Albspirit

Media/News/Publishing

Pavdekësia e Pushkinit me poezinë ‘Monumenti’

Ardit Mehmetaj

Aleksandër Pushkin është shkrimtar rus dhe njihet si themelues i rrymës letrare realiste në Rusi. Në krijimtarinë e tij ai pasqyron jetën, botën dhe natyrën ruse. Kryevepra e tij është romani në vargje “Eugjen Onjegini”, i cili u bë model dhe pikënisje e tërë letërsisë realiste ruse.

Pushkini, në poezinë “Monumenti” e parashikon pavdekësinë e tij. Ai është i sigurtë se do të jetë i gjallë edhe pasi të vdesë, ai tregon se edhe pse i vdekur do të jetojë gjithmonë në mesin e të gjallëve si kujtim në mendjet e tyre për veprat dhe krijimtarinë e tij artistike të pasur letrare. Ai madhëron artin e tij dhe shpërfaq qëllimin e tij të lartë në të. Nga leximi i kësaj poezie mund të vijmë tek dy konkluzione të kundërta me njëra-tjetrën: e para, se poeti i thur lavde vetes dhe ka mungesë modestie, kurse e dyta, poeti shpërfaq një realitet dhe një krenari normale, jo të tepruar. Këto janë dy mendime që i vijnë në kokë lexuesit sapo të lexojë poezinë “Monumenti” të Pushkinit, por kur e shikojmë punën dhe veprën e Pushkinit, famën dhe pavdekësinë e tij, atëherë kjo poezi del një parashikim i saktë dhe fjalët aty s’janë lëvdata pasi të gjitha u vërtetuan pas vdekjes së poetit.

Tema e poezisë është madhërimi i poetit nëpërmjet krijimtarisë letrare të tij, ndërsa ideja që përcjellë kjo poezi është se poeti i vërtetë është i pavdekshëm.

Gjuha e përdorur është përshkruese, në veçanti për pozitën e tij në botë pas vdekjes dhe në përgjithësi për poetin e vërtetë që krijon vepra të kulluara artistike. Poeti e përshkruan të ardhmen hipotetike që me kohën del të jetë përshkrim real ashtu siç është parashikuar nga ai.

Shikuar nga aspekti i shkak-pasojës del se shkak për monumentin e ngritur të poetit është arti i tij i krijuar në të gjallë dhe dashuria e madhe e popullit që kishin për të, kurse pasoja është pikërisht ky monument që është shenjë e pavdekësisë së emrit dhe veprës së poetit. Poezinë e tij kushtimisht mund të themi se e përcjellë një zë i poetit që thotë “Më kujtoni!”.

Vjersha “Monumenti” është ode e shkruar për vetveten e cila përbëhet nga pesë strofe në katrenë. Vargjet janë të rimuara me rimën e kryqëzuar ABAB.

Në strofën e parë tregon për rëndësinë e monumentit artistik dhe e krahason atë me shtyllën e Aleksandrisë duke thënë se monumenti i tij do ta tejkalojë atë. “Ajo edhe më lartë se shtylla e Aleksandrit, Të papërkulmen kok’ do ngrejë[1]

Në strofën dy, tre dhe katër tregon për meritat e tij të plota që i ka për këtë monument, ai parashikon përhapjen e emrit të tij në tërë Rusinë, pa dallim gjuhe e krahine. “Do ti bjerë emri im rreth e përqark Rusisë[2]

Sipas Pushkinit poeti që mbaron punën e tij siç kërkohet nga ai, poeti që i përgjigjet thirrjes hyjnore, ai patjetër do të jetë i pavdekshëm.

Në strofën e fundit poeti i apelon muzës “Veç urdhërit hyjnor t’i bindësh ti, o muzë, Nga sharjet mos ki frikë, kurorë mos kërko[3]”, ai e këshillon muzën, burimin e frymëzimit poetik që t’i bindet veç Zotit dhe e këshillon atë që të mos frikësohet e as që të mos kërkojë pozitë të lartë në këtë botë pasi që po të jetë frymëzimi poetik në rrugën e urdhërit hyjnor pozita e lartë në shoqëri si në jetë ashtu edhe pas vdekjes do të vijë vetë, pa e kërkuar atë.

Poezia është e pasur edhe me figuracion stilistik, ku mbizotëron metafora, krahasimi e epiteti.

Autori thotë “Një përmendore i ngrita vetes[4]” – këtu përmendorja është metaforë e pavdekësisë dhe famës së krijuar nga poeti me punën e tij artistike.

Krahasimi del kur përmendorën e tij e krahason me atë të shtyllës së Aleksandrit, kur përveç se e krahason ai shfaq besimin se fama e tij do ta tejkalojë atë.

Figura e epitetit është kur shekullit i jep epitetin e shekullit mizor “Në shekullin mizor këndova për lirinë[5]

Kështu, poezia e Pushkinit ka rimë, ritëm dhe është e pasur me figura stilistike. Ai përmes kësaj poezie testament të tij e vendosë vendin e tij në këtë botë pas vdekjes. Ai parashikon se vdekja e tij do të jetë rilindje në popull, vepra e tij do të jetojë ashtu siç e shohim sot që jeton në mendjen e njerëzve emri i tij e në biblioteka, librari, institute e universitete vepra e tij. Në poezinë e tij ai tregon se vepra e tij nuk është e fokusuar në një rreth të ngushtë, por ka një publik të gjërë lexuesish.

Pra, me poezinë testament Pushkini vendosë përmendoren e tij në botë derisa të ekzistojë arti. Emrin e tij e lidh ngushtë me artin dhe vdekja e tij mund vije vetëm me vdekjen e artit në tërësi.

[1] Poezia “Monumenti”, strofa e parë, v. 3-4

[2] Po aty, s. e dytë, v. 1

[3] Po aty, s. e pestë, v.1-2

[4] Po aty, s. e parë, v. 1

[5] Po aty, s. e katërt, v. 3`

Please follow and like us: