Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: ME MOTRAT E GJINE

Kënaqësi e rrallë të takohesh me simotrat e tua, kushërirat nga ana e babait, mbas aq e kaq vitesh, kur qiejt rrjedhin e koha e gjatë e ndarjeve, e mërgimeve dhe e vdekjeve e rrit së tepërmi mallin e dashurinë e ndërmjeme. Si edhe “i ndez” kujtimet, që të vijnë njërapastjetrës, sa “takohesh” me to, qoftë edhe për pak çaste, sa ta “djegësh” mallin ca më tepër… Kështu do të ndodhte edhe me mua ditën e sotme, kur në rrjetin social të Fb… më doli rishtazi emri i Artemisisë së Gjine, që “më kapi” në Tiranë, ku edhe hallet e kujtimet bëhen “kapicë” e s’di nga të vesh më përpara e si të “ndreqësh” ndonjë punë a të takosh ndonjë mik zemre që të ka mbetur, siç është Josifi i Papagjonajve, me të cilin u çmalla mbrëmë e qamë hallet tona…
Po me Artemisinë e Marikën e Gjine, koha rrodhi edhe më shpejtë e kafeja nuk na u dukë fare që e pimë, bashkë me kujtimet që na u shfaqën mbi tryezë, ashtu, varg-varg. Që nga Barba Ndrekua, ati i tyre, kushëriu i parë i babait, që bëri edh ai “burg politik” se shau Hrushovin, kur ai erdhi këtu dhe Barba tha që “na erdhi edhe Kukuruzi”, pra “misri” në shqip dhe aq duhej që njeriu i asaj kohe të përfundonte burgjeve! Kështuqë, ky njeri, marangoz i vjetër e mobilier i shkëlqyer që zdrukthonte përditë drurin e që mund të pinte dhe një poçar me raki, doli që nuk kishte “zdrukthuar mirë trurin e tij”, së pari dhe i prenë 8 vite nga jeta për në “hapsanë”, sikundër e quanin dikur turqit “shëpinë pa dritare”! Dhe që do të takohshim që të dy, si dy ish të “burgosur politikë”, pa bërë kurfarë politikë dhe kështu, të tetë fëmijët (5 vajzat e 3 djemtë e tij) kontrollonin ndër vite, çdo ditë gazetat,- se kur do t’i delte emri për dëmshpërblimin e atij dënimi kotmasëkoti për “Kallirin e Misrit” që Enver Hoxha e priti me aq shumë “nderime” e servilizma dhe që pastaj e shau “vënçe”, sa s’mbante më “dera”dha “kandari”! Ai për “Kukuruzin” e unë për një “Dramë” që nuk i pëlqeu atij të Madhit! E që, po ky njeri i afërt që më hapi edhe derën e shtëpisë së tij, atje në fushat e Yzberishit, midis dy kombinateve, njeri me emrin e Stalinit e tjetri me emrin e Misto Mames), në një barangë të thjeshtë druri, ku Barba jetonte me njerin nga djemtë, me Mondin, e mua që më patën marrë edhe shtëpinë e flija rrugëve e nën urave të Tiranës, më vunë të flë në nje korridor që mu dukë si një “sallon mbreti”, nga kusuret që hoqa e s’di si i hoqa e si mbeta gjallë, që sot e kesaj dite të takohesha përsëri edhe me dy vajzat e tij, me Marikën e Artemisinë, me atin e tyre në gojë, larguar nga jeta i pikëruar. Dhe flisnim përsëri e me lotët që pikonin mbi filxhanin e kafesë. Po, sikundër thonë “ra rufeja mbi drurin dhe e dogji, ra mbi gurin dhe e çau e ra mbi njeriun që e duroi”! Po siç të bëhet njeriu yt, askush nuk të qan hallet e tua, sikundër u bë për mua edhe Xhuljana, e bija tjetër e Barba Ndrekos, që më mbajti edhe ajo disa muaj në shtëpinë e saj, kur më kishin përzënë edhe policët nga vagonat e vjetra të trenit, si “njeri të dyshimtë!” që e kishte përzënë mandej edhe gruaja e tij, duke e quajtur përsëri “armik”! O Perëndi! Qe një periudhë që,- s’di se ku unë e kam quajtur më të keqe se nga burgu, apo si një “burgim të ri nën qiellin e hapur”, që duan net dimri të rrëfehen, përmes asaj kohe që e quanin “Lufta e Klasave” si të kisha mbetur në klasë, pas atyre tre vjetëve në minierën e Memaliajit, si edhe të atyre 6 viteve në Burgun e Spaçit e të Ballshit, ku nuk mundën të na “riedukonin” dot, as mua e as Barba Ndrekon, babain e 8 fëmijëve, i cili jetonte e mbante fëmijët e tij të shumtë, me zdrukthin e tij nëpër duar, në një barangë, fushës së Yzberishi , midis “Josif Stalinit e Misto Mames, njeri i shpallur si “Armik” e tjetri si “Hero””, duke ia lënë emrin kësaj binaje, që përsëri merrej me sharrimet e zdrukthimet… Por që tani, i priste shkatërrimi e zhdukja edhe ato… që të dyjave, nga vandalët e një kohe tjetër!
Dhe fjala vete në një gëzim, tek rimartesa ime me Arëzën që e kisha në krah edhe tani, pas pandemisë nga Covidi-19 dhe e “goditjes nga Perëndia”, që pësova dhe shpëtova mbarazi dhe që ajo thotë se “më kishte kthyer nga “Katunishta!” që s’ishte gjë tjetër veçe një përrua i tharë, përpara varrezave të Shtodhërit! HOPA! Pra, nuk më la që të vdisja në një Spital të Athinës, ku pata humbur edhe ekuilibrin e më rrotullohej keq edhe tavani, ndërsa syri me shihte tre doktora e tre infermjere, kur qenë vetëm dy e mua më ngjanin katër!.. Artemisia qeshte e thotë e habitur së tepërmi, se si më kishte ardhur edhe kujtesa aq e mirë, sa që shkruaja, gjer edhe në hollësitë më të vogla e më të këndshme. Duke ua kujtuar edhe “qejfin e bërë” të asaj nate, kur erdhi në Tiranë ARËZA e u bë gruaja ime, që nuk donte t’ia dinte se kisha qënë një i burgosur e aq… Po edhe ato, thuajse e kishin harruar që edhe i ati i tyre kishte bërë një burg aq të rëndë, pse i kishte thënë “kukuruzi” një tullaci të shkurtër si Hrushovi! Asaj nate ne kishim një gëzim aq të madh, tek ia mori këngës edhe Koloneli, që nuk qe kolonel i vërtetë, po ish i burgosur edhe ai, që e kishin sjellur të banonte po aty, ku isha edhe unë, në dy dhoma të ndara, si të ishim dikur nëpër qeliat tona… aqsa Kryetari i Frontit, nje burrë i tharë nga fytyra, kishte zbritur shkallët e drunjta dhe tha se duhej “ulur zëri”! E duke na kujtuar se nuk qe vendi për të bërë ahengje, pikërisht në ato ditë që populli ynë i shumëvuajtur, ishte në zi dhe ishte përcjellur “me dhimbje”,- tha ai, Udhëheqësi i Ndritur i Partisë, duke e lënë “në zi”, gjithë Kombin Shqiptar”! Dhe vetëm si ai qe larguar e unë kisha mbyllur derën, Koloneli tha se mundeshim të këndonim me “gjysmë zëri”, se edhe neve thuajse na kishte ikur “gjysma e jetës nëpër burgje” e nuk u “riedukuam dot”,-sikundër tha ai që posa kishte ikur!
Vjen një kohë me të vërtetë e çuditshme, paksa tragji-komike, kur ne tani flasim aq lirshëm, që na duket sikur ajo periudhë nuk ka ekgzistuar realisht… Tek kujtojmë se jemi pikërisht ne që në kohën e sotme, flasim fare lirshëm, në një kafene të Tiranës,-jo shume larg Bllokut të Udhëheqjes”, se çfarë mendojmë për të gjithë me rradhë, që nga Enveri, Nano, Berisha, Meta, gjeri tek Rama… Që të gjithë i shajmë, pa përjashtim. Pra i zëmë në gojë ata të djeshmit, po edhe ata të sotmit. Pa lënë asnjerin pa e sharë, aq sa nuk duket asnjë person i gjallë për ta “drejtuar këtë vend”! Ndërkohë që “na është zgjidhur gjuha”, por edhe si e kemi shëtitur botën e nuk na ka pyetur kurrfarë njeiu se “nga jemi, përse kemi vajtur andej e nga do vemi akoma”?! Marika e kishte vajzën e madhe në Hollandë vite të tëra, ndërsa Artemisia të dy djemtë në Itali e tjetrin në Greqi, se Xhuljana e kishte vajzën në Gjermani dhe i kishte shëtitur nëpër Europë me makinën e saj, mandej se si kishin gjezdisur në gjithë rrethinat fantastike të Milanos e qenë kthyer nga ana e Kroacisë magjepsëse e nga brigjet e Dalmacisë, pa harruar edhe udhëtimin nëpër Greqi e ishujve të saj, gjer në Turqi. Po kështu do të flisnim për Vangjen, më të voglën e motrave që e “shtyu jetën” në Selanik të Greqisë, si edhe për Betin, motrën më të madhe, që mbeti këtu gjithë jetën esaj, në Tiranë e në Piqeras. E trishtimi ndalet tek vëllai i madh, Caci, që trashëgoi e rrojti, me zdrukthin e të atit, duke ikur para kohe. Gjithashtu edhe tek Taqua, vëllai tjetër, artisti i llullave e i alabastrës në Artistiken “Migjen””, që sapo qe operuar e kishte shpëtuar nga mortja! Po edhe që mbetën pa një copë tokë, nga ai m….ligji 7501, atje në fshatin e tyre, tok me ëndrrën e tyre të vjetër për të patur atje, në vendlindjen e atit Andrea Gjini një shtëpi për të kaluar pushimet, po edhe për këto ditë e vite të fundme… Se jeta po rrëshqiste përsëri, me keqardhje, se si “lëmshi i jetës” qe mbledhur, papritur e pa kujtuar, për t’u mbledhur përsëri në Tiranë, tek “foleja e vjetër”, por edhe në Piqerasin tonë që nuk harrohet aq lehtë e që i ati i tyre, Andrea Gjini, marangozi që kishte sharë edhe Hrushovin iku aq i brengosur!…
Tiranë, më 14 korrik 2022.
Please follow and like us: