Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: GRUAJA E FORTË PIQERASIOTE, EFTIHIA ZAHO

Dy gra të forta patëm në Piqeras dhe që të dyja ishin nga fisi i Zahe: Athinaja dhe Eftihia. Prej një “DERE”, nga më të ndriturat që kishte fshati ynë, nën Mbretërinë e Zogut. Eftihia ishte e motra e kryeplakut të asaj kohe Sokrat Zaho, që e vranë gjermanët te “Guri i Plakës”, buzë detit, së bashku me Josif Qëndrin, ndërsa Athinaja qe e motra e tij. Që të dyja dolën partizane qysh në ballin e luftës dhe rrojtën me nder e të forta si gra, veç në “udhë e jetë të ndryshme”: Athinaja, stoike gjer në fund të jetë së vet, besnike deri në vdekje, ashtu sikundër i kishte dhënë fjalën burrit të saj HERO, Mitro Xhanit, para se ai të vdiste nga plumbat gjermane, në duart e saj, si edhe Eftihia, intelektuale në zë, besnike e idealeve të saj, një nga personalitetet e intelektualeve të para shqiptare në Bregdet, në Gjirokastër dhe në Tiranën e pas luftës, që zgjodhi si veprimtari të mëvonshme të saj, misionin human: “udhën e dijes”, të përkushtimit e të sakrificave për emancipimin rinisë e të gruas shqiptare… Po edhe vdekur në kohë të ndryshme: Eftihia, 25 vite të shkuara në Tiranë, kurse Athinaja, 8 vite më parë, pa lëvizur as edhe një ditë nga Piqerasi e varrosur pranë të shoqit HERO, të cilit i trashëgoi nderin, idealin dhe pushkën.
Vite të tëra nuk e dija se ku ndodhej kjo grua e fortë, Eftihia e Zahe, e kohrave më të stuhishme që ka njohur Shqipëria… Por, kur më emëruan të punoja në Tiranë, në një dikaster qëndror të arsimit e të kulturës, si edhe për mësimdhënie në Akademinë e Arteve të Bukura, befas do të “zbuloja” se jetonim në të njëjtin oborr (të Kinema “Agimit”), karshi pallateve “Shallvare”. Aty ku pata si komshinjë të nderuar: Ing,Anastas Shetin nga Vunoi (në të njejtën hyrje), si edhe me dy dyer përballë, me gazetarin Hamit Boriçi e me zooteknikun shkodran Petrit Dizdari, pranë të cilit erdhi më pas edhe i vëllai, gazetari sportiv Besnik Dizdari. Po do të emocionohesha kur mësova që në disa hyrje më tutje banonte shkrimtari Jakov Xoxa e në shtëpitë dy katëshe, pas meje, shoqia ime e klasës Edi Luarasi, e martuar me profesorin tim, regjisorin Mihal Luarasi. Dhe do të mrekullohesha, tek mësova edhe që, nga ana e përparme, jetonte edhe Eftihia, në katin dytë a të tretë, mbi Kinema. Që për mua ishte si një legjendë e gjallë! Nuk e mbaj mend tani se si u afrova e u njoha me kushërirën e nënës time dhe ajo menjëherë më ftoi në apartamentin e saj, ku jetonte me burrin nga Libohova (që merrej me ndërtimet) e me dy vajzat e tyre.
Dhe nga goja e saj do të mësoja një histori të ndritur, që kishte nisur që në shkollën fillore të fshatit e do të vazhdonte në normalen e Korçës, ku do të takohej edhe me kushëriun e saj Kolë Llaçi që merrej më grupimet komuniste të asaj kohe, më pas edhe me Vasil Llaçin që zjente nga urrejtja për pushtuesit italianë. Po perfeksionimi i Eftihisë, si një karakter i stabilizuar dhe i stërmbushur me romantikën e idealizmave “për një botë të rë”, do të ndodhte kur ajo vazhdoi Institutin “Nëna Mbretëreshë” që përforcoi edhe më tepër bindjet e saj politike… Kthimi i saj në fshatin e Lukovës si mësuese dhe ece-jaket Piqeras-Lukovë, do ta afronin atë edhe me “BILBILIN”, sikundër e quanin Mustafa Matohitin,-Kryetarin Komunës me qendër në Piqeras dhe me Zaho Kokën nga Vunoi që e njihte i gjithë Bregu për trimërinë e tij, i cili e bënte shpesh rrugën gjer në Piqeras, se ia donte puna…
Qe pikërisht koha kur shtëpia e Zahe u bë si epiqendra e gjithë të rinjve të fshatit, djem e vajza bashkë, ku roli i Mitros, i Mustafait dhe i Zaho Kokës qenë parësore. Po në ketë mjedis Mitrua u dashurua me Athinanë që,-sikundër thamë,- ishte vajza e të vëllait të saj. Mirëpo ata ranë në sy për aktivitetin e tyre klandestin e detyrohen të dalin në mal, fillimisht me çetën e Bregdetit e më pas me batalionin e Brigadës, ku ndodhej edhe Miho Xhani e Neço Konomi…
Po, është për të shënuar qe rruga e saj me atë të Athinasë, nuk qe e njëllojtë dhe kishte marrë një zhvillim krejt tjetër, gjersa Luftëtarja e Lirisë Eftihia Zaho, afirmohet edhe si njera nga aktivistet më të gjalla të terrenit, po edhe si personalitete shqiptare të asaj kohe ndër rradhët e grave. Partizania e guximshme dhe e paepur e kohës së luftës, pranohet ne rradhët e partisë në 44-ën dhe si e tillë merr pjesë ne kongresin e parë të Rinisë, në Helmës të Skraparit… Ajo mbeti konseguente e kësaj “vije”, edhe pse rrethanat e jetës ndrronin përherë e “gotat merrnin krricje” njerapastjetrës…
Me vendosjen e pushtetit të ri ajo do të jetë përsëri aktive në forumet e grave të Gjirokastrës e të Tiranës më pas. Në vitin 1952 mbaron fakultetin e Gjuhës Ruse, si dhe më mbrapa, atë të Letërsisë e Gjuhës Shqipe, duke përfunduar si pedagoge e Gjuhës Ruse, po edhe si antare e kolegjiumit të revistës së grave “Shqiptarja e Re”. Duke e mbyllur karrierën pedagogjike në Institutin e Lartë Bujqësor si Shefe Katedre e Gjuhëve të huaja… Eftihia Zaho kishte oferta dhe për të bërë karrierë politike, po ajo vendosi të ndiqte më mirë karrierën e dijes. Me një pasion të veçantë. Si një grua aktive, e pa lodhur, shtat lartë, e shëndetshme dhe e bukur, me një vullnet të jashtëzakonshëm për të mësuar e ngjitur shkallët e dijes… Po, sa herë që veja në shtëpinë e saj, vija re re se diçka qe “thyer në zemrën e saj qelibar” që i ngjante tërheqjes, nga idealet e mëparshme, nga romantika e fillimeve revolucionare. Si edhe prej atyre zhvillimeve të mëpastajme me gjyqet partizane spontane, kur pushkatoheshin luftëtarët e luftëtaret e lirisë, për “një jetë të re vëllazëruese”, për hiçmosgjë, vetëm për një gjest, veprim a fjalë goje e thashemnaje të rrezikshme, sikundër i ndodhi shoqes së saj partizane Ramize Gjebreja, duke e shtirë edhe shokun e tyre të idealeve të mëdha, Zaho Kokën, trimin e çartur, Komandantin e Jugut, mikun e shtëpisë së Zahe e të Xhane, drejt një përfundimi tragjik! Edhe pse fliste e rezervuar për kësi ngjarjesh kobzeza, ndërkohë që edhe bashkëshorti i saj ngjante, më së tepërmi, si një “burrë memec”, i heshtur e fisnik, gjer në ballin që i ndriste, si aristokratët e njëhershëm dhe që, nuk ndërhynte kurrë në bisedat që ajo bënte me miqtë e mysafirët e saj…
Eftihia Zaho qe një grua me dinjitet njerëzor. Gjithmonë krenare dhe me buzëqeshjen në buzë, me fjalën e mënçur e vështrimin e ëmbël, duke rezatuar kulturë, etikë qytetare, mirësi e dashuri. Po kaq e thjeshtë, sa dhe impozante. Të tillë njerëz i takoje fort rrallë në atë kohë, kur edhe për çdo fjalë “të prisnin gjuhën” e pa asnjë gjyq, Ato gjyqe që bëheshin ndërkohë qenë formale, të njëanshme dhe përfundonin shumë herë në “grrykën e pushkës”! E dëgjoja në heshtje, me admirim dhe sikur merrja “krahë”, jo vetëm nga e folura, po edhe nga prezenca e saj, që të imponohej aty për aty e të jepte siguri e shprese në rrugën që duhej ndjekur, me shumë kujdes e me “syrin hapur”!…
Shumë vite më vonë, pasi më ndëshkuan nga lartë (edhe mua!) e do të kryeja kalvarin e vuajtjeve të mia të pasosura dhe absurde, më shkonte gjithmonë mendja tek kjo grua, që mu bë si nëna ime, e cila u bë edhe ajo me “frikë në zemër”paskëtaj!… Dhe nuk dija asgjë për ketë grua të fortë e kaq mbresëlënëse, veç kur do të takoja rastësisht njerën prej bijave të saj, gjatë periudhës së Demokracisë, në Komunën e Lukovës, tek kërkonim të dy bashkë të njëjtën gjë: pronat e dikurshme të familjeve tona, të cilat qenë “zhdukur” prej një ligji absurd, me numurin 7501, ku thuhej se, të gjithë ata qe ishin shpërngulur nga fshati para shpallje së këtij ligji famëkeq, nuk mund të përfitonin asnjë pëllëmb tokë, qoftë edhe nga toka e dikurshme e familjeve tona… Mjerë ne si e pësuam kështu! Vajza e Eftihisë u pezmatua, si kishte rendur zyrë më zyrë e si ishte orvajtur për t’u takuar edhe me të afërmit e saj. “Vallë, për atë Kryplakun e dikurshëm që e vranë gjemanët kotmasikoti, nuk kishte mbetur as edhe një pëllëmbë tokë për të motrën e tij që mbeti maleve, me partizanët bashkë, për besimin e saj të verbër se e sotmja do qe më ndryshe?! A thua që nëna ime luftoi e punoi tërë jetën e vet për këto ditë të zeza?”,-tha ajo me dëshpërimin më të thellë. Dhe kishte qëlluar mandej që, vetë Zonja EFTIHIA ZAHO, të ikte nga jeta, kur mbi kokën e saj vërshëllenin përsëri plumbat e 97-ës, si dikur?!… Oh! Pas katër ditësh, ajo mbush 100 vite nga ditëlindja e saj e vitit 1922, si edhe plot 25 vjetë nga koha e vdekjes! A e dinë vallë njerëzit që e rrethonin këtë grua, si dje maleve, po ashtu edhe SOT, në auditoret e dijeve, pse jo, edhe nëpër shkallaret e pushtetit, që nganjëherë harrohet NJERIU a bëhet sikur e harrojnë?!  Ndofta, edhe për ndonjë kurorë lulesh tek varri ku e ka, pa e thënë për ndonjë dekorim të vonë, kur ato thuajse e kanë humbur vlerën e tyre, kthyer tashmë si distriktivat që vinte në xhaketën e tij të vjetër, Veseli i Gjirokastrës,-ndjesë pastë i gjori!
Piqeras, më 11 korrik 2022.
Please follow and like us: