Frano Kulli: At Konrad Gjolaj dhe At Leon Kabashi
“Për dekorimet si punë… sekretarësh”
At Konrad Gjolaj dhe At Leon Kabashi, njëri mbi të shtatëdhjetat dhe tjetri akoma edhe më i moshuar, kanë rihapur Kishën e fretërve në Lezhë, në vitin 1991. I pari i laureuar në Romë për Filozofi e Teologji, e tjetri, përpos se frat dhe piktor, i laureuar në Siena më parë për Teologji e përsëdyti në Universitetin e Arteve të Bukura atje. Padër Konradi, që qe caktuar edhe si dekani i asaj kishe, banonte te një i afërm i tij, Luigji, që e kishte shtëpinë jo larg kishës, te stacioni i trenit… Portreti “laraman” i fratit, veshur herë me zhgunin e gjatë e herë me peliçen dhe kasketën si ato të burgut, bënte sigurisht më shumë se kureshti për ne, miqtë e tij. Ishte mospërshtatja e tij me ambientin e ri, jashtë në liri, ndoshta. Por më së shumti ishte ëndja për të folur e shkëmbyer me të biseda letrare, filozofike e tema gjithnurësh. Tashma ai ishte “rishuguruar” meshtar, kthyer prej burgimit të gjatë kund nja një vit më parë, ashtu si krejt vërsnikët e tij, e pakta prej të cilëve kish mbetur akoma gjallë prej lëngimit në ferrin e diktaturës. Padër Konradi kish qenë fillimisht nxënës i Dom Alfons Trackit, që shërbente në fshatin e tij, në Velipojë, priftit gjerman të ditur, misionar e martir, pastaj më vonë nxënës e bashkëmësues me Fishtën në Liceun françeskan “Ilyricum” në Shkodër… Në një mbrëmje vjeshte të atij viti, duke ecur nëpër rrugët gjysmë të terratisura të Lezhës me Padër Konradin dhe me dy miqtë tanë të përbashkët, Francin e Toninin, kemi përjetuar një ngjarje të beftë, të cilën e kujtojmë jo rrallë. Në një moment të asaj xhiros sonë të ngadaltë, padrja ndaloi përpara një kioske me dërrasa, në cep të urës, në të dalë të qytetit. Befasi për ne nuk qe vetëm ndalesa e fratit të moshuar… Shitësi i asaj kioske ishte një ish-oficer i policisë në vitet ’60 (kur ai ishte arrestuar për herë të dytë). Pasi ai u kthye te ne, pas asaj bisede pakminutëshe me “shitësin” e kioskës, mësuam se oficeri, të cilin ne e njihnim si bashkëqytetas, ishte vetë ai, që rreth tridhjetë vjet më parë, i kishte vënë prangat në duar fratit. -E përshëndeta dhe i kujtova se ai nuk ka kénë sjellë keq me mua atëherë-vazhdonte të na tregonte padrja. -Kur erdhën me më marrë me “gazin e degës”, këtu në oborrin e kuvendit, përpara se me më vue prangat, më tha: shko mbrendë e merr ndoj teshë se do të duhen… E masandej më vuni prangat. Nuk m’i shtërngoi fort e kur më hypën në gaz m’i hoqi… Për kaq frati i moshuar, i cili në burgimin e gjatë ishte argasë me tortura prej atyne që …”me ja kallxue natës së vorrit” ruante sado pak respekt për prangosësin e tij… Kurse nga fronti i prangosësve, prej asnjërit asnjë “mea culpa”, asnjë vrasje ndërgjegjeje, asnjë fjalë pendese. As atëherë, as më vonë e as tani. Përkundrazi… Padër Konradi, ka vite që është ndarë nga kjo botë; është nisur për në amshim e këndej nuk ka asnjë dekoratë e nderim tjetër zyrtar. Jo si klerik, por as si mësues e as si autor librash. Dhe jo vetëm ai, po asnjëri prej bashkëvëllezërve të tij, gjithashtu (përveç At Zef Pllumit, ish-nxënës i tij). As prej atyre dyzet martirëve, që u shfaqen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në ditën e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, nuk ka ndonjë distinktiv nderues për asnjërin në emër të shtetit shqiptar. Sa për martirizimin, aq edhe për kontributin sipror që i dhanë kulturës dhe qytetërimit tonë. Jo, kjo nuk ka ndodhur deri tani, për to ndjehet disi bezdi edhe me i përmendë. Kurse, sistematikisht, herë pas here ndër përvjetorë… dekorohen e nderohen persekutorët, xhelatët e tyre. Për njëmijë syresh janë shpërndarë medalje kinse si veteran lufte… Dhënë në mënyrë tinzare një vit më parë. E kur nis e buçet zëri qytetës për këtë maskaradë, si shpëtimtarë në frontin shtetëror të dekoratorëve, del e bën apologjinë e medaljeve të dhëna prej shtetit një sekretar (këshillonjës si kukull) i të parit të qeverisë…
Please follow and like us: