Cikël poetik nga Zeqir Cama
E sotmja
E sotmja, si dje, iku bosh,
e nesërmja, zor t’ma mbush syrin,
nëpër xhepa s’më mbetet një grosh,
sikur erdha të ngrohem me hirin.
Më ndoqi pas fati me gurë
ç’m’u desh kjo lojë, ç’m’u desh,
andej-lumë e deti me shkumë,
këtej-lumë e deti në brez!
As paga e lakmuar s’më josh,
me vjen nga pas “bisht i dardhës”
sa marr me një dorë çekun plot
me tjetrën laj bill-et e radhës.
Mendja më del nga foleja
sa gjen diku “një penxhere”,
tymosur më kthehet ngahera,
të ziej si çorbë në tenxhere.
Mbi tëmtha çak e çuk e çokas
siç i bie sopatës mbi dru.
-mblidh vidhat – e kanos me inat-
mendja jote më pruri këtu!
Katarakti i Niagarës
Këtu duket parajsa dhe ferri,
mrekullia e ujit në botë,
valët plot ngjyra ylberi,
si vargje qershie mbi tortë.
Ujërat si thërmija shkërmoqen,
nga rënia llahtarë me furi,
mjegullat mbështjellin shoshoqen,
si çarçafë të nderë mbi avlli.
Gjithçka më duket si në gara,
si në gara pa humbje dhe fitore,
shtëllungat e ujit të bardha,
rrëshqasin si orteqe dëbore.
Nuk ngopem së pari me sy,
mes turistësh këtu, në një breg,
se s’mundem t’i prekë bukurinë
lules, që më thotë, mos më prek.
Më tej, asnjë hap s’duhet bërë
se e shoh rrokullinë në humnerë,
por Zoti atje i ka zënë
vëndet rezervë për të tjerë.
Vetëm kur të bindet një ditë,
njerëzimin ta pakësojë kështu:
Le t’i hedhë mëkatarët e ligj
këtu, në Niagara, këtu!
Në kërkim të një pune
Nuk isha në ëndërr,
po në kërkim të punës
si gjurmuesit e arit duke lutur të ardhmen e groposur.
Çfarë di të bësh- më tha bosi i radhës.
Di të shtrosh pllaka?
Di të ndërrosh çatinë?
Dhe më vuri përpara një arkëz me vegla
pa pretenduar t’i ribëja shtëpinë.
Ngrita supet si gjynahqar, pa i dhënë përgjigje,
dilja trap e shkuar trapit po t’i bëja pak hile.
Më zgjati çekiçin t’i jepja formë gurit,
më dha plumçen e ustait të drejtoja murin,
t’u vërja brekëve llastik, në vënd të ushkurit,
të matja nivelimin e truallit me sy,
më dha një palë shkallë të hipja në çati,
bashkoi dy dërrasa, të ngulja një goxhdë,
gati të më thoshte: “Të dhjefsha në shkollë.”
Me grusht i rashë kokës, i kërkova hesap
kur duhet të merrja, nuk mora zanat.
Më pas më dha kosën që t’i kositja barin,
për qime shpëtova pa provuar të marrin,
dhe prap më tha: ” Zgjidh.”
Po s’e vura më gishtin,
demi kapej nga brirët,
unë e shkundja nga bishti.
Në bibliotekën e Torontos
Ismail Kadaresë
S’e di ç’më shtyu të hyj brënda,
sikur një zë më tha në vesh,
do t’gjesh atë, që ta ka ënda,
te raftet, me kapak të qelqtë.
Dhe për çudi më ndihu fati,
se vate gjuha ku më dhemb,
midis shenjtorëve të artit,
një gur i çmuar, në kalldrëm.
“Kronikë në gur” çokiti xhamin,
t’i bënte test anglishtes sime,
paçka se isha top i bindur,
që s’bëja bukë dot me thërrime.
Të shkretës dorë mezi i pritej,
t’i kthente fletët frap me ngut,
siç kthejnë pllakat e çative,
n’qytetin tënd jugor, të gurtë.
Po fati ndryshe qënkish thënë,
si unë dikush, kish bërë porosi,
të vetmen kopje patën lënë
ta merrte një nga të dy.
“It’s for you” – u rrëzëlleva-
jam andej nga është shkrimtari,
në ritin tonë për gaz e morte,
nderohet miku më së pari.
Vjeshtë në Toronto
Erdhi vjeshta me duar furrosur,
dhe gjethet e para i shkundi,
si pjata plastike, lyrosur,
në çaste pikniku, nga fundi.
Shëtitoreve floknaja e pemëve,
bën drudha e drudha, pa krehur,
kazanët e zbrazur të plehrave,
si çarqet e gjahut, rrinë ngrehur.
Kam mall të shikoj ca orë diell,
dhe qiellin plot dritë, si qelqi,
pa togjet e reve ngjyrë miell,
qëruar, siç mbahet qyteti.
Nëper Moll-et më ftojnë te dera,
reklamat e veshjeve nazike,
unë bëj indiferentin ngahera,
me xhinset e buta praktike.
Mirëqenia aspak s’ka lëvizur,
veç stina ka ndërruar në bojë,
po streset dhe hallet bitisur,
kane mbetur sic ishin, njesoj.
Take it easy
Take yt easy, take yt easy,
kakarit në gjuhën tënde,
me plot zërin, sipas ritmit,
me refrenin e një kënge.
Në një pakt prej disa vitesh
nuk ramë keq midis të dyve,
veç nga puna, jo nga ritet
as për bukurin’ e syve.
Unë ankoj diçka për rrogën,
më ke lënë diku në bisht,
“take yt easy” ma qep gojën
si dervish, që vjen më ysht.
S’arrij dot të ta njoh kodin
dhe këtë sjellje excellent,
bën sikur jep ca për robin,
nga një cent dhe nga një cent.
I don’t care
Shefi im i urtë, bardhushi kanadez,
s’kam qënë ky burri që dukem tani,
ulur te ky “bar’ me nga një kafe ekspres,
paguar secili për veten e tij.
Më flet’ i kënaqur për trip-et në botë,
me anglishten e bukur si vetë vendi yt,
po për mua çdo trip s’do të ishte i plotë,
në s’vete vendin tim ta shohësh një ditë.
Të shohësh burime me ujë të kristaltë,
dhe fusha e male me një diell të rrallë,
me njerëz mikpritës në një gjuhë të veçantë
që të blejnë ndër sy, pa u thënë asnjë fjalë.
Me ty, unë e di, s’mund të jem i barabartë,
njerëzori shteti yt të mban ende për dore,
ndërsa mua më duhet të djersitem çdo natë,
të paguaj bill-et e shtrenjta mujore.
Ca më tej as hapin nuk e kam sa i yti,
por s’jam ziliqar dhe s’kam ndonjë mllef,
këtë fat pata, nuk shkruhet së dyti,
“I don’t care” që s’bëhem dot shef.
Dëbora e parë
Ra bora e parë e këtij viti…
Rëndon trafiku që heq udha,
ca ishuj blu si sy evgjiti
yllësojnë qiellin plot rrudha.
Kërleshen erërat leshlëshuar,
në rrugë e parqe me stuhira,
si një përleshje këmb e duar
ndër sherre grash për xhelozira.
Nuk di kush del fitues e para,
kush mbeti humbës s’e kuptoj
në tërë Toronton me të qara
përplasen rrymat krejt njëlloj.
Qytet’i madh i pa ca “gjëma”
plus rrugëtrafikun e avashtë
e mbylli sot, beharin, brënda
dhe la ca muaj, dimrin, jashtë.