Anila Bega Cohen: Madonna
Pjesa e parë
Maria dëgjonte zërat dhe të qeshurat në ekstazë që vinin nga poshtë shkallëve. E ëma dhe njerku i saj, Xheku, kishin ftuar miqtë e ngushtë në shtepinë e tyre buzë liqenit. Mbrëmja kishte arritur pikën kulminante. Mbrëmje të tilla kishin filluar të shtoheshin shumë kohët e fundit.
Ajo kishte mall për vitet kur mbrëmjet i kushtoheshin asaj. Kur babai ishte akoma gjallë dhe nëna kalonte orë me të në dhomën e saj të madhe shtruar me parket bojë arre. Shpesh e ëma shtrihej me të derisa i zinte gjumi të dyja mbuluar me kuvertën e mëndafshtë.
Ndjeu hapat që ngjisnin shkallët, u fut poshtë rrobave dhe bëri sikur flinte. Nga e çara e derës hyri drita e zbehtë e korridorit. Ajo po lutej që të mos përsëritej rituali. Heshtje, pastaj dyshemeja pranë shtratit kërciti dhe dora me gishtat e yndyrosur dhe qime të gjata u fut nën mbulesë. Ajo nuk levizte, madje as frymë nuk merrte. Mendonte se po të bënte sikur ishte në gjumë e gjithë tortura nuk do ndodhte realisht. Gishtat e trashë e të ftohtë e prekën në vendin intim disa herë. I vinte të klithte nga dhimbja, por nuk bëri zë. Dihatjet e përbindëshit shtoheshin sa më thellë shponte dhimbjen e saj të pa zë. Pas disa minutash dera u mbyll dhe dhoma ra përsëri në errësirë duke lëne pas erën e rëndë të kolonjës se lirë. Dhimbja trupore e paemert i ishte shndërruar tashmë në frikë, mirëpo ajo nuk guxonte të fliste me askënd e bindur se nëse e bënte do ta pësonte më keq. Gjumi e zuri kruspull. Tërë natën nuk guxoi as të levizte.
Në mëngjes zbriti në kuzhinë. E ëma, Emma, ishte akoma me veshjen e natës dhe pregatiste kafen. Jashtë në oborr shërbëtorët kishin filluar sistemimin e pasojave të haresë së natës së shkuar. Piu tasin e qumështit dhe eci në drejtim të stallës. Era e barit të njomë përzier me ushqimin e kuajve e pertërinë.
I kërkoi njërit prej shërbyesve t’i bënte një xhiro me Xhinon, kalin e saj të preferuar. Vrapuan për më shumë se një orë derisa e lajmëruan se ishte koha për të shkuar në shkollë. Mësimi e tërhiqte. Motra që ishte edhe kujdestare e klasës së saj ishte një grua e hajthshme, me sy të bukur prej kaprolli që gjithmonë dukeshin si të lagur. Kishte duar të bardha dhe të buta. Fliste me zë të qetë dhe shumë të dashur. Pasdite mbaroi detyrat e ndihmuar nga kujdestarja e saj. Pas darke shkoi në dhomën e saj. E ëma erdhi t’i uronte natën e mirë. U ul në buzë të shtratit dhe e pyeti
– Të shoh të heshtur prej shumë ditësh, ka ndodhur gjë në shkollë?
– Jo mama, asgjë. Jam e lodhur.
– Atëhere po të çoj tek një mjek të vizitohesh.
Ajo mohoi me kokë dhe ju drejtua së ëmës
– Edhe sa do jetojë Xheku në shtepinë tonë mama? Nuk më pëlqen ai.
– Pse e dashur?
– Ka duar të mëdha.
E ëma e pa me habi. I uroi natën e mirë dhe doli nga dhoma. Atë natë ajo i tha Xhekut për bisedën që kishin bërë me Marian.
– Fëmijë i çuditshëm, duket se do një edukim të veçantë. Si thua sikur ta regjistrojmë në manastirin e motër Jozefinës? Atje ka vajza të tjera nga familje të larta dhe me siguri jeta mes murgeshave do ta afrojë më shumë me zotin. Emma pa instiktivisht duart e Xhekut që shtrëngonin gotën e verës. U zhvesh dhe u shtri ne shtratin e mbuluar me perde.
– Ti nuk do flesh i dashur?
– Më duhet të ngihem herët nesër e dashur.
Ajo e pa me mospëlqim. Ishte e dyta herë që ai e refuzonte.
-Je i sigurtë që është kjo arsyeja?
-Emma e dashur. Prania e Marias në këtë shtëpi më bën të ndrojtur në lidhjen tonë. Nuk mund të rri këtu, të lutem mos ma kërko çdo natë këtë. Ajo është një vajzë e vogël që ka humbur të atin dhe prania e një mashkulli tjetër pranë nënës së saj do ta turbullonte. Nuk dua asgjë të tillë për të.Ti e di qe unë i dua shumë fëmijët.
U përkul,e puthi shkarazi dhe doli. Mbylli derën e dhomës së gjumit të Emmës dhe pa nga shkallët lart ku ndodhej dhoma e Marias. Në mëdyshje mendoi të shkonte t’i uronte natën e mirë, por pastaj ndërroi mendje. Kishte kohë ta përshëndeste si duhej drenushen e vogël. Nxitoi hapat dhe humbi në errësirë.
Kur dëgjoi derën e rëndë të oborrit që u mbyll, Maria mori frymë lirshëm. Mbylli sytë dhe fjeti. Në një shkëmb buzë detit i ati e përshëndeste me dorë duke e thirrur në emër. U mat t’i thërriste, t’i thoshte se e kishte marrë malli, se e donte shumë. Por as nuk fliste dhe as nuk lëvizte dot. Ai u shkri me qiellin dhe ajo mbeti me duar të shtrira nga ai, ulur në shtratin e saj të stërmadh.
U zgjua e mbuluar në djersë. Zbriti shkallët dhe trokiti në derën e së ëmës. U fut në shtrat me të duke u dridhur. Të nesërmen u çua herët kur të tjerët ishin në gjumë. U ul jashtë kundruall diellit të fundit të vjeshtës që sapo kishte filluar të ngrohte rreth e rrotull. Vështroi palmat e rritura. Në vijë simetrike ato përfundonin në breg të detit. Kujtimet e të atit iu fanitën. Donte të fliste me dikë, por nuk dinte kujt t’i hapej.
Pas mëngjesit Xheku dhe e ëma e thirrën në tryezën e dhomës ku më parë kishte qenë studioja e të atit. Pikturat me korniza të trasha ngjyrë floriri nuk ishin lëvizur. Perdet e rënda, të ulura, u jepnin një pamje mistike. Skrivaninë e punës bërë me dërrasë arre të lyer nga dy anët e kishin zhvendosur në një qoshe të dhomës. Vendin e saj e kishte zënë një poltron i madh lëkure i cili shihte mbi oborrin e përparme të shtëpisë. Nga aty dukej çdo lëvizje që ndodhte në shtëpi. U ul me ndroje duke palosur cepin e fustanit prej mëndafshi të murrmë zbukuruar me fjongo të bardha. Gërshetat i vareshin supeve deri në mes të kurrizit. E mësuar të sillej si një zonjushe, ajo dukej jo si vogëlushe 13 – vjeçare, por më shumë si një grua e vogëlth me bishtaleca.
– Mon Chérie, mamaja jote dhe unë kemi diskutuar për sjelljen tënde të çuditshme të ditëve të fundit. Humbja e babait tënd të nderuar dhe mikut tonë të shtrenjtë ishte sigurisht një dhembje e madhe për ty, e cila pa dyshim do të shoqërohet me hutimin tënd dhe frikërat e pashpjegueshme që ti vogelushe, demonstron. Në raste të tilla njeriu duhet t’i drejtohet Zotit. Tek ai gjejmë përgjigjen e shumë dilemave, ndaj kemi menduar që ti të jesh pjesë e Konventës së Kuqe në manastirin e Shën Marisë.
Maria pa me sy të zgurdulluar nga e ëma. Qetësia që shoqëroi lëvizjen e kokës së të ëmës e turbulloi edhe më shumë.
– Unë… unë dua shtëpinë time, zotëri. Kërkoj ndjesë për sjelljen time të padenjë dhe ju premtoj se nuk do t’ju krijoj asnjë shqetësim. Mama… kërkoj ndjesë.
– Kjo punë ka marrë fund, – shtoi thatë Xheku. Ndezi puron që e mbante mes gishtave të trashë të plasaritur me thonjtë pa ngjyrë dhe e thithi me qejf.
E ëma e mori në prehër dhe duke i përkëdhelur butë shpatullat i tha se në atë manastir do të gjente shumë vajza të tjera të cilat do t’i bëheshin shoqe. E ëma do ta vizitonte çdo fundjave dhe Maria do të vinte në shtëpi sa herë të donte.
Vajza u tërhoq mbrapsht në ndenjëse dhe kërkoi leje të largohej nëse ata kishin mbaruar bisedën.
Doli nga dera e shërbëtorëve, vrapoi derisa mbërriti tek limani dhe u plas në tokë mes ngashërimave.
Pjesa e dytë
Manastiri ishte ndërtuar mbi majën e një kodre që binte thikë mbi det. Dera e rëndë u hap dhe një murgeshë me kapelen e madhe të bardhë e me dhëmbë të vëna u shfaq përpara tyre. Xheku puthi kryqin në shenjë nderimi dhe u futën në zyrë e saj prej nga dolën shumë të qeshur të dy. Ajo e shoqëroi Xhekun deri tek fundi i oborrit ku fillonte kisha dhe ai i la në duar një zarf duke i thënë se ishte një dhuratë modeste për manastirin nga familja e Maries. Ndërsa Xheku largohej, ajo hyri në kishë ku sapo kishte nisur mesha e drekës.
Maria iu la nën kujdesin një murgeshe të re me flokë të kuqe dhe quka në pjesën e ballit. Murgesha e re i tregoi Maries dhomën, orarin e ngrënies e i tha që mund t’i drejtohej për çdo nevojë. Maria vendosi me radhë në raftin e vogël prej hekuri sendet e saj. Mbi raft vuri një fotografi të të atit. Në sallën e madhe të lutjeve murgeshat ishin mbledhur për lutjet e pasdites.
Dolën në oborrin që rrethonte manastirin. Ishte nje pasdite shumë e bukur. Lulet e mollëve lëshonin një aromë dehëse dhe dukej se era e rëndë e qytetit nuk arrinte deri në majë të kodrës buzë detit ku ishte ndërtuar manastiri.
Në mëngjes dikush e lajmëroi se Motra e madhe donte ta takonte. Kaloi nëpër koridoret e ngushta të ndriçuara nga lart dhe u gjend në një dhomë të madhe me shtatoren e Atit në krye. Tryeza e dhomës ishte mbuluar me një copë të ashpër në ngjyrë mavi dhe një shandan i rëndë tunxhi qëndronte mbi të. Mbeturinat e qirinjve të djegur kishin lënë shenja parafine në dyshemenë e drunjtë që kerciste nën hapat e Nënës së madhe. Ajo ishte një grua e gjatë, me sy të lëngshëm dhe një të vrarë lije të fortë nën mjekër. Buzët e holla prej ikone mbaronin në një kthesë të fortë në të dy anët e fytyrës. E gjithë pamja e saj nuk shfaqte asnjë emocion. Rroba e zezë i rrinte puthitur pas trupit dhe një kryq prej alabastre i varej dukshëm mbi gjoksin e beshëm. E vetmja gjë që kishte vënë re në takimin e tyre të parë ishin duart e saj. Prej disa kohësh Maria kishte marrë zakonin t’i shihte nga duart të gjithë njerëzit që takonte për herë të parë. Duart e Nënës së madhe ishin të bukura, me thonj të bardhë dhe gishta të gjatë si të një pianisteje profesioniste. Dukej sikur nuk i perkisnin atij trupi të stërmadh dhe fytyrë të sertë. Në dhomë, ulur përballe Nënës së madhe, në një poltron prej kadifeje dhe rrethuar me dru të gdhendur qëndronte një prift i moshuar. Nga fytyra babaxhane dhe sytë e ëmbël Maria kuptoi se nuk i kanosej ndonjë rrezik nga ky takim.
– E dashur Marie, at Antoni ka ardhur për punimet në kishëzën tonë të manastirit. Ai është njohës i artit dhe djali i tij Luka piktor i njohur në trevën tonë, tha Nëna e madhe duke treguar me sy prapa poltronit ku qëndronte at Antoni. Vetëm atë çast Maria vuri re një djalosh të hijshëm me sy të kaltër dhe me veshje prej kalorësi. Dukej si Princi i përrallave që i lexonte dikur mbrëmjeve i ati. Luka lëvizi dhe u përkul me elegance përpara saj. Sytë e tyre u ndeshën dhe ajo zgjati buzët në një formë të harruar tashmë. Pas shumë viteve buzeqeshi duke treguar dhëmbët e bardhë si smerald midis dy buzëve të vogla të trendafilta.
– At Antoni dhe Luka po kërkojnë njerën nga vajzat që të pozojë për të riprodhuar portretin e Shën Marisë. Luka do shikojë disa nga vajzat dhe pastaj do zgjedhë më të përshtatshmen.
Maria uli kokën. Luka dhe ajo ishin parë më shumë se një minutë në sy dhe kjo kishte qenë e mjaftueshme që në shpirtin e saj të lindte një ndjenjë e re e paprovuar. Pëllëmbët e duarve po i digjnin dhe instinktivisht i kapi pas fytyrës për t’i ftohur.
– A mund të largohem? – pyeti pothuaj me pëshpërimë pa vështruar askënd
– Po, je e lirë. Lajmëro vajzat e tjera të paraqiten, të lutem. Një nga një dhe pa zhurmë.
Ndjente shikimet e tyre pas krahëve ndërsa mbylli derën lehtë dhe fluturoi nëpër korridorin nga kishte ardhur. Mendimin se mund të ishte ajo e përzgjedhura e kishte përjashtuar. Në manastir kishte vajza shumë të bukura dhe përballë tyre ajo ndjehej e rëndomtë. Flokët e prerë me baluke i zgjateshin në qafën e hollë dhe mbaronin pranë supeve. Ngjyra e zbehtë e fytyrës, sytë e mëdhenj me rrathë te zinj, e bënin të dukej më e dobët. Shtatshkurtër si i ati dhe e drojtur, ajo nuk kishte tërhequr kurrë vëmendjen e djemve. E vetmja gjë që të binte në sy në portretin e saj ishin dy gropëza të vogla në cepat e faqeve. Aty kishte fshehur gëzimin, dritën dhe misterin e saj.
Pjesa e tretë
Lajmi se ishte ajo e përzgjedhura e piktorit të ri nuk shpëtoi pa u përfolur në manastir. Të gjitha e shihnin me zili, ndërsa ajo ishte e bindur se pas provave të para piktori do ta kuptonte se kishte gabuar. Mbi një karrike të drunjtë ndenji për ditë me radhë duke pozuar. Luka nuk kishte shumë fjalë. Ajo ishte porositur që të mos fliste me piktorin. Kishte kohë të studionte lëvizjet më të vogla të gishtave të djaloshit mbi letrën e trashë ku ai përgatiste bocetin.
Ditet kalonin mes lutjeve, qelës, leximeve, supës me patate dhe pikturës. Një mëngjes erdhi ta takonte e ëma. Mes lotëve dhe përqafimeve ajo vuri re një unazë martese në dorën e së ëmës.
– Atëhere? – pyeti me shpresë se përgjigja e saj do t’i vërtetonte se ajo po gabohej
– Oh, e dashur, po! Ne finalizuam lidhjen tonë në martesë. Xheku ndiqte me sy për së largu bisedën e tyre.
– Sot erdha të takohemi sepse do largohemi për në Jug. Plantacionet që la babai yt kanë nevojë për një dorë të hekurt. Ti e di që i kisha lënë pas dore që kur ai u nda nga jeta. Xheku u tregua shumë fisnik me vendimin që të merrej seriozisht me te gjitha. Nuk di si ta falenderoj.
– Mama, çfarë do të ndodhë me mua po qe se ti largohesh?
– Oh, e dashur. Kam menduar edhe për këtë. Nuk do guxoja të shikoja lumturinë time pa sistemuar gjëndjen tënde vogëlushe .Në shtëpinë tonë ka ardhur teto Ana. Ajo do kujdeset për gjithçka. Nëse të duhet gjë, ti e di që ajo do jetë gjithmonë pranë teje. Por duhet të më premtosh se do mësosh shumë dhe do qëndrosh këtu derisa të arrish një moshë madhore që të jesh e aftë të vendosësh për jetën tënde.
Sytë iu mbushën me lotë dhe filloi të dridhej si nga ethet. Iu var në qafë së ëmës dhe iu lut ta merrte me vete. Nuk mund të qëndronte aty në atë vend.
– Duhet të nxitojmë që mos të humbasim trenin, – foli pas krahëve të saj Xheku.
Kishte ardhur si hajdut dhe po dëgjonte bisedën e tyre me nje fytyrë të shpërveshur duke parë pa pushim orën. Ai nuk i duronte dot skenat e lotëve. Ndoshta sepse vetë nuk ishte ndarë kurrë nga askush. I rritur në një qendër birësimi, ai ishte sivëllai i njeriut të akullt dhe skeptik përsa u takonte marrëdhënieve njerëzore. Nuk i kishte njohur prindërit. Pasi arriti moshën madhore e ndoqën nga shtëpia e kujdesit dhe u strehua tek vëllai i nënës, një famullitar i alkoolizuar, i cili ishte gjetur i vdekur në rrethana të dyshimta
– Marie, do vij shumë shpejt të të takoj. Më premto që do sillesh mirë.
Ajo tundi kokën në mënyrë të papërcaktuar dhe pa supet e së ëmës që dridheshin nga ngashërimi tek largohej me hapa të mëdhenj. Vrapoi si e çmendur në drejtim të kundërt nga rruga që mori e ëma. Tashmë ato të dyja u përkisnin dy udhëve të ndryshme, ndoshta kurrë s’do bashkoheshin më.
Ndaloi për të marrë frymë në fund të kodrës ku mbaronte muri rrethues i manastirit. U shtri me fytyrë nga qielli. Kripa e lotëve të hidhur u përzie me rrezet e fundit të diellit dhe krijuan një ylber në sytë e saj.
Pjesa e katërt
Nuk e dinte sa kishte ndenjur në atë vend. U ngrit dhe mori udhën e kthimit për në manastir. Pas një druri arre të moçme, mbuluar nga degë akacjesh të çelura, pa një qelë të braktisur. Dera e drunjtë ishte gjysëm e hapur ndaj trokiti dhe futi pak kokën. Një erë e rëndë parafine dhe druri të djegur i shpoi hundën. Brënda nuk kishte njeri. Iu kujtua që murgeshat i kishin folur për të. Pamja e qelës ia forcoi ndjesinë e vetmisë, u kthye e ia dha vrapit sërish. U kthye në qelën e saj kur murgeshat e tjera sapo ishin shtrirë. U mblodh kruspull nën jorgan dhe fjeti pa ëndrra
Te nesërmen Luka vuri re se ajo ishte prishur në fytyrë.
E kishte parë takimin me të ëmën e njerkun nga dritaret e kishës ndërsa punonte.
– Mos lejo të kaluarën të të zotëroje kështu – i tha ëmbël duke e prekur butë në faqe.
Ajo mori frymë lehtë. Nuk mund të shqiptonte asnjë fjalë. Luka tundi kokën dhe i tha:
– Le të vazhdojmë punën.- Zgjati gishtat dhe me mollëza i largoi flokët nga balli.- Balli i Shën Marisë është qiellor, i pastër, – tha ndërsa punonte me vrull mbi letrën e trashë. Fjalët e ëmbla të Lukës, vështrimi i tij i drejtpërdrejtë, e bënë të besojë se asgjë nuk mund ta kercënonte më. E prekur dhe e lehtësuar nuk mundi t’i përmbante lotët.
Ndërkohë pranverës po i vinte fundi dhe ajri të mbyste. Një pasdite, pasi kishin kaluar gati tri orë duke punuar, Maria e ftoi Lukën për një shetitje. Ndjeu nevojën t’i hapej dikujt dhe i foli për jetën e saj përpara se të hynte në kuvend.
– S’ia kam treguar askujt më parë të gjitha këto, – tha. – Kisha frikë, por tani që i ndava me dikë çuditërisht nuk kam më frikë.
Kishin thuajse të njëjtën histori në jetë. Ajo kishte humbur babain dhe ai ishte rritur jetim pa të ëmën. Për të çdo femër përfaqësonte formën më sublime të gruas që i kishte munguar gjatë jetës.
– Më fol pak për babain tënd. Si ishte ai?
– Të ngjante ty, – i tha ajo duke tundur flokët e zinj e të ndritshëm.
Ai kishte disa ditë që luftonte tundimin, por ndërsa e shihte ashtu të tërën qarkuar me nje dritë mistike rrëfimi, nuk u përmbajt dot. Përkuli kokën dhe e puthi. Buzët e tij prekën gojën e saj gjysëm të hapur.
– Jo, jo… jo kështu. Jeta ime i përket Zotit, – tha ajo dhe u zmbraps. Ai e tërhoqi nga vetja dhe e puthi përsëri, gjatë.
– Pas disa ditësh puna do mbarojë dhe unë duhet të largohem prej këtej.
– Ti do gjesh një punë tjetër, jam e sigurtë, – i tha ajo shpejt.
– E vetmja gjë që dua, është të jem me ty, – foli ai. – Je gjëja më e mrekullushme që më ka ndodhur në jetë.
Murgeshat kishin dalë për shetitjen e mbrëmjes pas lutjes dhe po i shihnin me dyshim dy të rinjtë që ecnin pranë e pranë, në rruginën pranë kasolles së murgut të verbër.
– Të dua, Marie.
Ai e tha këtë kaq lehtë sa asaj ju duk se i bënë veshët. Ndaloi hapat dhe u kthye nga ai. Përballë fytyrës së bukur te djaloshit u ndje një grua e fortë dhe me besim tek vetja. Dukej se tani ishte ai që vuante. Ajo e tërhoqi nga dora dhe të dy hynë në gjysëmterrin e kasolles. Me një lëvizje të dorës ajo hoqi nga koka mbulesën e murgeshës dhe lëshoi flokët e gjatë.
– Do ta ndjej tmerrësisht mungesën tënde, – psherëtiu dhe mbeshteti kokën në gjoksin e tij.
Në ditët në vazhdim Maria u bë më e gjallë. Askush nuk e kishte parë aq të zhdërvjellët dhe të qeshur. Ndiqte seancat e mësimit, më pas lutjet, ndihmonte Nënën e madhe në punët e përditshme të kuvendit. Pas drekës shkonte në kishë për të pozuar nën veshjen e gjatë e të zezë dhe me shallin mbi flokët gjysëm të zbuluara. Netëve ata takoheshin në kasollen e braktisur në fund të oborrit të manastirit. Sa keq ndjehej Maria ndërkohë që çdo ditë e më shumë po i nënshtrohej të pashmangmes. Natën e fundit para se ai të largohej, vendosën ta finalizonin atë valë pasioni që i kishte mbërthyer të dy dhe po i përplaste pa mëshirë si valët pas bregut. Ishte përvoja e parë për të dy. Ai ia hoqi shallin nga koka dhe ajo filloi të ngrinte ngadalë veshjen e ashpër që i mbulonte trupin duke bërë të duket këmisha rozë që ia nxirrte në pah format e trupit. Sa herë e kishte përfytyruar trupin e saj poshtë veshjes së zezë dhe tani e kishte të tërën përpara syve. Duart i ngatërroheshin ndërsa zhvishej.
E mbuloi me të puthura. Ishte i kujdesshëm në çdo lëvizje. Pas pak u ndje brënda saj. Që nga ai moment ata i përkisnin vetëm njeri-tjetrit. E kishin ruajtur veten për njeri-tjetrin dhe kjo ishte mrekullia më e madhe.
Maria u vesh dhe doli duke e puthur për herë të fundit.
……………………………………………………………………
Kishëza e vogël në manastirin majë kodre ishte bërë një vend i parapëlqyer për të gjithë kontenë. Vizitorët vinin të zhvillonin aty ceremonitë e tyre familjare. Portreti i Shën Marisë ndrinte në ballë të hyrjes. Rreth saj engjëjt e bardhë me krahë të shtrire dukej sikur bekonin këdo që hynte për t’u lutur.
Nëna e madhe kërkoi Marien të paraqitej në zyrën e saj. Gjëndja e rëndëuar e Maries nuk kishte kaluar pa u vënë re nga ajo. I thanë se kishte ditë që rënkonte nga ethet në shtrat. Nëna Murgeshë e tmerruar kërkoi të pregatisnin karrocën dhe ta dërgonin menjeherë Marien tek tetoja e saj derisa gjendja të përmirësohej. Në një kuvend me njëqind murgesha dhe vizitorë të panumurt, ajo nuk donte të përhapej epidemia. E mbështjellë me batanije të trasha dhe e shoqëruar vetëm nga një murg, Maria dridhej në ndenjësen e prapme. Karroca përplasej nëpër rrugën e pashtruar dhe çdo lëvizje i shkaktonte dhembje në trupin e drobitur. Prej ditësh i lutej Zotit të vdiste. Nuk mund të përballonte më. Pas një nate të tmerrshme udhëtimi mbërriti tek shtëpia e prindërve të saj ku prej vitesh ishte kthyer të jetonte tetoja.
Ana u trondit kur pa fytyrën e nxirë të Maries, rrathët poshtë syve i ishin thelluar. Nuk kishte mbetur asgjë nga shkëlqimi i mbesës së saj të vogël.
Lajmëroi mjekun e familjes dhe ai erdhi i alarmuar. Pas vizitës ai kërkoi të fliste vetëm për vetëm me teton. I shpjegoi se Maria nuk vuante nga tuberkulozi, ajo priste një fëmijë.
Ana u plas në kolltuk. Të dy hynë ne dhomën e vjetër të gjumit të Maries dhe i treguan të vertetën. Për çudinë e tyre, Maria vuri buzën në gaz me mundim dhe ia plasi vajit e lehtësuar. Ishin lot gëzimi.
– Të paktën e njeh kush është babai i këtij fëmije? – pyeti teto Ana pasi tronditja e parë kishte kaluar.
Pas humbjes së prindërve dhe më pas të vëllait të saj të vetëm, Maria ishte njeriu i vetëm që i kishte mbetur në botë. E dinte që Maria ishte dërguar kundër vullnetit të saj në manastir ndaj nuk e qortonte që kishte arritur puna kështu.
– Është njeriu që dua, – foli Maria me krenari dhe një dritë i përshkoi fytyrën.
– Ku jeton?
Teto Ana dërgoi shërbëtorin e tyre, Metin, të kërkonte Lukën. Ai punonte në një kishë të madhe, por lajmi që Maria priste fëmijën e tyre e bëri të linte çdo gjë dhe të vraponte pas gruas së tij.
U takuan mes lotësh, tetoja i la vetëm. Kur u kthye në dhomë pas shume orësh i gjeti sërish në krahët e njeri-tjetrit.
Pjesa e pestë
Muajt kalonin dhe Maria po e merrte veten çdo ditë e më shumë. Prania e Lukës, kujdesi i teto Anës, ajri i pastër dhe ndjesia e foshnjës që mbante në bark, e rilindën. Kishte harruar çdo kujtim të hidhur dhe tani mendonte për jetën e re. Vajza e tyre erdhi në jetë në fillim të pranverës. E pagëzuan me emrin e nënës së Lukës, Sofi.
Gjatë tërë atyre muajve Maria nuk ishte kujtuar për manastirin. Një mëngjes mori letër nga Nëna Murgeshë e cila pyeste për shëndetin e saj dhe lajmëronte se së shpejti do të shkonte ta vizitonte, me porosi edhe të njerkut të saj. Oh, jo… jooo. Nëse do ta vizitonin, do zbulonin vajzën e saj.
Këtë nuk mund ta lejonte. Sipas urdhërit të kuvendit, një murgeshë nuk mund të lindte femijë dhe nëse kjo do të ndodhte, fëmija duhej të zhdukej. Mori një vendim që do t’i kushtonte shtrenjt, por të pakthyshëm.
Të nesërmen, ndërsa murgeshat u mblodhën për të përgatitur kremtimin e Pashkëve, nga karroca e postës zbriti Maria. Disa nga murgeshat gati nuk e njohën. Ishte shëndoshur dhe një dritë e brendshme ia ndriçonte fytyrën. U përshëndetën me hare. Nëna Murgeshë doli nga zyra e saj për ta përqafuar.
– Ti paske rilindur, vajzë e dashur. Mesa duket asnjë gjurmë e sëmundjes nuk ka mbetur. Jam e lumtur që je mes nesh sërish.
Nëna Murgeshë i njoftoi gjatë meshës se vetë Papa do t’i vizitonte ato në ditën e Pashkës. Vajzat brohoritën nga habia dhe gëzimi. Iu futën punës për t’i bërë një pritje madhështore. Gjatë ceremonisë do ishte i pranishëm edhe piktori qe tashmë ishte bërë i famshëm në restaurimin e kishave në të gjithë vendin.
Ndërsa u shtri në shtratin e hekurt të qelës së saj, Maria ndjeu një curril qumështi t’i përshkonte këmishën. Gjoksi iu ngroh. Mendimi se ishte larg së bijës e trishtoi pa masë. Shtrëngoi gjoksin instinktivisht dhe la lotët e qumështin t’i rridhnin në një duet dhembje e malli. Nuk mund të jetonte pafundësisht e dyzuar. Nuk mund të jetonte larg vogëlushes së saj të dashur. Historinë e dashurisë së vet ajo nuk e quante aspak të turpshme. Por si mund t’ia shpjegonte Nënës Murgeshë?
Mbylli sytë dhe iu lut Zotit për gjithë natën ta shpëtonte nga ai makth.
U ngrit në mëngjes më herët se murgeshat e tjera. Shkoi në fund te koridorit ku ishte telefoni statik. Formoi numrin e shtëpisë së saj. Teto Ana flinte.Nga ana tjetër e telefonit iu përgjigj njëri prej sherbëtorëve.
– Dua të flas me teto Anën, jam Maria. Të lutem zgjoje sepse është urgjente.
Planin e kishte menduar për gjithë natën. Pas drekës së Pashkëve ajo dhe Luka do të arratiseshin nga manastiri. Teto Ana do t’i priste së bashku me Sofinë e vogël në një tavernë në dalje të rrugës kryesore. Do të ndërtonin jetën e tyre të re. Brenda atyre mureve ajo nuk ishte një grua, ishte një murgeshë. Kjo duhej të ndryshonte. Papritur në shpirtin e Maries ishte ngjallur protesta. Ndjesia e nënës e kishte pajisur atë me forcën dhe gatishmërinë për t’u vetëflijuar nëse do të ishte nevoja.
Plani tashme ishte i kryer. U kthye në dhomën e saj dhe u përplas në krevatin e hekurt që kërciste nën peshën e ankthit që e kishte mbërthyer.
E Kremtja e Pashkës mblodhi atë ditë shumë njerëz në manastirin e vogël majë kodrës. Fjala e kishëzës së restauruar me modele nga vetë murgeshat e kuvendit ishte përhapur me shpejtësi dhe të gjithë ishin kurreshtarë ta shihnin. Ceremoninë e meshës atë ditë do ta drejtonte vetë Papa. Muret brenda dhe jashtë manastirit ishin rrethuar me roje. Tryeza e drekës ishte shtruar në mjedisin e jashtëm. Luka erdhi më herët nga sa priste Maria. Veshur me këmishën e tij të kaltër me kopsa të arta, me kilotat e ngushta në fund dhe xhaketën e lëkurtë, asaj iu duk vërtet si princi i përrallave që me puthjet e tij e kishte zgjuar nga gjumi i përjetshëm. Shkëmbyen vështrime të përmalluara, pa guxuar më shumë se aq. Gjatë drekës Luka gjeti një moment pushimi për ta pyetur me mërmëritje si ishte vajza. Ajo tundi kokën duke i dhënë të kuptonte se ajo ishte mirë. Çdo gjë do të shkonte sipas planit.
Pas meshës murgeshat dhe vizitorët po shijonin zbukurimet në mjediset e brendshme të kishëzës. Papa ecte paqshëm nëpër rruginat e saj i ndjekur nga Nëna Murgeshë dhe Luka i shpjegonte çdo imtësi të pikturave murale. Kur ndaloi përpara portretit të Madonës, Papa kërkoi të dinte cila ishte murgesha që kishte pozuar. Nëna Murgeshë e afroi Marian pranë tij. Ati ndaloi shikimin mbi të .
Maria me një përkulje qiellore u përkul, preku tunikën e bardhë dhe ndaloi cepat e buzëve mbi unazën e Tij.
Ai vuri dorën mbi shaminë që ia mbulonte flokët, ngriti kokën lehtë dhe buzëqeshi. Maria kishte kuptuar se manastiri nuk ishte vendi i saj dhe ky takim me Atin e Shenjtë e bëri të ndjehej fajtore.
Papritur fytyra iu errësua, nuk po shihte më, veshët po i buçisnin dhe ra pa frymë në tokë. Lëngu i bardhë i ndritshëm kishte përshkuar cohën e zëzë të veshjes së saj në të dy anët e gjoksit. Sytë e të gjithëve ishin zgurdulluar mbi të.
Nëna Murgeshë që kishte kuptuar gjithçka e pa me neveri dhe e urdhëroi të mbyllej ne qelën e saj. Maria u çua mundimshëm duke u mbajtur pas murit. Luka iu afrua me rrëmbim dhe e zuri për krahu.
– At, Ati im… unë duhet të rrëfehem.
Zëri i tij çuditërisht u bashkua me ofshamën e Maries që nuk e la të fliste
– Jo, jooo, Luka! Më lër të shkoj unë drejt kësaj Golgote të pakthyeshme. Vogëlushja jonë ka nevojë për ty. Shpëtoje…Ik tani!
Por ishte tepër vonë. Rojet e manastirirt kishin sjellë në këmbët e Nënës Murgeshë teto Anën që mbante në krahë Sofinë.
Maria kishte mbetur me vështrimin e mbërthyer mbi buzët e Atit. Mjegulla filloi t’i fashitej. Ishte e sigurtë që ai do të dëgjonte dhe pranonte rrëfimin e saj. Lutej qe ai të mos e mallkonte dhe do t’i thoshte se e meritonte faljen. Si mund ta ndalte tani vrapin e çmendur të zemrës së saj që kishte kërkuar të arrinte të pamundurën?
Me zë të dridhur i tregoi Atit historinë e saj.
Me të njejtën pamje të paqme dhe të menduar, Ati i Shenjtë ju afrua. Ndaloi sytë mbi pikturën e Shën Marisë, më pas mbi Marian dhe Lukën.
U ul me mundim në gjunjë aq pranë sa vështrimet e tyre u përqafuan dhe foli:
– Bija ime. Ti e di se cila je në të vërtetë dhe ky zbulim është mrekullia më e madhe për mua. Më habit sesa kontradiktore je në një moshë që të tjerët e shohin botën të sheshtë. Unë kam besim se ti do ta zgjidhësh vetë enigmën që ke brenda teje. Tani mendo vetëm të qetësohesh.
Ati i Shenjtë e ftoi me sy Lukën te afrohej; bashkoi duart e tyre dhe vendosi kryqin mbi to.
– Unë e bekoj dashurinë tuaj në martesë, – tha solemnisht.
Në kishën e vogël mbi kodër të pranishmit u përkulën dhe i lanë vendin dy të rinjve që ecnin përkrah njeri-tjetrit drejt portës dalesë.
Këmbanat e kishës binin çdo një minutë. Kumbimi i tyre ngjante si thirrja që ata të dy i kishin kërkuar Zotit, të bindur se dita e bekuar do të vinte.
– Të dua, Luk, – pëshpëriti ajo ndërsa shtrëngonte në krahë vogëlushen.
– Dua ta dëgjoj këtë fjalë çdo ditë të vitit dhe çdo çast të ditës… deri në frymën e fundit, – iu përgjigj ai duke e tërhequr nga vetja.
Zbritën shkallët e gurta që të çonin në breg të detit. Kishin kaluar dy vite të gjatë të një historie dashurie të pazakontë.
Veshur me rrobën e gjatë të murgeshës, me flokët e lëshuar, Maria i ngjante një fëmije të zënë në faj, që ka dëshirë të dëgjojë se e kanë falur.
Donte të rrinte sa më shumë në atë vend pelegrinësh dhe të lutej pa pushim, për të ndjerë e rindjerë pështjellën delikate të shpirtrave të qetësuar, që dinë të pranojnë njëherësh pendesën dhe dashurinë e pamatë.