Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Dode: Konferenca e Mukjes e nëmur prej drejtuesve komunistë

 

 

 

Veç dëshirës së mirë të shprehur në Konferencën e Pezës(16 shtator 1942) e veç rrethanave ndërkombëtare, bashkimi i forcave të ndryshme aktive mbetej një shpresë popullore, si për shmangien e luftës vëllavrasëse ashtu dhe për një qëndresë të armatosur më efikase kundër zaptuesit.Mbetet një dëshmi një letër që shkrimtari komunist Shefqet Musaraji shkruante Enver Hoxhës (që nga marsi i 1943-së ky i fundit qëndronte formalisht në krye të Komitetit Qendror të PartisëKomuniste Shqiptare), nga fshatrat e Vlorës. Fshatarët që mbanin një peshë jo të vogël me pritjen e përcjelljen e çetave të ndryshme shpreheshin: “Neve një gjë na ka mbetur dhe kjo është që të mos qasim as njërën as tjetrën palë gjersa ato të mos e kenë gjetur fjalën me njëra-tjetrën”.

1.

Pas bisedimesh të shumta paraprake e Komisionesh Përfaqësimi të ngritura midis Partisë Komuniste Shqiptare (PKSh) dhe Ballit Kombëtar (BK), më 18 korrik1943 Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (KPNҪ), domethënë KQ i PKSh, i dërgoi “zyrtarisht” BK një ftesë“për një takim sa më të shpejtë e përfundimtar”“me një delegacion të plotfuqishëm të organizatës Balli Kombëtar”, “ku secila organizatë të marrë një qëndrim të prerë kundrejt situatës si dhe përgjegjësinë që i takon para popullit shqiptar në luftë kundër zaptuesit fashist”.

 Me këtë rast KPNҪ njoftonte zyrtarisht të ashtuquajturat parimet e veta themelore:

“Organizata Nacionalçlirimtare Shqiptare,

1. Është një organizatë ku marrin pjesë të gjithë patriotët e vërtetë shqiptarë pa dallim feje, krahine ose partie. Dyert e saj janë të hapura për të gjithë ata që duan me të vërtetë të luftojnë aktivisht kundër armikut të huaj.

2.Luftë për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha e fashizmit italian, për një Shqipëri të pavarur, demokratike, popullore.

3.Pasuria private dheiniciativa private në industri e në ekonomimbeten të paprekura.

4.Nuk bëhen ndryshime radikale në jetën sociale (zakone etj.).

5.Populli shqiptar, pas shporrjes së armikut, zgjedh vetë regjimin e tij.

Dëshira jonë është që delegacioni i organizatës suaj të jetë sa më i gjerëdhe mundësisht të marrin pjesë aty edhe z. z. Fuat Dibra, Thoma Orollogai dhe Halim Begeja.

Me nderime:

Abaz Kupi, Myslim Peza, Dr. Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi”.

2.

Të nesërmen Y. Dishnica, kryetar i delegacionit të KPNҪ, anëtar i KQ të PKSh dhe i Shtabit të Përgjithshëm (ShP) të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (UNҪ) i dërgonte E. Hoxhës një letër me njoftime të ndryshme për bisedime me BK. Nëletër vihet re edhe shqetësimi i tij; ky shkruan: “Lame Kodra (S. Malëshova, anëtar i KQ të PKSh i ngarkuar për agjitacion e propagandë – LD.) pse nuk po shkruan gjë për Zërin (e popullit). Ju vetë duhet të shkruani diçka për këto organe”.

Shqetësimet e Dishnicës duken edhe në një letër të 27 korrikut dërguar Hoxhës mbi një takim me BK një dite më parë në katundin Tapizëtë Tiranës, ku në fund të letrës duket qartë se Enveri nuk po dërgonte udhëzime: “Ti na shkruan letrushka vetëm me pesë fjalë. Letrës që të dërgova unë përmbi punët e këtejshme asnjë përgjigje”.

Më 31 korrik Dishnica dhe Gogo Nushi (anëtar i KQ të PKSh)njoftojnë Hoxhën me letër për tubimin që do të zhvillohet të nesërmen në Mukje.Nga fundi i letrës përsëritet ankesa: “Letrushka kemi marrë boll, të fala po ashtu, por asnjë letër pune.”

3.

Më 1 gusht në katundin Mukje të malësisë së Krujës, veç përfaqësuesve të KPNҪ (Nënkolonel Jahja Ҫaçi, Myzlim Peza, Abaz Kupi, Ymer Dishnica (kryetar), Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, Sulo Bogdo, Shefqet Beja, Medar Shtylla, Stefan Pllumbi, Haki Stërmilli dhe Gogo Nushi) nga njëra anë dhe nga ana tjetërtë BK (Hasan Dosti, Mid’that Frashëri (kryetar), Thoma Orollogai, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Jusuf Luzaj, Kadri Cakrani, major Rauf Fratari, Nexhat Peshkëpia, Halil Mëniku, Ismail Petrela dhe Vasil Andoni), si dhe të dy përfaqësuesve prej Kosove si dëgjues, ishin të pranishëm edhe mbi 400 persona të tjerë.Për drejtimin e tubimit u zgjodhën njëzëri Thoma Orollogai kryetar dhe Mustafa Gjinishi sekretar.

Të nesërmen u zgjodh një Komitet për Shpëtimin e Shqipërisë (i përkohshëm), i përbërë prej 12 vetash, gjashtë anëtarë nga secila palë. Për BK: Hasan Dosti, Hysni Lepenica, Skëner Muço, Vasil Andoni, Et’hem Haxhiademi dhe Xhemal Herri. Për KPNҪ: Abaz Kupi, Mustafa Gjinishi, inxh. Spiro Koleka, Vasil Nathanaili, Malo Frahëri dhe Haki Stërmilli. Ky Komision u mblodh më 3 gushtme rend dite: 1. Proklamata; 2. Aksione imediate; 3. Bashkërendim i aksioneve. U vendos parulla e përbashkët “Ja vdekje ja liri!”

Në dokumentin përfundimtar – në Proklamatë –shpallej:

1-Luftë e përbashkët dhe e menjëhershme përbri Aleatëve të Mëdhenj Anglisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, si dhe popujve të shtypur kundër pushtuesve barbarë. 2-. Luftë për një Shqipëri të pavarur, luftë për zbatimin e parimit të njohur e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike. 3.- Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.(Germat e trasha janë tonat.–LD.)

Po atë ditë Ymer Dishnica lajmëroi Enver Hoxhën për marrëveshjen e arritur në Mukje. Nga fundi i letrës Dishnica këmbëngul sërish për të pasur afër KQ Të PKSh dhe ShP të UNҪ.

Më 6 gusht Hoxha i dërgoi Dishnicës një letër të gjatë mospranuese për rezultatet e arritura por me një qëndrim që i linte vend vazhdimit të bisedimeve. Fundshënimi i bërë aty tregon praninë e Popoviçit dhe pritjen për ardhjen shumë shpejt të Tempos. Hetohet lehtë se pritja e Tempos shkaktonte mungesën e një qëndrimi të prerë.

Përfaqësuesit jugosllavë të cilët në mëryer aq të suksesshme kishin mbajtur në frerët e tyre Partinë e re të komunistëve shqiptarë, ndodheshin përpara katastrofës.

Zhvillimet tregojnë se Tempoja duhet të ketë ardhur të nesërmen. Ky, së bashku me Popoviçin, Mugoshën, Hoxhën e ndonjë nga shokët e këtij, e hodhën poshtë Marrëveshjen e Mukjes pa kaluar formalisht nga KPNҪ, 12 delegatë të së cilit, së bashku me 12 të BK e kishin miratuar atë në parim. Objektivat strategjike shqiptare binin në kundërshtim me interesat strategjike jugosllave, sepse bashkimi i forcave të ndryshme politike në Shqipëri u hiqte jugosllavëve mundësitë e komandës së drejtpërdrejtë mbi PKSh e si rrjedhojë edhe manovrimin e LNҪ, duke vënë njëherësh në diskutimmonopolizimin e pushtetit prej komunistëve, për të cilin ishin të interesuar edhe ata vetë; kursebashkimi i trojeve etike shqiptare ishte fare i papranueshëm prej tyre.

4.

Që të nesërmen e atij vendimi të marrë pas dyersh të mbyllura,në qarkoren e 8 gushtit dërguar organizatave të Partisë Komuniste në emër të KQ të Partisë me firmën formale të Enver Hoxhës (pseudonimi Shpati), drejtuesit komunistë e nëmën Proklamatën e Mukjes me formulën se “është në kundërshtim me vijën nacionalçlirimtare dhe dizaprovohet nga KQ i Parisë. Prandaj në rast se nuk e keni shpërndarë, çirreni dhe të mos flitet më”.

Porositej: “Insistoni në faktin që Balli ka sabotuar në luftën tonë dhe po vazhdon ta sabotojë”.

PKSh duke mos qenë gati për të goditur ushtarakisht Ballin Kombëtar orienton se “Kjo nuk duhet bërë në formë lufte të hapët, por në formë apeli, për të hequr dorë nga këto gjëra që shkaktojnë përçarje dhe vëllavrasje”. Pastaj vë theksin te marrja e pushtetit: “Duhet shokë të kuptoni se Balli po mobilizohet për kolltuk, për të na luftuar ne. Prandaj duhet të kemi kujdes të forcojmë radhët tona, të mobilizojmë popullin rreth neshqë të mos lëmë që reaksioni të na godasëdhe të na marrë frenat nga duart”.

Në qarkore nuk përmendet Abaz Kupi.

Në këtë qarkore u mbahej fshehurkomunistëve arsyeja tjetër kryesore e “çjerrjes” së Proklamatës – njohja e Shqipërisë etnike. Por ky thumb i rëndon Enver Hoxhës prandaj në letrën që i dërgon Dishnicës më 9 gusht e qorton rëndë edhe për faktin që në proklamatë kishte pranuar “të flitet për Shqipërinë etnike”.

Në përgjigjen e 14 gushtit që Ymeri i kthen atj të cilin me sinqerisht e konsideron ende shokun e vet– Enverit –, duket se nuk e ka kuptuar njërën prej arsyeve kryesore të “çjerrjes” së proklamatë së Mukjes, derisa vazhdon t’i shkruajë mes të tjerash edhe për Kosovën.

Drejtuesit komunistë e quajtën Marrëveshjen e Mukjes fillimisht të papranueshme; pas tri ditësh si një oportunizëm i dënueshëm e pastaj si një tradhti. Hulumtuesit shtrojnë pyetjen “tradhti ndaj kuj?”.

5.

Delegacioni fillimisht pompoz i KPNҪ, domethënë i PKSh, që duhej të ishte në Mukje më 8 gusht, u avullua. PKSh nuk ktheu “kurrë zyrtarisht” ndonjë njoftim mbi prishjen e Marrëveshjes së Mukjes.

Në Plenumin e I të KQ të PKSh të 15 majit 1944 Hoxha ka thënë: “Mukja ishte një sukses për Ballin dhe një humbje për ne”. Në Plenumin e 2-të të KQ të PKSh në nëntor 1944, Hoxha nuk ka turp të luaj teatër përpara shokëve të vet. Ky thotë: “Mukjen ne e morëm për një gjë formale, ku do të venim me tepër t’i thoshim katër të vërtetat në fytyrë Ballit dhe të lanim duart përpara popullit për veprimet që do të bënim më vonë. Ballistët, përkundrazi e kuptuan seriozisht Mukjen dhe, kur ne në Mukje humbëm, ata vunë kapital”.

Drejtuesit shqiptarë të PKSh, veç kapitullimit përpara trysnisë së shefave jugosllavë për çështjen kombëtare, së bashku me ta kishin kaluar përfundimisht në rrugën që u tregonte filozofia komuniste, në atë të luftëscivile.

 

Please follow and like us: