Kolana “Shtigjeve të vendlindjes” – një botim i vyer që nuk duhet të mbetet rrugëve
Josif Papagjoni
Pas një vonese prej tre vjetësh, që mund të mos ndodhte, më në fund përmbledhja letrare-studimore “Shtigjeve të vendlindjes”, nr. 9, falë mbështetjes së Bashkisë Himarë, u arrit të botohej. Një libër me mbi 450 faqe, përfshirë edhe foto ilustrative. E para gjë që dua të them është se ky botim përbën një kolanë prej 9 simotrash me mbi 50 autorë. Gjë vërtet e bukur, jo e gjithkundshme në Shqipëri, me sa di e vetmja e këtij lloji që ka rezistuar pa u shuar pas viteve ’90. Si strukturë ka formën e një reviste, por nuk mund të quhet e tilla, pasi është e paracaktuar nga autorët e saj, të cilët janë shkrimtarë nga Bregdeti ose me origjinë prej andej dhe, së dyti, nga rrethi tematik e motivor, i cili i kushtohet përjashtimisht po Bregdetit, në fusha të ndryshme të krijimtarisë letrare dhe jo vetëm, në studime, ngjarje historike, folklor, doke e zakone, antropologji e arkeologji, kulturë jetese e tradita, personalitete e figura të shquara etj.
Gëzohem sinqerisht që kjo udhë e hapur tashmë vijon të na shpjerë në vise të bukura; jo vetëm poetike letrare, por dhe në hulumtime e studime që ndriçojnë historinë e krahinës së Bregdetit. Kemi udhëtuar së bashku 12 vjet rresht qysh nga botimi i numrit të parë, andaj nuk ka se si të mos përshëndetet mbështetja që ka dhënë për botimin e përvitshëm të kësaj përmbledhjeje, më së pari prej ish kryetarit të Komunës së Lukovës, zotit Vladimir Kumi. Tipologjia e këtij drejtuesi, edhe pse me më pak fonde e mundësi, besoj, ishte shembullore, te cilat duhen çuar më tej. U krijuan festa të vërteta të artit dhe krijimtarisë me promovime të bukura nëpër fshatrat e Bregdetit, në funksion të turizmit kulturor, me takime krijuesish, këngë, recitime vargjesh, historiza gazmore, spektakël, vallëzime popullore masive, artiste të shquar si të ftuar nderi dhe bisedat e tyre me njerëzit; festa me pjesëmarrësit e shumtë të këtyre fshatrave. Kësodore ta kthesh promovimin e një antologjie letrare studimore në pretekst për një ritual social festiv me impakt dhe efektivitet të madh në dobi të turizmit kulturor – kjo e gjitha kthehet në një mision kulturor për nje bashki. Doemos rruga e nisur duhet të vazhdojë, mos të mbetet ky botim periodik një “yll” që shuhet e këputet diku. Ia kam frikën diçkaje të tillë. Saje logjikës që kolana të mos e shuaj flakën e vet dritësuese, Këshilli Bashkiak i Himarës e mbështeti projektin edhe para tre vjetësh në mënyrë unanime duke ofruar një shans më shumë për njohjen dhe promovimin e krijimtarisë letrare të poetëve, tregimtarëve, romancierëve, studiuesve, eseistëve, profesorëve e publicistëve të krahinës së Himarës e më gjerë. Mirëpo siç ndodh herë-herë, projektin e zë gjumi diku sirtarëve të mykur të nëpunësve bashkiakë, siç e zuri edhe numrin 9 për tre vjet rresht e me zor e gati me grindje u bitis. Po pse duhet te ndodh keshtu? Promovimi edhe kushton, duhen krijuar kushte per ardhjen dhe takimin e krijuesve duke siguruar udhetimin e tyre me bileta apo furgona Vlore-Himare-Qeparo, Sarande-Qeparo, doemos edhe dy, tri makina me krijues dhe studiues te shquar nga Tirana. E pra, duhet paguar nafta, udhetimi; po edhe disa vende per fjetje. Ky eshte vleresimi, jo t’i lesh njerezit rrugeve: Kush te doje le te vije vete. Ah, jo keshtu! E cili nga personalitetet qe jane autore te ketij botimi vjen pa kushtet minimale? Pastaj mire do te ishte te silleshin dhe paguheshin edhe disa gazetare te televizioneve tona per t’i bere jehone eventit ne dobi te bashkise, sigurisht. Etj, etj, etj…
Në këtë numër janë të pranishëm mbi 50 autorë; me studimet e tyre cilësore spikatin profesorët e nderuar Paskal Milo, Beqir Meta, Ilir Gjipali, Çapajev Gjokutaj, Përparim Kabo, Bardhosh Gaçe dhe studiuesit Irena Gjoni, Minella Gjoni, Albert Abazaj, Timo Mërkuri, Kostandin Qeparoi, Sulejman Mato. Në shkrimet e tyre janë sjellë zbulesa në arkeologji, antropologji, mitologji, folklor, me kërkime prehistorike në Kaoninë Perëndimore, marrëdhëniet shqiptaro-greke në periudhën e Monarkisë Shqiptare, Beteja për Himarën, marrëdhëniet e krahinës së Bregdetit me Mbretërinë e Napolit, modelet e historisë dhe nevoja e njohjes së tyre, studime albanologjike për krahinën e Himarës, Himara dhe struktura etnike e shoqërisë homerike, Himara dhe Hora arbëreshe, krijimi i legjendës për një “vorioepir grek”, studime e portrete për Lefter Çipën, bardin e këngës polifonike bregase, Mustafa Luçi si mbledhës i folklorit lab, valltarët e fshatit Fterrë etj.
Në ciklin e poezive janë në sofër kësaj here Ilirian Zhupa, Stefan Martiko, Mentor Serjani, Albert Abazaj, Theodhori Proko, Doloreza Spiro, Aleksander Çipa, Dhimitër Gjoka, Eleonora Gjoka, Ideal Serjani, Kostandin Qeparoi, Adriana Dhrami, Zef Skiro di Maxho, Marg Shilipa, Agim Mato, Maksi Luci, Koco Kosta, Fatmir Papadhima. Me fabula vijnë Kostandin Vogli dhe Vasil Gjivogli, në fushën e studimeve mbi artin vjen Josif Papagjoni për disa filma që trajtojnë tema e histori nga Bregdeti. Në këtë përmbledhje janë botuar tregime nga Dhimitër Anagnosti, Llambro Ruci, Sulejman Mato, Fatmir Minguli, Petraq Pali, Spiro Gjikondi, Miho Gjini, Koço Kosta, Eqerrem Canaj, Edmond Llaçi, Sofokli Meksi. Si përherë janë botuar edhe frangmente nga romanet, kësaj here të Diana Çulit, Kleo Latit, Fatmir Mingulit, Kostandin Voglit, Vullnet Matos. Kritika përfaqësohet me shkrime nga Robert Martiko, Josif Papagjoni e Thanas Boçi…
Promovimi i nr. 9 të “Shtigjeve të vendlindjes”, në formë “rrotacioni”, kësaj here i takoi fshatit Qeparo. Shkrimtarët, studiuesit dhe krijuesit e mbledhur, rreth 30 vetë, krahas gëzimit dhe kënaqësisë që falin takimet dhe bashkëbisedat me njëri-tjetrin, si një klub i vogël krijuesish që i bashkon krahina e Himarës, shprehën dhe shqetësimin e vonesave të botimit, thyerjes së ritmit dhe një zvarritje të pamotivuar prej tre vjetësh. Duke kritikuar të gjithë në një zë qëndrimet refraktare të bashkisë Himarë dhe shpërfilljen që ajo ka treguar duke mos e çmuar peshën, domethënien, karakterin dhe rëndësinë e këtij botimi për vetë krahinën dhe vlerat e saj të shumëfishta, në mënyrë unanime krijuesit i kërkuan me tone të rrepta drejtuesve të kësaj bashkie si dhe Këshillit Bashkiak që të ndryshojë qëndrim në dobi të qytetarëve të saj (si lexues kësaj here), si dhe vetë nevojës që ata kanë për t’u njohur me pjesën më të vyer të krijimtarisë që njerëzit e penës së kësaj krahine japin me krijimtarinë e tyre. Po ashtu ata u shprehën se ndjeheshin të fyer nga zvarritja dhe shpërfillja e paarsyeshme dhe se ky botim jepte gjasa që lexuesi të prek tematikat e larmishme të trajtuara me dije, që vijnë prej një shumësie fushash, dukurish dhe procesesh që kjo krahinë ka njohur nëpër shekuj. Ne jemi të mendjes se letërsia dhe studimet shkencore janë nga mjetet më të frytshme të njohjes së shpirtit njerëzor, atribut i paçmuar i lirisë dhe mendjes së hapur, shenjë e talentit dhe thellësisë së mendimit. Për këtë shkak kjo kolanë duhet parë si obligim për të nxitur dhe ofruar mundësi, sado modeste, ndaj krijimtarisë letrare e studimore të njerëzve të penës, që banojnë në Himarë dhe fshatrat e saj ose që mendjen dhe shpirtin e tyre e kanë pranë vendit të origjinës.
Gjykoj se vetëdija e drejtuesve të bashkisë Himarë duhet të vlerësojë paskëtaj me përparësi dobinë e jashtëzakonshme që kanë botime kësilloj në formimin e njerëzve me begatinë e informacionit të sjellë, zbulesave, këndvështrimeve. Do të ishte e domosdoshme pra që krijuesit dhe studiuesit e nderuar, ndër ta profesorë me emër dhe personalitete të shquara të letrave shqipe, të vlerësohen dhe të nderohen nga organet e pushtetit dhe jo të tregohet një shpërfillje e pamerituar, madje fyese, duke mos qenë i pranishëm asnjëri syresh thjesht per nje urim. A ka sens kjo, kur për një ritual të vogël festiv, një garë, përurimin e një kanali a diçka e ngjashme, këta pushtetarë vrapojnë aty të presin ndonjë shirit duke krijuar iluzionin e “suksesit”. Ok, të gjitha duhen dhe secila sipas vendit dhe rëndësisë që ka. Por libri zotërinj, është shumë më i vyer se shumëçka që ju kujtoni se është parësore. Libri nuk bërtet, as ulërin. Nuk është një “kulaç” i ngrohtë diku në një aheng, pritje qeveritarësh, davet, tavolinë me birra e qofte. Libri nuk është “shkumë”, por esence. Në këtë përmbledhje lexuesi prek me dorë disa prej talenteve, vlerave, kontributeve letrare e më gjerë të autorëve të përfshirë, por edhe bën pjesë të dijes një lloj tjetër “sofre”, kësaj here jo me birra e qofte; libri të fton të shtrohesh sofrës së virtyteve, traditave, zakoneve, bukurive, mirësive të njerëzve dhe popullit të fshatrave të bashkisë Himarë, që kanë qenë e mbeten frymëzim për ta. Ky libër është i heshtur si gjithë librat e tjerë, ai nuk bëzan, sepse libri është si kalliri i grurit plot me kokrra e kokëulur e jo si kalliri përpjetë e pa kokrra. Libri është punëtori më i madh i mendjes, i shpirtit, i vizionit, i sjelljes, i vetë aksionit njerëzor. Këtë doja t’ua kujtoja drejtuesve të bashkisë Himarë, ata që janë sot dhe ata që do të jenë nesër e përherë. Kryetari i Bashkisë Jorgo Goro duhet ta mbajë fjalën premtimin e tij tek thotë: “I uroj udhë të mbarë “Shtigjeve të Vendlindjes nr. 9”, duke qenë i bindur se jetëgjatësia e këtij botimi të veçantë e me interes do të jetë e sigurt…” Por që kjo kolanë të mos ndërpritet, cenohet, shpërfillet, apo edhe të “vdes”, krahas urimit, them unë, duhet edhe përgjegjshmëria i nderuari kryetar dhe të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak të Himarës; duhet kuptimi, sidomos dashuria ndaj krijuesve…
Please follow and like us: