Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Letër detit

Poemë

 

 

Të shkruaj këtë letër për ty

Kaq larg nga era e jodit

Dhe çjerrja e pulbardhave

Në breg

është sikur të ringjall të vdekurit

Me kockat e thërrmuara

Nga koha.

Pranë nuk të kam

Ndaj tani atje larg, ti pse aq fort

Turfullon? Pse shfryn ti breg deti

ti erë e ftohtë dhjetori pse fort shkrofëtin?

Me qindra kilometra larg,

udhët e harruara në këmbë do t’i bëja

si bredharak pa shans

për të arritur tek ty dheu im

ti këtë fare mirë e din.

Kamzhikon, shiu mbi dhe

këtu ku jam ai kobshëm mbi xhama troket.

Tik tik

si sqepa sorrash vetmitare mbi rrasht,

miliona orë trishtimi

fundosen në koshin e harresës

ndoshta kurrë për të mos dalë më,

kurrë.

Ti atdhe që më i shtrenjtë se vetvetja më je

sa më shumë koha kalon

aq më tepër ti ndrin në zemrën time.

Ti rrugë në breg të detit

me pishat e harruara qëkur

lëkura veshur me smog

me qiellin e violentuar nga

grataçelat e konsumizmit,

ti fare heshtur rri.

Të dua edhe pse nuk

jetoj më dot me ty.

Jemi si dy dashnorë

platonikë, që duhen në mungesë

lojë shpirtërash të përzishëm tashmë,

ti me gjerësinë tënde pa skaj

unë me timen brengë bredharake.

Jemi si milingona australiane

që lufton me gjysmën tjetër të trupit të saj.

Gjithçka mes nesh kacafytet

veshja jote anadollake që pranove,

kapadailliku yt shekullor,

provincializmi yt dhe mburrja, nuk i bashkangjitet më

botës sime të re, ku luftohet

Veç për të ditur sa më shumë,

me gjak dhe mund fituar.

Në tokën e Savonarolës.

Veç s’dua të jem më

ai nostalgjiku qaraman

i atyre viteve

që kurrë nuk ikin.

Dua pra të jem thjeshtë këngëtari

i asaj që mbetet. Një vorbull

ndjenjash si të lara me ar.

Dashuri e pastër rinore

që koha si i shtrenjti thesar

që me kujdes fshehurazi e ruajmë në kasafortë,

ndërgjegja

as nuk e ka ndër mend ta flaki tutje

në errësiren frojdiane.

Ne. Të “sëmurët” me vesin e ikjes,

të hidhëruarit në arratisje

gjithë botën e sunduam me babëzinë tonë

fara e kombit tim

me qindra ngjyra

tashmë rrënjë ka zënë

nëpër lëkurën plot rrudha të globit.

Hej ti, filozof

politikan

poet,

mbret, pushtetar.

Mundesh ti pra të më shpjegosh

përse elefantët kthehen të vdesin

në dheun që i lindi? Dhe përse

salmonët duke notuar

kundër rrymës, atje e mbajnë frymën

ku vezët çdo vit depozitojnë?

Hija e atdheut

si një ngjeshje thike

në vithet e heshtjes

pabesisht

ngulet. Nuk shpëtoj dot!

Nuk çlirohem dot nga

mendimi mbi ty, edhe pse

horrat, të kanë dhunuar pabesisht,

edhe pse mafiozët e kanë

ndarë prapa dyer

ministrish gjoksin tënd

te qashtër prej dallgësh

nëna ime romantike, bregdet.

Ti ike populli im

si njeriu i cili

të gjithë të drejtat të iki i ka

firoi gjaku yt

duke themeluar republika ëndërrash

nëpër kushtetuta të lira

ku asnjë nuk ta mbyll gojën

për një ide. Ike pra

nëpër popuj të vjetër

dhe të rinj të dheut. Ti ike

Populli im

edhe pse thellë-thellë,

kurrë nuk niset vërtetë

ai që e deshi aq shumë dheun e parë.

Dheu i parë si dashuria e parë është.

Ka një vend të rëndësishëm

në tempullin e zemrës.

Një rrugë,

një plep, një fytyrë

një buzeqeshje e thjeshtë

një gur!

Si dielli i asaj epoke

që kurrë nuk vyshket

kurrë më nuk e harron.

Ka edhe nga ata

që shpëlajnë trutë

në harresën e frikshme

dhe fëmijëve as një fjalë

shqip nuk i mësojnë

për t’u bërë sa më oksidentalë.

Të ishte deti im. Ndërgjegja e fshirë

me lëngun magjik të harresës

do të ishte kob i madh

për njeriun të të harronte.

Pa të shkuarën jemi, si asgjëja e frikshme,

pa të ardhmen jemi,

si kafshët steril, të tredhura

të cilave ua

kanë hequr ëndërrën

me narkozë.

Abort mendimesh!

Shpëlarje

e tmerrshme trush.

Ti toka e ime, larg,

ku nuk mundem më të jetoj

por as të harroj nuk mundem.

Me mirë të grindem keq

të ulëras dhe të urrej

se sa të vdes në këtë vetmi

rrethuar bukurie të rrallë

e cila kurrë do të jetë tërësisht e imja.

Shkrofëti ti, dallgë e egër,

re të zeza plot bubullimë ku shkoni?

Ku rend ti, erë e marrë dimri

mes dërrasash të kalbura

nëpër kabinat në plazh.

Është tokë e panjohur tashmë

turfullo sa të duash dallgë e egër

ti çjerrje pulbardhash

dhe ti direk atje tutje

që tundesh në erë mes dallgësh

si dorë e lundërtarit

mbi një trap druri

i cili dëshpërimisht kërkon ndihmë.

Ndihmë, ndihmë!

Por veç nostalgji ka

për jetët e shkrumbuara

si veshje të zbardhura

nga koha

që i burgosim

në errësirën e rafteve

përgjithmonë.

Ndihmë, ndihmë! Kujtimi

nuk është përherë violina

mozartiane që na kënaq me tingullin

apo melodia dramatike e ajrit

përpara se qamet i zi

nga qielli të bie mbi tokë me rrufe.

Ndihmë, ndihmë!

Ky kortezh të vdekurish

janë jetët që i lamë. Kurrë më nuk do të jemi

prap ato që ishim dikur.

Drejt ç’trasformimi

shkojmë atëherë ne?

Njohës të asgjësë?

Thinjet njeriu nëpër libra

don të kuptojë diçka

nga ky mister i madh që është jeta.

Aq sa mund të deshifrohen

gurët amorfë dhe memecë

Miliona vjeçarë, po aq mund

të kuptohet diçka nga palat

e padukshme të ekzistencës

Me hulumtimet tona.

Veç dashuria, si një tis hyjnor,

Ndërgjegjen tonë shplan,

centrifugë rigjeneruese. Veç

dashuria fisnikëron edhe

dheun e rëndë dhe të lagësht

ku varrmihës i zënë,

kurrë pa punë nuk do të mbetet.

Hata e madhe do të ish.

U lodhën filozofët,

shkrimtarët u plakën krejt.

Pyetje retorike duke bërë:

kush jam?

Ç’bëj këtu? Sikur

të lindësh dhe të rritësh

Fëmijë plot dashuri, aspaktë

mos të mjaftonte

ky misioni ynë njerëzor!

Ndoshta do ishte më mirë

Të ishe peshk pa ndërgjegje

duke shmangur kështu frikën

e të pashmangshmes, e cila

një ditë patjetër do të vijë?

Oh! Shkrofëti fort ti, dallgë janari

plot bubullima është qielli dhe rrufe

si përleshje Aleksandri.

Erë e çmendur në breg

fshin fare nga kujtesa

edhe kujtimin më të largët.

Ndërsa poeti

më kot mundohej ta

pavdekësonte në vargje

Çastin gjigand!

Të isha akoma i ri,

si një mëz i hasdisur

me këto mend që kam tani,

më shumë jetën do ta dashuroja

më pak do të flija,

më shumë do të pija çakërrqejf

dhe të hidhesha me guxim

në aventura që të stisin e rrisin.

Të isha edhe një herë

njëzet vjeçar, shumë gjëra do të fshija

në tabelën e zezë me shkumësin e bardhë

të fatit.

Do të vizatoja meridianë

Fare të rinj për jetën time. Dhe ta filloja

nga e para. Por, ja që s’jam.

Më e bukur është jeta

kur kupton diçka më shumë

dhe fryma hyjnore, e cila nga qielli zbret

brenda të rinon si dallgë magjie,

dhe kurrë nuk të tret.

Dy jetë nuk kemi pra, por dy shpirtëra po.

Një të vogël dhe me sy të fashuar

një të madhe fare.

Me të cilën duhet të punojmë, dhe

që veshin vë drejt kozmosit,

antenë hyjnore që fragmente përjetësie kap

Vëzhgon, hulumton, dashuron.

Fluturoi dhe shtërg i fundit

plepat në erë po tundin flokët

i zi është qielli si lëkurë Afrike

kob, gjëndje e perzishme

u lodhën satelitët duke dërguar tekste

me e mail nga qielli hyjnor.

Mbi temperaturën e globit.

Oh dashuri e përjetshme

që me kitarë elektrike prej metalari

gdhend muzikën tënde në ajrin bosh.

Dhjetor, ku dielli i verës

është arratisur përgjithmonë, dhe

era e marrë e vjeshtës bashkë me gjethet

e verdha tutje ka dërguar edhe

lumturinë djaloshare. Qeshje,

buzë hyjnore, zëra, melodi

që kurrë nuk vdesin, veç

më sublime bëheni në ndërgjegjen time

gjithmonë. Ti shumë mirë e di.

Figura që mall dhe zjarr keni për dashuri.

Kurrë nuk plaket ky shpirt.

Si një dem i hazdisur

rendja drejt teje dashuri

emocionet me sytë që digjeshin në muzg

kështjella ëndërrash krijonin në ajër

dhe zbriste muzika e shenjtë

hyjnorja muzike që emrin bukuri e kishte,

ky përdëllim pafund. I denjë

për një shenjtor që malit i ngjitet me mundim

si murg i errët mbrëmjeve, në heshtje

për t’iu lutur vetëm Perëndisë

në kishën e zymtë mbi shkrep

ku veç me rrënjë

bimësh të egra do të ushqehet.

Vërtetë

Si një i marrë rendja drejt dashurisë

kohë paqe nuk kishte për mua

kur zemra fort rrihte dhe

me ankth duke marrë frymë

më i ndrojtur se ndroja vetë

aty ku ishte dashuria

aty doja t’i vija themelet e

ëndërrës sime.

Ç’bën ti tani plazh i atëhershëm

në të pesëdhjetin vit? Mund të

ndryshojë veshja jote!

Mund të ndryshojnë njerëzit, mund të

rriten rugët dhe asfalti yt, si një

oktapod i zi mund të ta marri frymën.

Por poezia e rërës tënde të ftohtë

dhe të lagësht në shtator, ku

Kofshë dhe gjokse hyjnore u shtrinë,

ato

nuk do të zhduken kurrë! As guackë

mijëvjeçare e përtërirë

që këmbë e Teutës shkeli,

që tani, nga dallga e ftohtë

plot diell në perëndim,

pak nga pak

në rërën e lagësht do të fundoset përfundimisht.

Askush nuk e ka përkthyer kurrë

muzikën e dallgëve të tua!

Askush nuk i ka deshifruar

kurrë heroglifet e gurëve të tua shekullorë

Ku erë e dimrit plot kripë e përkëdhel.

Kush e ka përkthyer vallë gjuhën e humbur

të ajrit ngjethur në vjeshtë?

Aty ku zog i fundit, përpara se nata

të hedhë çarçafin plot mister

nga dega në degë fluturon?

Oh po! Dua

të jem ndoshta si ëndërrimtari i fundit

i cili akoma i gjallë don të dashurojë

Si i ç’thururi, pa moral?!

Pa bindje politike, pa fe,

pa ideologji vëllandarëse?!

Pa nam e pa nishan?!

Thjesht dua të jemë njerëzori i tipit të fundit

që nuk e ka krimbur ndërgjegjen akoma

me shabllonë mendimesh pa dialektikë.

As me gjykime të mbyllura, por i hapur

dhe demokratik i thotë gjithmonë jetës po!

I pamundur vërtetë ky iluzion,

por mund të jetë një aspirim.

Dua pra të jem

gërma e fundit që klith

poezinë e plazheve në dimër

ku kohë më parë ndodhnin ngjarje epike

dhe ku, për një të puthur dashurie

mes Helenës dhe Paridit

vetë fundi i botës mund të vinte.

Dua të jem ëndërrimtari i fundit

i selvive në muzg

udhëtar i heshtur i mbrëmjeve buzë detit.

Dua të jem adhuruesi i fundit,

i cili me fjalë të zgjedhura

don të thurë poemën e asgjësë dhe të gjithçkaje.

Dua të jem i dënuari i fundit

për hir të dashurisë për ty.

Ti breg deti,

je me siguri muzika nga ku Vivaldi u frymzua

ti breg deti je me siguri

lënda e parë, nga ku një Lasgush i panjohur

gjeti fjalët që i mungonin;

Ti breg deti je me siguri,

valle shkume, përjetësi!

Ndërkohë që re të zeza të kërcënojnë

Si nga hera.

Fishkëllen fort era dhe e zbrazët është rëra,

në këtë trishtim pa fund kokrrizash.

Oh dashuri që kurrë nuk nuk rreshte së kënduari,

dua të fle shtrirë mbi rërën e lagësht,

plot jod duke mbushur mushkëritë.

Le të vijë ose të iki ëndërra po deshi!

Si të dojë le t’ia bëjë! Mua më mjafton

zhurma e thellë e dallgëve

oshëtima e shkumës me yjet sipër,

si një tavan pikturuar nga Rafaelo.

Sikstinë e përjetshme

ku qindra Mikelanxhelo nuk vdesin kurrë.

Mbi xham, ku pika të mëdha shiu trokasin

dhe ngjethin mishrat krejt, sikur

prej xhami, gurët e butë të shpirtit tim

ta kishin përbërjen.

Mbi këtë xham studioje janari

ku me rradhë klasikët flenë në faqe librash pa fund

Mbi syrtarët e bibliotekës Ikea.

Një letër dashurie po të shkruaj ty, det.

Kur nuk je, dije se më me forcë ti adhurohesh,

si dashnor i etur

Që digjet mallit nga e vjetra brengë dhe

Larg dheut qan, dëshmitar i vetmuar.

Edhe ti det

frymëmarrje poetësh,

ku ëndërrimi merr fluturimin

ti që skllavëron njerëzinë dhe

jep me shumë se merr

ti det i largët, i së shkuares,

i së tashmes, i së ardhmes,

deti im po të këndoj.

Hyre herët shumë brenda meje

dhe akoma rrugën për të ikur nuk e gjete!

Kurrë nuk do ta gjesh, veç nëpër ëndërra

si rrebeli që nga prangat çlirohet dhe rrugëve të

të fjetura don të arratiset. Ti brenda meje

veç lag nëpër ëndërra me shkumen tënde hyjnore

përjetësisht.

Brigjet e shpirtit tim.

Ujë dhe diell, muzikë dhe mall. Pra

Pije koktelin tënd me tituj fëmijërie,

det me kripën e heshtur mbi lëkurë, ku

mijra diej fundosen si Jezusë të kryqëzuar

Sërish për t’u ringjallur ato.

Pije koktelin tënd bregdetar.

Aq i vogël ndihem kur jam pranë teje,

me selvitë në muzg,

me erën e çmendur dhe jodin

në ndërgjegje, por aq i madh je ti

brenda meje. Mijra kilometrash det.

Plot dallgë nëpër ujrat e shpirtërave, dhe

ti plazh i vogël, që aq shumë të adhuroja

kur mbasditeve, në heshtjen e drekës

vizita pa fund unë bëja, ushqyer

pafundësisht nga vezullimet e tua.

Shumë ujëra kam parë nëpër botë,

ndoshta edhe më të bukur e të kthjellët

por unë dua leshterikun tënd,

aromën tënde të mugët

kur me lot ndër sy qaja dashurie.

Asnjë nuk e ka intimitetin tënd,

epokë guackash dhe leshterikësh fëmijërorë,

kur ëndërra fluturonte aq lart sa hyjnoren cikte.

Ndoshta veç kush din të dashurojë

do ta meritojë parajsën? Apo

këto zhguna fanatikë e mjekrra besimi

që shpesh veç për moralin llomotisin

dhe shkujdesshëm tërë

botën gjykojnë?

Ndoshta veç kush din të dashurojë

do t’i hapen dyert,

e asaj drite që ne përdëllim e quajmë.

Ngushëllim pa fund, ngashënjim hyjnor?

Apo ndoshta gjykuesit e jetës

që nuk pushojnë së llomotituri

me xhepat plot nëpër maja piramidash?!

Herezi e madhe është hipokrizia!

Veç dua

të fle sonte poshtë yjeve dhe fort të qaj

Si dikur djalosh me zemrën plot.

Sepse fort të desha dhe të dua

ty copë rëre fëmijrie dhe ty çadër

dhe ty selvi mes yjesh dhe hënës së plotë.

Dhembshurinë mësova,

rruga drejt shkallëve të dritës

kalon me siguri përmes respektit njerëzor

dhe vetveten duke e konsumuar

si një Nosit guximtar.

Dhembshuria pa fund

Do të pjellë me mijra Nënë Tereza,

është pra loti i shndërruar në perlë.

Dashuri. Dikur për një

puthje harroja edhe vetveten

tani çështje më të thella

më godasin si çekan:

ka jetë, s’ka jetë andej? Kjo është çështja.

E përtejshmja,

është një libër intrigues

që as filozofët vetë nuk dinë t’i japin dum.

Të jetosh poshtë çadrës së besimit,

Ndoshta është veç iluzion i ëmbël?

Apo me këmbët ngulur mire në dhè

tek tokë e arsyes të mbështetesh?

Humanizëm, shenjtëruar nga arsyeja.

Por unë Sokratin plak dua të ndjek,

tek pinte helmin e bindjes së tij

se për gjithçka të re

si Krisht reformues

duhet të vuajnë gjenitë.

Promete bashkëkohorë.

“Vyrtyti është rruga”!

Pije edhe ti helmin

e së vërtetës, ndërgjegja ime.

Dije se do të rritesh

vetëm kur të mësosh,

se si edhe ty era njeri

një ditë do të të vijë!

Do të rritesh pra, vetëm kur

respektin ta bësh pjesë të mishit tënd,

vath në vesh ta vësh dhe si Jezusi

faqen tjetër t’ia drejtosh atij që

fort të bie me shpullë.

E vështirë je rrugë e së vërtetës,

Në xhunglën e kësaj jete

duhesh me do e mos të lozësh bixhoz,

përndryshe o je leshko

ose nuk don.

Shkrofëti ti, erë e janarit, atje tej

retë e zeza po afrohen,

çirret pulëbardhë e fundit

në qiellin e zi plot erë dhe re.

Të fundit peshk për

zogun e saj të uritur kërkon

përpara se hataja ta nxijë tokën.

Fryn fort erë e tërbuar.

Gjithkund ftohtë, acar, tmerr.

E djeshmja iku tashmë

e sotshmja, po shkon

e nesërmja

nuk dihet nëse akoma do të na

lë të marrim frymë

apo për fare na merr.

Fryn fort erë e tmerrshme e dimrit

dhe ti plazh i zbrazët i rinisë fli.

Unë edhe pse kilometra larg jam

me fytyrën xhamit mbështetur rri

ku pika uji me fërshëllimë bien

hundën prap mbi xhamin e ftohtë e vë

dhe fare mendueshëm, rri.

Ti deti im, atje larg

me dallgë të tmerrshme

në atë qiell të zi,

ulëret dhe shkrofëti

askush si ti, askush si ti.

 

 

 

Please follow and like us: