Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Demolli: In memoriam, Aleko Prodani!

Skënder Demolli
POST MORTUM NË 80 – VJETORIN E LINDJES SË AKTORIT KOMIK, ALEKO PRODANI, I CILI ME PUNËN DHE VEPRËN E TIJ MBETI HERO NË SKENË
DHE NË JETË. KOMUNITETI I ARTISTËVE KORÇARË NË SHENJË NDERIMI E KA SHPALLUR KËTË VIT KULTUROR “VITI I ALEKO PRODANIT”.
Në këtë vit të 80 – vjetorit të lindjes së aktorit të madh të humorit Aleko Prodani, i cili është vit simbolik i kujtimi të jetës dhe veprës së tij, jo vetëm për komunitetin e krijuesëve e teatrin e Korçës, por edhe atë shqiptar, nuk mund të mos them diçka për jetën dhe veprën e tij, si mik, publiçist dhe autor i mjaft materialeve letrare të mia të luajtura në skenë prej tij.
Kanë kaluar ndërkohë 16 vjet nga ndarja e tij nga jeta dhe skena në 26 shkurt 2006, me një ikje simbolike, si ajo e Molierit, i cili ka qenë jo vetëm autor komedish të pavdekshme, por një nga ikonat më të kompletuara të skenës botërore, mbi të cilën dha shpirt, ashtu siç do t’i falte jetën mes lojës aktoriale edhe komiku shqiptar A. Prodani, në performancën e tij të fundit para publikut me komedinë “Tri gra për një burrë” të nobelistit italian Dario Fo, sjellë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, nga një regjisor ambicioz për teatër elitar, si Adonis Filipi.
Komedi e cila papritur u kthye në një tragjedi me protogonist vetë Alekon, të cilin e tradhtoi në skenë zemra e tij nga një arrest kardiak, që i pushoi së rrahuri para syve të puplikut, gjysmë ore pasi kishte filluar shfaqja.
E dinte që ishte rënduar nga sëmundja dhe nuk pranoi të shtyhej shfaqja, sepse priste të merrte një paradhënie nga honorari i rolit, të mbyllte “ca halle të familjes”, e cila nuk mund t’i bënte ballë vetë i pestë, me dy pensione mjerane të tij dhe bashkëshortes Vjollcës e një pagë qesharake bashkiake aktori të djalit të tij të vetëm Albanos, në teatrin e Korçës. Por, siç ndodh rëndom, në një vend si yni e jo vetëm, artistëve në përgjithësi pas vdekjes u vlerësohet puna e vepra.
Dashuria e tij për skenën dhe jetën, ishin të pashtershme si dhe talenti i tij.
Nuk mund t’i mbyllej porta e teatrit Aleko Prodanit, por edhe vetë ai nuk mund t’u thosh jo një qyteti të tërë, që kur e takonte në bulevard dhe e pyeste për shëndetin, nuk mund të mos i thosh: “Hë, Leko!… Kur do të të shohim në skenë”! “Së shpejti”, u buzëqeshte ai dhe çapitej në heshtje dimër e verë drejt teatrit, i cili ishte shtëpia e vërtetë e tij, ku ai ndihej vërtet i plotë, i etur e plot energji për t’u dhënë jetë personazheve të rinj dhe vetë Alekos, i cili dalë ngadalë ishte kthyer në një ikonë të vërtetë për skenën e teatrit, por edhe për ekranin e vogël të televizionit dhe në kinematografi.
Sikur të mos ndalohej “KULTI i Aktorit (individit)” nga thjeshtësia proletare e “vijës së masave” të asaj kohe, pa dyshim Estrada Profesioniste e Korçës, me qindra rolet e tij, si një kloun star plot shkëlqim i saj, do të mbante emrin Aleko Prodani. E jo vetëm në estradë, por edhe në komeditë që vinte në skenë teatri i Korçës, ku shfaqej klasi i lartë i një aktori, me një plastikë e aftësi improvizimi të rallë, që buronte nga talenti i tij…
Serioziteti e sinqeriteti në lojë, me një humor, që i shkonte aq për shtat, si një kostum magjistari në të gjitha moshat.
Pirro Mani, regjisori ynë i madh kombëtar, që reformoi teatrin partizan të Korçës pas lufte, pas emërimit regjisor i tij, në fillim të viteve ’60-të, duke e kthyer atë, në një teatër modern bashkëkohor të Shqipërisë, e kishte pikasur herët talentin e Aleko Prodanit, i cili kish një veti të rrallë me heshtjen, aq i heshtur në jetë, por aq komunikues edhe me atë heshtje emblematike dhe në skenë,
Aleko Prodanit i fliste edhe syri, si tërë mimika e tij.
Për këtë i besoi rolin kryesor në një komedi në vitin 2001, fabulën, apo syzhetin e së cilës unë e kisha huazuar nga një film i huaj, shfaqja e së cilës me titull “Zonjusha 39 vjeç”, apo “Një burrë për Kristinën” u bë hit, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, duke u vlerësuar me çmime nëpër festivale teatri dhe pa dyshim, duke rrëmbyer opinionin e medias dhe kritikëve të njohur të teatrit shqiptar si Adriatik Kallulli, Josif Papagjoni etj., jo vetëm për regjinë e Manit, spektaklin e lojën ansambël të aktorëve pjesëmarrës në të, por veçanërisht për karakterin e Thimaqit që solli në këtë komedi me petk qytetar Prodani.
“E mbylla karrierën me kapak floriri aty ku dhe e fillova në teatrin e Korçës”, më dërgoi të fala nga Amerika Profesor Pirro, ku mërgoi familisht, duke më folur për kënaqësinë e shfaqjes e publikut korçar, pa harruar të veçonte Alekon, i cili ishte lokomotiva që tërhiqte spektaklin.
“Karakteret e Alekos, nga sa e kam ndjekur në skenë, vërtetohen nga jeta. Prandaj dhe rolin kryesor në këtë shfaqje ia besova atij. Alekoja kishte një lidhje të çuditëshme me jetën. Për këtë ishte dhe aq organik e i natyrshëm në skenë”, më tha Pirro, pa e fshehur entuziazmin për suksesin e shfaqjes, kur pata rastin të takohem pas saj, sepse për arsye shëndetësore dhe emigrimi nuk u ndodha në premierë.
Por e pashë më pas, në një skenë të famshme, në gjuhë të huaj nga Teatri nacional i Bitolas (Manastirit), Maqedoni e Veriut, ku siç shkruante shtypi i saj, komedia qëndroi mbi pesë vjet në repertor dhe u shfaq rreth katërqind herë. Aty në atë teatër të madh kishte dhënë shfaqje me këtë pjesë edhe teatri i Korçës dhe natyrisht Alekoja me rolin e tij u bë “kumbarë” që komedia të inskenohej edhe nga fqinjët.
Jo vetëm aq, por njëherazi ikona e tij prej artisti të madh u shndërrua në një “pasaportë” artistike për të udhëtuar jashtë vendit me teatrin e Korçës, i cili pati ftesë në Festivalin Ballkanik të teatrove në këtë qytet edhe me një komedi tjetër “Kërkohet deputet” të adoptuar prej meje, ku Aleko interpretonte rolin kryesor dhe u nderua me çmimin e aktorit më të mirë, ashtu si dhe në Festivalin Kombëtar të Aktrimit në qytetin e Fierit, në edicionet 2003, 2004 e 2005.
Rolet e Prodanit që i mbijetojnë kohës nuk janë një e dy, po të përmendësh edhe ato në kinematografi, ku nuk mund të mos veçoj shokun Kopi, në filmin e Kinostudios “Shqipëria e Re” “Dy herë mat” 1986 të Bujar Kapexhiut, të cilin do ta quaja një perlë, jo pse filmi është xhiruar pranë detit në Sarandë, por sepse Prodani në këtë film si dhe shoku Miti në “Zëvendsi i grave” 1987, apo inskenimin e “Shoku Zylo” të Agollit në skenën e Korçës, shpalosi veten në formatin e një klouni të përmasave botërore në kinematografinë shqiptare të viteve “80 – të.
“Nuk mund të gjeja fëmijë më të mirë, se sa Aleko për të luajtur shah përballë një fëmije, se sa Alekoja”, tha regjisori i këtij filmi të bukur humoristik B. Kapexhiu. “Vetëm me një batutë si ajo, “A, po ti, do të më vdesësh mua”, që e lëshonte si refren, siç dinte vetëm Alekoja e, me këtë detaj kinematografik, atmosfera dhe ritmi në film merrnin gjallëri e freski të pa parë”, është shprehur edhe pas vitesh Kapexhiu, i cili është një ikonë komplekse e humorit dhe kinematografisë shqiptare.
Por Aleko edhe pse me dhjetra role të spikatur dhe një karrierë aq të pasur e cilësore në skenë, nuk mund ta shihte veten, si një “legjendë” teatri. Edhe pse publiku korçar e kolegët e adhuronin. “Jam njësoj si të tjerët dhe dua të mbetem gjithmon me ndjenjën e detyrimit, për t’ia shpërblyer me art mirënjohjen publikut”, thosh, kur arriti edhe kulme me spektakle të tilla me dy mijë spektatorë në fund të viteve ’80– të, me regjisorin e talentuar e të pa harruar të estradës e teatrit Emil Bibolli, në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” në Korçë, apo festivaleve në shkallë vendi të estradave profesioniste, si në Përmet, Tiranë etj.
Regjisorët e lakmonin dhe e ngarkonin edhe më shumë se sa duhej nganjëherë, për të garantuar suksesin e shfaqjes me një aktor të Parë, si ai, por Aleko ishte punëtor i madh gjithashtu në skenë dhe, se shfaqej e shfaqte veten vazhdimisht në role njëri më i bukur se tjetri, pa e deshte publiku dhe priste biletën për ta parë starin e tyre të preferuar.
“A, po ti do të më vdesësh mua”, bënte shaka me autorë e regjisorë, kur e lutnin për role të rinj në shfaqjet e tyre. Dhe vërtet në skenë e për skenën e dha jetën gjatë provës gjenerale të komedisë, “Tri gra për një burrë” me regji të Adonis Filipit, në sytë e kujtesën e të cilit ikona dhe karakteri i Alekos, si njeri dhe artist ka mbetur e pa shlyer.
“Fati i madh që gjeta e bëra mik në Korçë një njeri aq të sjellë, aq të rregullt, aq të pjekur e me përvojë profesionalisht, që nuk e bënte veten kurrë se kush ish, edhe pse ish dikushi e me një emër të madh në skenën e humorit shqiptar. Por mbi të gjitha Aleko, si aktor me atë nur komik të lindur, të mbushte plot optimizëm për suksesin e shfaqjes dhe, suksesin e premierës ashtu si unë, rallë kishte regjisor që ta vinte në dyshim”, shprehet A. Filipi, i cili u ndodh në paraskenë, në orën më të vështirë të jetës së Prodanit, në shfaqjen e tij të fundit. Orë e zezë, si në ato tragjeditë e lashta, ku perdja e teatrit do të ulej përgjithmon në skenë për klounin dhe njëherazi Mbretin e saj.
Më shumë se nga akademitë, Aleko kishte mësuar shumë nga skena, por edhe nga jeta. Sepse kishte hequr shumë e provuar peripeci paradoksale të kohës. Nuk e gjeti shtruar udhën për t’u ngjitur në skenë megjithëse i talentuar. Fillimisht e emëruan mësues në një nga fshatrat e thellë malorë të Oparit të Poshtëm, siç është Rosoveri 60 kilometra larg Korçës, por atëherë në fund të viteve “50 – të, nuk bëhej fjalë për rrugë dhe vështirësitë ishin të mëdha.
Më pas u transferua në shkollën shtatë vjeçare të qytezës së Maliqit, ku njohu mes estradës amatore të tij, ku luante edhe vetë, shoqen e jetës, që më pas u bë edhe partnere e kolege e tij në skenën e estradës profesioniste, Vjollcën.
Jo vetëm aq, po emërimi në këtë qytet, si “zëvendësues i një gruaje”, që kishte marë lejen e lindjes u bë “guri” t’i hapej dera e teatrit të estradës së Korçës që sapo ishte krijuar, me një të papritur vërtet si në ndonjë komedi, të cilën do ta sjell për humor, ashtu si ma ka treguar vetë Alekoja, në një nga bisedkat me votkë nga Kombinati i Sheqerit në Maliq, i cili ia ëmbëlsoi jetën me dy dashuri, atë për Vjollcën e skenën, që i përjetoi me pasion deri në fund të jetës.
PRODANI: SI U EMËROVA AKTOR NË ESTRADËN PROFESIONISTE?
Papritur një ditë të bukur, sapo kish rënë zilja e shkollës, vjen në klasën e fillores, ku jepja mësim unë për kontroll, dora vetë ministri i arsimit të asaj kohe shoku Manush Myftiu.
Më mirë të më kishte rënë sipër mbi kokë tavani i klasës. Por ministri më rrahu shpatullat dhe vajti e zuri vend në tavolinën time aty në qoshe përballë nxënësve dhe po priste nga unë t’u bëja atyre arithmetikë.
Kuptohet nga emocioni dhe frika isha bërë më i bardhë se shkumësi që mbaja në dorë dhe pasi shkrojta, duke u dridhur në dërrasën e zezë tre plus katër dhe vura shenjën e barazimit, u ktheva nga fëmijët e i pyeta sa bëjnë.
Po, ata djaj, sikur të ma bënin kastile e kishin kyçur gojën e më shihnin të habitur, sikur s’më kishin parë kurrë. Fillova atëherë me shpinë nga ministri se mos më vinte re t’u tregoj me radhë, duke ua theksuar sikur i numëroja gojën, vrimat e hundës, sytë dhe veshët. Por fëmijët nuk kuptuan asgjë dhe ia krisën të qeshurit.
Mos qeshni! Pse qeshni, u thashë? Sa vrima ka koka?
Shtatë, buçitën ata në korr.
Pra tre plus katër bëjnë shtatë, u tërhoqa vëmendjen dhe vura rregull.
Ndonjë pyetje nga Historia e popullit tonë, ndërhyri ministri.
Kush është heroi ynë kombëtar, që me shpatë në dorë… i pyeta, duke ua bërë me shenjë me gishtin e madh që para gjoksit, lart në drejtim të murit, ku varej portreti i Skënderbeut?
Manush Myftiu, bërtitën ata njëzëri, duke kujtuar se po u tregoja atë ulur atje në katedër!
Këtë herë s’e mbajtën dot të qeshurën as ata që e shoqëronin ministrin dhe, as edhe vetë ai, që u tha me ton serioz: “Ky nuk është për mësues. Është komik për në estradë”.
Ai mbase u tall me mua, që kushedi si isha bërë në fytyrë, por kuadrot e rrethit e morën fjalën e tij për urdhër dhe të nesërmen më thirrën dhe më komunikuan vërtet emërimin aktor në estradën profesioniste të qytetit.
Që atëherë rolet e “Shokëve të partisë e pushtetit” i mora me qejf të madh dhe i qaja!
Me emërimin e ri aktor “pa dashka” Alekoja kish gjetur veten, megjithatë aq sa ishte i lirë në skenë, aq dukej “i kontraktuar” dhe i heshtur në jetë. Heshtjen gati tragjike, cilësi kjo e komikëve e kishte në karakter, por rrinte i rezervuar dhe nuk ishte “aktivist”, pa le më komunist, sepse e ndiqte dhe e kërcënonte për çdo gabim të mundshëm hija e biografisë së dyshimtë. Ashtu ishte jeta për ata që e provuan, me një mënyrë jetese, që sot vërtet për nipin e tij aktor etj., mund të duket, si një paradoks.
Dhe vetëm kur qeshte e qeshte publiku prekte ëndrrën e jetës së tij dhe lumturinë dhe, krahas estradës dhe teatrit mbante një lidhje të vazhdueshme edhe me Kinostudion, e cila siç dihet e kishte Korçën dhe rrethinat e saj jo vetëm një shesh xhirimi në natyrë, por edhe teatrin e saj, si një studio me aktorë e regjisorë të famshëm si V. Gjika, P. Milkani, Xh. Keko etj. që i dhanë zë dhe ikonë origjinale të pa përsëritëshme kinematografisë shqiptare.
Megjithatë dashuria e tij e vetme mbeti ajo e estradës, e cila ishte dhe dashuria e parë, ku e provoi veten edhe si autor e regjisor në mjaft variete. Jo, pse ishin më të lehta, përkundrazi përballë skematizmit e klisheve të kohës, por ngaqë estrada vërtet mbushte sallat dhe argëtonte aq shumë publikun me skeçet, paroditë e këngët me atë gazin buçitës të së qeshurës përballë grisë e varfërisë së tejskajshme të jetës në një regjim totalitar.
Një nga sekretet profesionalë të Alekos, përveç talentit, të cilin e kish dhuratë nga Zoti, ishin marrëdhëniet e tij jo vetëm me spektatorin, duke e bërë “partner” në skenë, por veçanërisht edhe me autorët e repertorit. Duke bashkëpunuar për një kohë të gjatë, si i tillë me atë vija re, se Alekoja kujdesej shumë për tekstin, duke e parë krahas lojës për t’ia treguar publikut atë çka desh të thotë me atë autori.
“Shfaqja ka një qëllim” thoshte. (Nuk kishte hyrë atëherë termi “mesazh”). “Publiku jo vetëm duhet të ndjejë e të qeshë, me lojën tonë, por nuk duhet të harrojë pas shfaqjes atë që i themi”. “Ka aq shumë nevojë të qeshë, por edhe të mendojë. Humor! Rroftë humori”!
Mund të sjell shumë fakte e detaje profesionale nga jeta e këtij aktori të çmuar, jeta e të cilit dhe korifejve të tjerë të skenës ka rëndësi të njihet, sidomos nga aktorët e rinj, por dihet që përvoja skenike as mund të trasmetohet e as të blihet, po tradita mund të ruhet e të zhvillohet më tej me punë e shfaqje e “jo thashetheme kafeve”, siç thosh Alekoja, të cilave u rrinte larg se ia hanin e ia pinin kohën.
Dhe Korçës, veçanërisht ikona të tilla në historinë e teatrit nuk i mungojnë. Por edhe talente të reja që po e thonë sot me sukses fjalën e tyre në skenë brenda dhe jashtë vendit edhe pse në një kohë mjaft të vështirë për artin në përgjithësi e teatrin në veçanti.
Por koha, siç thotë një i mençur, është ajo që e jeton, duke i dhënë vlera… Dhe Alekoja të tillë pati vetëm “kohën skenike”, që edhe pse në çastin më të vështirë, kur u përball me vdekjen në skenë nuk e braktisi atë. Kjo ishte vetëdija dhe kultura e tij qytetare edhe pse i kushtoi shtrenjt… Të mos dorëzohesh dhe t”i qëndrosh kundër edhe vdekjes.
Fitore të tilla ia vlejnë dhe me atë finale të pa paparashikuar të shfaqjes dhe të jetës së tij, na magjepsi vërtet, si një hero i vërtetë jo vetëm në skenë, por edhe në jetë, të cilin e kujtojmë me adhurim e dashuri, në çdo përvjetor, siç është në këtë vit edhe 80 – vjetori i lindjes së tij, që komuniteti i artistëve në Korçë e ka shpallur “Viti i Aleko Prodanit”.
Please follow and like us: