Elta Milori: Kauza e munguar për dhunën ndaj gruas
Kemi gati prej disa muajsh që përveç pandemisë e pasojave të saj, po përballemi me efektet e procesit zgjedhor pas zgjedhor. Studiot televizive janë pothuajse të njëjta, ndryshojnë analistët dhe moderatorët, gati gati thonë e thonë, gjithçka e ngritur mbi thënie flasin e flasin, i thashë e më tha, të gjithë me një celular në dorë. Dikush u shkruan çfarë të thonë, ose i shan për çfarë kanë thënë gabim, ose i ironizon. Shqiptarët qepen pas ekranit dhe dëgjojnë po ata, vërtiten rreth atyre dhe dita fillon nesër prapë ashtu…
Po mirë, si nuk u ngrit një panel jo me burra po me ca gra që përfaqësojnë politikën, biznesin apo çfarë do lloj fushe tjetër, të ngrejë zërin e të përçojë në këtë shoqërinë e bukosur shqiptare, një kauzë për gjithë ato gra të vrara nga bashkëshortët vetëm këto ditë.
Është alarmant fakti i mosfunsionimit të urdhrave të mbrojtjes, e kam thënë dhe herë të tjera.
Moszbatimi i vendimeve të gjykatave tregon dështim jo vetëm të një sistemi, por të shtetit vetë.
Nuk e kuptoni që kur vritet gruaja në sy të fëmijëve, kur lidhet e torturohet, kur vritet në derën e gjykatës, na nxihet pamja të shikojm në tv, fytyra të lyera e të trukuara e gishta plot unaza, e me veshje firmato, që predikojnë nga mëngjesi në darkë dijet e hiret e tyre e diskutojnë për çdo gjë, por vetëm për një platformë reale për ruajtjen e forcimin e gruas nuk diskutojnë.
Ne që përballemi me këtë fenomen nga mëngjesi në darkë, i bëjmë thirrje gjithë elitës së shoqërisë shqiptare e sidomos atyre të grave, fokusohuni te dhuna në familje, fokusohuni te punësimi i grave, fokusohuni te gruaja rurale, fokusohuni te ajo pjesë e shoqërisë pa të cilën nuk ka jetë, nuk ka oksigjen, nuk ka ajër.
Po shoqëria civile? Po shoqatat e grave? Po klinikat ligjore falas? Funksionojnë?
Përgjigja ime do të ishte: Janë bukosur dhe ato nga dhe për shumë arsye.
Fokusohuni, vini dorë sa nuk është vonë.