Sadik Bejko: Poezia e Kadaresë dhe vizita e parë në kishë
Ismail Kadare: NË KISHË
Moj plakë me të zeza,
Ç’më shikon me urrejtje,
Vërtet s’jam i krishterë,
Por s’do të ha ungjillët,
Vetëm dua të dalloj nga konstrukti
I Nolit është përkthimi apo i Kristoforidhit.
Si student i filologjisë dëgjoj ungjillin,
Si djalë një vajzë vështroj, me frikë
Sheh flakën e qirinjve
Të flakëve inkuizitorë miniatura;
Ndërsa e ëma bën kryq
Dhe mallkon heretikët.
Vajza herë vështron nga qirinjtë,
Herë nga unë.
“Mirëmbrëma, vajzë!
S’jam Xhordano Bruno”!
1961.
Në vend të komentit.
Kjo, “Në kishë” me një vajzë, më ka ndodhur edhe mua. Ca vjet më pas.
1964. Me një studente, vajzë ortodokse. Kishim kthyer nja dy gota verë. Tiranë. Te e vetmja kishë katolike e kryeqytetit, rrugë e Kavajës, kishte drita, festë. “Hyjmë në kishë?”, më tha. “Me vrap”, i thashë.
Për mua ishte hera e parë… në kishë.
Një vorbull njerëzish derdhej te portat. Gati na rrëmbeu si rrymë, si dallgë lumi. Shtrënguar të dy, te porta një murgeshë na preu rrugën. “Janë dashnorë, mbajnë era alkool”, bërtiti ajo. Na u vërsulën dy djem përsipër. “Ulu në gjunjë, poshtë duarve të tyre”, më tha ajo. U ula. Turma që derdhej pas nesh na mori me vete. Ishim në mes të kishës. Zëra prej priftërinjsh që sikur flisnin me qiellin, jo me njeriun. Në mure statuja allçie të Shën Marisë që qanin. Lotët rrëshqisnin pa pra në faqen e statujës dhe humbisnin te veshjet, në qafën e së shenjtës.
Era djersë dhe temjam. Ishim bashkë me atë, vajzën, me këmbët në kishë e me pjesën tjetër të vetes, diku askundit, si në qiellin më të lartë. Turma po na ndrydhte aq sa na i shteroi fuqitë.
E morëm veten, kur vorbulla e dredhur e njerëzve na zbrazi jashtë kishës.
Ishte koha e komunizmit. Të etur për pak festë të Zotit, të ndaluar, por festë që ende lejohej.
Pas dy tre vjetësh, u ndalua. Kisha u bë kinema.
Please follow and like us: