Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Levantinët ballkanikë, që nxitojnë të citojnë Çërçillin se Ballkani konsumon më shumë histori nga sa mban, nuk e njohin Ballkanin e sotëm

Shaban Murati

Në Ballkan nuk mund të bësh shaka me historinë, sepse bie menjëherë alarmi shtetëror në zyrat diplomatike dhe lind një grindje diplomatike midis shteteve. E provoi këtë gjë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili në datën 21 qershor, kur luhej ndeshja e kampionatit europian midis Holandës dhe Maqedonisë së Veriut, shkruajti në tuiterine tij: “Unë i ofroj mbështetjen time skuadrës kombëtare maqedonase të futbollit”. Përdorimi i mbiemrit “maqedonase” për skuadrën e futbollit ndezi alarmin në Athinë, e cila reagoi menjeherë nëpërmjet zëdhënëses së qeverisë Aristotelia Peloni, e cila deklaroi: “Ne kërkojmë zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe të frymës së saj dhe i bëjmë thirrje z.Zaev të shmangë retorikën përçarëse, veçanërisht në një çështje sensitive si futbolli”. Zëdhënësja e qeverisë greke i tundi kërcënimin kryeministrit të Maqedonisë së Veriut se “zbatimi vullnetmirë i Marrëveshjes së Prespës është një nga kriteret e pranimit të vendit në BE”. Dhe që Greqia e kishte me seriozitet sanksionin e mundshëm ndaj Shkupit, e tregoi njoftimi se parlamenti grek e shtyu ratifikimin e Memorandumit të Bashkëpunimit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut nga muaji korrik, që ishte planifikuar, dhe e la për në vjeshtë.

Një emocion i vogël historik i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut shkaktoi një grindje diplomatike dhe një problem të ri diplomatik midis dy shteteve, sepse rihapi një plagë historike lidhur me emrin e shtetit, të gjuhës dhe të identitetit të shtetit fqinj në veri të Greqisë. Për këtë problem historik janë përplasur rreth 30 vjet dy shtetet dhe u mendua se i vunë kapak me Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018 për çeshtjen e emrit, marrëveshje që hapi rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe shpejtoi ritmet integrimit në BE, ku Shkupi priste që nga vitit 2005 hapjen e bisedimeve.

Por një shkëndijë historike mund të bllokojë prapë integrimin europian dhe qeveria greke e paralajmëroi qartë Shkupin për mundësinë e bllokimit të rrugës së pranimit të tij në BE nëpërmjet një veto të re greke. Një zyrtar i lartë i qeverisë greke i deklaroi gazetës greke “Protothema” në 28 qershor se mesazhi i qeverisë greke për Zaevin “shërben si mjet presioni ndaj Maqedonisë së Veriut”.Duket edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut i kuptoi pasojat e shakave me historinë dhe impaktin diplomatik mbi shtetin e tij, sepse në 24 qershor u detyrua të pranojë në formë autokritike në parlamentin e Maqedonisë së Veriut se “politikisht është korrekte të korrigjosh një gabim, kur ai bie në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës”. Nuk dihet si do të vazhdojë odisea e kësaj përplasje të re diplomatike, por fakti është që ajo e pati një impakt të ri negativ në marrëdhëniet midis dy shteteve.

Përplasja diplomatike e Maqedonisë së Veriut me Greqinë ndodhi në kulmin e përplasjes diplomatike të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë në kohën kur Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE do të vendoste në 22 qershor lidhur me caktimin e një date të hapjes së bisedimeve të pranimit të BE me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. 27 ministra të BE ishin dakord që t’i jepej datë Shqipërisë dhe 26 ministra të BE që t’i jepej datë Maqedonisë së Veriut. Por veto bullgare ndaj Shkupit ndaloi që t’u akordohej kjo datë. Bullgaria ishte dakord që t’i jepej Shqipërisë data, por hileja diplomatike e shteteve antizgjerim në BE ka shpikur trukun që i ka bërë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut “vëllezër siamezë”, që ose duhen pranuar të dy njëkohësisht ose hiç.

Kulari politik filosllav i “vëllezërve siamezë”, Shqipëri plus shtetet ish-jugosllave, ka kohë që vjen rrotull qafës së Shqipërisë. Na e vunë në vitin 2000 kur BE shpiku të ashtuquajturin “Ballkan Perëndimor” me vendet e ish- Jugosllavisë, pa Slloveninë, plus Shqipërinë. Na e vunë edhe me nismën “Ballkan 6” pas hyrjes së Kroacisë në BE, kur na futën në vathën ish-jugosllave, pa Slloveninë dhe pa Kroacinë, por me Shqipërinë dhe Kosovën. Por të nënshtruarit i pëlqen kulari dhe Shqipëria ka arritur në derexhenë kur po bëhemi “vëllezër siamezë” me Serbinë në projektin serb të “mini Shengenit”, i cili, siç ka deklaruar vetë nismëtari presidenti serb Vuçiç “është krijimi i Jugosllavisë së vjetër plus Shqipërinë”.

Vetoja bullgare ndaj Shkupit në 22 qershor nuk ishte e papritur, sepse Bullgaria prej kohësh ka kërkuar pastrimin e debatit historik midis dy vendeve, zgjidhje të cilën Shkupi e zvarrit për arsye të njohura për diplomatët. Burime diplomatike në Shkup bëjnë të ditur se retorika e shtuar historike e udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut duket ka nxitjen e Serbisë, së cilës i intereson krijimi i konflikteve diplomatike në rajon. Nuk është rastësi që Serbia gjatë gjithë kohës ka mbajtur anën e Shkupit në grindjen e tij historike dhe diplomatike me Bullgarinë dhe po ashtu ka mbajtur anën e Shkupit gjatë gjithë 30 viteve të grindjes së Greqisë me Shkupin për çështjen e emrit. Qëndrimi serb vjen nga fakti se Serbia është krijuesja e republikës artificiale të Maqedonisë në vitin 1945 si strategji serbe për të dobësuar rivalët ballkanikë Bullgari dhe Greqi.

Bullgaria kërkon që para anëtarësimit në BE Maqedonia e Veriut të pranojë zyrtarisht se gjuha dhe identiteti i saj kombëtar janë bullgare, që Shkupi të mos përvetësojë historinë dhe personalitetet historike bullgare dhe të ndalojë retorikën antibullgare. Qeveria e Shkupit nuk ka treguar fleksibilitetin e duhur ndaj Bullgarisë për këto çeshtje historike dhe kjo prodhoi veton e Sofies në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE në 22 qershor 2021.

Problematika e përditshme diplomatike në Ballkan me përplasje diplomatike të pritura dhe të papritura midis shteteve ballkanike për çështjet e historisë, kanë një impakt të drejtpërdrejtë në diplomacinë ballkanike. Ky fenomen duhet parë me realizëm dhe meriton konsideratë të madhe nga qeveritë, dhe nuk është as i gabuar edhe as retrogradë. Levantinët ballkanikë, që nxitojnë të citojnë Çërçillin se Ballkani konsumon më shumë histori nga sa mban, nuk e njohin Ballkanin e sotëm. Në marrëdhëniet ndërkombëtare avancimi i marrëdhënieve diplomatike dhe të gjithanshme midis shteteve realizohet përmes sqarimit dhe zgjidhjes së çështjeve dhe problemeve të trashëguara nga historia e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe nga historia e rajonit. Aq më tepër kjo është e domosdoshme në Ballkan, ku nemesis storica është kaq e pranishme në mentalitetin shtetëror dhe publik të vendeve dhe të popujve të rajonit.

Në këtë klimë diplomatike ballkanike impakti historik mbi diplomacinë është një tipar i ekzistencës dhe i marrëdhënieve ndërshtetërore, karakteristikë e gjithë hartës politike dhe pamjes aktuale ballkanike. I tillë  është përshembull problemi i mprehtë i pazgjidhur historik midis Malit të Zi dhe Serbisë lidhur me të ashtuquajturat prona të Kishës Ortodokse Serbe mbi kishat, manastiret dhe objektet fetare të grabitura popullit dhe shtetit malazez nga Serbia, pas aneksimit të dhunshëm të Malit të Zi nga Serbia në vitin 1918. Mali i Zi me të drejtë kërkon sot që kisha ortodokse serbe të paraqesë tapitë e pronësisë para vitit të pushtimit 1918, që ajo kishë pushtuese nuk i ka. Ndaj kjo çështje e pazgjidhur historike ka krijuar një përplasje të madhe diplomatike dhe shtetërore midis Malit të Zi, që kërkon të drejtën historike, dhe Serbisë që mbron të drejtën e pushtuesit.

Në këtë klimë të komplikuar ballkanike stonon dhe krijon disonancë qëndrimi ahistorik apo antihistorik i Shqipërisë. Shqipëria ka në marrëdhëniet e saj me Greqinë çështjen e madhe historike të pazgjidhur: çështjen çame. Nuk ka shtet ballkanik që të ketë neglizhuar një pjesë përbërëse të çështjes kombëtare siç janë sjellë qeveritë shqiptare me çështjen çame, duke e injoruar dhe duke mos e bërë asnjëherë objekt të bisedimeve diplomatike midis dy vendeve në mbi 100 vjet shtet. Në vitin 2018 diplomacia shqiptare degradoi në atë pikë sa pranoi kërkesën greke që të mos përfshihej në të ashtuquajturën paketë gjithëpërfshirëse të bisedimeve shqiptaro-greke çeshtja çame. Ishte jo vetëm lëshim dhe tërheqje nga e drejta historike shqiptare, por edhe një thikë pas shpine për një çeshtje të pazgjidhur të çështjes së pazgjidhur kombëtare në Ballkan. Diplomacia shqiptare pranoi që jo vetëm të mos përfshihej në rendin e ditës të bisedimeve diplomatike, por dhe të mos përmendej fare emëri Çamëri në komunikimin diplomatik dhe në tekstet historike shqiptare. Shqipëria ka neglizhuar dhe po neglizhon çështjen tjetër të pazgjidhur historike të ligjit absurd të luftës, që Greqia anëtare e NATO-s e mban prej 81 vitesh ndaj Shqipërisë, një shtet anëtar i NATO-s. Është vërtet skandaloze kur mendon se Shqipëria ka tre vjet që jo vetëm nuk i kërkon Greqisë heqjene atij ligji dhe nuk e kushtëzon Athinën, por as e përmend fare ngërçin e pazgjidhur historik të ligjit të luftës.

Shqipëria e ka vënë veten në një pozitë edhe më inferiore se sa shteti i vogël malazez lidhur me trajtimin diplomatik të çështjeve historike. Kur presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i dërgoi Greqisë në 25 mars 2021 telegramin e urimit me rastin e 200 vjetorit të kryengritjes antiosmane, ai e theksoi në telegram që një gjeneral malazez Vaso Brajoviç ka kontribuar në atë kryengritje. Kjo bëri që zyrtarët grekë në fjalimet me rastin e 25 marsit ta përmendnin emrin e malazezit, (që është vetëm një), për kontributin në kryengritjen e 200 viteve më parë. Por zyrtarët e shtetit grek nuk thanë gjysëm fjale as falënderimi dhe as përkatësie kombëtare për ata dhjetra gjeneralë e udhëheqës kryesorë të kryengritjes greke, që ishin shqiptarë. Nuk guxuan t’i përmendin ata luftëtarë shqiptarë të kryengritjes greke as udhëheqësit e Shqipërisë në telegramet e tyre drejtuar Athinës me këtë rast.

Shteti dhe diplomacia e Shqipërisë janë të vetmit në rajon që neglizhojnë dhe harrojnë të drejtat e tyre historike, që kanë pasoja në ditët e sotme. Sepse është skandaloze kur presidenti i Serbisë Vuçiç në 28 qershor 2021 flet me të njëjtën retorikë provokuese antishqiptare si Sllobodan Milosheviçi për të ashtuquajturën festë të Vidovdanit, dhe nga Tirana nuk i përgjigjet askush, ndonëse Kosova është shtylla historike e kombit shqiptar dhe e drejta historike e Kosovës është e drejtë historike e gjithë kombit. Hesht Shqipëria se është mësuar me shtrembërimin e shikimit historik të marrëdhënieve nga të tjerët. Përndryshe si do të arrihet deri atje sa që ka zyrtarë të shtetit tonë që e quajnë Serbinë shtet fqinjë, sikur nuk ekziston Kosova, që ka politikanë dhe studjues sharlatanë që pretendojnë se Shqipëria nuk ka luftuar asnjëherë me Serbinë, kur deri në vitin 1920 trupat serbe mbanin të pushtuar krahinën e Peshkopisë dhe u desh luftë për t’i zbuar ato.

Heshtja e qeverive dhe e diplomacisë shqiptare, duke harruar të drejtat historike, ka inkurajuar shtetet e tjera të rajonit të na vjedhin historinë dhe personalitetet tona historike. Është e papranueshme që lejohet Serbia të përvetësojë Kostandinin e Madh të lindur në Iliri katërqind vjet para se sllavët të vinin e të pushtonin viset ballkanike dhe Tirana nuk u ngrit t’i thonte edhe  Vatikanit, edhe botës perëndimor se Kostandini është  personalitet historik shqiptar. Nuk u ndje Shqipëria as kur Maqedonia e Veriut përvetëson kompozitorin e madh bizantin Jan Kukuzeli, të lindur në Durrës, dhe ia shet botës si maqedonas.

Duhet të jemi të qartë. Neglizhimi i historisë dhe i të drejtave historike shqiptare në veprimin shtetëror dhe diplomatik të Shqipërisë nuk është tregues i nivelit të lartë të internacionalizmit apo të largpamësisë së shtetit dhe të diplomacisë shqiptare. Ai është produkt i kompleksit të inferioritetit si sëmundje gjenetike e qeverive dhe e diplomacisë shqiptare ndaj gjithë shteteve dhe popujve të Ballkanit. Nuk është rasti të hyjmë në histori për gabimet tona të ndodhura në të kaluarën. Po flasim për situatën e papranueshme aktuale, sot kur Shqipëria është shtet anëtari NATO-s. Le të mësohet diçka nga Greqia dhe Bullgaria se si mbrohen të drejtat historike të shtetit dhe të kombit./gazeta dita, 30 qershor 2021

Балканските левантийци, които бързат да цитират Чърчил, че Балканите произвеждат повече история, отколкото могат да консумират, не познават днешните Балкани

Please follow and like us: