Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Trishtimi dhe tharmi i të shkruarit në romanin bashkohor

Janë pikërisht çastet e trishtueshme traumat shpirtërore që shpesh herë ndikojnë fort në evoluimin e mendjes operacionale, e cila e strehon thellë në kujtesë një ngjarje gjurmëmadhe e cila me kalimin e kohës përpunohet në laboratorin krijues të shkrimtarit deri sa lind vepra.

Në karakterin e shkrimtarit, janë atomet që shërbejnë si një lloj katalizatori, i cili vepron me një ngarkesë të jashtëzakonshme që sjellin veprën letrare. Duke qenë qenie njerëzore evolutive, si gjithë njerëzit e botës, shkrimtari vëzhgon, mediton thellë për diçka që mbetet brenda shpirtit të tij deri sa nxjerr veprën. Shkrimtari vrojton histori dhe fabula tepër interesante me një tharm, a seleksionon mençurisht gjërat speciale që kanë interes për lexuesin. Shkrimtari duhet vrojtuar poashtu edhe nga guximi dhe ngurrimi për gjënë e thënë a gjënë e pathënë.

Atij që pretendon shkrimtarin gjithsesi i lejohet të ndjejë brenda vetes çaste trishtimi, por asesi çaste ligësie. Shkrimtari dhe koha ecin bashkë dhe shumica e çasteve të asaj kohe janë çaste trishtimi apo ndjesie.

Çastet e trishtimit janë çastet e vërteta që e bëjnë shkrimtarin produktiv. Janë pikërisht çastet e trishtueshme ato që ndikojnë fort në zbulimin, evoluimin e mendjes, madje edhe në karakterin e shkrimtarit, janë atomet e ligështimit ato që shërbejnë si një lloj katalizatori, si një lloj zbuluesi. Duke qenë qenie njerëzore evolutive si gjithë njerëzit e botës, shkrimtari mediton dhe vëzhgon ngjarjet pikante çdo ditë

Trishtimi, për gjithë njerëzit e botës do duhej të jetë një gjë e huaj, e papranueshme. Pavarësisht se letërsia nuk është moral, një shkrimtar nuk mund të funksionojë si i tillë pa qenë i karaktershëm.

Po njeriu i zakonshëm? Ç’është në të vërtetë?

Njeriu i thjeshtë, njeriu i zakonshëm është preokupimi i përhershëm i shkrimtarit, madje pa e ndarë veten asnjëherë nga ai, e thënë në mënyrë figurative, shkrimtari e di mirë se prapa asaj ferrës së vogël fshihet një lepur i madh; aty tek ajo që duket e thjeshtë, aty është drama. Le ta ilustrojmë faktin e trishtimit ku lind ai tharmi që do të sjelli veprën letrare. Le ta ilustrojmë këtë fakt me disa fabula të cilat i kam kthyer në romane gjatë krijimtarisë sime. Pas eksperiencës me novela me lindi idea që në vitin 2000 të shkruaja një roman.

Ishte një ditë e zakonshme. Mamaja më thotë:

– Do të bëj një kërkesë nëna të shkojmë tek varrimi i asaj plakës që vdiq dje…

-Mirë,- i them mamasë hajde se nuk po ta  prish…

Por çfarë doli nga ai varrim i plakës?

Një familjeje i del llotoja amerikane dhe e lë fare vetëm nënën e djalit duke i shitur edhe vilën dhe duke e vendosur në një hyrje gasoniere fillikat vetëm. Atë ditë herët në mëngjes në krahët e nipit dhe mbesës plaka ndërron jetë… Ajo varroset nga fqinjët. Ishin shumë pak njerëz sa mezi rrethohej gropa ku do të varrosej plaka. E mbuluan me baltë dhe pa asnjë kurorë, punëtori i varrezave vendosi pllakën. Një grua me fytyrë inatçore iu drejtua pjesmarrësve:

– E di unë,- si e ka rritur këtë djalë që dje iku në Amerikë.- E çoi në shkollë të lartë dhe ai nuk mësonte, i ndërroi tre fakultete dhe përsëri nuk mbaroi shkollën dhe kjo plakë e mjerë që po varrosim sot shiste gjakun e saj që ai të vazhdonte fakultetin që nuk i mbaroi kurrë. Plakat mblodhën lekët e vogla që kishin me vete dhe hëngrën një drekë të thjeshtë… Fabula dhe ky tharm solli romanin “Vrasja e shpirtit”.

Le të marrim një tjetër roman “Në burgun e Selanikut”. Një grua fatkeqe që shkon emigrante në Greqi për një jetë më të mirë, burrin ia shtyp makina aksidentalisht; falë bukurisë që kishte atë e merr të bashkëjetojë një bankier grek dhe kur ajo kërkon të kthehet në Shqipëri se vajza e saj ishte martuar dhe ishte shatëzanë pronari grek nuk e lejon, madje i kishte bllokuar dhe lekët e saj në bankën e tij. Kur ai ishte jashtë Selanikut, Sofia shkon të marri lekët dhe kur ato punonjëset e bankës nuk ia japin ajo i kërcënon me pistoletë. Vjen rastësish bankieri dhe e sulmon duke e fyer Sofinë me fjalë të ulta, ndodh një shkrepje padashje. Sofia bën 15 vjet burg ku asaj në burgun e Selanikut i marrin gjak herë pas here dhe e përdhunon drejtori grek  i burgut…

Kjo ishte fabula që u shkrua romani “Në burgun e Selanikut“.

Më pas erdhi romani “Një vrasje në Shën Valentin”, fitues i çmimit Kuteli, i botuar i gjithi në gazetën “Shekulli”. Vrasja e një vajze të pafajshme nga disa bosa që e kishin në firmën e tyre dhe kur ajo mbetet shatëzanë e vrasin me një vrasës me pagesë. Paraja shkon deri tek policia që nuk i bën AND foshnjës që kishte në bark për të përcaktuar autorin që e kishte lënë shtatzanë për të shkuar tek autori që kishte porositur vrasjen.

Po kështu edhe fabula e romanit “Lule të vyshkura në prill” është marrë edhe ky nga një ngjarie reale. Një diplomat shqiptar që vjen të mbytet në liqen në Pogradec se i ka vdekur e shoqja në një aksident; duheshin aq shumë saqë ai nuk e donte jetën. Ai shpëtohet rastësisht nga disa peshkatarë, por pas disa kohësh gjen disa letra të fshehura që Zhuli e kishte tradhëtuar atë me një infermier për gati 35 vjet…

-Ku ti çoj ato dekada jete që kam kaluar me Zhulin, nuk është një ushqim i prishur që mund ta vjellësh, por i thonë jetë… më tha personazhi kryesor. Ky roman ka që në vitin 2009 që qëndron në Google, i botuar i gjithi, vetëm të klikoni: “Lule të vyshkura, Bardhyl Berberi”. Më pas erdhi romani “Një natë në Çikago”, një ngjarie rrënqethëse, i gjithë romani zhvillohet brenda një nate në një dhomë hoteli në Çikago dhe ka dramën e një familje shqiptare në emigracion ku burri braktis Amerikën, ndërsa e shoqja qëndron në kontinentin e largët. Atë natë në hotel i bëhet autopsia gjithë jetës duke zbuluar se nga një e çarë e trupit, e mendjes dhe e shpirtit njeriu prodhon pakënaqësinë, boshllëkun që shkojnë deri tek tradhëtitë…

Apo “Shtëpia e kukuvajkës”, një tjetër histori rënqethëse apo romani “Dashuri e mallkuar”, një roman që kullon gjak. Rënia në dashuri e një vajze 17-vjeçare me oficerin gjerman që i ka vrarë të atin shpërfill të gjitha ligjet e shkencës biologjike, që ndërkallet në placentën e një lufte botërore ndërsa vret e pret njerëz gjallon jetë njerëzore… Në këtë afresk monumental dritë hije, intimo –socialae, në dy zemrat e të rinjëve, oficerit nazist dhe Sofisë mes kufomave të përgjakura çel si gonxhe një dashuri e çmendur… Apo më pas “Mëkati i gjeneralit në Prishtinë”, edhe kjo një fabul nga realiteti, gjenerali i KFOR-it kalon në depresion pasi përkthyesja e tij aborton një fëmijë që ka ardhur si rezultat i një kontakti seksual të padëshiruar…

I solla këto shembuj për të treguar se për një shkrimtar bashkohor përzgjedhja e fabulës dhe ai tharmi special është si puna e asaj majasë që bëhet buk.a

Besoj se gjatë jetës, karakteri i njeriut rrjedh njësoj si uji i lumit shtratit të vet. Kur del nga burime, uji i lumit është i pastërt e i kthjelltë siç është i pastërt dhe i kthjelltë edhe vetë karakteri i njeriut dhe veçanërisht kështu do të jetë shkrimtari

Përkundrazi, karakteri është një fluid shpirtëror i rrjedhshëm dhe i ndryshueshëm, varësisht nga influentimet që ushtrohen mbi të.

Një lumë i rregulluar në shtratin e vet, i mbrojtur nga rrjedhat e ndryshme përreth tij, me këtë rast i mbrojtur edhe nga hedhurinat lëndore si mund të jenë edhe papastërtira duke kaluar nëpër gurë filtrohet dhe në fund del i pastër në fundin e vet arrin fare i pastër. Në mos fare, së paku në atë masë pastërtie që ka qenë kur është nisur nga burimi.

Në rrethana ballkanike është tepër e vështirë të gjesh një lumë me një burim të pastërt ku nuk është hedhur asnjë hedhurinë. Shumë këneta brenda një shoqërie civile bëjnë një shoqëri kënetash. E kënetat nuk sjellin tjetër gjë, përpos malarje.

Misioni i shkrimtarit është pikërisht bërja me gisht tek  hedhurinat dhe tek këneta që krijohen. Misioni i shkrimtarit është shenjëzimi i së keqes, sidomos shenjëzimi i përhapësve të së keqes në shoqëri, shenjëzimi i kënetave. Është në vetë shpirtin e shkrimtarit mekanizmi i zbulimit të së keqes. Zbrapsja e shkrimtarit para këtij mekanizmi natyror, apo para ndjesisë së vet, do të thotë se aty ka trishtim, dhimbje njerzore. Të gjithë ata që pretendojnë të jenë shkrimtarë, duhet ta dijnë këtë. Gjatë një intervistë me shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare në shtëpinë e tij më ka thënë:  Në një vend anormal kam shkruar një letërsi normale… Por nëse shkrimtarët nuk janë si lumenj, si pastërti, nëse bëhen palë me të keqen kjo letërsi që prodhohet nuk i shërben masës… Shkrimtarët duhet të jenë gjithmonë si shnajper që veprën e tyre të sjellin fabula plot me tharm që i shërben shoqërisë duke përmbushur atë kuptimin hedonistik që ka arti; me anë të veprës shkrimtari të sjelli mesazhe që i shërbejnë shoqërisë dhe e edukojnë atë. Solla këtu në këtë takim eksperiencën time personale dhe disa nga fabulat e mia që janë shkruar romane prej meje…

Diskutimi në Varna të Bullgarisë, 23 Prill 2017 me romancierë bashkëkohorë europianë.

 

 

 

 

Please follow and like us: