Albspirit

Media/News/Publishing

Geron Kamberi: Universiteti i Oksfordit, dukuria dhe historia (1)

SISTEMI I BIBLIOTEKAVE UNIVERSITARE NË UNIVERSITETIN E OKSFORDIT

Universiteti i Oksfordit ka sistemin më të madh të bibliotekave universitare në Mbretërinë e Bashkuar, ku ndodhen mbi 11 milionë vëllime librash të vendosura në 190 km rafte.  Grupi i bibliotekave ‘Bodleian’ është biblioteka e dytë më e madhe në Mbretërinë e Bashkuar, pas Bibliotekës Britanike (British Library). Biblioteka Bodleian (Bodleian Library) e Universitetit të Oksfordit është një bibliotekë që gëzon të drejtën të ketë një kopje falas të çdo libri të botuar në Mbretërinë e Bashkuar. Si i tillë, koleksioni i saj dhe raftet e librave rriten me një ritëm prej 5 km çdo vit. Ndërtesat e referuara si biblioteka kryesore kërkimore e universitetit, The Bodleian, përbëhen nga biblioteka origjinale Bodleian, e themeluar në vitin 1598  nga diplomati e studiuesi britanik  Sir Thomas Bodley (02.03.1945-28.01.1613)  si edhe nga bibliotekat e tjera që emërtohen Kamera Radcliffe, Ndërtesa Clarendon dhe Biblioteka Weston (Radcliffe Camera,  Clarendon Building, Weston Library). Një tunel nën Broad Street lidh këto ndërtesa me atë që njihet si  Gladstone Link, duke u hapur  për lexuesit në vitin 2011 dje që lidh sallën e vjetër të Bibliotekës  Bodleian me Sallën  Radcliffe. Salla  Radcliffe (Radcliffe Camera e njohur në gjuhën e folur si ‘Rad Cam’ ose ‘The Camera’; nga latinishtja kamera, që do të thotë ‘dhoma-sallë’) është një ndërtesë e Universitetit të Oksfordit, Angli, që është projektuar në stilin neoklasik nga arkitekti James Gibbs (23.12.1682-05.08.1754) për të vendosur Bibliotekën Shkencore Radcliff. Pozicioni i saj në zemër të Oksfordit dhe ndarja nga ndërtesat e tjera e bëjnë atë pikën qendrore të Universitetit të Oksfordit dhe si e  tillë është bërë simboli i institucionit. Ndërtimi i bibliotekës u financua nga pasuria e John Radcliffe (24.04.1650-01.11.1714), i cili la 40,000 paund testament pas vdekjes së tij në 1714. Sipas kushteve të testamentit të tij, ndërtimi i Sallës Radcliffe (Radcliffe Camera) filloi të ndërtohej në 1737 dhe përfundoi më 13 Prill 1749. Ndërkohë në vitin 2000 u krijua grupi i Bibliotekave Bodleian (Bodleian Libraries Group) ku tani përfshin 28 biblioteka, një numër prej të cilave janë krijuar duke bashkuar koleksione të veçanta, si psh Bibliotekën Sackler, Bibliotekën Juridike, Bibliotekën e Shkencave Sociale dhe Bibliotekën e Shkencave Radcliffe (Sackler Library, Law Library, Social Science Library, Radcliffe Science Library). Një tjetër produkt kryesor i këtij bashkëpunimi ka qenë sistemi i përbashkët i integruar i bibliotekave OLISOLIS ku bëjnë pjesë Sistemi i Informacionit të Bibliotekave të Oksfordit (Oxford Libraries Information System) dhe ndërfaqja e tij publike, SOLO (Search Oxford Libraries Online). Ndërkohë sistemi i bibliotekave online të Universitetit të Oksfordit ofron një katalog elektronik që mbulon të gjitha bibliotekat anëtare, si dhe si bibliotekat e kolegjeve individuale apo bibliotekat e fakulteteve të tjera të cilat nuk janë anëtarë të grupit, por ndajnë informacionin e katalogut të tyre bibliografik.

STRUKTURA  MENAXHUESE TË UNIVERSITETIT TË OKSFORDIT

Ligji i Universitetit të Oksfordit 1854, i quajtur ndonjëherë Akti i Reformës së Universitetit të Oksfordit 1854 (The Oxford University Reform Act) ishte një ligj i miratuar nga Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar më 7 Gusht 1854, i cili rregulloi mënyrën e administrimit e qeverisjes në Universitetin e Oksfordit. Ai themeloi Këshillin Hebdomadal (Hebdomadal Council) që ishte organi drejtues i universitetit dhe shumica e anëtarëve të stafit akademik me kohë të plotë kishin të drejtën e votës mbi të. Termi Hebdomadal rridhte nga greqishtja “hepta (shtatë) pasi këshilli takohej në periodicitet javor. Këshilli Hebdomadal ishte organi kryesor ekzekutiv për Universitetin e Oksfordit që nga themelimi i tij me Aktin e Universitetit të Oksfordit 1854 deri në zëvendësimin e tij në vitin 2000 nga struktura që do të njihej si Këshilli i Universitetit (University Council) që është ende sot në fuqi. Zëvendësimi u realizua gjatë asaj periudhe që në vitin akademik anglo-sakson emërtohet Semestri Michaelmas (Michaelmas Term). Semestri Michaelmas është semestri parë i vitit akademik në një numër universitetesh dhe shkollash anglishtfolëse në hemisferën veriore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar. Termi Michaelmas e ka marrë emrin nga Festa e Shën Mikaelit dhe të Gjithë Engjëjve (Feast of St Michael and All Angels), e cila bie më 29 Shtator dhe zgjat deri në festën e  Krishtlindjeve. Nga periudha 1854- 2000, Këshilli Hebdomadal (Hebdomadal Council) i Universitetit të Oksfordit kryesohej nga Zëvendës Kancelari (Vice- Chancellor) që mbante përgjegjësinë statutore për menaxhimin e financave dhe pronave të paluajtshme të universitetit dhe marrëdhëniet midis universitetit dhe të gjitha institucioneve të tjera. Përgjegjësia e drejtpërdrejtë për administrimin e procesit akademik i delegohej Bordit të Përgjithshëm të Fakulteteve (General Board of Faculties), ku Këshilli Hebdomadal mban një rol mbikëqyrës. Tetëmbëdhjetë anëtarë të Këshillit Hebdomadal zgjidhen nga Kongregacioni (Congregation) i profesorëve të fakulteteve. Në vitet 1980, në Këshillin Hebdomadal u përfshinë si vëzhgues edhe dy përfaqësues nga radhët e studentëve ku 1 përfaqësues ishte nga radhët e studentëve universitarë që përzgjidhej nga Unioni Studentor i Universitetit të Oksfordit (Oxford University Student Union), ndërsa tjetri nga radhët e studentëve pasuniversitarë që përzgjidhej nga Unioni Pasuniversitar i Universitetit të Oksfordit (Oxford University Graduate Union). Studentëve u lejohet të flisnin për pikat e rendit të ditës, por jo të votojnë. Axhenda e Këshillit Hebdomadal ishte zakonisht e ndarë në dy pjesë dhe studentëve iu kërkohet të largohen përpara zhvillimit të pjesës së dytë të takimit. Këshilli kishte prerogativën për të inicuar rezolutat dhe statutet, të cilat i paraqiteshin Kongregacionit (Congregation) të stafit të pedagogëve për miratim.

STRUKTURAT DREJTUESE TË UNIVERSITETIT TË OKSFORDIT

Institucionet arsimore në Universitetin e Oksfordit sic janë Sallat e Përhershme Private (Permanent  Private Halls -PPH-të) dhe Kolegjet (Colleges) janë pjesë e asaj që quhet Konferenca e Kolegjeve (Conference of Colleges). Struktura përfaqëson shqetësimet e përbashkëta të kolegjeve të shumta të universitetit, për të diskutuar çështje me interes të përbashkët dhe për të vepruar kolektivisht kur është e nevojshme, si për shembull në marrëdhëniet me vetë universitetin. Struktura e Konferencës së Kolegjeve (Conference of Colleges) u krijua si një rekomandim i Komisionit të Lordit Oliver Franks (16.02.1905-15.10.1992). Anëtarët e trupës mësimdhënëse (Fellows dhe Tutors) të Kolegjeve të Universitetit të Oksfordit njihen si Dons ku në fakt fjala don e ka prejardhjen nga latinishtja dominus, një titull në antiktetin klasik me prejardhje nga Republika Romake. Me formën e shkurtuar Dons është shfaqur si e tillë në Mesjetë dhe ka qenë një emërtim që është përdorur tradicionalisht për klerikët katolikë dhe fisnikët, ashtu siç përdorej edhe për personalitetet e arsimit dhe personave të veçantë, Përveçse si godina ku studentët hanë dhe banojnë, kolegjet (Colleges) ofrojnë aktivitete sociale, kulturore për anëtarët e tyre. Kolegjet kanë përgjegjësi për pranimin e studentëve dhe organizimin e shkollimit të tyre, për të diplomuarit, kjo përgjegjësi bie mbi departamentet.  Përsa i përket drejtuese të Kolegjeve (College) ato nuk mbajnë të gjitha të njëjtin emër. Ato përdorin emrat Warden, Provost, Principal, President, Rektor, Master dhe Dekan. Universiteti i Oksfordit drejtohet nga një figurë e rëndësishme që njihet me termin Kancelar (Chancellor), ndryshe nga emërtimet në universitete të ndryshme të Europës kur ky pozicion është i njohur me emrin Rektor. Aktualisht që prej vitit 2003 drejtues apo Kancelar (Chancellor) i Universitetit të Oksfordit është Lordi Chriss Patten (12.05.1944), një politikan i njohur britanik. Kancelari (Chancellor) i Universitetit të Oksfordit është më shumë një figurë përfaqësuese dhe ashtu si në shumicën e universiteteve britanike nuk përfshihet në drejtimin e përditshëm të universitetit. Kancelari zgjidhet me një mandat të përjetshëm, nga anëtarët e  Konvokatës (Convocation), një  lloj asambleje me të gjithë diplomuarit e Universitetit të Oksfordit.  Ndërkohë figura kryesore e Universitetit të Oksfordit është pozicioni i Zv-Kancelarit (Vice – Chancellor), i cili aktualisht mbahet nga Damë Louise Richardson (08.06.1958-), një studiuese e njohur irlandeze e shkencave politike. Ndërkohë përkrah saj janë pesë zv.kancelarë që janë përgjegjës për aspektet e universitetit si: 1) kërkimi shkencor, 2) planifikimi dhe burimet financiare, 3) zhvillimi dhe marrëdhëniet me jashtë, 4) personeli dhe mundësitë e barabarta. Ndërkohë organi që merret me formulimin e politikave të universitetit është struktura që njihet si Këshilli i Universitetit (University Council) ku bëjnë pjesë Zv.Kancelarët, drejtuesit e departamenteve dhe përfaqësues të stafit pedagogjik që përzgjidhen nga Kongregacioni ( Congregation) apo parlamenti i donëve, një strukturë ku bëjnë pjesë mbi 3700 anëtarë të stafit akademik dhe administrativ që ka përgjegjësinë për miratimin e aspekteve rregullatore e politikave të univetsitetit që propozohen nga Këshilli i Universitetit (University Council). Nga ana tjetër në Universitetin e Oksfordit përfshihet edhe pozicioni i Proktorit (Proctors) që është në rolin e një avokati (Ombudsman) brenda universitetit dhe garanton që anëtarët e tij t’u përmbahen statuve që kanë miratuar. Çdo vit nëpërmjet një formule rotacioni zgjidhen dy proktorë (Proctors) nga dy kolegje të Universitetit të Oksfordit. Ata merren me çështjet disiplinore, ankesat e studentëve dhe mbikqyrjen administrative të universitetit. Ndërkohë ata që janë profesorë të Universitetit të Oksfordit  njihen me emërtimin  Profesorë Statutorë të Universitetit të Oksfordit (Statutory Professors of the University of Oksford) dhe kanë një ndikim të veçantë në zhvillimin e lëndëve e degëve të ndryshme që ofrohen nga ky universitet. Universiteti i Oksfordit është “universitet publik” në kuptimin që merr disa para publike nga qeveria, por është një “universitet privat” në kuptimin që është tërësisht vetëqeverisës dhe, në teori, mund të zgjedhë të bëhet tërësisht private duke refuzuar fondet publike.

STEMA, VESHJET E SIMBOLIKAT E UNIVERSITETIT TË OKSFORDIT

Çdo kolegj ka stemën e logon e tij ashtu sikurse është traditë që çdo kolegj të ketë një shall të veçantë me ngjyra për studentët e tij me anë të të cilave ato dallohen dhe identifikohen nga njëri-tjetri.  Universiteti i Oksfordit është karakteristikë për veshjet tradicionale të studentëve të tij ku bien në sy pelerinat e zeza (gowns), kapelet katërkëndshe mbi kokë (mortar), fraku i zi apo i bardhe dhe ngjyrat e ndryshme te pelerinave (gown) gjatë ceremonive të diplomimit sipas statusi të studentëve apo profesorëve. Veshja akademike kërkohet për provime, matura, seanca disiplinore dhe kur vizitoni oficerët e universitetit. Traditat dhe zakonet e tjera ndryshojnë sipas kolegjit. Për shembull, disa kolegje kanë darka zyrtare gjashtë herë në javë (formal hall), por në të tjera kjo ndodh vetëm herë pas here, ose edhe aspak. Në shumicën e kolegjeve, këto darka formale (formal hall) kërkojnë që të vishen fustane, dhe thuhet një hir latin. Mbrëmjet (Balls) janë ngjarje të mëdha të mbajtura nga kolegjet; më të mëdhenjtë, që mbahen një herë tre vjet në javën e nëntë të Trinity Term, quhen Mbrëmje përkujtimor (commemoration balls); kodi i veshjes është zakonisht kravatë e bardhë. Shumë kolegje të tjera mbajnë ngjarje më të vogla gjatë vitit që i quajnë mbrëmje verore (summer balls) ose festa. Këto zakonisht mbahen në baza vjetore ose të parregullta, dhe vishen me kravatë të zeza.

CEREMONIA E DIPLOMIMIT NË UNIVERSITETIN E OKSFORDIT

Ceremonia e diplomimit apo Encaenia është një ndër ceremonistë më të famshme të Universitetit të Oksfordit, e cila zakonisht zhvillohet të mërkurën e javës së nëntë të asaj që njihet si Semestri i Trinisë (Trinity Term d.m.th. zhvillohet në një nga të Mërkurat e fundit të Qershorit).  Në këtë rast fjala encaenia është nga latinishtja, që do të thotë përkushtim dhe në fund rrjedh nga greqishtja (enkainia), që do të thotë një festë përkushtimi. Termi fillimisht u përdor për të treguar tetë ditët e kremtimit për përkushtimin ndaj Kishës së Varrit të Shenjtë në Jerusalem dhe në Universitetin e Oksfordit ku lidhja me besimin ka qenë e hershme ende përdoret ky term. Ceremonia i paraprin një procesion të disa prej pjesëmarrësve nga kolegjet e tyre drejt Teatrit ‘Sheldonian’, brenda të cilit zhvillohet ceremonia e diplomimit. Teatri  ‘Sheldonian’ u ndërtua mes viteve 1664-1669 me iniciativën e mbështetjen financiare të Gilbert  Sheldon (19.06.1598-09.11.1677) që në atë kohë ishte Arqipeshkv i Canterbury dhe  Kancelar (Chancellor) i Universitetit të Oksfordit dhe në bazë të projektit të arkitektit të mirënjohur anglez Christopher Wren (30.10.1632-08.03,1723). Teatri është i njohur pasi aty zhvillohen çdo vit Leksionet e Hapura Publike Romanes (Open Lectures Romanes) që kanë marrë emrin për nder të biologut George Romanes (20.05.1848-23.05.1894). Në ceremoninë e diplomimit që zhvillohet marrin pjesë të gjithë autoritet drejtuese të Universitetit të Oksfordit që janë të veshura me veshjen e tyre tradicionale ku bie në sy Kancelari (Chancellor) i Universitetit të Oksfordit që drejton këtë ceremoni

AKTIVITETET SOCIALE NË UNIVERSITETIN E OKSFORDIT

Universiteti i Oksfordit, përveç traditës akademike ka një traditë të hershme në aktivitetet sportive mes kolegjeve dhe jetën sociale studentore. Ndërmjet kolegjeve zhvillohen gara të ndryshme sportive të njohura si Cuppers, një term që përdoret edhe për gara josportive. Një rëndësi të veçantë iu kushtohet garave sportive që zhvillohen me Universitetin e Kembrixhit, ku më e famshja është Gara të Vozitjes me Varka (Race Boat-Rowing) që zhvillohet  që prej 10 Qershorit 1829 në Lumin Tamiz mes ekipeve të dy universiteteve, e cila ndiqet nga një audiencë e gjerë televizive. Gara njihet me emrin ‘Oksford Cambridge Boat Race’ dhe zhvillohet për meshkuj e femra mes ekipeve të Oksford University Boat Club dhe Cambridge University Boat Club dhe varkave që janë me ngjyrë blu të hapur (light blue) për Kembrixhin dhe blu të mbyllur (dark blue) për Oksfordin. Ndërkohë një vëmendje e madhe i kushtohet  edhe garave të tipit regatave të kanotazhit (Rowing Regatas) mes kolegjeve të universitetit sic janë psh Christ Church Regatta, Torpids dhe Summer Eights. Për këtë arsye logot e stemat e shumë kolegjeve janë të gdhendura në varkat e lopatat vozitëse që përdoren për këtë qëllim. Përveç sporteve tradicionale, në Universitetin e Oksfordit ka ekipe që luajnë sporte të tilla si Oktapoush (UWH- Under Water  Hockey –Lojë Hockey nën ujë) apo Quidditch ose Quadball që është një sport i ngjashëm me Hendbollin. Ndërkohë në Universitetin e Oksfordit botohen edhe dy gazeta javore studentore siç është Cherwell dhe OUSU’s The Oxford Student. Publikime të tjera përfshijnë revistën Isis, Oxymoron satirike, Oxonian Review, Oxford Political Review dhe gazetën e vetme online The Oxford Blue. Nga ana tjetër studentët kanë edhe një stacion të radios studentore që është i njohur si Oxide Radio. Shumica e kolegjeve kanë kore të kishës për shkak të traditës së hershme kishtare të këtyre kolegjeve ashtu sikurse në nivel kolegji ka shoqata të muzikës, dramës si psh Shoqata e Dramës të Universitetit të Oksfordit (Oxford University Dramatic Society OUDS) apo Shoqata e Komedisë e Universitetit të Oksfordit (Oxford Revue). Gjithashtu shumë fusha studimi kanë shoqatat e tyre studentore ku më e vjetra është Shoqata Shkencore e Universitetit të Oksfordit (OUSS The Oxford University Scientific Society (OUSS). E themeluar në vitin 1882 si Klubi Shkencor Junior i Universitetit të Oksfordit (Oxford University Junior Scientific Club) është një nga shoqatat më të vjetra shkencore universitare në botë. Ajo organizon biseda me tema shkencore cdo javë duke ftuar personalitete të njohura të botës shkencore. Ndërkohë një nga shoqatat më të spikatura të Universitetit të Oksfordit është Shoqata e Unionit të Oksfordit (The Oxford Union Society-OUS) e cila njihet edhe si Unioni i Oksfordit dhe që përfaqëson një  shoqatë apo klub debati të njohur, anëtarësia e të cilit përbëhet kryesisht nga studentë të Universitetit të Oksfordit. Shoqata është krijuar në 1823 si një shoqatat më të vjetra studentore në botë dhe ndër më prestigjiozet dhe është anëtar i Këshillit Botëror të Universiteteve për Debatin (World Universities Debating Council). Ai është pavarur nga universitet. Unioni i Oksfordit ka një traditë të hershme që lidhet me praninë në këtë strukturë të disa prej individëve më të shquar në botë fushën e politikës, akademisë dhe artit. Ai organizon debate javore ku ftohen individë me profil të lartë publik. Ndërkohë në Oksford është edhe një strukturë si Klubi Bullington ( Bulington Club), një klub për kriket dhe gara me kuaj, ku anëtarësia është e vlefshme vetëm për studentët meshkuj të Universitetit të Oksfordit që vinë nga shtresat e pasura të shoqërisë angleze dhe që ishin nga ato që në Angli njihen si “shkollat publike” (public schools) që në fakt kanë kuptimin e shkollave private me pagesë e konvikt për fëmijët e shtresave të larta ku përfshihen shkolla të tilla si: 1) Eton, 2) Harrow, 3) St. Paul’s, 4) Stowe, 5) Radley, 6) Oundle, 7) Shrewsbury, 8) Rugby dhe 9) Winchester.

Please follow and like us: