.
Prapë kthehemi ku nisëm zbritjen për në thellësi, te muzeu. Aty tashmë jemi, ku mbretëron një heshtje, më e thellë se kudo, aty ku kristalet kundërmojnë thuaja me aromë të lules së freskët.
Përpara është i hapur libri me emocionet, me përshtypjet e veçanta të atyre që e prekën këtë bukuri. Në librin e përshtypjeve fle pasuria e fjalëve. Shënojmë fjalët e një vizitori, “ nga kjo bukuri, nga këta kristale kundërmon erë lulesh, e zemra të gufon e nuk mplaket kurrë!” E – sa të lumtur do të jenë xehetarët që i nxjerrin në dritë, që i shkëpusin nga zemra e egër e shkëmbit të xehes, dhe a thua, ç’mendojnë derisa sytë e tyre janë të parët që ngulën në këtë bukuri që shkëlqen, sikur diell mëngjesi. E, përsëri, ç’mendojnë ata në ato çaste, ata që me djersën lumë i nxjerrin nga thellësitë, nga zemra e tokës, e sjellin këtu në kopshtin e luleve, në muze…
Ja, tashmë, në muze ka më se dyqind lloje kristalesh, të renditura në pesë lokale të bardha, të kaltra. Kristale dhe emra. Secili e ka emrin e vet: pirhotini, galemiti, mermetiti, halkopiriti, dolmititi, e shumë e shumë, të cilat gjenden shumë rrallë në botë. Ka këtu dhe të tilla kristalesh, që vetëm nëntoka e Stan Tërgut i ka që vetëm këtu gjendën e askund më në botë: vivianiti e ludllamiti.
…vetëm këtu çelin trëndafila të këtillë, sytë e kristaltë të nëntokës, të bëjnë jetë të gjatë, të përmotshme. E ata që kthejnë në këtë muze, e kthejnë nga të gjitha anët e botës, nuk mund të jenë të qetë, po dhe sikur arkitekti më i madh të ketë nënshkruar fundin e vet. Ato bukuri i krijon prapë e përsëri vetë natyra.
Nëntoka, kjo e jona, e thellë dhe e pasur.
Toka e “Trepçës”. Vetëm ajo, e askush më.
3.
Në të dalë nga goja e Madhe e nëntokës, njëri nga xehetarët ec me hapa të fortë. Afrohet te çupa me kike dhe ia ofron një dhuratë kristali, të cilin e ka emëruar sytë e kristalit të nën tokës së Stan Tërgut.
Ajo e merr dhe e lidh buzëqeshjen e vet të ngrohtë me sytë e kristalit të nëntokës.
– Ja merre këtë Vivianit, – tha xehetari.
– Sigurisht, gjatë tërë jetës do ta ruaj për kujtim.