Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: Vajza, poeti dhe djalli

Tregim
Ndërsa iu afrohej drurëve të parë të pyllit, ai ndjeu zëra dhe u habit.
U afrua pa bërë zhurmë, në drejtim të zërave. Më së fundi, shqoi një burrë që mbante një mollë në dorë, i cili zmbrapsej ngadalë në drejtim të drurëve dhe nja dhjetë metra më larg, një vajzë e vogël hidhte hapat me ngurrim drejt tij.
– Hajde!- i thoshte ai- A e do mollën? Hajde pra, ta marrësh!
Vajza ndaloi dhe ai ndali.
– Eshtë për ty! Mos ngurro! Afrohu ta marrësh!- e yshte ai. Mos ki frikë! Unë i dua fëmijët! Nuk kam për të të bërë asgjë. Vetëm se dua mos të na shohë njeri, kur të ta jap mollën… Sepse duan edhe fëmijët e tjerë. Por ti je më e bukura, je ti ajo që më pëlqen, ndaj dua të ta jap ty mollën.
Vajza përnjëmend i besoi dhe nisi të afrohej. Kishte kaq ditë që hante veç rrënjë e ca miell të keq, që i gatuanin në shtëpi, ndaj ideja e një molle të kuqe e kishte vënë në tundime dhe po shkonte drejt saj si e hipnotizuar.
Ai burri ndjehej i kënaqur që po ia arrinte qëllimit. Ndaj lëvizi edhe ca mbrapsht, duke u penguar në njërën prej shkurreve, sa mend u rrëzua. Molla i ra prej duarsh dhe duke rreshkitur shkoi drejt këmbëve të vajzës së vogël, që mund të ishte pesë a gjashtë vjeçe, e dobët, e gjatë, por me një çehre të mirë në fytyrë dhe e paprishur ende në bukurinë e saj të dlirë fëmijërore nga gjithë stërmundimet që po kalonte në këtë kohë. Ajo nuk priti më gjatë, por u sul të rrëmbente mollën si një mace e egër dhe t’ia mbathte. Por burri u tregua më dinak dhe sa hap e mbyll sytë i kërceu përsipër, e rrëmbeu në krahë mes ulërimave dhe shqelmimeve dhe u fut me të nëpër pyll duke rendur si i marrë.
Edliri, djali që kishte dëgjuar zhurmën e zërave, u sul i frikësuar, por dhe i vendosur ta shpëtonte vajzën prej të panjohurit. Ata i ishin larguar shumë, por orientohej nga të qarat e vogëlushes dhe nga degët e shkurreve që ishin thyer nga vrapimi i vrullshëm i burrit.
Pastaj nuk e dëgjoi më zërin e saj dhe humbi gjurmët. Në fyt iu mblodh një si lëmsh.
Tani ai ka për ta therur dhe do ta pjekë, mendoi trishtueshëm. Si nuk munda ta shpëtoj? Po do ta kërkoj sa të mundem. Ndoshta arrij në kohë.
Nxorri thikën prej këllëfit, preku tehun e saj të mprehtë dhe e mbajti gati për çdo të papritur. Ecte e ecte papushim duke kërkuar mes drurëve. Pati kaluar një orë nga koha kur ai burri kishte rrembyer vajzën dhe nuk po e gjente dot. Ca pika lot i shkitën faqeve.
Si është kjo botë kështu, – mendoi. Ja dhe njerëzit. Kur nuk janë viktima, bëjnë viktima e kështu gjithmonë. Asgjë nuk e përmirëson thelbin e tyre, etjen për gjak. Kanë vetëm ca periudha qetësie dhe kur mendojnë dhe besojnë se janë  bërë më të mirë, mjafton diçka anormale në jetën e tyre, për t’i kthyer në përbindësha, ashtu si kanë qenë gjithnjë…
Donte të kthehej mbrapsht, por i erdhi keq për vajzën e vogël dhe u pendua që pak më parë i erdhi në kokë një mendim i tillë.
Së paku, i foli prapë vetes, tërë këta shekuj diturie e ndërgjegjësimi nuk kanë qenë fare pa gjë. Kanë jetuar njerëz në këtë botë që e kanë dashur njerëzimin dhe e kanë ndihmuar atë. Ka pasur një Krisht, një Budë, dijetarë si Platoni e poetë si Homeri, që u kanë hapur sytë në çdo kohë. Dhe nëse unë e mendoj se jam një pasardhës i tyre, duhet të bëj diçka për vajzën duhet ta shpëtoj atë.
Duke menduar kështu, iu pengua këmba në një dru të kalbur dhe u rrëzua. Ndjeu t’i dhimbte gjuri, donte të ulërinte prej dhimbjes. por nuk mundi, pse pikërisht, jo më larg se pesëdhjetë metra ai shqoi një zjarr, tymi i të cilit vinte gjer tek hundët e tij.
U afrua drejt zjarrit duke u zvarritur dhe kur ish jo më larg se dhjetë metra, ai pa atë burrin drejt në fytyrë të ulur pranë zjarrit, që po mprihte një thikë me një gur dhe qeshte me vete.
U tmerrua nga ajo që i panë sytë; ishte ai që e kishte ndjekur ndër vite, armiku i tij më i urryer, binjaku që nuk e kish dashur kurrë. Ai prej të cilit ishte trembur gjithmonë, që ia pati patur frikën gjer në palcë, që i dilte në ëndrrat e këqia dhe e yshte, ai që kishte kërkuar me çdo gjë, ta takonte, ndoshta për ta bërë si veten ose për ta vrarë. Mbylli sytë për një çast dhe mbeti palëvizur midis gjetheve si një zhapik mes agonisë.
Tani ka ardhur ora t’i japim fund, mendoi. O unë, ose ai. Nëse më vret kam për të shpëtuar.
Jo, tha prapë me një forcë të brendshme që nuk e kishte pasur kurrë më parë. Duhet ta vras unë atë dhe të shpëtoj vajzën e vogël.
Ai e kërkoi vajzën me sy dhe e gjeti të shtrirë përmbys, pa ndjenja, jo larg prej zjarrit.
Për fat, psherëtiu, jam ende në kohë. Nuk kam vrarë kurrë njeri, por duhet ta bëj, tha prapë me vete. Duhet, duhet, duhet. Do të mbarojnë njëherë e përgjithmonë ëndrrat e mia të frikshme.
Duke i dhënë vetes zemër, ai po bëhej gati të sulmonte. Por nuk ndjehej ende gati. Mbushi mushkëritë me frymë, por nuk pati kohë të priste çastin e duhur, se binjaku i djallëzuar u ngrit me thikë në dorë dhe po i afrohej vajzës së vogël. Edliri u sul si një tigër në drejtim të burrit, duke bërë një zhurmë të tmerrshme degësh të thata dhe djallit i kapur në befasi, i ngriu thika në ajër. Pa që po i vinte drejt vetes ai njeriu që pati kërkuar gjithmonë dhe kjo gjë e trembi dhe e hutoi aq shumë, sa deshi t’ia mbathte, por në të qindën e sekondës e mblodhi veten dhe priti.
Nuk kaloi çasti kur trupat e tyre u mbërthyen në një përleshje për jetë a vdekje, ku askush prej tyre, nuk humbte apo fitonte dhe mes grushtave dhe gjuajtjeve me thika, gjenin kohën t’i shfrynin njëri-tjetrit me zemërim.
– Do të ti nxjerr zorrët jashtë!- i brriti Edliri duke shfryrë. – Do të jetë sikur të shkul qindra gjarpërinj prej trupit.
– Ashtu? Kisha vendosur të haja këtë vogëlushen më parë, por tani kam për të të pjekur ty në këtë zjarr! – iu përgjigj djalli i xhindosur duke turfulluar.
– Nuk kam frikë prej teje, – replikoi Edliri dhe e qëlloi me grusht në fytyrë.
Djalli u përplas përtokë. Edliri iu sul përsipër, por ai gjeti kohë t’i jepte një shqelm dhe ta zmbrapste.
– Jo o. përbindsh qe më ngjan,  – shfryu Edliri. – Nuk mund të jetë e vërtetë që ti je pjellë e nënës sime. Ti je vetëm rastësi, ëndërr e keqe.
– Ti më ke zënë vendin gabimisht. Duhet të kisha qenë unë në vendin tënd. Ti nuk i hyn në punë askujt.
– Ashtu?- i tha Edliri mes kacafytjes. – E ti për çfarë duhesh? Për të vrarë, për të shkatërruar, për të qenë gjithmonë atje ku s’duhet të jesh?
– Kudo ku jam, eshtë vetëm vendi im, – iu përgjigj ai me maraz. – Kjo botë është e rreme dhe e poshtër dhe ka nevojë për njerëzit si unë. Që gjykojnë. Që venë çdo gjë në vend.
– Edhe kur vret fëmijë?
– Kjo këtu që tani është fëmijë, dikur ka për t’u rritur, do të pjellë kësisoj surretërish të shpifur, ka për të qenë një kurvë si të tjerat, ka për të qelbur botën.
– Ti nuk ke asnjë të drejtë të vendosësh per fatin e saj, o i poshtër! – iu hakërrye Edliri.
– E pse jo? – iu kundërpërgjigj djalli. – Kjo botë është plot me njerëz që meritojnë të vdesin. E ç’ diferencë bën në është burrë, plak, grua apo fëmijë?
– Ka, si nuk paska diferencë!
– E cila qenka diferenca sipas teje?
– Eshtë e vërtetë që njerëzit janë mundur, që ka humbur besimi hyjnor tek vullneti i tyre për të ndryshuar, por kjo nuk do të thotë, se tek kjo vajzë e vogël nuk ekziston ende një shpresë e re për një botë më të mirë.
– Kështu e sheh vetëm naiviteti yt. Në qindra e qindra vite të jetës sime, nuk kam parë asnjë prej brezave të rinj të ndryshojë diçka në të mirë të njerëzimit. S’kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë vazhduar traditën e etërve, duke futur në mes veç forma e metoda të reja, që në fund të fundit janë e njëjta gjë.
– Prapëseprapë, askush s’ta jep të drejtën t’i vrasësh e mundosh. Do të kishte qenë më mirë të shihje veç punën tënde.
– Ne të dy, s’kemi për t’u kuptuar kurrë, – i tha djalli me mllef. – Ndaj tani kam për të të vrarë. Kam dashur të të bëja si veten, ndaj të kam kërkuar. E të dy u bënim një forcë e vetme, por paskam gënjyer veten më kot. Sa për atë botën tënde më të mirë, mbaje vete. Tani të erdhi fundi, ty e pallavrave të tua boshe.
Ai i dha një grusht të fuqishëm Edlirit, i cili duke u rrëzuar u përplas në një gur dhe i rrodhi gjak prej ballit.
Iu errën sytë, iu morën mendtë dhe ulëriti me sa zë kishte. Kur djalli iu hodh përsipër që t’i priste fytin me thikë, ai bëri një lëvizje të fundit, aq të rrufeshme sa ia nguli thikën në krah dhe atij i ra thika prej duarsh. Ndjeu britmën e tij, gjakun sesi po i rridhte prej plagës, e habinë e tmerrin në sytë e përbindëshit. Mori forcë ta godiste përsëri në gjoks e ta vriste. Por djalli u zmbraps, dhe duke u rrëzuar e ngritur mes gjetheve të thata që kërcitnin, u zhduk nëpër pyll. Edliri nuk kishte më forca ta ndiqte pas. Mblodhi fuqite dhe shkoi pranë vajzës që ngjante ende pa jetë. I fërkoi sytë dhe ballin, e puthi dhe pa sesi ajo pak e nga pak erdhi në vete. Kur hapi sytë ajo u tremb, u përpoq ta qetësonte, por ngjashmëria e tij me atë tjetrin, vajzën e tmerroi dhe i ranë përsëri të fikët.
Ai e mori në krahë dhe e nxorri jashtë pyllit.
Please follow and like us: