Albspirit

Media/News/Publishing

Kur shqiptarët drejtonin Vatikanin

 

Diçka për historinë e Vatikanit
Perandori Kaligula (37-41) nisi ndërtimin e cirkut në këtë zonë, i cili u përfundua më pas nga Neroni “Circus GAii et Neronis”, i quajtur thjesht Cirku i Neronit. Obelisku i Vatikanit fillimisht u mor nga Heliopolis nga Kaligula, për të dekoruar cirkun e tij dhe është mbetja e fundit e dukshme. Kjo zonë u bë pjesë e martirizimit të shumë të krishterëve pas zjarrit të madh të Romës në vitin 64. Ky është vendi ku u kryqëzua dhe Shën Pjetri. Në vitin 326, kisha e parë, Bazilika Konstantiniane u ndërtua në zonën, ku arkeologët e shquar italianë pranojnë se është varri i Shën Pjetrit. Që atëherë, zona filloi të bëhej më e populluar, por më së shumti nga shtëpi të lidhura me aktivitetin e Shën Pjetrit. Një pallat që filloi të qeveriste rajonet përreth dhe nëpërmjet strukturës papnore qeverisnin një pjesë të madhe të gadishullit italian për më shumë se një mijë vjet, deri në mesin e shekullit të 19, kur pjesa më e madhe e shteteve papnore u formuan mbretërinë e re të Italisë. Në këtë kohë, Vatikani nuk ishte banesa e zakonshme e papëve, por pallati “Lateran” dhe më vonë ai “Quirinal”, ndërkohë që rezidenca, nga viti 1309-1377 ishte në Avinjon, Francë. Nga viti 1861-1929 statusi i papës konsiderohej si “Çështja Romake”. Më 11 shkurt 1929 ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Italisë. Traktati u nënshkrua nga Benito Mussolini, në emër të mbretit Victor Emmanuel III dhe Sekretari Kardinal i Shtetit, Pietro Gasparri si përfaqësues i Papa Pio XI. Traktati përcaktonte pavarësinë e Shtetit të Vatikanit dhe i jepte katolicizmit status special në Itali.
Sistemi politik
Qeveria e Vatikanit ka një strukturë unike. Papa është sovrani i shtetit. Autoriteti legjislativ zbatohet nga Komisioni Peshkopal i Vatikanit, një trup kardinalësh të caktuar nga Papa, për një periudhë pesë-vjeçare. Pushteti ekzekutiv është një duart e presidentit të këtij komisioni, i asistuar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Zëvendësekretari i Përgjithshëm. Marrëdhëniet e jashtme të shtetit i janë besuar Sekretariatit të Selisë së Shenjtë dhe shërbimit diplomatik. Sidoqoftë, papa ka pushtet të plotë ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor mbi Vatikan. Ai është aktualisht i vetmi monark absolut në Evropë. Gjithashtu, ka departamente specifike që merren me shëndetësinë, sigurinë dhe telekomunikacionin.
Marrëdhëniet diplomatike
Vatikani është një territori i njohur kombëtar sipas ligjit ndërkombëtar, por është Selia e Shenjtë që kryen aktivitetin e marrëdhënieve diplomatike në emër të tij. Vatikani, thuajse nuk ka shërbim diplomatik vetjak. Ambasadat e huaja në Selinë e Shenjtë janë të vendosura në qytetin e Romës. Influenca e madhe në çështjet botërore është në përpjesëtim krejtësisht të zhdrejtë me masën fizike të Vatikanit.
Ekonomia
Ekonomia unike, jo komerciale mbështetet financiarisht nga kontributet e katolikëve në gjithë botën, me shitjen e stampave postare dhe relikeve turistike, tarifave për vizitimin e muzeve dhe shitjen e botimeve. Të ardhurat dhe standardet e jetesës së punonjësve janë të krahasueshme, ose disi më të mira se ato të homologëve të tyre që punojnë në qytetin e Romës. Vatikani ka gjithashtu bankën e tij “Istituto per le Opere di Religione”.
Popullsia dhe gjuhët
Thuajse gjithë banorët e Vatikanit jetojnë brenda mureve të Vatikanit ose shërbejnë në ambasadat e Selisë së Shenjtë nëpër botë. Popullsia e Vatikanit përbëhet nga dy grupe: kleri, pjesa më e madhe e të cilit është në shërbimin e Selisë së Shenjtë dhe disa zyrtarë të shtetit, si dhe rojet zvicerane. Shumica e tre mijë punëtorëve, të cilët përbëjnë forcën punëtore të Vatikanit jetojnë jashtë Vatikanit dhe janë shtetas italianë përgjithësisht. Si rezultat, gjithë banorët e Vatikanit janë katolikë. Vatikani nuk ka asnjë gjuhë zyrtare. Në legjislacion dhe komunikim zyrtar përdoret gjuha italiane. Në Gardën Zviceriane përdoret gjuha gjermane, ndërkohë që faqja zyrtare e internetit të Vatikanit është në italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe spanjisht.
Papët shqiptarë
Sa papë me origjinë iliro-shqiptare janë ulur në vendin e Shën Pjetrit? Ka shumë debate në këtë çështje. Disa historianë deklarojnë se kanë qenë tetë, disa të tjerë japin shifra të tjerë.
Ndërsa zyrtarisht njihen katër papë me origjinë shqiptare. “Osservatore Romano”, gazeta zyrtare e Vatikanit në Romë para dy vitesh ka publikuar një artikull të Giovanni Armillota me titull: “Pope Clement XI and the Albani Family”. Gazetari Giovani Armillota përqendrohet më shumë tek papa Clement XI duke ndërtuar një biografi të familjes se tij, por nuk ka lënë pa bërë edhe një përshkrim të shkurtër për tre papët e tjerë më të hershëm, që gjithashtu kanë pasur origjinë shqiptare. Papa Saint Eleutherius (175-189) besohet të jetë Papa i parë ne Vatikan me origjinë shqiptare. Sipas artikullit në fjalë, Eleutherius ka shpërndarë masivisht mesazhin e Biblës në shumë vende të Perandorisë Romake. Papa Saint Caius (283-296) njihet si Papa i parë që vendosi rregullat strikte të sjelljes dhe hierarkitë mes peshkopëve të vatikanit. Gjithashtu gjatë periudhës së papatit të Caius në fronin perandorak të Romës ka hipur një nga figurat më të njohura të antikitetit, Diokleciani. Papa John IV (640-642) gjatë papatit të tij nuk e harroi kurrë origjinën e tij shqiptare dhe sipas historianëve ky Papë ka dërguar dhe ndihma konsistente popullit të Dalmacisë që ndodhej nën zgjedhën e serbëve dhe hordhive barbare. Papa Clement XI (1700-1721) është Papa më i vonë me origjinë shqiptare. Sipas ‘Osservatore Romano’ familja e Clement XI është pagëzuar me mbiemrin “Albani” pasi rridhte nga një familje e zhvendosur në Urbino të Italisë, por që kishte luftuar në krah të Skënderbeut gjatë çerekshekullit të rezistencës ndaj okupimit turk. Papa Clement XI pasi mësoi për origjinën e tij shqiptare, u interesua shumë për rilindjen politike dhe fetare të atdheut të tij. Gjatë kësaj periudhë vetë “Këshilli i parë Kombëtar Shqiptar” (1703) u mblodh dhe u brumos pikërisht nga udhëzimet klerikale në lidhje me çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe baritore. Gjithashtu, gjithmonë sipas “Osservatore Romano”, Papa Clement XI ka dhënë një kontribut të madh në unifikimin e kishës, duke e arritur një rezultat pozitiv, përkohësisht, dhe në trojet shqiptare, ndërsa njihet dhe për tentativën e tij për konvertimin në katolicizëm të Carit Rus, Pjetri i Madh.

 

Please follow and like us: