Albspirit

Media/News/Publishing

Në 62-vjetorin e lindjes së Shpresa Bërdëllimës

 

Arian Miluka, Bruksel

 

Si e njoha dhe sa shpejt më iku, Peka e dashur…

E jashtëzakonshmja ndodhi një ditë të zakonshme, si gjithë të tjerat…

E pashë ulur dhe u njohëm për së afërmi aty ku s’e mendoja, megjithëse së largu e njihja prej kohesh. Madje, e njihja shumë mirë. Por atë ditë u njohëm për të mos u ndarë kurrë. As sot, kur ajo i takon përjetësisë.

E përshëndeta kinse pa problem, ndonëse zemra me rrihte fort. Mendoja se nuk do t’i përgjigjej gjestit tim. Por ajo iu përgjigj dhe kjo më befasoi! Qenka ndryshe, mendova. Mora frymë thellë që të mposhtja emocionet… Me bisht te syrit konstatova qetësi në tërë qenien e saj.

O Zot shpëtova disi! Por si të vazhdoj?

Me qetësi të shtirur, tregova një a dy barsoleta që i shkonin rastit.

I pëlqyen! Fitova ca pikë, të cilat më qetësuan sërish.

Po tani çfarë duhej bërë? Doja të qëndroja më gjatë, por trembesha se mos humbisja edhe ato pak pikë që pata fituar.

Jo thashë, do të luaj indiferentin. E përshëndeta dhe u ngrita të largohesha. Një buzëqeshje e ngrohtë, e çiltër, përshkoi fytyrën e saj engjëllore.

Kaluan tre ditë pa u parë, thua se ishin tre vjet. Kështu m’ u dukën mua. Kur do ti, të katërtën ditë ajo po vinte si flutur e duke buzëqeshur. Pandeha se s’e kishte me mua. Ktheva kokën të shihja mos tjetërkush ishte pas meje. Jo… Asnjeri! Ajo buzëqeshje trëndafil qenkësh taksur për mua.

– Hë!.. – më tha pa të keq, e gjithë duke buzëqeshur. – Po flet me vete? A je i zënë?

– Jam kaq kot, sa s’di ç’të bëj, – i thashë, ndonëse më prisnin diku.

– Unë jam e lirë nja dy orë, – më tha. – Mirë që të takova… Sigurisht nëse je i lirë e je dakord.

Abrakadabra… Kur do, fati të vjen vetë. Veç hapi derën.

– Ke ndonjë barsoletë si ato të asaj dite?…

– Kam disa, ose sa të duash, – iu përgjigja gjithë tangërllëk. – A je për diçka te kafe Flora?

– Me gjithë qejf. Në këtë orë, aty është qetë.

Shkuam, u kënaqem e u lumturuam. Por, e çuditshme… Si iku ajo dreq kohe aq shpejt, gati-gati pa u ndjerë?…

Folëm për njeri-tjetrin me shumë çiltërsi. Pastaj u ndamë me premtimin se do të  shiheshim së shpejti.

Më pas, do të takoheshim përditë. Na u bë e domosdoshme! Të dy e kërkonim njeri-tjetrin pa zhurmë. U druheshim syve të hallkut. Një pjesë e të njohurve tanë të përbashkët mendonin se njiheshim prej kohesh. Megjithatë, isha pothuajse i sigurt që do të fillonin intrigat e zakonshme.

Takimet tona u bënë përherë e më të shpeshta. Të domosdoshme për të dy, ama ende pa deklarim dashurie.

Një pasdite, e lamë të shkonim për vizitë te shtëpia e një shoqes së saj. U ngjitëm lart, në katin e katërt, por, për fatin tonë të keq a të mirë (kushedi?…), ajo nuk ishte aty. S’do mend, u mërzitem… Mbase edhe sepse u lodhëm ndopak duke ngjitur gjithë ato shkallë…

Me demek se kishim nevojë të çlodheshim një copë herë, u ulëm në njërën nga shkallaret… Si padashka e natyrshëm u afruam e u mbështetem te njëri-tjetri. Temperatura që më kapi ato çaste, m’ u duk se mund të shkrinte edhe volframin, siç thoshte një shoku im, për raste të atilla. Një rrëshqitje e lehtë flokësh preku fytyrën time. Si pa kuptuar, buzët e mia u afruan e u ngjitën me të sajat.

Nuk besova.

Mos isha në ëndërr? Apo po përjetoja një përrallë nga ato të njëmijë një netëve? Në të vërtetë, isha ngjitur lart, lart… Shumë lart, në qiellin e shtatë…

Befas, u kthyem të dy në realitet. U ngritëm e pa folur, filluam të zbrisnim shkallëve. Por, teksa ne zbrisnim, shoqja e saj po ngjitej.

– O, më falni, – tha jo. – Dola të blija diçka për të pirë.

Edhe ato pak çaste që kaluam vetëm e ulur në shkallare, mendova, fat paskëshin qenë për mua.

U futëm në apartamentin e shoqes së Pekës. Ishte tepër modest, por i ujdisur bukur. Ia vlente, se po më këputeshin gjunjët. I thashë vetes: Hiqesh edhe se je i fortë, pale…  Mbahu, pra!

Ajo ditë ishte fillimi i një mrekullie…

Apo i vështirësive të mundshme për ditët që do të vinin?

Ndërsa neve na behej jeta çdo ditë e më e bukur, dikush mundohej të na e nxinte. Kë të përballonim përpara? Familjet tona? Hallkun? Institucionet? Lëre më, Komitetin e Partisë!

Kaluam vështirësi që s’i kishim njohur deri atëherë. Përpara tyre, Odiseja më dukej një aventurë, e aq. Në fund të fundit, Uliksi njohu Nausikan, Çirçen etj. Ama në Itakë e priste Penelopa me pëlhurën e saj që s’ kish të mbaruar. Po unë e Peka ime?

Luftonim me lloj-lloj përbindëshash me fytyrë njeriu, por njeri më i tmerrshëm se tjetri.

I përballuam të gjitha dhe jeta jonë thuajse u stabilizua, sado që xhelozia fryhej e fryhej. Në ato kushte, e gjetëm me vend të emigronim. Kaluam e ku s’ kaluam me dy vajza të vogla në krahë. Herë me këmbë, herë me mjete të rastit, kapërcyem kufij, male me borë, lumenj… Nga Shqipëria, në Rumani e, prej andej, në Belgjikë, ku dielli ynë shkëlqeu përfundimisht.

Unë ia hyra sërish profesionit tim. Kësaj here, jo thjesht si artist cirku, por si bashkëthemelues dhe njëri ndër dy drejtuesit e Institutit të Lartë të Cirkut, i pari i këtij niveli në Mbretërinë e Belgjikës. Peka u angazhua në veprimtari patriotike, te Radio Brukseli (emisionet në gjuhën shqipe), si edhe gjetkë. Recitimet e saj emociononin bashkatdhetarët dhe ngrinin lart ndjenjën kombëtare.

Përfshirja e Pekës në ato veprimtari, ia gjallëroi jetën, ia ndezi zjarr. Por ja, e keqja e madhe filloi të vepronte mbi shëndetin e saj, deri në atë pikë që nuk arriti ta mposhtte.

Iku nga kjo jetë më 27/10/2019, megjithëse e donte aq shumë.

Na la Peka. Më la mua. La Besianën dhe Mirvjenën. La edhe Lorenson, lindur këtu, në emigracion.

Amaneti i saj ishte për fëmijët dhe për qenien e vet shqiptare. Në epitafin e vendit ku prehen eshtrat e saj, shkruhet: “Shqipëri më dhe nder, më dhe emrin Shqiptar”

Darkave, sa herë koha është e hapur, shikojmë qiellin. Kemi fiksuar një yll, bash në atë dimension ku ne mendojmë se ndriçon shpirti i Pekës…

 

Please follow and like us: