Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Mbi konfliktin e stisur Tiranë-Prishtinë

Vili Brandt kërkoi ndjesë për krimet naziste, a do ta bëjnë udhëheqësit serbë për genocidin në Kosovë?

Një konflikt i mëhershëm mes dy qeverive shqiptare, një të kryesuar prej Edi Ramës të Tiranës zyrtare dhe tjetrës të drejtuar nga Ramush Haradinaj të Prishtinës shtetërore është rindezur sërish po prej këtij të parit me qeverinë e Albin Kurtit. Shkaku kryesor mendohet se është i ashtuquajturi ‘Minishengen’ apo i sapokurorëzuari në Shkup ‘Ballkani i hapur’, realizuar mes presidentit serb Vuçiç dhe kryeministrave Rama e Zaev.

Ndoshta mund të ketë edhe arsye të tjera, por fakti që disa vende të të rajonit si Bosnja e Mali i Zi nuk janë përfshirë në këtë trojkë të Ballkanit Perëndimor dhe fakti tjetër që nuk ka asnjë reagim për këtë iniciativë nga Uashingtoni dhe Brukseli (përjashtuar zëdhënësve respektivë) , si partnerët strategjikë të shqiptarëve, ka më shumë paqartësi dhe sigurisht edhe dyshime.

Historia jo e largët e shqiptarëve ka shumë shembuj që nisma rajonale nuk kanë qenë asnjëherë në të mirë të tyre dhe garanci për siguri kombëtare kanë dhënë përherë fuqi të mëdha vendosëse, pra amerikanët dhe europianët. Dhe shqiptarët e këtij shekulli nuk kanë qenë më mirë se në çdo periudhë tjetër: Shqipëria në NATO, Kosova me bashkëpunim të fuqishëm amerikan, Mal i Zi me popullsi edhe shqiptare gjithashtu në NATO, Maqedonia e Veriut me popullsi shqiptare shumë më të konsiderueshme në Aleancën e Atlantikut Verior.

Kjo përkatësi euro-atlantike është një rikthim në vendin që i takon prej shekujsh e megjithatë ajo nuk është shoqëruar edhe me një emancipim të klasës politike në viset e Shqipërisë së natyrshme. Partitë shqiptare janë shumë të egra me njera-tjetrën, janë pak demokratike, funksionojnë si struktura ushtarake, shpesh edhe paramilitare dhe kjo përkthehet në parlamente-karikaturë, me institucione të dobta, me gjyqësor jo të pavarur, me kaos mediatik dhe me një pasurim të llahtarshëm të zyrtarëve shtetërorë.

Asnjë inciativë apo marrëveshje rajonale nuk mund të jetë e suksesshme kur ndërtohet nga autokratë që sillen si ‘tigra’ brenda vendeve të tyre dhe shfaqen si ‘lepuj’ në mjedise të tjera ndërkombëtare.

Po le të kthehemi te konflikti Rama-Kurti. Janë dy qeveri shqiptare si vijuese të kabineteve të tjera të mëparshme, që kanë bërë disa punë të mira dhe një sërë marrëveshjesh reciproke, por që nuk janë kthyer gjithmonë në zhvillim të të dy vendeve.

Është fakt i njohur se zyrtarë të të dy shteteve janë sot në shtresën më të kamur të shoqërisë, ndërsa pjesa më e madhe nuk ndihet e qetë në dheun e vet, kërkon të ikë një orë e më parë, varfëria është e pranishme kudo dhe ajo vret më shumë se një pandemi.

Mposhtja e varfërisë është ndër më prioritarja dhe për këtë nuk ka nevojë për mbledhje me shkabonjë në mes sallave pozante apo marshime revolucionare me flamurin kuq e zi, por uljen pa zhurmë e pa kamera mes dy kryeministrave, mes dy shqiptarëve, për të parë se çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon në bashkëpunimin ndërshqiptar, ku janë barrierat dhe si duhet t’i heqim ato. Po ashtu në planin ndërkombëtar një unifikim i qëndrimeve është mëse i mundur dhe na paraqet më dinjitozë me partnerët strategjikë dhe jo të tillë.

Nga cilado anë ta kundrosh këtë konflikt nuk gjen përgjigje tjetër, përveçse i stisur, thjesht dhe vetëm teka kryeministrore. Përpos shumë anëve negative konflikti mban gjallë një dorë pseudonacionalistësh, mëditës të fondeve të fshehta antishqiptare, nastradinë të ‘kombit kosovar’, admiruesve të nobelistit letrar Handke, vemjeve antishqiptare, konspiracionistëve, parodistëve, kolonëve, autodidaktëve dhe gjithfarësoj ligësirash që enden me shumicë në mjediset tona.

https://www.botasot.info/opinione/1647131/mbi-konfliktin-e-stisur-tirane-prishtine/

 

 

 

 

Please follow and like us: