Avdulla Kënaçi: KAM NXJERRË SYTË ME DINAMIT
Është një shprehje figurative që e dëgjova për herë të parë. Ai që ma tha në telefon, më tregoi se ishte një i njohuri im. Ma tha edhe emrin. Realisht e kisha harruar, por për të mos e lënduar, nuk ia thashë që s’e mbaja mend. Kishte një zë të përvajshëm dhe lutës. Më telefonoi nga mesenxheri. Nuk më tha se kishte fëmijët keq, ose vuante për bukë. Kur dëgjova këtë shprehje, mendja më shkoi se kërkonte ndihmë në para. Po pse m’u drejtua mua, kur unë kisha mbi tridhjetë vjet që nuk e kisha parë me sy?! Shtrydha trurin, por nuk e kujtova dot.
– Vëlla, ke bërë mirë që ke ikur nga Shqipëria, ne këtu po vuajmë, nuk kemi asnjë dritë jeshile, asgjë, asgjë… Jemi keq. Unë jam mavri me bojë, kam nxjerrë sytë me dinamit me dorën time, – më tha me përvuajtje e lutje. Mbeta i habitur.
Kujtova librin me shprehje e proverba nga Labëria të shkruar nga doktor Selam Shkurti, por as tek ai nuk më kujtohej ta kishte përfshirë këtë shprehje. Përsëri unë mendova se mos “ky vëllai” ka mbetur i verbër nga të dy sytë dhe kërkon ndihmë sociale, por ai vazhdoi:
– Ti ke miq shumë dhe mund të më ndihmosh edhe andej nga je.
– Po si të të ndihmojë kur unë jam një oqean kapërcyer, kam katërmbëdhejtë vjet në Kanada dhe miqtë më kanë harruar edhe fytyrën.
– Jo, jo, nuk të kanë harruar, ti ke mik Gafurin dhe ai të mbaron punë, është burrë i mirë.
– Edhe me Gafurin kam katërmbëdhjetë vjet që jam ndarë dhe as nuk di ku bëhet e çfarë ka në dorë për të ndihmuar. Ti e di që unë jam në Kanada dhe vij rrallë në Shqipëri, sidomos tani që është pandemia nëpër këmbë.
– Më mirë të kisha vdekur edhe unë nga kjo hulera kineze se jam gjallë. Njeriu pa punë është më shumë i vdekur sesa i gjallë. Po thuaji, moree, Gafurit, apo ndonjë tjetri se ti ke miq plot, mbase më psonisin ndonjë punë sa të mbaj frymën gjallë. Po edhe ty, vëlla, mezi ta gjeta numrin e telefonit, nuk di ta përdor këtë argali dreqi, e kam të ri.
Kur tha kështu e kuptova që nuk kishte nxjerrë vërtetë sytë me dinamit duke hapur ndonjë rrugë apo duke gjuajtur peshq në liqen. Jo, ai qenka mirë nga të dy sytë dhe kërkon punë për të mbijetuar. Atëherë nënkuptova se ka bërë ndonjë gabim të rëndë dhe është i penduar. Ndoshta ka qenë në burg. Gabimi ka qenë aq i turpshëm sikur ta ketë shkrepur me dashje dinamitin drejt syve të tij.
Edhe pas kësaj bisede të papritur nuk më hiqet nga mendja shprehja: “kam nxjerrë sytë e mi me dinamit”. Ja, duhet ta mësoja edhe këtë frazologji të padëgjuar kurrë. I ziu njeri, vret mëndjen, kërkon rrugëdalje, rrotullohet e rrotullohet dhe mendja e hedh shtatë male e një oqean kaptuar me një shprehje të padëgjuar si kjo që tregova më sipër. Fantazia mbërrin deri këtu në Kanada ku dimri është gati dy herë më i gjatë sesa në Mesdhe…
Halle-halle kjo dynja, halli hallit nuk i ngjan, thotë populli, por as kjo shprehja “kam nxjerrë sytë me dinamit” nuk i ngjan asnjerës nga ato që di unë.
Toronto, 24 tetor 2021.