Prof. dr. Bardhosh Gaçe: Petrit Ruka, poet i pangjashëm në letërsinë shqipe
Poeti Petrit Ruka hyn në brezin e poetëve shqiptarë të viteve ’80, të shek. XX, që vazhduan krahas poezisë së traditës së njohur të poezisë shqipe të poetëve të brezit të viteve ‘60’, të cilët sollën një frymë bashkëkohore në trajtimet tematike të poezisë shqipe, kundërvënies së skemave dhe shablloneve poetike, të poezisë që lidhej me temën e luftës, kundërvënie ndaj skematizmit dhe shmangie ndaj manisë së poezisë të natyrës patetike, e cila lidhej me kujtimin e Luftës së Dytë Botërore dhe ishte e praktikuar në vendet e Evropës Lindore.
Ardhja në poezinë shqipe gjatë kësaj kohe e poetit Petrit Ruka, një poet i njohur për poezinë lirike dhe poezinë e natyrës sociale, specifikisht përmes vatrës familjare dhe mjedisit të ngushtë jetik, nga treva e vendlindjes dhe në përgjithësi (Tepelena dhe treva e Labërisë zënë një vend të rëndësishëm në poezisë e poetit, si Vlora dhe bregdeti në poezinë e Arapit), si dhe shumë poetë të tjerë nga krahinat veriore të vendit, gjatë kësaj kohe, kishte zbuluar një brez të artë poetësh, të cilët i dhanë poezisë shqiptare frymë dhe oksigjen kombëtar, pasi pjesa më e madhe e tyre ishin profile lirike dhe me një un’ poetik të moderuar.
Petrit Ruka vinte nga mjediset e fshatit, por me një kulturë të rëndësishme familjeje dhe të krahinës, të cilën ai e njihte mirë dhe ruante veneracion për të. Krahina e Tepelenës dhe Labëria kanë një “dekalog” të rëndësishëm historik, ngjarje dhe një traditë zakonore të hershme, si pak treva të tjera të Shqipërisë, që janë kthyer në këngë, në rapsodi dhe në rrëfenja të rëndësishme për të mos humbur rrugës, duke u mishëruar në një art të rëndësishëm të kulturës popullore. Petrit Ruka ka një lidhje të fortë, bashkëjetuese me kulturën popullore nga ai vjen, duke i sjellë poezisë së kultivuar një pleksje të traditës historike nën një diskurs modern të fjalës poetike dhe të njësive më të mëdha të komunikimit poetik. Poezinë e tij nuk mund ta receptosh dhe as mund ta “lexosh” jashtë konteksteve të kulturës dhe këngës popullore, e cila i ka shërbyer poetit gjatë gjithë kohës që ai ka shkruar vargje dhe poezi si një strukturë komunikimi, një model i cili herë pas here ka ndikuar dhe në krijimtarinë e tij.
Në radhën e poetëve të brezit të tij dhe më vonë, ndoshta dhe në ditët tona, këto kondicione të rëndësishme, këto konvencionalitet që janë të pranishme në poezinë e tij, përbëjnë dhe një pjesë të rëndësishme të profilit të tij poetik. Në profilin e tij shquajnë dhe elementë të tjerë jetikë dhe jetësorë, që kanë lënë gjurmët e veta në poezi që kur ai filloi të shkruante kujtimet e para në shtypin letrarë të kohës. Duke qenë se një pjesë të veprimtarisë së tij krijuese Petrit Ruka e ka bashkëpërkuar edhe me punën si skenarist dhe si regjisor në gjininë e filmit, një gjini e rëndësishme në profilin e çdo krijuesi, në poezinë e tij ka diçka të qenësishme, kur poeti zgjedh mjetet e pasqyrimit, por edhe të komunikimit që vijnë pa ndonjë sforcim të madh figurativ dhe pa ndonjë suplement diskursiv poetik.
Petrit Ruka shquan për një tematikë të gjerësishme në poezinë e tij, e cila ruan një pamje apo është një tablo bazike që lidhet me vendlindjen dhe anët nga ai vjen, duke qenë vërtetë një shprehje e qartë dhe e ngrohtë e njerëzve që ai njohu dhe pati afër. Një qasje të tillë në poezinë shqipe e gjejmë tek Fatos Arapi, i cili mbeti përjetësisht i lidhur fort me Vlorën dhe vendlindjen, tek Poradeci ku liqeni përveçse ishte simbol, ishte dhe metaforë dhe shpirti i poetit, te Dritëro Agolli, por dhe ndonjë poet tjetër. Petrit Ruka i shtoi koloritet dhe aromë të ngrohtë shpirti vendlindjes së tij përmes poezisë.
I shkolluar për gjuhë dhe letërsi shqipe, Ruka shumë kohë të punës së tij krijuese ia kushtoi poezisë, krijimit poetik, si një mjet i rëndësishëm dhe i çiltër, që zakonisht e kërkojnë shpirtrat poetikë në jetë këtë qasje. Është një nga poetët e begatë dhe me një krijimtari të spikatur. Gjatë veprimtarisë së tij krijuese, Ruka i ka afruar lexuesit shqiptar librat poetikë: “Rinia ime” (1978), “Atdheu fillon te zemrat” (1983), “Mirupafshim hënë e vendlindjes” (1990), “Vërtitu, kokë e prerë” (2000), “Në zemër bie shi” (2003), “Shtatë mijë shirat e mi” (Kolanë TOENA), “Iso dashurie” (2015), “Nëntë vjet e nëntë ditë”(poemë, 2015), “Shami të zeza qiellore” (2019), “Andej baltë këtej erë” (Balada arbërore 2020), pra, një krijimtari e gjerë në të cilën u shpalos që nga viti 1987 deri në vitin 2019 shpirti i gjerë dhe i ngrohtë poetik i poetit Petrit Ruka. Në veprimtarinë e tij shkrimore nuk mund të mos shënohet dhe një monografi mbi Kadri Roshin, një nga aktorët më të mirë kombëtar, në veprimtarinë e tij të skenës dhe të filmit ka një histori jashtëzakonisht të rëndësishme të teatrit dhe të filmit shqiptar.
Siç dhe mund të shihet në të gjithë krijimtarinë e poetit Petrit Ruka, në motivet, në detajet, në lirikën dhe në poezinë intime, po ashtu dhe në një grup të rëndësishëm të poezive të tij ku shquajnë karakteret njerëzore, peizazhi dhe stinët, hëna, mali, tufa e bagëtive, babai, nëna dhe familja, pra gjërat më jetike që janë të pranishme në vargëzimin e poetit, lidhja e tij me nga ai ka ardhur është e kuptueshme dhe e rëndësishme. Duke qenë fort i lidhur me fatin dhe historinë e popullit të vet, poeti ka krijuar një ekuilibër dhe rrugëtimin e tij poetik e ka bërë i bashkëshoqëruar me artin popullor, kryesisht me krijimtarinë folklorike, të cilën e njeh dhe e reflekton atë në të gjithë elementët estetik që ai mbart dhe përcjell.
Lidhur me një çështje të tillë, mendojmë se është shumë i rëndësishëm ky qëndrim dhe raport që poeti ka pasur me folklorin, burimin e parë të rëndësishëm të komunikimit estetik dhe artistik që njeriu takon në jetën e tij, madje që në djepin kur nëna i ligjëron ninullat për ta vënë në gjumë. Nga natyra poetët kanë instinktin që të tërhiqen në jeta nga mjediset ku këndohet, kërcehet, bëhet humor, ku ka gëzim dhe hidhërim, në ditët e shënuara të motit, të cilat nxjerrin në pah shpirtin krijues të njerëzve të thjeshtë, të festave mitike apo dhe në raste të tjera kur populli shpalos shpirtin e tij krijues.
Mjaft motive poetike të poezive të Rukës kanë një burim të qartë dhe me lidhje të drejtpërdrejtë me vendlindjen dhe folklorin. Madje ai kishte një gjetje brilante lidhur me detajet, burimet poetike dhe gjendjen oportune të muzës poetike për shkak të folklorit, pasi folklori është njëri nga kontaktet e para, madje biblioteka e madhe dhe e larmishme që bart njeriu që në fëmijërinë hershme, pa qenë nevoja për ta lexuar. Ai shkruan në një trajtesë lidhur me rëndësinë e folklorit në letërsinë artistike, veçmas për poezinë, se: “Magjepsja jonë e parë nuk ka se nga të vijë tjetërkund, veçse nga përrallat, legjendat, baladat e sidomos këngët e dëgjuara në dasma, festat e ndryshme familjare”. Vetë treva dhe vendlindja e tij ka qenë dhe mbetet e mbushur me legjenda dhe një folklor të pasur, pikërisht ajo u shndërrua në “shkollën e parë” të krijimtarisë së tij artistike, të cilën ai e ka reflektuar gjatë gjithë kohës së krijimit poetik.
Duke sjellë në vëmendjen e tij dhe të lexuesit perla të krijimtarisë popullore, sendërtimin artistik dhe estetik që nga këngët me karakter historik, të cilat u thurën në llogoret e luftës, ku ka lënë gjurmët e veta historia, pastaj këngë të kurbetit, baladat e njohura të jugut, të cilat ai i njeh mirë si “Mbeçë more shokë, mbeçë”, motivet patriotike ku ndrin madhështia, si krijimtaria për Selam Musain nga populli, këngët e njohura të Balilit të Xhixhisë, baladat e natyrës lirike, por dhe ato të marrëdhënieve shoqërore, deri te këngët dhe kujtesa për Ali Pashë Tepelena, të cilat dëshmojnë një folklor të begatë të trevës (Turani i Tepelenës) nga vinte poeti Petrit Ruka. Ato kanë shërbyer për ta mbushur me motive dhe me gjendje poetike shpirtin e fëmijës dhe më pas të studentit dhe poetit të pasionuar Petrit Ruka, i cili mbeti përjetësisht njëri nga bashkëkohësit dhe bashkë-jetësorët e vendlindjes së tij. I shquar për këtë lidhje të fortë, dhe për më tepër sendërtimin artistik që ai u bëri motiveve të marra nga anët e tija, e bëjnë atë një poet të papërsëritshëm dhe të pangjashëm në poezinë shqipe.
Nëse një profet i botës antike dikur do të shkruante se “Perëndia krijoi thesare… pastaj i mbylli në të fshehtë, dhe çelësat i vuri m kujdes në gjuhën e poetëve…”, edhe këtë kod komunikimi dhe zbulesë të kësaj parashtrese interesante dhe të vërtetë mund ta gjesh edhe në poezinë e Petrit Rukës, i cili përveç motiveve të njohura të vendlindjes, ka dhe qindra motive të tjera, përmes të cilave ai i komunikoi njeriut, kohës dhe afroi një diskurs të mrekullueshëm poetik, të natyrshëm dhe mjaft të larmishëm.
Petrit Ruka shkroi për historinë, të cilën e zbuloi përmes motiveve të luftërave dhe të luftëtarëve, siç janë poezitë: “Guna e Selam Salarisë”: “Salaria thotë u dogj,/ Po kështu Babica,/Thonë iu gris Atdheut në krahë,/ Veshur nëpër ngrica.” Apo në poezitë “Në këngë janë varret e të rënëve”, “Viti 1913” “Ata erdhën dhe filluan, na sharruan djepin më dysh,/ Na sharruan malet dhe këmbët, baladat dhe burimet,/ Diku në një arë ndanë pendën e qeve më dysh,/ Si korba grykëprerë binin nga qielli mallkimet…”, dhe mjaft poezi të natyrës ku shfaqen raportet historike, ku nuk munguan ngjarjet kombëtare dhe ato të krahinës së tij.
Petrit Ruka shkroi për Atdheun një metaforë brilante të cilën e ka sendërtuar mjeshtërisht, ku kontrastet e thella të dashurisë me tragjizmin, të dhimbjes me gëzimin, të trimërisë me dramën janë të bashkëshoqëruara, pasi fati i vendit të tij ka qenë i tillë, ku dhimbja nuk është kuptuar asnjëherë pa gëzimin, mbijetesa dhe mbi ekzistenca nuk është kuptuar pa tragjizmin. Poezia “Shqipëria”, një poezi që përshkohet nga bukuria, nga dhimbja, nga lashtësia dhe nga dramaciteti, spikat në vargjet epike:”Kjo tokë quhet Shqipëri. Është e jona./Qysh atëbotë që u krijua/Mbi kokën tonë hëna./ Vure dorën mbi të të ndjesh si derdhen/Përrenjtë e të vdekurve nga brenda…”. Po kështu poezia tjetër, e cila përcjell një vokacion jashtëzakonisht kombëtar dhe të krenueshëm, e titulluar “Atdheu fillon te zemrat, shpërfaq një botë të thellë poetike”: “Atdheu fillon te zemrat tona,/ Kufijtë e tij kalojnë te shpirti ynë,/ Ja, shtri në një vijë të drejtë kapilarët,/ Venat, aortat,/ Dhe ke matur të gjithë kufijtë”. Siç shihet në të gjithë raportin, në shenjtërinë e atdheut duket se lëviz një ndjenjë dhe një gjendje e brendshme mishtore, një frymë që përbën dhe shpirtin njerëzor.
Temën që lidhet kryesisht me krenarinë, dashurinë dhe raportin me atdheun, Ruka e ka derdhur në një përmasë të konsiderueshme, qoftë dhe në poezinë që konsiderohet si vargëzimi i peizazhit, në poezinë ku përshkruan ngjarje të caktuara dhe njerëz që i takon në udhëtimet apo i zbulon gjatë shfletimit të historisë dhe të ditëve të tij, kur ai flet për miqtë dhe armiqtë, kur flet për luftën, lashtësinë dhe aktualitetin, kur flet për poetët (“Të përulem, imzot”- Nolit, “Më kujtojnë atë”-Naim Frashërit, “Lasgush Poradecit” etj). Në poezitë e shumta që kanë një natyrë lirike, herë të shpalosura përmes unit apo dialogut e herë përmes vetës treguese të kundrinuar, ku shquan përdorimi mjeshtërorë i sintaksës poetike që Ruka ka përdorur.
Një profil të njohur poetik në poezinë shqipe, poeti Petrik Ruka e ka dhe si lirik, një poet i cili e ka skalitur njeriun në të gjithë dimensionet, veçmas raportin e brendshëm erotik dhe lirik që zgjon femra, marrëdhënia me të si burim jetësor. Lidhur me këtë temë specifike, e cila në profile të caktuara poetike është shfaqur në forma të larmishme, në poezinë e Rukës, ajo buron nga një lidhje të fortë dhe një marrëdhënie që poeti ka me poezitë e dashurisë, të cilat në poezinë popullore zënë vendin më të madh dhe krijojnë një marrëdhënie sa personale, intime, erotike, po kaq dhe më të dhëna sociale dhe me aspekte të tjera jetësore. Kjo e bën poezinë lirike të Petrit Rukës mjaft komunikuese dhe të mirë-përvetësuar nga lexuesi.
Lirika “Më ka marrë malli për ty” ngjan të jetë një lirikë e bukur, një lirikë që ka një ritëm të brendshëm dhe një ankth të bukur ku poeti përdor nocionin kohë në një formë jashtëzakonisht domethënëse, kalendarin, muajin, ditët ku pritja shfaqet në të gjithë këtë marrëdhënie. Poeti shkruan: “Më ka marrë malli, shumë më ka marrë,/ Tani në dhomën time nuk mbaj më kalendar…” dhe “Dhe një që e pata e bëra copë e çikë,/ Ç’i kanë bërë muajt me nga tridhjetë ditë?”, një lirikë e cila ka një gjendje të mrekullueshme pritjeje dhe që përshkohet nga një harmoni e pazakontë lirike.
Poezi të tjera lirike sjellin gjendje interesante, shpirtin e butë dhe të prekshëm të poetit, i cili shpjegon një përjetim gati përditsor në marrëdhënie me njerëzit dhe me veten. Poezia “Dhe prita të zgjoheshe” është një detaj dhe një prerje e të gjithë asaj që poeti thotë përgjithësisht në lirikën e tij. Ai shkruan:”Isha vonuar, o shpirt, dhe të gjeta në gjumë,/ Buzët për një puthje digjnin si kaminë./Po si të të zgjoja,/ Ti ishe kaq e bukur,/ Sa nuk mund të ta prishja bukurinë”, një poezi, ku sentimenti bashkohet me ndjesinë, me erosin, por dhe me estetikën e të bukurës, të përshkuara nga një ndjeshmëri sublime njerëzore. Poezi të tjera lirike si “Gratë na rilindin”, “Në të qahet, mos qaj!”, “Këngë për gruan”, “Një grua e bukur”, “Ti s’e di”, përmbushin një profil poetik të rëndësishëm për lirikën shqiptare në përgjithësi.
Poeti Petrit Ruka mbeti përjetësisht i lidhur me familjen dhe vendlindjen. Kjo siç dhe kuptohet, e bën atë një poet i cili depërtoi me lehtësi dhe me një frymë komunikuese tek lexuesi. Tema e familjes, e cila gjatë kohës që poeti botoi dhe vëllimin e parë poetik, në vitin 1978, lidhet me një fenomen që zuri vend në shtypin e kohës, por dhe u trajtua në poezinë e kohës, veçmas në poezinë e Dritëro Agollit, lidhet dhe me temën e brezave, një temë që ka prekur të gjithë letërsitë e vendeve të tjera.
Ruka ka zgjedhur disa lloje detajesh dhe rrethanash për të krijuar një komunikim poetik përmes familjes dhe prindërve, po ashtu dhe të vendlindjes, dy tema që herë pas here pleksen bashkë në poezi të caktuara e herë shfaqen përmes detajeve të veçanta. Një nga poezitë më të bukura të poezisë së Rukës është ajo e titulluar “Përrallat tona” (Tim eti), ku poeti gjen rastin dhe krijon një sfond të gjerësishëm komunikimi. Poeti shkruan: “Përjashta bora shtron me valle/Të bardhat flokë palë- palë,/ Tani një plak i zbardhur fare-/ Do nxjerrë nga llulla një përrallë” dhe “Si me magji nja njëzetë shekuj,/ Do mënjanoj si goglat e tespihe,/ Të thotë se si ndër kohëra, popujt/ S’iu trembën putrave të lubive...” për të vazhduar me një pleksje dhe një endje të mrekullueshme të kohës, ngjarjeve, fantazisë, motit, njerëzve, duke dëshmuar po ashtu se një pjesë e madhe e njohjes së botës nga ne fëmijët ka filluar nga këto përralla, madje edhe përfytyrimi e fantazia e parë për të shkruar poezi.
Tema e babait është e gjerë në poezinë e Rukës, siç janë poezi të tilla dhe “Këngë e butë për babain”, “S’kanë për t’m’u ndarë malet asnjëherë”: (“Babai im aty ka lerë,/ Nga të gjitha anët male shpatullgjerë…”) dhe shumë poezi të tjera të cilat krijojnë një perceptim tokësor dhe po kaq domethënës babë e bir, ku njëri plotëson tjetrin dhe anasjellas. Në këtë komunikim poetik, natyrisht shpirtëror shfaqen krijimet që i ka kushtuar nënës, nënave dhe gjithë burimeve jetësore që zakonisht në jetë vijnë nga nëna. Përgjithësisht janë poezi me një sentiment të thellë, me një ndjeshmëri dhe me mall të fortë, e cila duket se shfaqet e tillë si një lloj kompensimi dashurie mes nënës me poetin dhe poetit me nënën. Në poezinë “Muzikë për nënën”, poeti duket se sjell në mëndje një ndjesi prej rituali të hershëm, nëna shfaqet si një orë mitologjike që e ruan të birin çdo çast, ai shkruan:”Në dritën e yllit/ Që ruan një shpresë,/ Te bisha e pyllit,/ Tek orë e pabesë,/ Të gjembi i ferrës,/ Nën hijen e hënës,/ në buzë të humnerës/ Ruan syri i nënës…”. Poezia “Gjeografi për nënën” një poezi e mrekullueshme, ku Ruka arrin të ndërtojë gati një rrëfenjë mbijetese, një rrëfenjë që ka embrionin e vet që nga lashtësia, ku mbijetesa e këtyre njerëzve përtej maleve të vendlindjes së tij bleron për shkakun e dashurisë së nënave. Poezia ndërton metaforën e mbijetesës përmes figurës së nënës, por dhe në shumë momente të tjera ku poetit i krijohet ekuilibri për shkakun e ekzistencës së nënës si materie, si kult dhe si raport i thellë shpirtëror.
Ruka nuk u nda kurrë nga vendlindja dhe nga natyra, ashtu siç nuk u nda as nga lufta dhe heronjtë e kohërave, si një model i rëndësishëm për të guxuar të ardhmen. Në fund të fundit në të është aroma e vendlindjes, e cila ishte përherë pranë dhe brenda tij.
Petrit Ruka ka shkruar poezi që nga vitet ‘70 të shekullit XX deri në librin e fundit me balada të titulluar “Andej baltë këtej erë” në vitin 2020, një kohë gjysmëshekullore, duke përcjellë mesazhet e një njeriu që ishte i lidhur me të kaluarën, historinë, me luftën, njerëzit, familjen dhe vendlindjen. Ishte kjo përmasë e cila ka hyrë mrekullisht në botën e tij poetike e shndërruar në mesazhe dhe në një komunikim po aq njerëzor dhe estetikisht i ndërtuar mjeshtërisht.
I lidhur fort me kohën, poezia e Petrit Rukës përshkohet nga një lirizëm i thellë, nga një vlagë e ngrohtë ndjenjash njerëzore, të cilat e gdhendin portretin dhe profilin e poetit me një sentimentalizëm të thellë. Duke zënë vend në emrat e rëndësishëm të poezisë shqipe, Petrit Ruka dhe poezia e tij ngjan me një metaforë që thërret për të qenë më njeri, më atdhetar dhe më afër njeriut. Poezia e tij është një urë komunikimi për mesazhe të tilla në botën shqiptare