Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: In memoriam, Aleko Prodani!

Në 15-vjetorin e vdekjes së aktorit të shquar
AI VDIQ NË KËMBË!
Nëpër dramat heroike heroi vdes në këmbë… Në luftë e sipër… Në përpjekje… Përmes dallgëve të jetës… Në ringjallje…
Kështu ndodhi edhe me Artistin e Merituar, Aleko Prodani që e sosi frymën duke interpretuar në skenë. Pse skena ishte për të dashuria më e madhe. Por ai e mbylli siparin e skenës dhe të jetës një herë e mirë… Si në një ëndërr të gëzueshme që mbaron tragjikisht! Lindur e ikur nga jeta po në maj, në muajin e luleve!
Dhe mua më mbeti në duar fotografia që i pata bërë vitin e kaluar në Korçë gjatë zhvillimit të festivalit Ballkanik të Komedisë… Mendoja t’ia shpija tani, pas tri javësh, kur sipari i komedianëve do të hapet sërish… Por ja që as fotografinë nuk ia shpie dot e as Alekon, si komik e mik të vjetër, nuk do ta shoh më…
Do të na mungojë e qeshura e tij ‘serioze’, ai komunikim aq i natyrshëm, ai nur skenik, ajo elegancë virtuoze që krijonte në çdo rol… Dhe nuk do të pimë më nga një kafe ekspres, aty buzë trotuarit, përbri teatrit, nga ku shihet tërë bulevardi i Korçës…
Por sytë e mendjes sime kthehen mbrapsht 35 vjet, kur e pashë Alekon për herë të parë në skenën amatore të Maliqit. Qe aktor dhe regjisor njëkohësisht. Luante lirshëm, me një të folur të natyrshme e plot kolorit krahinor. Edhe pse vinte i imët, i hollë e i gjatë, ai e mbushte skenën me figurat që krijonte, me detajet e gjestet e këndshme dhe me atë të folur karakteristik që u shkonte aq shumë personazheve që interpretonte. Si partnere kishte zgjedhur një aktore-amatore, fort të bukur (edhe ajo e gjatë, tërheqëse e plot kolorit korçar), e cila punonte si centraliste telefonike në Postën e Maliqit dhe që më pas do të bëhej bashkëshortja e tij, doemos edhe një partnere e përjetshme e skenës… E, si për “gen trashëgimie”, do të shtohej si partner edhe i biri: shtatlart e i shëndetshëm, me një zë të fuqishëm e me ngjyrë, si edhe me atë ‘vis comika’ aq të domosdoshme për skenën e komedisë dhe të estradës. Një treshe e përkryer artistësh.
Aleko Prodani ishte një aktor brilant për komedinë. Ato 200 role që ai interpretoi në skenë, në film e në ato koncerte të panumërta të Vitit të Ri, me mikun e tij të pandarë Koço Devole, janë mbi 200 fytyra njerëzore, portrete, përherë të këndshme, të ‘ngarkuara’ me humor mbreslënës. Shumë i natyrshëm, origjinal, ishte ai në ekranin e kinemasë dhe të televizionit, por në skenën e komedisë ishte edhe me sugjestiv. Ai qe një nga aktorët që nuk e ‘loznin komedinë’, që nuk e kërkojnë të qeshurën me truke e grimaca teatrale… Ai e jetonte figurën komike në brendësinë e vet, hynte në hallin që kishte personazhi dhe e përcillte atë me seriozitet. Komiciteti lindte kësisoj vetvetiu. Buronte nga të vetëndjerit e personazhit, që ishte gjithmonë i besueshëm, me një shkallë të lartë vërtetësie. I mrekullueshëm në improvizimet e befasishme e me plot detaje të holla, kur ti nuk e prisje fare atje në sallë, i përpirë nga tragjizmi i brendshëm i karaktereve që interpretonte dhe që e shtynin natyrshëm drejt komicitetit organik! Shumë herë ‘i papërmbajtshëm’. Regjisorët ia hiqnin ‘fillin e komandës’ dhe ‘frerin’ e përmbajtjes së figurës. Gëzonte vyrtytin e krijmit të lirë! Po vokali i tij, si qe? Po aq i mrekullueshëm. Një zë melodioz, i ngrohtë e pa stonaturë, që ta kishte ënda ta dëgjoje e që e kthenin atë në një kupletist e parodist të përkryer për skenën e estradës!
Për të gjitha këto,- mund të themi se: në radhën e komikëve të mëdhenj të skenës shqiptare, siç janë Mihal Popi, Pandi Raidhi, Nikolin Xhoja, Viktor Gjoka, Tano Banushi, Robert Ndrenika, Roland Trebicka, Koço Devole e të ndonjë tjetri, shtohet edhe emri i Aleko Prodanit. No Coment!
Tashmë, kur Aleko Prodani na mungon në skenë e nuk jeton më, mund të flasëh edhe për atë të vërtetë të pamohueshme: edhe me një rol të vetëm, të ‘qëndisur’ me merak, si ai i Zylos së Dritëro Agollit, Aleko Prodani do të mbetet i madh si aktor, gati i pakrahasueshm në natyrën e tij.
Është e trishtueshme të mendosh se vlerat e njeriut-artist, mund t’i prekësh (më së shumti) e t’i vendosësh në vendin e duhur vetëm pas ndërrimit të jetës. Jo pse ato nuk ‘duken’ në një kohë kur Alekoja e jepte veten në skenë me tepri, nga roli në rol, porse që të gjitha rolet e tij, aq të thjeshta në dukje, shtriheshin në përditshmërinë e jetës, midis figurash të portretizuara natyrshëm, për të gjithë ne… Ato përfaqësonin tipa me profile të caktuara, por edhe ai vetë, Alekoja, qe një aktor i lindur, fin, tërheqës dhe me një kulturë vetiake të rrallë, pa e kryer dhe ky shkollën e lartë të aktrimit,-si të gjithë ata që përmendëm më lartë, të cilët jo vetëm që vendosën ‘gurët e themelit’ në artin tonë skenik e kinematografik, po edhe dritësuan TALENTIN E ‘VULËN’ E TYRE!
Qysh atëhere, kur në kënetën e Maliqit, po ‘çelte’ jeta, pasi kishte shpërthyer epidemia e malarjes dhe, publiku i mjeruar i asaj ane, do të ngazëllehej kur e shihte në skenë Aleko Prodanin, gjithmonë befasues, spontan, me një komunikim tepër të ngrohtë, gjë që bëri ta tërheq “Estrada e Ushtarit” menjëherë. E, prej andej do të zbriste përsëri në ‘trevën’ e tij , po jo më në Maliq, po direkt e në skenën profesioniste të estradës e të teatrit. Me një shkëlqim të jashtzakonshëm, sa hypte në skenë, me të qeshurat e turmës, në një paraqitje shumë të thjeshtë, sikur qe në rrugë, midis shokësh e miqsh, pa u munduar fare ‘të lozte’ personazhin, me sensin e tij artistik, me një zhvillim korrekt të natyrshëm, derisa vinte tek batuta fundore ‘me kripë’, që e thoshte me një natyrësi të rrallë.
Fati e solli që, ky aktor si i ‘rënë nga qielli’, të bjerë në duart e nje regjisori profesionist, të një game të lartë mjeshtërie, sikundër qe Pirro Mani, i cili me komedinë e grekut Saqellarios dhe me një aktor si ky, të mëvetshëm, që vinte nga Këneta e Maliqit, thuri një shfaqje të jashtzakonshëme “Zonjusha 39 vjeçe”, ku Aleko do të hynte ‘brenda rrobave e shpirtit’ të njëfarë Thimaqi, me plasticitetin e një profesionisti, për ta ‘plasur së qeshuri’ spektatorin korçar… Pastaj do të vinin edhe dy komedi te tjera, prej fqinjëve jugorë: “O deputet, o gënjeshtar”, nga Psathai e dhe “Hipokriti” nga Papadhopullo, me të cilat i shtoi vetes edhe dy role të tjera komike brilante: atë të Dhorit Deputet dhe, tek tjetra, rolin e Andreas, Hipokritin e stërholluar, të ‘lyer me vaj e me uthull’, sikundër thonë për tipa të tillë.
Njeriu-artist Aleko Prodani kishte lindur në kohë lufte, më 19 të majit të vitit 1942, pë t’u larguar në kulmin e karrierës së tij të mrekullueshmer, fare papritur, tamam si në një ëndërr, duke e ‘vulosur’ përfundësisht talentin e tij shpërthyes, më 2 maj 2006. Përmes entuziazmit të spektatorëve, të rrëmbyer nga e qeshura burimore, po prej tij, në shfaqjen e komedisë së Dario Fos “Tre burra për një grua”, të atij nobelisti italian, që sillte nga jeta e përditshme e basifondeve italiane, ngjarje e karaktere tragji-komikë, me profilin e vet te papërsëritshëm, ku energjia pa anë e fund e interpretimit të tij virtuoz, do të pikaste atë befasi të dhimbshme, kur ëndrra mbaron e aktori ‘rrëzohet’, duke interpretuar personazhin në gjininë e vetvetes, me të qeshurën në buzë e me shpirtin ndër duar, nga ana e publikut të elektrizuar e të ngrirë atje në sallë, prej befasisë që shkaktojnë ëngjëjt kur vijnë së larti dhe e marrin ëngjëllin e tyre, që u duhet atje ne qiell!
(Botuar në gazetën “Tribuna”, Athinë, qershor 2006).
Please follow and like us: