Albspirit

Media/News/Publishing

Albanolog i shquar, gjuhëtar, leksikolog, dijetar dhe akademik shqiptar i rrallë

Në kuadrin e 50 vjetorit të Kongresit Drejtshkrimit dhe 100 vjetorit të lindjes së Androkli Kostallarit

Nga Shefqet A. SALIU

Për gati një gjysmëshekulli, akademik Androkli Kostallari ka qenë një nga figurat qendrore në fushën e albanologjisë. Ai u shqua për horizontin e tij të gjerë, për ide të guximshme dhe për aftësi të rralla organizative, të cilat i dëshmoi që nga koha kur mori përsipër barrën e organizimit e të themelimit të institucioneve kulturore e shkencore dhe deri në fund të jetës.

Pa e tepruar, mund të thuhet se shumë nga arritjet e gjuhësisë shqiptare dhe të disiplinave të afërta mbajnë vulën e tij.

Profesor Kostallari është njëri ndër gjuhëtarët më të shquar shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të shkuar, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në lartësimin e gjuhës shqipe dhe në ngritjen e saj në nivele nga më të lartat.

Është një nga figurat kryesore të studimeve të gjuhës shqipe, anëtar themelues dhe drejtor i Institutit Shqiptar të Historisë dhe Linguistikës, më vonë Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Si drejtor i Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë të Universitetit të Tiranës (1957–1972), ai mori pjesë aktive në krijimin, projektimin dhe udhëheqjen e veprimtarisë shkencore të gjuhësisë, të letërsisë, të historisë, të folklorit letrar e muzikor, të arkeologjisë, të etnografisë etj, duke krijuar një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh në të gjithë Shqipërinë, të cilët qëmtonin me vëmendje të dhëna nga kultura dhe trashëgimia popullore.

Androkliu u lind në Leusë të Përmetit më 7 nëntor 1922 dhe mbaroi shkollën e mesme në Shkodër, në konviktin “Trimat e Maleve”. Ishte pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes Nacionalçlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa më pas punoi në organet e shtypit të pasluftës, ku pati sukses edhe si drejtues, paçka se në moshë të re.

Në vitet 1949-1954 kreu studimet e larta për Gjuhësi në universitetin “Lomonosov” të Moskës, ku paralelisht kreu edhe tre vite studime për gazetari. Që kur ishte student, nisi punën për hartimin e Fjalorit Rusisht – Shqip, i cili u botua në vitin 1954. Student i shkëlqyer i universitetit “Lomonosov” dhe ndjekës i zhvillimeve në gjuhësinë botërore, ai arriti të kishte një formim teorik të admirueshëm.

Pas kthimit të tij në Shqipëri, filloi të punojë në Institutin e Shkencave, paraardhës i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më vonë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të sapoformuar të Tiranës, ku arriti deri në funksionin e dekanit.

Në vitin 1958 u zgjodh drejtor i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë të Tiranës, pas ristrukturimit të Institutit të Linguistikës dhe të Letërsisë, deri në vitin 1990. Shërbeu si kryeredaktor i revistës “Studime Filologjike” (1964-1991) dhe “Studia Albanica” (1964-1980).

Kostallari ishte gjithashtu një nga anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 1972 dhe në presidencën e saj.

Fokusi kryesor i punës së tij shkencore dhe pedagogjike ishte leksikologjia dhe leksikografia, fjalëformimi, onomastika, gjuhësia e përgjithshme dhe historia e gjuhës shqipe letrare. Ai shërbeu si shef i seksionit të Leksikologjisë dhe Leksikografisë të Universitetit të Tiranës (1955-1990), ishte gjithashtu drejtor shkencor i dy fjalorëve shqiptarë: “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” i vitit 1980 dhe “Fjalori i shqipes së sotme” i vitit 1984.

Më 1961, nën drejtimin e tij filloi përpunimi i një projekti të ri të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, i cili u botua në shkurt të vitit 1967, si “një drejtshkrim i vetëm për një formë të vetme të gjuhës letrare” dhe, si i tillë, pas një viti u miratua njëzëri nga Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (prill 1968) për t’u përdorur nga shqiptarët në ish-Jugosllavi, duke u bërë kështu Drejtshkrim i Gjuhës Letrare Kombëtare Shqipe.

Në karrierën shkencore e drejtuese të akademik A. Kostallarit duhen veçuar dy momente kulmore: puna për hartimin e “Fjalorit Shpjegues të Gjuhës Standarde” dhe organizimi i Kongresit të Drejtshkrimit, 20–25 nëntor 1972.

Pas botimit të projektit të drejtshkrimit (1967) dhe ribotimit të tij në Prishtinë (1968), Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë nën drejtimin e Kostallarit organizoi për katër vjet një diskutim të gjerë masiv të projektit në gjithë vendin. Kjo solli edhe rritjen e interesimit të shoqërisë e të administratës së shtetit për problemet e gjuhës letrare. Ndërkaq, duke iu përgjigjur zhvillimeve në Prishtinë, ai propozoi të mbahej në Tiranë një konferencë për drejtshkrimin. Propozimi e tij u pranua, por me ndryshimin që të mos të ishte konferencë, po kongres mbarëkombëtar.

Si kryetar i Komisionit Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit, Kostallari tregoi aftësitë e tij të gjithanshme në të gjitha fazat e ndërtimit të asaj veprimtarie me vlerë të lartë shkencore e kombëtare. Në Kongres mbajti referatin “Gjuha letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj”, që përbën një nga arritjet e tij më të rëndësishme, po edhe të gjuhësisë shqipe.

Një fushë tjetër ku Kostallari kontribuoi ishte historia e formimit dhe e zhvillimit të standardit letrar të gjuhës shqipe, karakteristikat e tij strukturore dhe funksionale. Ai ishte pjesë e komisionit që harton “Ortografinë e gjuhës shqipe” në vitin 1956, kreu i komisionit për projektin “Rregullat e Ortografisë Shqiptare të vitit 1967”, kryetar i Kongresit të Ortografisë të vitit 1972, drejtor i komisioneve të mëvonshme të Ortografisë, i vitit 1973 dhe i vitit 1976.

Ai ishte gjithashtu bashkautor i fjalorëve të ndryshëm të terminologjisë.

Nuk la cep të Shqipërisë pa shkelur në kërkim të fjalës së rrallë ose në veprimtari shkencore, prandaj nuk kishte njeri që të mos e njihte, ashtu siç ai i njihte me emër mësuesit e përkushtuar të gjuhës shqipe, që përpiqeshin të mblidhnin fjalë të reja ose të merreshin me punë shkencore.

Në bibliografinë e pasur të studimeve shkencore të profesor Kostallarit përmenden: “Fjalori shqip-rusisht”, “Fjalor rusisht-shqip”, “Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe” (1973); “Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe” (1976). Ka botuar edhe 18 monografi e studime, ndër të cilat: “Sur les traits principaux de l’albanais litéraire contemporain” (1966); “La figure de Scanderbeg dans la litèrature mondiale” (1968); “Parimet themelore për hartimin e fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1968); “Gjuha letrare shqipe dhe epoka jonë” (1985); është kryeredaktor i veprës madhore “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalor i shqipes së sotme” (1984) etj.

Më 1960 e zgjodhën anëtar të Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike (CIOS). Disa herë ka marrë pjesë me referate e kumtesa shkencore në kongrese e simpoziume, duke kryesuar edhe delegacionet shqiptare në veprimtari të tilla, si në: Athinë, Romë, Sofje, Munih, Kopenhagën, Paris etj.

Më 1963 u zgjodh anëtar i Komitetit të Organizatës Ndërkombëtare të Studimeve për Europën Juglindore (AIESEi) dhe më 1974 anëtar i Byrosë së këtij Komiteti dhe nënkryetar i tij. Ka qenë anëtar i redaksisë së “Atllasit të Gjuhëve të Europës”. I është dhënë titulli “Honoris Causa” nga Universiteti i Stokholmit. Ja si shkruan gazeta 6-mujore arbëreshe “Lidhja”, në numrin 27 (30 maj 1992): Njerëz si Kostallari, të ditur, të përzemërt, të buzëqeshur, punëshumë, dashamirës të kombit shqiptar, i përkasin pothuaj ‘legjendës’ së popullit shqiptar, ashtu si Çabej dhe Haxhihasani”.

Trashëgimia shkencore që ka lënë është e pasur dhe shumëplanëshe. Ajo përfshin studime teorike në fushën e kulturës së gjuhës, të leksikologjisë, të leksikografisë etj., të botuara në shtypin tonë shkencor dhe disa prej tyre edhe në revistat e huaja gjuhësore. Vepra e tij shkencore përbën një thesar që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe të rretheve shkencore në një varg vendesh. Vetëm monografitë, referatet e artikujt e tij, të botuara në katër vëllime nga Akademia e Shkencave, arrijnë më shumë se 2 mijë faqe.

Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore dhe pedagogjike të tij qenë leksikologjia e leksikografia, fjalëformimi, onomastika, gjuhësia e përgjithshme dhe teoria e gjuhës letrare. Po vendin e kreut në këtë veprimtari e zënë studimet për fjalëformimin, ku spikatin monografitë e punimet për fjalët e përbëra në gjuhën shqipe, një kategori fjalësh, me të cilat gjuha jonë është shumë e pasur, por deri atëherë pothuajse e pastudiuar. Ai ishte i bindur se gjuha shqipe i ka të gjitha mundësitë për të përballuar, me mjetet e veta, nevojat e shprehjes në të gjitha fushat e veprimtarisë ligjërimore. Pastërtia e leksikut të gjuhës së shkruar nëpërmjet krijimeve të reja e, sidomos, nëpërmjet aktivizimit të fjalëve shqipe nga leksiku popullor, ka qenë njëri nga qëllimet kryesore të punës së tij shkencore.

“E gjithë biblioteka e tij ishte veshur si të thuash me një kostum klasik me ngjyrat e malit të Nemërçkës”, shkruhej në një nga organet e shtypit të asaj kohe kur ai po tretej nën dhe. “Biblioteka e tij e kompozuar t’i ngjante një rrapi dhe librat në zgavrat e degët e tij gjer në majë, por për fat të keq e pati jetën e shkurtër, ajo mori udhët e Tiranës dhe u shit ku të mundej trotuareve. E dhimbshme, nënvleftësim e indiferencë e pashoqe e drejtuesve në Ministrinë Arsimit dhe e Bibliotekës Kombëtare, sepse familja kishte mbetur pa strehim, në rrugë të madhe”.

Me gjithë këto merita, Androkli Kostallari mbeti një njeri tepër modest, që kurrë nuk u mburr dhe as i shfrytëzoi këto merita për përfitime vetjake. Jetoi thjesht dhe jo pa shqetësime e privime.

Për punën e kryer i është dhënë: titulli “Mësues i Popullit”, “Profesor”, Urdhri “Naim Frashëri”, Klasi i Parë, “Çmimi i Republikës” dy herë etj.

U shua nga jeta më 23 mars 1992.

Please follow and like us: