Fritz Radovani: Vdiq në kampet e zhdukjes, Don Anton Doçi
Don Anton Doçi, ishte djali i Pjeter Preçit dhe Mrika Markut prej Malaj. Antoni asht le me 15 Qershor 1915. Në vitin 1930 ka shkue per studime në Seminarin Papnuer të Shkodres. Në vitin 1938 ka vazhdue vitet e fundit në Kolegjin Urban të Propaganda Fides në Romë, në degët filozofi e teologji.
Në vitin 1942 asht kthye në Shqipni. Nga fundi i vitit 1942 rinisi prap atë rrugë Shpirtnore, prej së ciles kje shkëputë pak muej perpara në Romë.
Me 24 Prill 1943 Shugurohet meshtar nga Imz. Vinçenc Prennushi në Kishë të Durrësit. Në 1943 – 44 asht ndihmës famullitar i Don Shtjefen Kurtit.
Në vitin 1944 – 45 asht ndihmës famullitar në Malaj i Don Mati Fishtës, dhe vazhdon në Kishen e Prosekut deri në vitin 1958, në famullinë e Prelatit. Ma vonë ka edhe Kishen e Rrëshenit dhe të Suçit në Mat. Asht nder meshtarët e besueshëm të Don Shtjefen Kurtit dhe Imz. Vinçenc Prennushit.
Me daten 27 Korrik 1966, në festen e Delbinishtit Don Ndoc Sahatçia bani një ndryshim të vendqendrimeve të klerikve të asaj zonë, që vazhduene me sherbye nder vendet e reja deri me diten e Rrëshajve të vitit 1968, datë në të cilen Kishat u mbyllën me “Revolucionin Ideologjik e Kultural”. Menjëherë fillon edhe Kalvari i pafund i burgjeve, atëherë kur edhe Don Anton Doçi arrestohet dhe në vitin 1971 dënohet 13 vjet burg dhe punë detyrueshme.
Po, per nga shëndeti Don Antoni, ishte shumë i lodhun dhe i pafuqishem. Kujtojnë bashkvuejtësit sesi njëditë Don Antoni tue kenë i lodhun ra dhe nuk mund të çohej nga balta, ndersa rojet nuk lejojnë me e ndihmue tjerët, por e lanë ashtu permbys pa i dhanë asnjë ndihmë shoqnore e mjeksore.
Në muejn Maji të vitit 1973, Don Anton Doçi vdes tue dhanë Shpirtin e Tij nder baltat e Zejmenit. Ndonse, Don Antoni nuk ishte i pari që vdiq aty.
Fatkeqësisht, mbas dënimeve per arsye “politike”, mbasi arsye tjera nuk kishte per prangosjen e klerikve katolik, Sigurimi i shtetit shqiptar, dihej se drejtohej nga injoranta dhe vetem anadollakë të persosun me vra njerzë.
Po të studjohen me kujdes vrasjet dhe mbytjet nder balta e kneta, kemi me u ndollë para fakteve të studjueme dhe të aplikueme me aq kujdes, sa kurr nuk do të jemi të sigurtë se “ky rast vdekje apo mbytje”, ishte i rastit apo i menduem dhe i realizuem me mjeshtrinë ma të madhe vrastare. Sigurimi i shtetit në Shqipni ka realizue të gjitha arrestimet, dënimet, dhunimet si dhe vrasjet, mbytjet e zhdukjet ma të mësheftat ashtu si i ka parashikue ai!
Asnjë vrasje apo zhdukje as sot e asnjëherë, nuk asht ba e llogaritun gabim.
Sot, vertetë që ne i kujtojmë me dhimbje të madhe të gjitha zhdukjet dhe vrasjet e bame nder Trojet tona Shqiptare, po asnjëherë nuk duhet që të harrojmë, Zamakët e Bardhë të Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Melbourne, 18 Korrrik 2022.