Zenun Çelaj: Replika Drashkoviç-Kadare për origjinën e shqiptarëve
Çfarë i shkruante shkrimtari nacionalist serb, Vuk Drashkoviç, shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadaresë?
Një pamflet tipik i traditës serbe
Në vitet tetëdhjetë, sidomos pas demonstratave historike të studentëve të Universitetit të Prishtinës, që u bënë më 11 mars të vitit 1981, politika dhe propaganda nacionaliste serbe ndërmori gjithë ç’kishte mundësi që të zgjojë antishqiptarizmin dhe që çdo proces të deriatëhershëm për emancipimin e shqiptarëve ta kthejë në kornizat e ish-Jugosllavisë. Aso kohe, ndoshta për herë të parë, nga Shqipëria zyrtare dëgjoheshin tone të tjera, zëra përkrahjeje ndaj asaj që po synonin shqiptarët në Kosovë. Ishin plot zjarr e emocione, sidomos shkrimet e Ismail Kadaresë, të cilat qarkullonin nëpër buletinet e kuq partiake e policore, si material i rrezikshëm, ndërkaq nga shqiptarët lexoheshin, sepse i mbushnin shpresë e u jepnin guxim. Kjo sikur i shqetësoi më shumë nacionalistët serbë, të cilët tani propagandën e tyre e orientuan edhe përtej kufirit. Me këtë qëllim duket se aso kohe iu shkrua edhe letra drejtuar shkrimtarit tonë, Ismail Kadaresë, nga nacionalisti i njohur serb, Vuk Drashkoviç, shkrimtar dhe, në vitet e tërbimit të nacionalizmit serb, politikan, i cili ishte në krye të partisë më të madhe nacionaliste për shumë vite (Lëvizjes Serbe të Ripërtërirjes) dhe në kohën e luftës në Kosovë ishte njëri nga funksionarët më të lartë në pushtet të Serbisë.
Ai përpiqet të njollosë gjithë të kaluarën shqiptare, të falsifikojë historinë dhe të ngrejë në qiell popullin e vet dhe figurat e tij historike, tashmë të njohura para botës për krime dhe genocid.
Nuk do të merrem me këto, sepse ato tash janë të ditura.
Ja edhe historia e kësaj letre, e cila ndër shqiptarët e sheh dritën gati pesëmbëdhjetë vjet pasi është shkruar.
Në qershor të vitit 1987, kur kishte arritur kjo letër në gazetën ‘Rilindja’, ajo i kishte rënë në dorë përgjegjësit për korrespondencën, i cili, pa e lexuar ende përmbajtjen, ma jep pa dijen e kryeredaktorit që ta lexoja. Pasi e lexova, pata frikë se mund ta botonte dhe kjo askujt aso kohë nuk do t’i pëlqente, sepse shante gjithë historinë shqiptare, shante shqiptarët e Kosovës, shante Shqipërinë, që e konsideronim për të shenjtë, shante edhe Ismail Kadarenë, që ishte krenaria jone dhe i cili me letrat publike që i shkruante na mbushte shpresë e guxim. Prandaj e fsheha. Ishte kjo një letër me të cilën ai demonizonte shqiptarët aq sa mund të konsiderohet si inspiratore e urrejtjes së manifestuar serbe gjatë gjithë viteve pasuese në Kosovë dhe mund të jetë edhe nxitëse e luftës dhe e krimeve serbe që bënë ata gjatë atyre viteve.
E kam ruajtur këtë letër deri më tash dhe çuditërisht u ka shpëtuar edhe vandalëve serbë, të cilët gjatë kohës së bombardimeve ishin vendosur në shtëpinë time, pasi nga e gjithe lagjja na kishin dëbuar me forcë: Keni afat tre minuta!… Kishin hyrë në bibliotekën time shtëpiake dhe çdo gjë e kishin kthyer praptaz. E gjeta me shumë letra të tjera në dysheme dhe vazhdova ta ruaj edhe pas luftës. Tani origjinalin me përkthimin e shpejtë ia dërgoj të adresuarit, të cilit besoj se kjo asnjëherë nuk i ka rënë në dorë.
Kjo është përmbajtja e fjalëpërfjalshme e asaj letre.
————————–
Shënim i Ismail Kadaresë
Është herë e parë që falë kujdesit të zotit Zenun Çelaj njihem me tekstin e plotë të letrës që më ka drejtuar Vuk Drashkoviçi më 1987. Personazhi është i njohur. Bën pjesë ndër ata që përgatiten masakrën e Kosovës. Gjatë luftës së Kosovës, si shpërblim për urrejtjen e tij antishqiptare u bë ndër ndihmësit kryesorë të Millosheviçit në postin e zëvendës-kryeministrit të Jugosllavisë.
Kur u shkrua kjo letër po përgatitej legjenda për ta paraqitur Drashkoviçin si shkrimtar përfaqësues të shquar të kulturës serbe në Evropë. Është menduar, me sa duket, se popullarizimi i tezave të Drashkoviçit nuk mund të bëhej pa rrëzuar tezat e kundërta që i ishin bërë të njohura ndërkaq opinionit evropian nga letërsia shqipe.
Për këtë aresye një pjesë e letrës u botua në gazetën franceze ‘Le Monde diplomatique’, në trajtë shkrimi kundër meje. I jam përgjigjur në atë kohë në të njëjtën gazetë franceze. Dymbëdhjetë vjet më pas, në kulmin e konfliktit të Kosovës, gazeta ‘Le Monde diplomatique’ i ribotoi të dy shkrimet me qëllim që nëpërmjet polemikës së dy shkrimtarëve, publiku francez të kuptonte rrënjët e konfliktit.
Letra e Drashkoviçit ishte një program për të përgatitur opinionin evropian e atë botëror, që në rast konflikti në Kosovë, të vihej pa rezerva në përkrahje të Serbisë kundër barbarëve shqiptarë.
Për këtë qëllim përpara botimit në ‘Le Monde diplomatique’ ajo u shpërnda kudo në ambasada, qendra studimore, forume politike e zyra shtypi. Në të njëjtën kohë, ajo u shpërnda në Kosovë e në Jugosllavi, për të inkurajuar krimin e ardhshem serb e njëkohësisht për të thyer moralisht shqiptarët.
Në këtë përplasje opinionesh midis shkrimtarit serb dhe atij shqiptar Vuk Drashkoviçi humbi. Opinioni publik francez dhe ai evropian, duke u njohur nga afër me tezat çnjerëzore të një kinse liberali serb, kuptoi diçka më shumë për doktrinën antishqiptare në Jugosllavi. Urrejtja vulgare kundër popullit shqiptar, ekstaza serbomadhe dhe rënia e maskës, ishin një ndër shkaqet e rrëzimit moral të Drashkoviçit.
Ndërkaq, ndërsa ka humbur ai vetë bashkë me zhganin tjetër të xhelatëve, nuk mund të thuhet se tezat e Drashkoviçit kanë kaluar pa gjurmë: ato vazhdojnë të ushqejnë një propagandë e një racizëm të palodhshem antishqiptar. Qëllimet e këtij racizmi dihen: të defaktorizojnë shqiptarët duke i paraqitur si barbarët e Ballkanit, të pengohet liria e Kosovës, të ndalohet hyrja e popullit shqiptar në familjen evropiane.
Një aradhë e zellshme punon për shpërndarjen e këtij racizmi: intelektualët çapaçulë, mafiozë të salloneve politike, politologë të prapaskenave e gjer te shërbëtorët e rëndomtë, ata që marrin shpërblim pas çdo porosie të kryer.
Për një habi të madhe, tezat e Drashkoviçit ka kohë që po shfaqen edhe në shkrimet e disa intelektualëve shqiptarë. Ndër to bie në sy këmbëngulja se populli shqiptar nuk ka kujtime historike, se origjina e tij ilire është një përrallë, se heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti s’është veçse një serb me emrin Gjuro Kastrioti etj. Gjithmonë sipas Drashkoviçit dhe ndjekësve të tij shqiptarë, historia e bujshme shqiptare s’është veçse një shpikje e diktatorit Hoxha dhe e shkrimtarit Kadare, kurse ky i fundit, qenka, veç të tjerash ithtar i Adolf Hitlerit ndaj fare mirë mund të quhet shkrimtar nacional-socialist.
Në këtë ribotim të tretë të letrës së Zhiruetës së Ballkanit siç e ka quajtur me ironi Drashkoviçi, shtypi perëndimor, lexonjësit tanë do të gjejnë këto përkime të çuditshme. Qoftë edhe për këtë letra ia vlen të ribotohet.
Shkrimtarit Ismail Kadare nga Vuk Drashkoviç, Tiranë, Shqipëri
I nderuari koleg Kadare,
Kurrë për së gjalli nuk do të futesha në këtë tokë të mallkuar edhe sikur të m’i dorëzonin të gjitha divizionet e NATO-s – thotë në romanin tuaj ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ gjenerali i dikurshëm fashist, i cili njëzet vjet pas luftës vjen në Tiranë për të mbledhur eshtrat e ushtarëve të vet që kishin rënë në Shqipëri. Shqiptarët, mban në mend gjenerali juaj, kishin shkatërruar regjimentin Fama, Regjimentin e Katërt të Gardës, Divizionin Fitorja, Korpusin e Dytë, Regjimentin e Shtatë të Këmbësorisë dhe gjithë këtë soldateske e kishin shndërruar në një Armatë të madhe të najlonit. Heronjtë tuaj thonë se shqiptarët më shumë se çdo gjëje tjetër këndojnë për shkatërrime e vdekje dhe se ata për luftë ndiejnë nevojë shpirtërore. Kurse ai, kleriku, i cili bashkë me gjeneralin mbledh eshtrat e ushtrisë së dikurshme, thotë se është fat i madh për fqinjtë e tyre (të shqiptarëve) se ata janë vetëm dy milionë njerëz! Ju, natyrisht, e dini mirë se gjithë ato disfata gjeneralësh dhe fitore shqiptarësh në fakt nuk kanë qenë, mirëpo shkrimtari ka të drejtë të ëndërrojë e të fantazojë. Ju shpesh deklaroni se ngjyra e kuqe e flamurit shqiptar simbolizon gjakun që pandërprerë duhet të derdhet për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, kurse ngjyra e zezë shënon zinë për heronjtë, të cilët do të flijojnë jetën për këtë qëllim të shenjtë.
Si nacional-socialist thoshte Adolf Hitleri programin tonë ne e lexojmë edhe në flamurin tonë. Ngjyra e kuqe simbolizon mendimin e lëvizjes sonë socialiste, e bardha – atë nacionaliste, kurse kryqi i thyer simbolizon misionin e luftës sonë për fitoren e njeriut arian… për fitoren e mendimit i cili vetvetiu ka qenë e do të jetë antisemitist! Ju, natyrisht, nuk e keni kopjuar Adolf Hitlerin. Ju vetëm u ka pushtuar i njëjti frymëzim: Ju – antiserbizmi, kurse atë antihebreizmi; atë ëndrra për Rajhun e madh, kurse ju për – Shqipërinë e Madhe! Këto janë përputhjet, por ka edhe një dallim të madh. Së paku tash për tash. Adolf Hitlerin në Berlin e kanë zgjuar nga ëndrra përgjithmonë topat ruse. Ndërkaq ëndrra juaj ende vazhdon: nuk ju zgjon asgjë dhe, si një magjistar, gjithë ç’iu thotë goja ajo ndodh edhe në zhgjëndër. Flamujt tuaj kanë vërshuar Kosovën, shtizat janë ngulur si hunj në bebzën e Serbisë. Por: pa luftë, pa viktima, pa kurrfarë rezistence. As heronjtë tuaj po derdhin gjak, as ka nevojë për zi. Sikur simbolet e flamurit shqiptar po humbin domethënien e vet! Trilloni, kolegu Kadare, në ndonjë roman të ri, ofensiva dhe kundërofensiva, përleshje divizionesh, thyerje ushtrish në Kosovë. Por, askush në botë nuk do t’iu besojë se pa shkrepur asnjë fishek, thuajse në Serbi s’është askush, dhe pas vringëllimës së thikës shqiptare, si të ishte Serbia më e brishtë se djathi, keni arritur në breg të Moravës! Ju trilloni shkëlqyeshëm. Shpëtojani nderin Serbisë dhe kthejani domethënien ngjyrave të flamurit shqiptar! Vetë jeta e ka rregulluar ashtu që pena juaj duhet t’i qaset fiksionit, në mënyrë që fjalët t’i ngjajnë të vërtetës, kurse unë duhet të përshkruaj të vërtetën që t’i përngjajë fantazisë. Po filloj, ja, nga – flamuri serb. E kuqja, e kaltërta, e bardha – këto janë ngjyrat e saj, por unë nuk merakosem për domethënien e tyre. Dhe pse do të merakosesha? Ndoshta, kolegu Kadare, mjafton të dihet se nën këtë flamur asnjëherë nuk është rrëmbyer e huaja dhe nën të, vazhdimisht, ka pasur njësoj hapësirë, njësoj liri dhe njësoj lumturi si për serbë ashtu edhe për joserbë, dhe njësoj vuajtje, njësoj joliri dhe njësoj fatkeqësi. Agjencitë botërore, para dy vjetësh, nga Venediku, ku mbahej mbledhja e Shoqërisë Evropiane për kulturë, transmetuan një lajm të rrallë. Në foltore kishte dalë një shkencëtar i cili kishte thënë: Po vij nga një vend në të cilin kurrë nuk ka pasur diskriminim kombëtar ose fetar dhe në të cilin ka pasur gjithmonë strehë dhe dashuri për hebrenjtë e përndjekur kudo në Evropë. Sallën e kishte përshkuar një shushurimë spontane: Serbia!
Ajo zonjë, kjo mësuese e jetës, të cilën nuk e di pse e thërrasin histori me të cilën ju – si një fantast – ndoshta edhe jeni të detyruar të jeni në konflikt, dëshmon se flamuri kuq e zi, gjak e në zi, me shpend grabitës në mes, aso kohe ende nuk ekzistonte. Jo pse atëhere nuk ishit ju, që këtyre ngjyrave të pafajshme dhe shqiponjës së padjallëzi t’u jepni kuptim anticivilizues, por për arsye se atëhere nuk kishte Shqipëri. Para se të shfaqej në Evropë shteti shqiptar, kolegu Kadare, ai flamuri i lirisë, i barazisë dhe i vëllazërimit nga bedenët e Nishit fillimisht është dashur të lahej aq herë në gjakun serb dhe që, duke çliruar Ballkanin nga turqit, të arrijë deri në Prishtinë, Prizren, Shkup, Shkodër, Elbasan, Edrene. Në këtë udhëtim pengesën më të madhe kishte jo okupatorin, por – të okupuarit! Jo turqit, por baballarët dhe gjyshërit tuaj, shqiptarët, përkatësisht arnautët, ose arbanasët, ose shiftarët – siç quhen nga serbët. Ata janë mbrojtësit më të mëdhenj të Perandorisë Osmane dhe Stambolli në të gjitha luftrat me serbë i nxjerr në vijat e para të frontit! Ata ua kalojnë robëruesve të vet dhe sundimtarëve të vet, turqve, edhe për nga urrejtja edhe për nga krimet. Në kohën kur serbët kullonin gjak në luftë kundër turqve, duke pushtuar lirinë për vete e për shqiptarët, një lukuni shqiptarësh në Pejë dhunon vajzën serbe trivjeçare! Më duhet të ndalem. Paragjykoj: Ju ndoshta më shani, sepse po përse në Ballkan, turqit u treguan psikologë të dorës së parë. Hetuan menjëherë shpirtin raja bullgar, mamurllëkun grek nga e kaluara e largët, shpirtin e gjerë sllav të serbëve nën petkun e salltanetit të Bizantit dhe dehjen e tyre me kujtesën për shkëlqimin, shpirtëror të mbretërisë së tyre të copëtuar. Por nuk u ka shpëtuar as kjo se fiset, që i kishin gjetur nëpër malet e Shqipërisë, përveç shprehive që nëpër gryka t’u zënë pritat karvanëve tregtare dhe që nëpër fusha të zbresin vetëm për të plaçkitur, nuk kishin kujtime të veçanta historike! Shumë historianë pohojnë se krerët e këtyre fiseve kishin ardhur si shërbëtorë e rrogëtarë të bizantinëve diku në shekullin X ose XI, sigurisht nga Kaukazi, por gjithsesi së paku katër shekuj pasi që serbët kishin populluar hapësirën e Shqipërisë së tashme. Sidoqoftë, Konstantin Porfirogeni nuk e zë në gojë me asnjë fjalë ekzistimin e tyre, por nuk ka asnjë gjurmë as në Kronikën e Popit të Duklës. U muar vesh, është vështirë të dihet se kush për kë u gëzua më shumë: turqit për fiset që kishin kaluar në gjumë shekujt dhe shekujt e kulturës greke, romake, bizantine dhe serbe, ose ndoshta ato fise për turqit, të cilët nëpër ato shpatije të rrepishme aziatike nuk kishin gjë tjetër pos shpatave dhe dëshirës për të shkatërruar dhe rrëmbyer. Një gjë është e sigurt: ndërmjet pushtuesit dhe të pushtuarve nuk kishte mosmarrëveshje qytetërimesh. Pushteti i ri merr përdore njeriun nga shkëmbinjtë shqiptarë dhe e çon në butësinë, drejt Shkodrës serbe dhe Elbasanit serb. Për kundërshpërblim kanë pranuar fenë turke dhe kanë ndërruar emrat: para turqve, kolegu Kadare, në Shqipëri nuk ishte as emri yt! Shqiptari i islamizuar vendos rendin e vet në Shkodër, pa iu bërë vonë fare për lotët e të resë Gojkoviq, që po lahej rrëzë mureve të asaj kalaje serbo-bizantine. Ai nuk është i denjë dhe për këtë nuk duhet të fajësohet, të kënaqet me bukurinë e Graçanicës, ose të Manastirit të Deçanit: i shkon mendja që në ata margaritarë të kulturës evropiane dhe botërore t’i mrizojë delet dhe lopët e vjedhura! Qëndresa serbe, dihet, patjetër do të thyhej para atij zullumi të dyfishtë, aziatik e shqiptar. Shumë sish vriten në kryengritje, shumë sish çohen syrgjynë në Azi, shumë sish ikin në Austri e në Rusi. Ndërkaq shumë nga ata që mbetën në Malësi, rreth Drinit, rreth Shkumbinit, në Shkodër, rreth Shkodrës, në Rrafsh të Dukagjinit dhe në Kosovë, që të ruajnë tokën e vet dhe tempujt e shenjtë historike do të përfshihen nga furia e terrorit aq të padurueshëm sa që do të detyrohen të gjunjëzohen para dhunës! Në Maqedoni, Hercegovinë, Bosnje, Mal të Zi dhe në krahinat e tjera serbe, duke kaluar në fenë islame, serbët bëhen turq. Në Shqipërinë e sotshme, në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Kosovë, duke përqafuar islamin, ata u bënë arnautë. Në të dy rastet konvertimi vesh rrobën e okupuesit të vet. Shqiptari aq i hyn në qejf sundimtarit të vet, sa që ky i dhuron atij të drejtën e sundimit në krahinat serbe dhe madje i lejon jo t’i turqizojë të krishterët, por, si një okupator i njëmendtë, t’i shqiptarizojë! Shkenca vlerëson se së paku gjysma e popullsisë së Shqipërisë së sotme dhe tri të katërtat e gjithë shqiptarëve në Rrafsh të Dukagjinit dhe në Kosovë, kanë rrënjë serbe. Këtë e dëshmojnë edhe mbiemrat e tyre, këngët e tyre, toponimet, zakonet e tyre. Qysh në fillim të këtij shekulli, fisi Krasniqe, edhe pse të gjithë muhamedanë, kremtonte festat serbe dhe sipas ritit ortodoks. Ndër Kastratë, madje qysh më 1918, ka pasur mbiemra siç janë Tutoviç ose Patroviç. Heroi i Popullit i Shqipërisë, komandanti partizan Vojo Kushi, është shqiptarizuar para tri dekadash: mbiemri i ri i tij është Kushi. Serbja e ka lindur shqiptarin e njohur (arnautin), në fakt proshqiptarin, Sinan Pashën (kur ishte fëmijë quhej Sinadin) i cili ka djegur eshtrat e Shën Savës dhe ka rrënuar tempullin e Shën Arkangjellit në Prizren dhe nga gurët e mermeri, nga eshtrat e këtij trashëgimi madhështor të të parëve të tij – ka ndërtuar xhami! Kurse Skënderbeu, me gjasë i vetmi shqiptar i njohur që ka parë në turqit hasmin, është i lindur si Gjuro Kastrioti (pra me nënë serbe) dhe kjo është ruajtur në kujtesën e popullit! Njëfare mendje në njëfarë kujtese, kolegu Kadare, është e nevojshme edhe kur pasionet të çojnë nga ëndrrat për Shqipërinë e Madhe! Më kap tmerri, madje edhe kur më shkon në mend se ju, shkrimtari Ismail Kadare konsideroni se e drejta historike dhe civilizuese është në anën e vrasësit të Arhimedit, në anën e atij oficeri aventurier që kishte shtënë mbi Pushkinin, në anën e atyre që kishin dhënë urdhër të fshikullohej Prineli, që kishin anatemuar Paskalin, që kishin djegur Xhordano Brunon dhe që e kishin vënë në mundime të ndryshme njëzet e shtatë herë Kampanelën! Do të duhej të ftoheshin edhe psikologët e botës që të vijnë në Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit: të hulumtojnë pse infermierët shqiptarë dhunojnë dhe i mbysin lehonat serbe, pse mjekët i gjymtojnë fëmijët serbë, të kontrollojnë djaloshin shqiptar i cili ka verbuar demin e Manastirit dhe që të verifikojnë hipotezat e veta, deri tash të pranuara, mbi përmasat e mundshme e të pamundshme të urrejtjes njerëzore! Por: pse unë ju flas ju? Juve ju intereson vetëm një gjë: deri ku janë të ngulur në tokën serbe shtizat e errësirës dhe të keqes me flamurin shqiptar. Ç’është ajo që pengon? Thënë shkurt – rrena e promovuar për të vërtetë. Rrena se ushtria serbe gjatë luftrave ballkanike ka bërë krime mbi shqiptarët, rrena se shqiptarët dhe të gjithë popujt joserbe kanë qenë të shtypur në Mbretërinë Jugosllave, rrena se serbët janë xhandarë të Ballkanit. Bacili i paralizës së tashme të vetëdijes serbe e ka emrin – hegjemonia serbomadhe! Këtë sllogan fillimisht e lansojnë Vatikani dhe Austria katolike. Historiani i Kominternit, Ivan Levin, më 1934, shkruante se serbët madje kishin therrur gjysmën e shqiptarëve në Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit! Ç’është e vërteta, shumë nga komunistët serbë përpiqen ta demaskojnë komplotin e gënjeshtrës absolute dhe – zhduken në kampet staliniane! Vetëm ata serbë – revolucionarë, që pranojnë krimet e pabëra dhe mëkatet e popullit të vet gëzojnë besimin e Papës së vet dhe të Vatikanit të vet moskovit! Interesat e tyre të shenjta të revolucionit kërkojnë prej tyre që banditët shqiptarë, kaçakët, të cilët proklamojnë shkatërrimin e Serbisë dhe bashkimin e Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit me Shqipërinë, i përqafojnë si vëllezër klasorë dhe aleatë. Interesat e shenjta të revolucionit kërkojnë prej jush, kolegu Kadare, mund të gjuani me dorë dhe të thoni se thjesht nuk u besoni këtyre që them. Jetoni në vendin në të cilin ende nuk janë terur monumentet për Stalinin, kur për fyrerin shqiptar votojnë që të gjithe (pos njerit), ku lejohet vetëm mendimi i Udhëheqësit dhe ku janë ndaluar të gjitha të vërtetat e pakëndshme të Udhëheqësit. Me të vërtetë nuk besoj se ju nuk keni besim në mundësinë e dresimit efikas kolektiv dhe të paralizimit të vetëdijes! T’u kthehemi megjithatë fakteve: asaj që me të vërtetë ka ndodhur në realitet dhe jo në imagjinatën revolucionare. Komandanti i Armatës së Tretë serbe, e cila ka çliruar Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit më 1912, gjenerali Bozhidar Jankoviç, u drejton proklamatë speciale të gjitha fiseve shqiptare. Ai thotë: Duke ardhur te ju, vëllezër, ne ua sjellim lirinë, të drejtën dhe nderin e respektin e të parëve. U betohem në të madhen Perendi dhe ua jap besën e fortë se askush nuk do të prekë në zakonet dhe në fenë tuaj, por secili do të mbajë besimin e vet, ashtu si dëshiron. Ua jap fjalën e nderit se nuk do të lejojë kurrfarë hakmarrjesh dhe se do të hidhen në harresë gjithë çfarë ka ndodhur përpara…
Gjenerali Jankoviç thotë kështu dhe e mban fjalën, edhe pse e dinte se Turqia, u kishte shpërndarë shqiptarëve të Isa Boletinit 63 mijë pushkë më moderne (austriake) dhe vetëm këtyre ua kishte besuar mbrojtjen e Kosovës. Ushtria në të cilën i sëmuri i Bosforit kishte shumë besim, aso here nuk e dëshmoi legjendën e Enver Hoxhës dhe tuajën se shqiptari është flakë në të cilën ndizet edhe guri i strallit (gurgaci). Kështu ka qenë, por unë e di se në veshin tuaj (dhe jo vetëm tuajin) gënjeshtra mbi krimet barbare serbe është më e këndshme. Fundja, nuk jeni i pari as i fundit i cili gënjeshtrën e mbisundon me talentin alkemik që në vërtetësinë e saj të bind, madje edhe veten! Në këtë mënyrë, kolegu Kadare, keni përqafuar edhe trillimet e Kominternit të ndjerë dhe ende të gjallëve të tij dhe, mjerisht, nxënësve të shumtë edhe në Tiranë, edhe në Beograd, se tiranët serbomëdhenj me anë të reformes agrare, të zbatuar në Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit ndërmjet dy luftërave kanë grabitur pronat shqiptare dhe kanë sjellë në to të huaj nga Mali i Zi, Lika, Bosnja, Hercegovina! Tregimi për krimet e ushtrisë serbe dhe për vuajtjet e shqiptarëve në Mbretërinë Jugosllave bëjnë pjesë në atë lloj gënjeshtrash kulminante që janë mëkat i pafalshëm, sepse – sipas filozofisë – përdhosin strukturën edhe të vetë domethënies dhe gjithë kozmosin e bëjnë të palexueshëm dhe të padashur! Aspak më i pafalshëm është mëkati i heshtjes dhe i fshehjes së paqëllimtë të krimeve shqiptare në të dy luftërat botërore: në të Parën ndaj ushtrisë gjysmë të vdekur serbe dhe ndaj popullit që po tërhiqej nëpër Shqipëri, dhe në të Dytën ndaj fëmijëve, grave dhe pleqve serbë në Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit! Krim është, po ashtu, të mohosh më vonë të vërtetën se komunistët serbë janë ata që në Luftën e Dytë Botërore ngrejnë mitin e Enver Hoxhës dhe ndihmojnë vëllaun e vet klasor që të formojë dhe t’ia nënshtrojë vullnetit të vet Partinë Komuniste Shqiptare!
Xhelati ka bërë punën e vet i veshur me petkun e viktimës, kurse viktima është paraqitur si xhelat dhe është portretuar me rrobat e tij. Në këtë errësirë mashtrimesh dhe të suspendimit të të vërtetave, flamujt kuq e zi nga Tirana, tapia e sovranitetit të huaj, kanë mbërritur deri në Ibër e Moravë!
Kosova është fjala më e shtrenjtë – thotë shkrimtari Matija Beqkoviç, kurse në Tiranë, në Gjakovë dhe në Prishtinë pikërisht këtë e harrojnë. Kjo fushë për shqiptarët është gjeografi, kurse për serbët gurra e kulturës së tyre, epi dhe feja, Alfa dhe Omega e ekzistimit të tyre! Kosova mund të jetë e kaluara e secilit, vetëm e popullit serb jo. Fjala e kaluar në Kosovë humb domethënien e vet. Knjaz Llazari edhe sot kungon ushtrinë, Vajza Kosovare njësoj u jep verë trimave të plagosur në të gjithë shekujt, ende rreth manastirit të Deçanit janë skelat e ndërtimtarëve, Nëna e Jugovicëve ende mban rreth qafe dorën e të birit Damjanit, tellallët e mbretit njoftojnë mbi ndërtimin e Shën Arkangjellit, kurse kurora serbe e mihur në Bogosllovinë e Prizrenit edhe sot pret çlirimtarët! Kosova jeton ndër serbë edhe për këtë arsye është – në anën tjetër të vdekjes e të kohës. Gjenerali i ushtrisë së vdekur bëhet ai që këtë e shpërfill.
Kolegu Kadare! Sa do të isha i lumtur sikur ta dija se nuk ka shkaqe për këtë dhe këtë letër, se është më mirë të shihemi dhe të shkëmbejmë letra si fqinj të dashur dhe si pjesetarë të kombit letrar. As mund ta merrni me mend sa jam fatkeq pse shkrimtarët serbë tash dy muaj, nga fillimi i majit e deri në fund qershorit, janë të detyruar që mbrëmjet letrare t’i mbajnë nën shenjë apokaliptike të gjenocidit mbi popullin e tyre në Kosove! Athua, në këtë protestë dinjitoze kundër mungesës së dinjitetit në kohën tone, njerëzit tuaj në Tiranë, në Gjakovë ose në Prishtinë, së paku sipërfaqësisht ju informojnë?
Vallë a nuk ju kap frika nga dita, nga ora, kur të shpenzohen të gjitha fjalët, të bëhen të pakuptimta të gjitha bisedimet, të gjitha poemat, të gjitha letrat, të gjitha apelet?! Ora është dymbëdhjetë pa një minutë, kolegu Kadare, që të ndihmoni që të mos vijë ajo ditë e ajo orë. Pushoni t’i shërbeni emancipimit kombëtar që pushtohet me urrejtje, me krime dhe me plane-xhihad mbi copëtimin e Serbisë! Tashmë është vendi i përgjithshëm i qytetërimit evropian se vetëm njerëzit me mendje të shëndoshë dhe me zemër të ngrohtë kanë të drejtë të krijojnë atë ndërgjegjen morale që e ka emrin – komb. Hidheni tutje anarkinë, fanatizmin ideologjik e barbar, gënjeshtrën, dhunën. Ndizini me turpin letrar e njerëzor për shkak të barbarisë së bashkëkombasve tuaj që mendojnë të zgjerojnë Shqipërinë dhe të pushtojnë fatin – me dhunime fëmijësh serbë dhe shkatërrim varrezash. Trimëroni ata shqiptarë nëpër Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit që nuk e pëlqejnë atë fat, por që sot këtë as guxojnë ta thonë as ta bëjnë. Çdo rrugë tjetër, besoni, shpie në aventurë të rrezikshme!
Me dëshira më të mira,
Vuk Drashkoviç, d.v.
Në Beograd, më 18 qershor 1987.
P.S. Në librin tuaj të ri, ‘Krushqit janë të ngrirë’, ju barbaritë e sotme të shqiptarëve në Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit i quani – kryengritje. Por e keni heshtur shpjegimin se fjala është për kryengritje kundër njerëzisë, kulturës, moralit dhe vetë arsyes njerëzore. A besoni, me të vërtetë, se Evropa dhe bota kurrë nuk do ta marrin vesh të vërtetën?!
E përktheu nga serbishtja Zenun Çelaj.
————————————————–
LE MONDE DIPLOMATIQUE, 1989/REAGIMI I SHKRIMTARIT TË MADH SHQIPTAR ISMAIL KADARE NDAJ SHKRIMTARIT DHE POLITIKANIT SERB VUK DRASHKOVIÇ MBI ORIGJINËN E SHQIPTARËVE
Nga Aurenc Bebja*
“Le Monde Diplomatique” ka botuar, në tetor të 1989, reagimin e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare ndaj shkrimtarit dhe politikanit serb Vuk Drashkoviç mbi origjinën e shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Origjina e shqiptarëve
Burimi: Le Monde Diplomatique, tetor 1989, f.2
Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare jep disa detaje mbi origjinën e shqiptarëve pasi lexoi artikullin e z. Vuk Drashkoviç mbi “marrëdhëniet serbo-shqiptare”, i cili u botua në numrin tonë të prillit të kaluar :
Unë thjesht dua të ndalem në këtë fragment të z. Vuk Drashkoviç “Asnjë shkencëtar serioz në botë nuk e mbështet pohimin e nxjerrë nga Tirana dhe Prishtina (kryeqyteti i Kosovës) pa asnjë provë mbështetëse, sipas së cilës ilirët janë paraardhësit e shqiptarëve”.
Me sa duket z. Vuk Drashkoviç duke besuar se njohja e botës fillon dhe mbaron në këtë vepër, injoron ose mbyll sytë për të mos parë, se shqiptarët, nën emrin e shqiptarëve, dhe një nga qytetet e tyre, Albanopolis, përmenden që në shekullin e dytë në shkrimet e Ptolemeut.
Aq më pak është i vetëdijshëm se autoritetet më të mëdha shkencore të botës kanë folur për autoktoninë dhe origjinën ilire të shqiptarëve. Unë do të citoja ndër të tjerët gjermanët Gottfried Leibniz (1705), Johann Thunmann (1774), Ritter von Xilander (1835), Franz Bopp (1850), Jakob Fallmerayer (1857), J. von Hahn (1870), Paul Kretschner (1896), Norbert Jokl (shek. XX), Maximilian Lambertz (shek. XX) etj., Për të vazhduar me anglezët William Leak dhe Stewart Mann, danezin Holger Pedersen, italianin Angelo Masci, austriakët G. Mayer, H. Olberg dhe R. Solta, francezin A. Ducellier dhe shumë të tjerë, për të arritur te kroatët Milan Sufflay (Shuflaj) dhe Radoslav Katiçiç dhe jugosllavi Aleksandër Stipceviç.
Por z. Drashkoviç pretendon (mendon) se ka zbuluar në Enciklopedinë Sovjetike një studiues azerbajxhanas, R. B. Gueiouchev, i cili mbështetet në një tezë të vjetër, në asnjë mënyrë shkencore, por letrare dhe fantazuese, e hedhur poshtë prej kohësh, sipas së cilës, meqenëse ekziston në Kaukaz një vend i quajtur AIbania, thuhet se shqiptarët janë prej andej.