Albspirit

Media/News/Publishing

RRJETET SOCIALE “VRASIN” JETËN REALE

ELIS KUÇI

Vapa e madhe (e zakonshme në këtë periudhë) bashkë me djersitjen e shpeshtë ka sjellë publikime fotosh hot, duke lajmëruar virtualistët se është koha për pushime. Shumë njerëz do ta paragjykojnë këtë shkrim, (pasi unë nuk kam dhe nuk kam pasur ndonjëherë llogari në Facebook, Instagram etj., etj), por i ftoj të merren me thelbin. Personalisht, kam zgjedhur mos të jem pjesë e rrjeteve sociale, sepse preferoj të konsumoj kohë fizike dhe jo virtuale, por ky është mendim individual.

Të vijmë te thelbi. Shoqëria jonë ka nevojë të njohim realisht mjedisin tonë social-kulturor, jo ta imagjinoj përmes disa selfie-ve të kuruara bukur. Për të keqen tonë, mania për të publikuar në rrjetet sociale foto nga “realiteti” i jetës tonë po kthehet në një mënyrë jetese për shumë të rinj. Në një vend shumë të bukur në periferi të Tiranës, një fundjavë, konstatova (jo se nuk e dija që ndodh kështu) se shumë të rinj vinin me urban rreth një orë udhëtim, porosisnin një shishe ujë, bënin xhiro vërdallë për të bërë disa foto, edhe iknin, pa shijuar qetësinë që të fal natyra. Thënë shkoqur; vinin vetëm për të bërë foto e për ta postuar në rrjetet sociale me mbishkrimin “disa orë qetësi në natyrë”. E vërteta ishte krejt tjetër. Disa orë në trafik, disa minuta pritje të urbanit të radhës, durimi i vapës dhe djersës së pasagjerëve, e thënë troç, pasdite stresi.

Pa shembuj suksesi

Një tjetër konstatim i dhimbshëm, por i vërtetë; vajzat shkojnë një ditë në plazhin e Dhërmiut, dhe në vend që ta harxhojnë kohën duke shijuar ujin e mrekullueshëm të Jonit, marrin me vete shtatë palë rroba banja, bëjnë nga shtatë foto në cepa të ndryshme të mjedisit ku po pushojnë, dhe i postojnë çdo ditë nga një foto ndryshe. Mund t’i mirëkuptojmë qejfet e moshës, por nuk mund të jemi dakord, kur të rinjtë i harxhojnë ditët në vijim duke hedh foton e radhës me diçiturën: “jam në Dhërmi”, ndërkohë që rrinë në shtëpi, duke pritur komente dhe ‘like’ nga bashkëmoshatarët. Ndërkohë që presin pëlqime për postimet, të rinjtë shohin moshatarët e tyre që hedhin foto të bukura. Këtu lind ndjesia depresive. Si? Harrojnë që edhe postuesi tjetër ka publikuar në rrjetet sociale një moment të gëzuar, ndoshta i vetmi për atë javë, por që mjafton për t’u mërzitur për atë që rri në shtëpi, edhe pse ka postuar foto të disa ditëve më parë. Jetojmë në një kohë kur për fatin tonë të keq rinia nuk ka shembuj si mund të arrish suksesin, pa qenë nevoja të kesh shumë miq në rrjete sociale.

Rrjetet sociale larg realitetit

Po të vëzhgosh faqet në “Facebook” kupton që frekuentuesit më të mëdhenj të tyre bëjnë një jetë të gënjeshtërt, pasi në fotot e publikuara do të shohësh djem edhe vajza të lumtur, shpenzues parash, pushues në vende ekzotike etj. Por pse, përdoruesit shqiptarë të rrjeteve sociale qenkan më të lumturit në botë? Sigurisht që jo. Tek albumi i këtyre fotove nuk gjen asnjë foto duke debatuar me prindërit që t’u japin më shumë të holla, nuk gjen asnjë foto, duke u stresuar çfarë do vesh, apo kujt t’i them për disa veshje borxh. Sa përdorues rrjetesh sociale ka që kanë parë një mikun e tyre që poston një foto ku është në momente të këqija? Sa foto vajzash shohin bashkëmoshatarët, ku kanë dalë në momente të shëmtuara…?! Ka rrallë për të mos thënë asnjë. Pse vallë, nuk ndodh të kesh momente të trazuara gjatë jetës? Sigurisht që po, por s’duhet publikuar se ngjan njeri pa vlera te disa miq që i ke vetëm në rrjetet sociale, me të cilët nuk shkëmben asnjë përshëndetje kur përballesh nëpër rrugët e Tiranës. Ka adoleshentë që kanë miq në rrjete sociale, por që nuk i kanë njohur kurrë në jetën e tyre reale, megjithatë shkëmbejnë mesazhe të shumta virtuale. Ka statistika se shumë vajza janë larguar apo kanë rënë pre e dhunimeve seksuale me djem që i kanë njohur vetëm në “Facebook”. Sa adoleshentë kanë tentuar t’i japin fund jetës për dashuritë virtuale? Sa grindje që kanë degjeneruar në sherre masive mes të rinjve, të cilët kanë shkëmbyer mesazhe në rrjete sociale?

Publikimi i një jetë imagjinare ngjan me lavazhin e trurit që bëjnë makineritë e propagandës në vendet diktatoriale. Në këtë kontekst, sensibilizimi i shoqërisë, i miksuar me edukimin në familje mbi ndikimin negativ që mbart keqpërdorimi i rrjeteve sociale, do t’i jepnin disa doza realiteti jetës virtuale.

Please follow and like us: